Lajmi i fundit

Bandat shqiptare zotërojnë 60 % të tregut të kokainës

Gangsterët shqiptarë që kontrollojnë tregun e kokainës së pastër kanë rritur praninë e tyre në Britani me rreth 60 përqind në tre vitet e fundit, duke ushqyer një rritje të krimit të dhunshëm.

Dhuna e bandës është përhapur gjithnjë e më shumë në qytetet bregdetare dhe fshatrat rurale në përputhje me një rritje të mprehtë të kokainës të sjellë nga mafia shqiptare nëpërmjet lidhjeve me kartelet e Amerikës Latine, raporton The Times, shkruan Syri.net.

Ritmi në të cilin banda shqiptare ka pohuar kontrollin e kontrabandës me shumicë të kokainës dhe shpërndarjen në Britani është paraqitur në shifra nga Agjencia Kombëtare e Krimit.

/Ariglon Pali/Syri.net/

Bandat shqiptare zotërojnë 60 % të tregut të kokainës Read More »

Tensione në Kuvend/ Basha: Xhafa ‘peshku i madh’ bashkë me vëllanë mafioz, opozita bllokon foltoren, Ruçi mbyll seancën

Pas fjalimit të Lulzim Bashës, ku vijoi me akuzat ndaj ministrit Xhafa, opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit. Edhe pse kryetari i Kuvendit kërkoi disa herë që opozita të zinte vendet e saj kjo e fundit ka kundërshtuar. Pas kësaj tentative Ruçi urdhëroi mbylljen e seancës dhe nxjerrjen jashtë të medieve.

Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se ka fakte të reja për shkelje ligjore, politike e penale të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, që sipas Bashës ka të bëjë me ndryshim të kodit të procedurës penale, kur ministri ishte në kreun e komisionit të reformës në drejtësi.

“Dje deklaroi se në raport me çështjen e dënimit të vëllait nuk ka pasur asnjë lloj pushteti për të ndikuar në asnjë lloj forme mbi të, ky është mashtrimi i dytë i tij për të mbrojtur veten e tij nga vepra penale e korrupsionit të zyrtarit të lartë, siç do provohet sot me dokumente zyrtare, Fatmir Xhafaj në detyrën e tij si kryetar i komisionit të reformës në drejtësi ka ndryshuar përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare Kodin e Procedurës Penale për të shpëtuar vëllain e tij, konkretisht nenin 491”, tha Basha.

Sipas tij Xhafa është peshku i madh, krimineli i pandëshkuar dhe të dy bashkë me të vëllanë “janë një prej kokave mafioze që kanë ndryshuar Vlorën në kryeqytetin e kokainës”.

Por ndërprerja e fjalës së Bashës, ka ngritur në këmbë deputetët e opozitës që janë mbledhur para foltores, teksa kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi thotë se koha e tij mbaroi. Ruçi mbylli seancën.

Tensione në Kuvend/ Basha: Xhafa ‘peshku i madh’ bashkë me vëllanë mafioz, opozita bllokon foltoren, Ruçi mbyll seancën Read More »

Avancon dosja “Tahiri”, sekuestrohen dosje në Portin e Vlorës…

Shkarkimi i kreut të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj vjen vetëm pak ditë pas avancimit të dosjes “Tahiri”. Mësohet se një sërë dokumentesh janë sekuestruar në Portin e Vlorës të cilat pritet të fakuojnë lëvizjet e ish Ministrit të Brendshëm.

Ndërsa shkarkimi i Hajdarmataj është argumentuar se do ti hapë rrugën hetimeve për Tahirin, kujtojmë se Besim Hajdarmataj ishte ai që kërkoi arrestimin e  ish ministrit dhe po ashtu së bashku me një grup prokurorësh kanë bashkëpunuar me Prokurorinë e Katanias për hetimet në Itali pas ekstradimit të Nazer Seitit i njohur si financier i bandës së Habilajve, grupi i trafikut të drogës, përgjimi i të cilëvë përfshiu edhe Tahirin në  këtë rrjet.

