Lajmi i fundit

Përgjimet, Rama: Gazetarin do e çoj para gjykatave gjermane, ku drejtësia nuk bën lojëra me sekretet hetimore

Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama iu referua gazetarit të “Bild”ku janë botuar sot të tjera përgjime. Më herët kryeministri Rama nxiti prokurorinë shqiptare të vijojë intensivisht hetimet.

Sipas tij, ky është i gjithi një skandal i turpshëm, i gatuar për shantazh dhe lojë politike. /atsj

Përgjimet, Rama: Gazetarin do e çoj para gjykatave gjermane, ku drejtësia nuk bën lojëra me sekretet hetimore Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, 26896 ankesa të zgjidhura

“Shqiperiaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, ku përmes një mesazhi shumë shpejt mund të gjendet zgjidhje për problemet dhe ankesat e tyre.

Këtë javë numri ankesave të zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes në nivel qendror është 26896, ndërsa numri ankesave të regjistruara është 38202.

Në nivel vendor janë regjistruar 6852 ankesa dhe janë zgjidhur 3269.

Sipas shifrave të publikuara nga “Pasqyra e qeverisjes” këtë javë, rezulton se janë dhe 11 raste të spikatura të zgjidhura përmes platformës së bashkëqeverisjes. Konkretisht janë 2 raste nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. 7 raste nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, 1 rast nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 1 rast nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen dhe Sipërmarrjen.

Numri i “log in” në faqen e platformës për javën që sapo mbyllëm ishte 105 292, ndërsa numri i regjistrimeve të reja është 17 999./atsh

Platforma e bashkëqeverisjes, 26896 ankesa të zgjidhura Read More »

Rama: Nuk ka asnjë gjë që na tund nga 30 qershori

“Nuk ka asnjë gjë që na tund nga 30 qershori dhe jemi të detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë tonë të re, zgjedhjen fatale të gabuar të kundërshtarëve tanë për ta lënë fushatën zgjedhore me një kandidat në pjesën më të madhe të vendit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke marrë fjalën në Kuvend, Kryeministri Edi Rama tha se “duhet t’i shpjegohemi Shqipërisë dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë se si erdhi puna deri në këtë pikë vlimi në kazanin e jetës sonë politike dhe pse u keqpërdor Presidenti duke kapërcyer mbi Kushtetutën dhe duke fluturuar si një plumb qorr për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës së zgjedhjeve”.

Rama tha se “duhet të shpjegojmë po ashtu se pse ne nuk e shfrytëzuam mundësinë për të ndaluar fushatën dhe pritur ditën kur do t’i mbushej mendja Saliut dhe Ilirit për të pasur një datë të re zgjedhjesh”.

“Po bëhet një përpjekje e madhe kanal më kanal, portal më portal për të më faturuar mua zgjedhjet pa kundërshtarë kryesorë dhe për ta vijuar logjikën e kësaj që po ndodh duke e trajtuar si pasojë e kokëfortësisë, autoritarizmit, çmendurisë, madje edhe për të provokuar një konflikt civil mbi Shqipërinë”, tha Rama.

Kjo, sipas Ramës, “është një situatë e lidhur me interesat e një grushti njerëzish, aq edhe e pandashme nga interesi kombëtar i Republikës”.

“Çfarë interesi kam unë të jem kaq i patunduar nga bindja se kjo nuk është koha për asnjë kompromis, por për fushatë dhe zgjedhje në 30 qershor. Këto zgjedhje janë vendore. PS në rang vendor qeveris 75% të territorit të vendit dhe drejton shumicën e bashkive kryesore. Shumica parlamentare solide dhe mbështetja për mua dhe qeverinë është e palëkundshme. Qeveria ka 1001 probleme dhe çështje për të adresuar, ekonomia tronditet e turizmi dëmtohet, po ashtu edhe besimi i investitorëve”, tha Rama.

Në këtë situatë, sipas tij, “qetësimi i situatës duket si gjëja më e lehtë dhe jo si një dhimbje jo e vogël koke, si ecja në këto kushte jo normale drejt përpara në rrugën e 30 qershorit”.

“Nuk kam asnjë lloj interesi të ngushtë pragmatist të kthehem në pengesë për qetësimin e kësaj situate dhe asnjë pengesë në rrugën e qeverisjes sikur zgjedhjet të shtyhen qoftë edhe në pafundësi. Madje do të isha ngushtësisht i interesuar, për mua personalisht, rehatinë dhe karrigen time, por edhe qeverinë tonë”, tha Rama.

