Lajmi i fundit

42 parti marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit

42 Parti politike do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

KQZ ka publikuar listën e të gjitha partive që do të kenë kandidatët e tyre në këto zgjedhje lokale.

Ndërkohë ende pritet të zyrtarizohen kandidatët për kryetarë bashkie në 61 bashkitë e vendit si dhe listat e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë, teksa mbrëmë në mesnatë ka përfunduar afati i regjistrimit të kandidatëve.

Lista e partive të regjistruara në zgjedhjet vendore 2019

1- Partia e Gjelbër – Edlir Petanaj
2- Partia Kombëtare Konservatore – Kujtim Gjuzi
3- Partia Kristian-Demokrate – Dhimitër Muslia
4- Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë – Zef Bushati
5- Partia Socialiste e Moderuar – Gjergji Koja
6- Partia Unitetit Kombëtar – Idajet Beqiri
7- Partia Emigracionit Shqiptar – Kostaq Papa
8- Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë – Kadri Isufaj
9- Partia Personat me Aftësi të Kufizuar – Gjovalin Shqalshi
10- Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare – Genci Sakaj
11- Partia e të Drejtave të Mohuara – Ilir Vata
12- Partia Demokracia e Re Europiane – Koçi Tahiri
13- Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane – Valentino Mustaka
14- Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet – Kujtim Muça
15- Partia Ardhmëria Shqiptare – Emin Subashi
16- Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen – Kristo Kiço
17- Partia Aleanca Demokratike Shqiptare – Eduart Abazi
18- Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë – Arian Galdini
19- Partia Socialpuntore Shqiptare – Ramadan Ndreka
20- Partia Socialdemokrate e Shqipërisë – Skënder Gjinushi
21- Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet – Gaqo Apostoli
22- Partia Socialiste e Shqipërisë – Edi Rama
23- Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar – Ylber Valteri
24- Partia Ora e Shqipërisë – Zef Shtjefni
25- Partia Bashkimi Liberal Demokrat – Arian Starova
26- Partia Për Mbrojtjen e te drejtave te emigranteve – Ymer Kurti
27- Partia e Reformave Demokratike Shqiptare – Krenar Rryçi
28- Partia e Pajtimit Kombëtar Shqiptar – Spartak Dobi
29- Fryma e Re Demokratike – Bamir Topi
30- Lista e Barabartë – Ben Blushi
31- Partia Komuniste e Shqipërisë – Qemal Cicollari
32- Partia Zgjidhja – Koço Kokëdhima
33- Partia Demokracia Sociale – Paskal Milo
34- Partia Ligj dhe Drejtësi – Spartak Ngjela
35- Partia G99 – Redi Shtino
36- Partia Aleanca Kuq e Zi – Lumturi Ratkoceri
37- Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim – Edmond Themelko
38- Partia Balli Kombëtar – Adriatik Alimadhi
39- Partia Aleanca Arbnore Kombëtare – Gjet Ndoj
40- Partia Aleanca Popullore – Artur Dojaka
41- Partia Shqipëria e Re – Oltion Kordha
42- Partia Bindja Demokratike – Astrit Patozi/atsh

42 parti marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit Read More »

30 të lëndur në protestën e opozitës, 18 policë e 12 qytetarë

30 persona kanë marrë trajtim në Urgjencën e QSUT dhe spitalin e Traumës pas protestës së opozitës. Nga këta persona, 18 janë forca policie si dhe 12 qytetarë të traumatizuar, në zona të ndryshme të trupit për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike dhe bombave molotiv gjatë zhvillimit të protestës së opozitës.

Në urgjencën e Spitalit të Traumës janë trajtuar 14 efektivë policie, 4 protestues dhe një operator.

Pacientëve iu janë kryer ekzaminimet e nevojshme diagnostikuese dhe kanë marrë mjekimin përkatës.