Avancon dosja “Tahiri”, sekuestrohen dosje në Portin e Vlorës… Read More »

E fundit/Godet Arta Marku, ikën kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hadarmataj. Kush e zëvendëson

Ashtu siç e paralajmëruam disa ditë më parë goditja ka filluar nga Krimet e Rënda.  Kreu i kësaj Prokurorie, Besim Hadarmataj është larguar sot nga detyra. Në vend të tij është emëruar Prokurorja e Durrësit,  Donika Prela.

Hadarmataj nuk pranoi arrestimin e Llallës dhe zvarriti dosjen Tahiri.

Drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i cili është i mirmonitoruar si shitës i sekreteve hetimore të shumë dosjeve të rëndësishme që kanë lidhje me krimin e organizuar kryesisht me figura të spikatura politiko-kriminale pritet të arrestohet.

Që nesër erë prangash.

E fundit/Godet Arta Marku, ikën kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hadarmataj. Kush e zëvendëson Read More »

Skema e korrupsionit dekan –pedagog – student- sekser, policia jep detaje pas arrestimit të 7 personave

Pas arrestimit të dekanit të Fakultetit të Shkencave Humane, shefes së departamentit të gazetarisë dhe 1 pedagogeje, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka vendosur pezullimin e tyre nga detyra.
Finalizohet operacioni “Dekani”.

Operacioni nga strukturat e D.V.P. Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit. Operacioni me metoda speciale të hetimit prej disa muajsh hetime. Goditet një grup në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, dekan –pedagog – student- sekser në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Finalizimi i operacionit mëngjesin e sotëm duke vënë në pranga 7 persona.
Nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan u finalizua me sukses operacioni “Dekani”.

Në kuadër të këtij operacioni pas një hetimi disa mujor me metoda speciale u bë e mundur arrestimi i shtetasve:

1- A.R, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.

2- E.L, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan.

3- E.C, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, Pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.

4- P.K, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.

5- A.K, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.

6- A.N, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.

7- M.C, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.

Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259 i Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm, në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.

Vazhdojnë hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Skema e korrupsionit dekan –pedagog – student- sekser, policia jep detaje pas arrestimit të 7 personave Read More »

Mbërrin në Shqipëri mbas 20 vitesh Izet Haxhia, policia “blindon” Rinasin

Në orën 20:10 minuta ka zbritur në aeroportin e Rinasit Izet Haxhia. Ai u nis pasditen e sotme nga Stambolli, ndërsa pas pak do të zbresë në Rinas. Eskorta me dy makina të blinduara të Drejtorisë së Burgjeve me 12 trupa ka mbërritur në orën 19:30 minuta në Rinas.

Haxhia do të dërgohet fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa më pas do të transferohet në burgun e sigurisë së lartë 313. Brenda 48 orëve ai do të dalë para gjykatës.

Ekstradimi dhe rihapja e dosjes Hajdari
Ditën e sotme pala shqiptare i dorëzoi kërkesën palës turke për ekstradimin në rrugë diplomatike. Kërkesa e Ministrisë shqiptare të Drejtësisë i është dorëzuar ambasadës shqiptare në Ankara përmes Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Ambasada shqiptare ia ka përcjellë Ministrisë së Jashtme turke, e cila e ka dorëzuar shkresën me kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë.

Ish-truproja i Presidentit Berisha u arrestua në vitin 2006 në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Haxhia u vetëdorëzua tek autoritetet turke pak javë më parë. Ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ish-truproja i Sali Berishës nuk e ka pranuar kurrë. Ai kërkoi që të ekstradohet dhe të përballet me akuzat e drejtësisë shqiptare, ndërsa do të mbrohet nga avokati Fran Dashi.

Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes ‘Hajdari’, pasi Izet Haxhia është shprehur vazhdimisht se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu 12 shtatorin e vitit 1998.

Mbërrin në Shqipëri mbas 20 vitesh Izet Haxhia, policia “blindon” Rinasin Read More »

Rikthimi i Izet Haxhisë rihap dosjen “Hajdari”, Berisha takoi mbrëmë 3 avokatët e tij për të përgatitur mbrojtjen. Mund të hapet shpejt dhe afera e CEZ

Sali Berishës përfundimisht i është prishur qetësia me të cilën kishte vendosur të mbyllte dhe këto ditë të fundit te jetës së tij politike.