Unë do të isha i pari, vijoi ai, “që do të hidhesha përpjetë nga gëzimi për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe laja duart me procesin zgjedhor duke thënë ‘bravo, absolutisht dakord’”.

“Ose dhe e kundërta, ngrija duart lart para shqiptarëve se u zhduk data e zgjedhjeve nga horizonti dhe dilja si burrë i urtë e i pafajshëm në një lojë marrëzie politike. Sikur të isha siç dal te filxhni i fallxhores, apo te katrani i plakut dixhital, shpëtoja dhe unë bashkë me PS-në nga zgjedhjee të tjera të mëtejshme, sepse me këtë budallik të kthyer në precedent na jepet mundësia nesër që të themi nuk duam zgjedhje vendore dhe zgjedhje të përgjithshme, sepse kemi informacione të sigurta për një sulm bërthamor ndaj Shqipërisë”, tha Rama.

Por, sipas tij, “shtetet demokratike kanë Kushtetutë dhe ligje dhe nuk funksionojnë veçse me parimin e barazisë së të gjithëve para ligjit”.

Ndaj, tha Rama, nuk kthehen në veprime politike dhe t’i imponohen një populli të tërë për hesap të një pale apo një tjetre.

“Jo pak njerëz thonë se ne nuk i kemi respektuar aq shumë Kushtetutën dhe ligjet sa të jemi tani kaq të ngurtë tani. Le t’i biem edhe njëherë shkurt si i kemi rënë për 30 vjet për të ulur tensionin e lartë dhe shpëtuar Shqipërinë nga konflikti civil, vrasjet e njerëzve të pafajshëm dhe një ’97 tjetër. Dua t’ju pyes, çfarë ka ndodhur ndonjë gjë e ngjashme me ’97 që tani duhet t’i frikemi se na përsëritet një ’97 tjetër? Cilat skema piramidale po bien dhe kursimet e kujt po digjen? Në cilat qytete po shfaqen shenjat e kryengritjes popullore për ndonjë hall aq të madh dhe në cilat depo armatimesh, NATO po hap dyert për të armatosur shqiptarët ndaj njëri-tjetrit?”, tha Rama./atsh

Rama: Nuk ka asnjë gjë që na tund nga 30 qershori Read More »

Riatdhesohen nga Franca 60 shqiptarë, Voda: Kërkimi i azilit ju penalizon

60 shtetas shqiptarë që kishin kërkuar azil në Francë, janë riatdhesuar sot në aeroportin e Rinasit.

Avioni me shtetasit shqiptarë zbriti në pistën e Aeroportit të Rinasit në orën 13:45. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit ishin prezent gjatë riatdhesimit të 60 shtetasve shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda u bëri thirrje qytetarëve të mos kërkojnë azil, pasi kjo mund t’i penalizojë në të ardhmen. Sipas saj, qytetarët që kapen jashtë rregullave të lëvizjes Shengen, nuk do lejohen të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, të respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Kjo për disa arsye. Në fillim për ata vetë, për faktin se është një kosto e madhe për ta të udhëtojnë drejt këtyre vendeve, duke lënë gjithçka pas dhe më pas të rikthehen e të rinisin nga e para dhe këtu në vendin e tonë. Po ashtu, kjo është një rrugë jo e drejtë dhe nuk i çon asgjëkundi, penalizohen dhe nuk lejohen të udhëtojnë më në shtetet e zonës Shengen”, bëri të ditur Voda.

“Më duhet t’ju njoftoj se në kuadër të vizitës së ministrit të Brendshëm shqiptar në Francë para disa kohësh, me ministrin e Brendshëm francez u dakordësua që procedurat e riatdhesimit do ishin më të shpeshta. Ndaj ju lutem qytetarëve shqiptarë, është e drejta e tyre të migrojnë, por të zgjedhin rrugën e migrimit të sigurt”, theksoi Voda. /atsh

Riatdhesohen nga Franca 60 shqiptarë, Voda: Kërkimi i azilit ju penalizon Read More »

Miku më i madh i Kosovës, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot vjen për vizitë në Kosovë

Miku më i madh i Kosovës, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot vjen për vizitë në Kosovë.

Presidenti Clinton pritet nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Gjatë pritjes nga presidenti Thaçi, Clinton edhe do të dekorohet.Kjo është vizita e dytë e ish-presidentit Bill Clinton në Kosovë.