Në këtë spital vazhdon të jetë nën observimin mjekësor Sahit Dollapi i cili mbërriti në orën 00.30 të mëngjesit të dates 12.05.2019 i shoqëruar nga ekipi i urgjencës paraspitalore. Aktualisht pacienti rezulton të jetë mirë, jashtë rrezikut për jetën. /atsh

30 të lëndur në protestën e opozitës, 18 policë e 12 qytetarë Read More »

Operacioni antidrogë “BISTRICA 2019”, shkon në 13 numri i të arrestuarve

Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasin E.M., 37 vjeç, banues në Patos, si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike.

Dy ditë më parë Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, finalizoi operacionin antidrogë të koduar “BISTRICA 2019”.

Në operacion u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier.

“Pas një hetimi proaktiv, përgjatë një harku kohor disa mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit gjatë operacionit policor të koduar “BISTRICA 2019”, u arrestuan dhe u ndaluan 11 persona si dhe u sekuestruan 79 kg kanabis sativa, e fshehur në një automjet në vende të krijuara posaçërisht. Po gjatë operacionit, në kontrollet e ushtruara u sekuestruan edhe tri armë zjarri u vu në pranga një 52-vjeçar nga Mallakastra”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Sipas policisë, më 5 prill të këtij viti në funksion të këtij procedimi penal në Kapshticë, u arrestua edhe një pjesëtar tjetër i këtij grupi kriminal, ku u sekuestrua rreth 68 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.

Gjithsej në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 145,6 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa; 3 armë zjarri dhe municion luftarak, 4 automjete të markave të ndryshme; një sasi vlerash monetare, 14 aparate celularë me kartat Sim të markave të ndryshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky grup kriminal./atsh

Operacioni antidrogë “BISTRICA 2019”, shkon në 13 numri i të arrestuarve Read More »

I jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj, Rama: Lavdi përjetë Dëshmores së Atdheut

Për nder të nëntetares Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të Forcave të Armatosura në Letoni, u zhvilluan sot homazhe në Pallatin e Kongreseve.

Në një ceremoni të veçantë, familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe krerët më të lartë të shtetit nderuan kujtimin e saj duke shprehur edhe mbështetje ndaj familjes së Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanajt.

“Sot flamuri ynë kombëtar rri në gjysmë shtizë për të vajtuar në heshtjen e tij të përjetshme të parën vajzë në historinë e Forcave të Armatosura që ndahet nga jeta për shkak të detyrës, Zarife Hasanaj”. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e zhvilluar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën gjatë misionit në Letoni.

“Vështirë sa s’thuhet të gjenden fjalët e lamtumirës për ushtaraken Zarife Hasanaj, që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës në krah të dhëndrit, prindërit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krahët e shokëve të saj të Forcave të Armatosura, në praninë e dy motrave dhe vëllait të saj, që pranë prindërve dhe rrethit familjar, ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm të një humbje pa kthim mes tyre”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ne po e përcjellim Zarifen sot në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj, lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar, për të cilin Forcat e Armatosura të Republikës janë betuar të sakrifikojnë edhe jetën në mbrojtjen e atdheut dhe të amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuqezi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re”.

“Ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera si kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj Republike dhe si prind e vëlla, prindërve, motrave, vëllait dhe gjithë të afërmve të vajzës, e cila tanimë i përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe me emrin shqiptar”, tha më tej Rama.

Vajza e mbështjellë me flamurin e atdheut, – vijoi Kryeministri, – është sot mishërim i tronditjes i së vërtetës së përditshme të besnikërisë ndaj atdheut, përkushtimit dhe sakrificës për atdheun të FA-së”.

Forcat e Armatosura, theksoi Kryeministri, janë një bashkësi burrash e grash, vajzash e djemsh, që jetojnë çdo ditë, çdo orë të ditës e natës me misionin që të na mbrojnë të gjithëve ne nga çdo kërcënim i jashtëm dhe të sigurojnë vendin dhe dinjitetin e merituar për Shqipërinë në bashkësinë e madhe të familjes së popujve të rreshtuar në anën e duhur të historisë, krah për krah me çdo sfidë dhe mision të NATO-s.