Jo se mendon të pushojë, por i mësuar për të qënë gjithnjë “qen sulmi” nuk ka llogaritur asnjëherë që një ditë të bukur gjithçka mund të të kthehet kundër.

Ndoshta dhe në momentin më të keq, kur dhe takati të lë, dhe mbi të gjitha mendja ka kohë që e ka lënë dhe receptorët nervorë si dhe “materia gri” e Berishës ka kohë që punon për inerci dhe thjeshtë e vetëm në mënyrë mekanike.

Në moshën e tij të pleqërisë, pra me mendje dhe takat të lënë dhe vetëm me “neps” të pashuar për gjithçka, Berisha do të përballet me një sërë dosjesh të rënda kriminale, që përmbajnë të gjitha shkeljet, krimet dhe abuzimet që ka bërë.

Një “faturë” që me sa duket do ti serviret nga drejtësia njëherësh, me të vetmin ngushëllim që do të ketë një fund të tmerrshëm dhe jo një tmerr pa fund.

Rastet Mubarak dhe Pinoçet që shkuan me barrelë dhe uturak me vete në gjykatë për të marrë dënimin për krimet e kryera ka kohë që po e torturojnë dhe Sali Berisën. Me frikën se mos do të kalojë dhe ai nëpër këtë kalvar.

Rikthimi i ish truprojës së tij Izet Haxhia nga azili politik në Turqi, dhe deklaratat e tij vetë dhe përmes avokatit Fran Dashi se do të kërkojë rihapjen e hetimit për vrasjen e Azem Hajdarit, të vrarë 20 vite më parë, pikërisht në 20 vjetorin e vrasjes, ka shqetësuar Sali Berishën.

Ish kryeministri e di se Izet Haxhia ka të drejtën ligjore të kërkojë dhe të marrë prej organeve të drejtësisë rihapjen e hetimit për Azem Hajdarin, pasi në momentin e hetimit dhe të gjykimit ai nuk ka qënë prezent dhe ligji e favorizon në këtë rast.

Por gjithashtu e di se Izet Haxhia ka paralajmëruar se në rihetimin e vrasjes së Azem Hajdarit do të zbardhë disa të vërteta të hidhura dhe të padëgjuara më parë për Sali Berishën dhe lidhjen e tij me vrasjen e Liderit të Dhjetorit më 12 shtator 1998, para selisë së PD.

Për këtë arësye ish kryeministri Sali Berisha, për ti dalë të keqes përpara, meqë dhe avokatët tashmë i ka përzgjedhur, ka kërkuar një përgatitje thelbësore për këtë bejejë ligjore që e pret me rikthimin e ish badigardit të tij Izet Haxhia nga Turqia.

Në kuadër të kësaj përgatitjeje, mbrëmë vonë në shtëpinë e tij janë parë të hyjnë njëri pas tjetrit avokatët personalë të Berishës, Genc Gjokutaj, Neshat Fana dhe Çlirim Gjata.

Burime të rezervuara kanë shprehur dyshimin se bashkë me vajzën e tij Argita Berisha Malltezi është parë dhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca. Por nuk ka konfirmim të qartë për involvimin direkt të Erinda Ballancës në këtë çështje, pavarësisht se studioja e saj ligjore në bashkëpunim me atë të Argitës janë në funksion të mbrojtjes ish kryeministrit me kapacitet të plotë.

Mësohet se tre avokatët e Berishës kanë qëndruar shumë vonë në shtëpinë e tij, çka bën të dyshosh se takimi në orët e vona të natës me ish kryeministrin ka qënë në kuadër të përgatitjes më të përballuar rihapjen e hetimit për vrasjen e Azem Hajdarit.

Në një rast të tillë Sali Berisha do të jetë dhe kryesori që do të dëshmojë për të gjitha akuzat që ka ngritur ish badigardi i tij Izet Haxhia. Akuza që fillojnë, që nga momenti i parë i thirrjes nga Lushnja i Azem Hajdarit, kush e nxori jashtë, kush e përplasi me vrasësit, pse u zhduk telefoni i tij që përmbante dhe thirrjet e fundit dhe pse Berisha 5 minuta pas vrasjes bëri deklaratën për mediat ku deklaronte me emër dhe mbiemër vrasësit e liderit të dhjetorit.