Clinton urdhëroi forcat e NATO-s që të ndërhyjnë ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe gjatë vitit 1999, për të parandaluar gjenocidin e më tejmë ndaj shqiptarëve./KosovaPress/

Miku më i madh i Kosovës, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot vjen për vizitë në Kosovë Read More »

KQZ për Dekretin e Presidentit, Biba: Akt i pavlefshëm. Zguri braktis mbledhjen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvlerësuar dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve, në një mbledhje urgjente pas vendimit të Metës që sot firmosi Dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri e quajti një sfidë mbledhjen e thirrur sot nga nënkryetari Denar Biba dhe anëtari Bledar Skënderi, pas mbërritjes së dekretit të Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe për të detyruar këtë institucion ta zbatojë dekretin.

“Është një situatë e pazakontë. Momentalisht duket si një lloj sfide. Nga njëra anë kam dekretin e Presidentit që çdekreton datën e zgjedhjeve. Nga ana tjetër kam një axhendë të mbledhjes së thirrur nga dy kolegë të nderuar”, tha Zguri.

“Ka një hierarki ligjore, personalisht në 22 vite që kam, e them dhe një herë nuk më ka rastisur të ndodhem në një situatë të tillë. Të vëmë në diskutim një dekret të presidentit. Ka ndodhur e njëjta gjë edhe më parë, janë tre raste që presidentët kanë çdekretuar dekretet e tyre dhe kanë vendosur një datë tjetër”, tha Zguri.

“Nuk dua të futem janë apo jo në të drejtën e tyre, unë besoj që duhet t’i bindemi një dekreti. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe kur doli dekreti për datën e zgjedhjeve”, tha ai.

“Gjërat nuk shkuan siç ne mendonim, jemi në këtë moment që flasim përballë këtij fakti. Nuk dua të gjykoj kompetencën e presidentit. Nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është apo jo i ligjshëm dekreti i Presidentit. Për mua është detyrim dhe duhet të respektoj dekretin e tij”, tha kreu i KQZ.

Zguri gjithashtu theksoi se, “pika 2 e dekretit më urdhëron që të informoj subjektet zgjedhore për dekretin e Presidentit. As kjo pikë e dekretit nuk respektohet, dhe unë jam ndodhur në vështirësi. Kërkesa ime për t’ia dërguar subjekteve zgjedhore refuzohet. Për mua kjo është fare banale. E thashë si shembull për të kuptuar se ku po shkojmë”.

Duke e cilësuar një situatë të rëndë dhe që mund të ngjallë debat të fortë, kreu i KQZ-së ka braktisur mbledhjen.

“E përsëris. Thirrja e kësaj seancë është një lloj sfide që i bëhet dekretit të Presidentit nga dy kolegë të mitë. Jam i detyruar të çohem ndoshta kolegët mund ta zhvillojnë mbledhjen ose nëse janë në të njëjtën logjikë me mua mund të më bashkohen”, – tha Zguri, i cili braktisi mbledhjen e KQZ.

Ndërsa nënkryetari i KQZ, Denar Biba u shpreh se, “mbledhja ishte parashikuar për orën 12:00, por me të marrë vesh ardhjen e dekretit vendosëm ta shtynim me 2 orë për t’u marrë me brendinë e tij”.

“Presidenti ka nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve në nëntor ku thuhet se “zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor 2019”. Kodi zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin e zgjedhjeve”.

Ky dekret i dytë, theksoi Biba, “është një akt i pavlefshëm. Praktikisht dekreti i sotëm bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kompetencave të tyre”.

“Presidenti nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh, presidenti refuzon të përmbushë detyrimin kushtetues”, tha Biba.

Sipas tij, “shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor”.

Ndërsa anëtarja e KQZ, Rezarta Bitri deklaroi se akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është nul dhe jashtë kompetencave të tij

“Detyrat dhe kompetencat e presidentit rrjedhin nga parimet e shtetit të së drejtës. Veprimet e tij duhet t’i përmbahen kushtetutës, ku thuhet se presidenti ka kompetencë vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve, dhe jo t’i shtyjë apo t’i anulojë ato”, tha Bitri.

Sipas saj, “nuk mund të shtyhen zgjedhjet në infinit. Duhet të kishte një datë për zgjedhje të reja”.