“I shohim pak mes nesh por edhe familjet e tyre pak i shohim e dëgjojmë në të përditshmen tonë. I admirojmë kur në ditët e vështira shfaqen pranë njerëzve në nevojë për ndihmë dhe luftojnë për të shpëtuar jetë njerëzish në operacione heroike shpëtimi. I falënderojmë në ditët e shënuara kur janë të rreshtuar përballë tribunës ceremoniale, por jo gjithmonë e mendojmë se teksa e përditshmja jonë vazhdon me punën, hallet, mërzinë dhe gëzimet e veta, ata vazhdojnë larg syve tanë të bëjnë çdo sekondë të njëjtën gjë, të njëjtën sakrificë, të njëjtën përpjekje të mundimshme, të përditshme për të na mbrojtur dhe për të siguruar vendin e dinjitetshëm të Shqipërisë në rreshtat e NATO-s”, tha Rama.

Duke vlerësuar efektivët e FA-së, Rama tha se “ata janë vajza e djem, burra e gra, që sot në këtë moment të dhimbshëm ta kujtojnë më shumë se asnjëherë fjalën që thotë se, ‘heroi është një njeri i zakonshëm që ka fuqinë të durojë dhe këmbëngulë përballë pengesave që të marrin frymën”.

Zarife Hasanaj, e mobilizuar në FA 11 vjet më parë, në vitin 2013 mori titullin oficere me gradën nëntetare.

“Nga gjithçka dëgjova më bëri përshtypje se kushdo që më tregoi për të përdori fjalën përpikmëri: me përpikmëri i përgjigjej detyrave, vepronte me përpikmëri. Nën flamurin kuqezi, Zarife Hasanaj do ta bëjë rrugëtimin e fundit për t’u ndalur përjetë në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Mbi kryet e saj ditë e natë për të gjitha motet do të jetë Nëna Shqipëri”, tha Rama.

Ne të tjerëve, tha Kryeministri, “nuk na mbetet asgjë tjetër veçse t’u japim lamtumirën dhe ta kujtojmë bashkë me ata që u ndanë nga kjo jetë për t’u kthyer në pjesë të altarit të lartë të Atdheut.

“Ta kujtojmë jo vetëm në datat e shënuara kushtuar dëshmorëve, por edhe duke u përpjekur çdo ditë të mos e harrojmë në të përditshmëri përpikshmërinë e amanetit të tyre për shqiptarët dhe gjeneratat e tjera. U prehtë në paqe e na ndriçoftë në çdo hap të rrugës sonë drejt së nesërmes”, tha Rama.

Xhaçka: Fjalët për Zarifen, nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë boshllëkun që la

Në fjalën e lamtumirës, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se “nuk është e lehtë të zgjedhësh sot fjalët e lamtumirës për vajzën dhe motrën tuaj, për kolegen dhe miken tonë të dashur, sepse asnjëri prej nesh, nuk e kishte menduar kurrë për t’u mbledhur këtu, në këtë ditë zie kombëtare, sepse asnjeri prej nesh as e kishte çuar ndërmend që, Zarife Hasanaj, me gjallërinë dhe vitalitetin që kishte, me dëshirën dhe dashurinë për jetën që e karakterizonte, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit”.

“Fjalët tona për ty e dashur Zarife, nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë atë boshllëk të madh njerëzor, që na le të gjithëve dhe të na çlirojë nga dhimbja e rëndë që ndjen sot babai yt i mirë, Muharremi, nëna jote e dhimbsur Rivja, vëllai Adriatik, motrat Valbona dhe Eduarta, por edhe miqtë e kolegët e tu, gjithsecili prej nesh që të njohëm. Vetëm pak ditë më parë, kur përkujtuam Ditën e Dëshmorëve vizitova varrezat dhe eca mes varreve të të rënëve. Çdo herë që e vizitoj atë vend e kam të pamundur të mos ndjej trishtim të thellë, kur shoh aq e aq jetë të prera në mes: djem e vajza, burra e gra, ëndrrat, planet, dëshirat e të cilëve u lanë në mes. E kam të pamundur të mos mendoj për familjet, që lanë pas me një barrë dhimbje, që askush, veç tyre, nuk mund ta kuptojë kurrë plotësisht. Por bashkë me trishtimin, ndjej edhe krenari, admirim, dhe respekt, për ata shqiptarë të thjeshtë, që ishin të gatshëm të rrezikonin shumëçka e të sakrifikonin gjithçka në shërbim të atdheut të tyre”, tha Xhaçka.