Mësohet se Berisha po përgatitet në total për të gjitha akuzat të cilat ka hedhur Izet Haxhia, që nga vrasja e Hajdarit, tek tentativa për grusht shtetit dy ditë më vonë dhe marrja e institucioneve si dhe urdhëri për të hedhur në erë ambasadën amerikane. Por do të hetohet dhe për vrasjen e gati të gjithë djemve të Tropojës.

Ndaj dhe Berisha po përgatitet me avokatët e tij.

Nga ana tjetër mësohet se pritet që dhe dosja e aferës së CEZ të shkojë në gjykatë, pasi Nuel Kalaj nuk mund të gjendet, dhe se ka prova të mjaftueshme për implikimin e familjes Berisha, Sali dhe Shkelzen në këtë aferë për zhdukjen e mbi 414 milionë eurove.

Organi i akuzës e ka të pajustifikueshme që të zgjasë më tej hetimin e aferës së CEZ, kështu që Berisha do të duhet të përgatitet dhe për këtë përballje me drejtësinë.

Njëherësh mësohet se pas këtyre dosjeve pritet të “thyhet akulli” dhe të shkojnë në gjykatë dhe dosja e Gërdecit, rrugës së Kombit, 21 janarit dhe dosje të tjera, duke ia bërë më të sigurtë Sali Berishës rrugën drejt burgut./Pamfleti.com

Rikthimi i Izet Haxhisë rihap dosjen “Hajdari”, Berisha takoi mbrëmë 3 avokatët e tij për të përgatitur mbrojtjen. Mund të hapet shpejt dhe afera e CEZ Read More »

Zhvillime të shpejta/ Gjykata e Lartë në Turqi jep “OK”, mbërrin në ambasadën shqiptare kërkesa për ekstradimin e Izet Haxhisë

Gjykata e Lartë në Turqi ka miratuar këtë të mërkurë ekstradimin në Shqipëri të Izet Haxhisë.  Ndërkohë në ambasadën shqiptare në Turqi ka mbërritur kërkesa për ekstradimin e tij, ku Ministria e Drejtësisë kërkon përshpejtimin e procedurave.

Izet Haxhia ndodhej në arrati i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit në shtator të vitit 1998. Ish-truproja i Sali Berishës gjatë kohës që ky ka qenë President i vendit u dënua me 25 vite burg. Nga ajo kohë ai jetonte në Turqi me statusin e azilantit politik.

Vetë Izet Haxhia ka deklaruar për News24 se është njohur sot me vendimin e gjykatës. Sipas tij është e çuditshme që “u kujtuan pas 12 vitesh për ekstradimin e tij dhe tashmë që janë arrestuar peshqit e mëdhenj”. Gjatë gjithë këtyre viteve Haxhia dhe Berisha kanë shkëmbyer akuza të forta për njëri tjetrin.

Vrasja e Azem Hajdarit

Deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet. Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra.

Për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha dhe mbanin poste të rëndësishme.

Sipas prokurorisë ishte Izeti ai që telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij, ku 10 minuta më pas u ekzekutua në pritë, ndonëse një moment i tillë mbetet ende i paqartë. Në një proces gjyqësor maratonë u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia, që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vitet heqje lirie.

I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje. Edhe pse dosja u mbyll me ndëshkimin e 3 personave, asnjëherë nuk u tha motivi përse u ekzekutua Azem Hajdari.

Gjatë hetimeve u vërtetua se mbi deputetin kishte qëlluar Fatmir Haklaj, i cili u ekzekutua më vonë gjatë një atentati të mirorganizuar. I vetmi që u shpall i pafajshëm për “vrasjen e shekullit”, ishte Fatmir Meta i cili u lirua në sallën e gjyqit.

Zhvillime të shpejta/ Gjykata e Lartë në Turqi jep “OK”, mbërrin në ambasadën shqiptare kërkesa për ekstradimin e Izet Haxhisë Read More »