“Është e qartë se sistemi ynë nuk ja jep këtë kompetencë presidentit. As kushtetuta dhe as ligji elektoral nuk parashikojnë një kompetencë të tillë të presidentit. Jam tërësisht e bindur që ky është akt nul dhe nuk na pengon për të vijuar më tej organizmin e zgjedhjeve të 30 qershorit”, tha Bitri.

Anëtarja e KQZ, Edlira Jorgaqi, deklaroi se akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Ajo tha se nuk mund të anulohen zgjedhjet në një kohë kur ka nisur puna për organizimin e tyre.

“Akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Është cenim i parimit të ligjshmërisë. Akti është absolutisht i pavlefshëm edhe kur organi ushtron një kompetencë që ligji nuk ia lejon. Nga nëntori ligji nuk njeh asnjë kompetencë për shtyrë apo shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Si rrjedhojë e aktit për zgjedhjet në 30 qershor, KQZ është në ushtrim për përgatitjen e tyre. Janë ngritur KZAZ, janë prezantuar kandidatët, janë tenderuar fondet publike, para të taksapaguesve shqiptarë. Ato nuk mund të flaken tutje”, tha Jorgaqi.

Ndërsa anëtari i KQZ, Bledar Skenderi tha se, “Meta duhet të bënte zjarrfikësin e politikës në Shqipëri. Bëri të kundërtën”.

“E konsideroj një akt nul dekretin e tij”, tha Skënderi./atsh

KQZ për Dekretin e Presidentit, Biba: Akt i pavlefshëm. Zguri braktis mbledhjen Read More »

Prodhimi vendas ul çmimet e fruta-perimeve në tregje

Në tregjet e vendit të fruta perimeve, çmimet e produkteve bujqësore janë ulur ndjeshëm këtë javë.

Furnizimi i bollshëm i tregjeve me prodhim vendas, favorizuar nga piku i sezonit të prodhimit, ka sjellë rënie të menjëhershme të çmimit të shitjes me rreth 50% për fruta-perimet, tendencë kjo që pritet të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.

Nga një vëzhgim në tregjet bujqësore të kryeqytetit, rezulton se çmimet janë ulur në 50 lekë/kg për domaten, po kaq shitet edhe kastraveci, specat tregtohen 60 lekë/kg, qepët dhe patatet shiten me 70 lekë/kg.

Çmimet janë ulur edhe frutat. Mollët tregtohen 70 lekë/kg nga 120 lekë/kg që ishin një javë më parë, qershitë shiten 150 lekë/kg nga 200 lekë/kg dhe çmimi i luleshtrydheve është ulur në 200 lek/kg nga 250 lekë/kg që ishte para shtatë ditëve./atsh

Prodhimi vendas ul çmimet e fruta-perimeve në tregje Read More »

Nis peticioni për problematikat e fshatit Tragjas. Ja ku mund të firmosni…!

Nje peticion drejtuar Bashkise Vlore ka nisur mbledhjen e firmave te banoreve te Banorët e Tragjasit kanë mbi 15 vjet që shikojnë fshatin e tyre duke u degraduar sa do që popullsia sezonale shtohet, që turizmi zhvillohet me ritme të shpejta edhe që qytetet edhe fshatrat për rreth rregullohen dita ditës.

Nuk është e lejueshme edhe e pranueshme që të na braktisi shteti edhe që të mos te mbajë as edhe nje nga premtimet qe ka bërë, si ato të 2017 nga Dritan Leli edhe Damjan Gjiknuri për sa i përket aksit rrugor.

Nuk është e mundur të jetohet pa ujë, pa energji elektrike edhe pa rrugë në shekullin XXI !

Në pamundesi të ankohemi secili nga ana e tij ndërkohë që duke u solidarizuar për të njejtat interesa edhe qëllime ndoshta do kemi më shumë shance për të luftuar te gjithë sëbashku.

Shpresoj edhe uroj që ky peticion të firmoset edhe të shpërndahet nga të gjithë që të kemi me shumë mundesi për të kërkuar përgjigje nga qeveria për elementet më esenciale të jetesës !

Nuk mundemi te vazhdojmë vetëm me premtime elektorale. Ka ardhur koha të veprojmë.

1 firmë = 1 shpresë

Ju faleminderit,

Kreola PULO

Mund te firmosni peticionin duke klikuar => KETU

Nis peticioni për problematikat e fshatit Tragjas. Ja ku mund të firmosni…! Read More »