Ministrja u shpreh se “Zarifja u bashkohet sot atyre dhjetëra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, që kanë dhënë jetën për atdheun. Dhe besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta nderuar vajzën tonë, sesa duke kujtuar një të vërtetë të madhe për të gjithë ato djem e vajza, që si Zarifja zgjedhin të shërbejnë në Forcat e Armatosura. Ka një fjalë që thotë se: ata që shërbejnë në FA janë njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi i tyre ndaj uniformës dhe gatishmëria për të sakrifikuar.

Ndërsa theksoi se, “Nëntetarja Hasanaj nuk ishte thjesht një efektive e talentuar, që e mbante uniformën me krenari dhe që i bënte nder uniformës së FA me punën dhe shërbimin e saj. Ajo ishte edhe një shembull për shumë vajza që duan t’i bashkohen FA. Ajo ishte një nga më të mirat. Një nga ushtaraket më të afta dhe që unë besoj që kishte përpara një karrierë të shkëlqyer. Dhe kjo e bën gjithçka akoma më të dhimbshme. Humbëm një nga më të mirat që kishim dhe, që do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë”.

“E di që ky është një nga ato raste për të cilat nuk gjen dot kurrë fjalët e duhura. Asnjë fjalë, asnjë veprim nga ana jonë nuk mund t’ju rikthejë ju vajzën që humbët. Por edhe ne dhimbjet më të thella ka gjithmonë një ngushëllim dhe force për t’u ringritur. Unë, qe e njoh dhe e vlerësoj qëndrimin e familjes së Zarifes, forcën me të cilën po përballin këtë dhimbje të jashtëzakonshme, jam e bindur, se ata do ta mbajnë gjithnjë të hapur derën e madhe të familjes Hasanaj. Ata do ta mbajnë të hapur atë derë për shokët, miqtë e kolegët, të cilët bashkë me ta, do ta ruajnë gjithmonë në kujtesë Dëshmoren me të Re të kombit shqiptar, ashtu siç ajo ishte deri në ditën e fundit të jetës së saj, e qeshur, miqësore dhe e përkushtuar”- përfundoi ministrja Xhaçka.

Kollçaku: Heroina e paharruar e FA-së

“Në këtë ditë të vështirë jemi bashkë për ti thënë lamtumirë Zarifes sonë të dashur. Zarifja bija e Shqipërisë, heroina e Shqipërisë po shkon në altarin e pavdekësisë në gjirin e Nënës së Madhe Shqipëri, dëshmorët shkojnë në vendin e shenjtë aty ku prehen të përjetshmit e pavdekshëm”, – tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku gjatë homazheve në nderim të nëntetares së rënë në krye të detyrës, Zarife Hasanaj.

“Detyra në uniformën ushtarake është një shërbim fisnik por i vështirë me sfida dhe sakrifica. Detyra e Zarifes ishte një detyrë për njerëz trima dhe të guximshëm, në çdo cast sfiduese, vetëmohuese dhe me të papritura, ku e papritura na solli 6 majin që na ndau nga Zarifja”, – tha Kollçaku.

Ai shtoi se, “ajo u nda nga njerëzit e saj më të dashur nga familja, kolegët dhe miqtë për të gdhendur dhe përjetësuar portretin e saj dhe emrin e saj në kurorën e lavdisë dhe krenarisë së forcave tona të armatosura. Nuk do jetë e lehtë për askënd të përballojë dhimbjen e thellë dhe të papërballueshme që po lë pas ikja e papritur e Zarifes sonë”.

“Familja juaj nuk do jetë vetëm, ju jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Humbja dhe dhimbja janë të përbashkëta dhe detyrimet janë të përbashkëta, ne ndjejmë detyrimin të jemi pranë jush dhe të jemi bashkë”, – u shpreh Kollçaku.

“Humbëm një ushtare krenare, kreshnike dhe fisnike, Zarifja do na mungojë, por ne kolegët e saj ndjejmë zërin e saj që na flet se zemrat lartë dhe kokën lart për detyrën, për nderin e Shqipërisë ne kemi bërë betim mbi jetën dhe me jetën tonë dhe ne e mbajmë betimin. Ne do e ndjekim amanetin e Zarifes sonë të shtrenjtë, ne do vazhdojmë të jemi në vijën e parë të Aleancës ku Zarifja na ka lënë më krenari vendin e nderit. Lamtumirë heroina e paharruar e Forcave të Armatosura”, – përfundoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku./atsh

I jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj, Rama: Lavdi përjetë Dëshmores së Atdheut Read More »

Policia e Shtetit: 54 të proceduar në 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 54 shtetas, nga këta: 12 janë arrestuar në flagrancë, 40 ndiqen në gjendje të lirë, 2 janë kapur.

Janë kapur 2 shtetas në kërkim, konkretisht: 1 në qarkun Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe 1 në Kukës, i dënuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste në qarkun Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Vlorë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Berat, 1 në Fier, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Durrës, 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në qarkun Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Për 4 rastet e tjera janë plotësuar kërkesë – paditë për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Për 9 rastet e tjera në gjithë territorin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, 2 në Fier, 1 në Dibër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë. Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën, si dhe një tjetër ka humbur jetën.

Janë evidentuar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, të cilët janë arrestuar në flagrancë. Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. /atsh

Policia e Shtetit: 54 të proceduar në 24 orë Read More »

Krimet e Rënda dënojnë me 10 vite burg Klement Balilin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dënimin me 10 vite burg për Klement Balilin. Gjykata mori vendimin për ta dënuar Balilin me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 10 vite burg.

Në seancën e sotme u lexua mbrojtja, ku avokati Theodhori Sollaku kërkoi pafajësi për Balilin. Sipas avokatit akuzat ndaj Balilit janë të pabaza dhe nuk mbështeten në prova.

Prokuroria kërkoi 18 vite burg për 4 akuza, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet me një të tretën, duke kërkuar përfundimisht 12 vite burg.

Gjykata pasi u tërhoq për të marrë vendim e deklaroi fajtor Balilin, duke e dënuar me 15 vite burg, 10 vite në total.

Balili është akuzuar për kryerjen veprave penale “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”,

“Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. /atsh

Krimet e Rënda dënojnë me 10 vite burg Klement Balilin Read More »

Xhaçka viziton dy efektivët e plagosur në Letoni

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vizitoi dy efektivët e kontigjentit EOD, të plagosur një ditë më parë në Letoni. Ministrja vizitoi major Klodian Tanushin, i cili ndodhet i shtruar në spitalin “Riga East University”, gjendja shëndetësore e të cilit është e rënduar.

Efektivi i Forcave tona të Armatosura ndodhet nën mbikëqyrjen intensive të mjekëve.

Ministrja Olta Xhaçka vizitoi edhe rreshter Juliaj Kapajn, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e bazës ushtarake Camp Adazi në Letoni. Gjendja shëndetësore e rreshter Kapajt është shumë e mirë.

Ceremonia shtetërore e lamtumirës për nëntetaren Zarife Hasanaj do të zhvillohet gjatë paradites të së premtes, më 10 maj 2019.

Trupi i efektives që humbi jetën një ditë më parë pritet të mbërrijë në atdhe ditën e enjte, më datë 9 maj e do të transportohet me avion ushtarak.

Trupi i efektives Zarife Hasanaj do të shoqërohet edhe nga një efektiv kanadez, një letonez dhe kolegë të saj shqiptarë, pjesë e kontigjentit ku bënte pjesë.

Efektivja Zarife Hasanaj do të pritet në aeroportin “Nënë Tereza” me protokoll ushtarak e më pas do të dërgohet pranë familjes së saj. /atsh

Xhaçka viziton dy efektivët e plagosur në Letoni Read More »