Lajmi i fundit

Remontet e planifikuara, OSHEE kufizon energjinë elektrike në Vlorë dhe Fier

Për shkak të një remonti të planifikuar, OSHEE do të kufizojë energjinë elektrike për abonentët e Fierit dhe Vlorës.

Remonti i cili do të kryet në nënstacionin e Mifolit do të bëj që në datën 3 qershor gjatë intervalit kohor 09:00-16:00 do të stakohet energjia në këto zona: në Fier, Adë, Frakull e Vogël, Kashisht, Sheq.

Gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike do të ketë edhe në qytetin e Vlorës, kryesisht në zonat Mifol, Skrofotinë, Panaja, Trevllazër dhe Akërni.

Për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike për abonentët si dhe për të reduktuar humbjet në rrjet OSHEE është duke kryer një sërë investimesh./atsh

Remontet e planifikuara, OSHEE kufizon energjinë elektrike në Vlorë dhe Fier Read More »

Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare – Ndahet nga jeta aktori i humorit Muhamet Liko

Një ngjarje e dhimbshme është shënuar ditën e sotme me ndarjen nga jeta të një prej parodistëve të Vlorës. Muhamet Liko u nda nga jeta sot në Itali në moshën 65-vjeçare.

Artisti, prej kohësh vuante nga një sëmundje e zemrës. Ai ndodhej në Itali për një kontroll periodik shëndetësor dhe pas kontrollit një atak kardiak i ka marrë jetën.

Muhamet Liko numëron qindra role në skenën e humorit me një aktivitet 41-vjeçar.

Ai mban shumë tituj dhe çmime ndërsa se fundmi është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”.

Liko ishte baba i dy fëmijëve.

Ndarja nga jeta e Muhamet Likos është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare, ndërsa familja humbi njeriun e shtrenjtë./atsh

Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare – Ndahet nga jeta aktori i humorit Muhamet Liko Read More »

Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë

Komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, duke lexuar progres raportin për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deklaroi sot se “Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Sipas Komisionerit Hahn, progresi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e kritereve të paracaktuara është mbresëlënës. Sipas tij, kusht i vetëm mbetet vijueshmëria e reformave.

“Shumë vende kanë arritur kriteret që kemi vendosur dhe në veçanti Ballkani Perëndimor. Angazhimi ynë ka dhënë rezultate konkrete. Kemi dhe arritje historike, kemi shumë sfida që mbeten ende të hapura dhe paketa e sotme tregon se duhet ecur mbi këto udhëzime”, tha Hahn.

Ai deklaroi se Shqipëria ka bërë progres me Reformën në Drejtësi dhe procesin e patjetërsueshme të vetingut. “Ky është një shembull edhe për vendet e tjera”, deklaroi Hahn.

“Në nivelin strategjik duhet t’i japim merita vendeve për atë që kanë arritur ashtu sikurse duhet theksuar se sigurisht që vendet, respektivisht do të duhet të japin rezultate”, vijoi Hahn.

“Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me lejoni t’ju them se të dyja vendet kanë ecur pozitivisht me rekomandimet, sigurisht duhet të ecet më tej me çështjet problematike. Duhet të ketë rezultate më të qëndrueshme për sundimin e ligjit, për stabilitetin në rajon”, tha ai.

“Të dyja vendet kanë dhënë rezultate mbi reformat dhe ato pika që i kemi caktuar në vitin 2018. Ne mbi këtë bazë rekomandojmë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ato duhet të mbeten të fokusuara në vijueshmëri me reformat e ndërmarra. Dua të shoh më shumë progres dhe duhet të vijojë implementimi reformave”, theksoi Hahn. “Ky është kushti për të ecur përpara në rrugën europiane dhe për të vijuar me kapitujt e negociatave që janë 23-24 të tillë”, theksoi Hahn.

“Ne nuk mund të importojmë në BE problemet mes fqinjëve, kjo është urgjente për vendet e Ballkanit Perëndimorë”, theksoi Hahn. “Përshëndesim me këtë rast marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ekonomia ka probleme në Ballkanin Perëndimor dhe kjo nuk lejon që këto vende të përfitojnë plotësisht nga avantazhet që i japim ne (BE). Duhet luftuar papunësia dhe duhet forcuar stabiliteti ekonomik si bazë për stabilitet politik”, vijoi Hahn./atsh

Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë Read More »

KPK shkarkon kryetarin e Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Roland Jaupaj.

Trupi gjykues i cili shqyrtoi dosjen ndaj gjyqtarit Jaupaj përbëhej nga nga Genta Tafa(Bungo) kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Etleda Çiftja anëtare, ndërsa seance dëgjimore u monitorua edhe nga vëzhgues ndërkombëtar.

Në seancën dëgjimore të një dite më parë, Jaupaj u rivlerësua për tre kriteret e procesit të vetingut, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjyqtari Jaupaj u përball gjatë seancës së rivlerësimit me probleme të pasurisë. Për këtë arsye, KPK vendosi shkarkimin e tij nga detyra./atsh

KPK shkarkon kryetarin e Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj Read More »

Sezoni turistik-Tabela informuese në monumentet e kulturës në Sarandë e Vlorë

Monumentet kanë vlera historike dhe kulturore dhe janë një atraksion interesant për vizitorët vendas e sidomos të huaj që shfaqin kuriozitet për të mësuar mbi rrënjët e historisë shqiptare.

Në kuadër të çeljes së sezonit turistik veror 2019 dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë ka nisur një fushatë për rinovimin e tabelave informuese.

Ditët e fundit DRKK ka vendosur tabela të reja aty ku është e nevojshme për krijimin e kushteve optimale për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në monumente.

Këtë javë fokusi punimeve ka qenë vendosja e tabelave të reja për vizitorët e huaj në Portin e Sarandës, vendosja e tabelave të reja dhe rinovimi i atyre ekzistuese në Parkun Arkeologjik të Orikut, në manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë dhe në kishën e Marmiroit në Orikum.

Të gjithë duhet të përkujdesen t’i mirëmbajnë këto tabela, pasi i ofrojnë shërbim shumë herë më të mirë turistëve, të cilët duhet të njihen me historikun dhe vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.

Sipas DRKK Vlorë, kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur edhe tek brezat e ardhshëm. /atsh

Sezoni turistik-Tabela informuese në monumentet e kulturës në Sarandë e Vlorë Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, 25 848 ankesa të zgjidhura

Platforma e bashkëqeverisjes është kthyer tashmë në një nga mekanizmat më të mirë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, të cilët nuk u duhet më që të sorollaten nëpër zyrat e shtetit.

Në total kjo platformë ka zgjidhur 25 848 ankesa nga 36 709 ankesa të regjistruara.

Në nivel vendor rastet e ankesave të zgjidhura janë 3107 nga 6517 ankesa të regjistruara në total.

Rastet e suksesit janë 12: 4 në Ministrinë e Drejtësisë, 5 në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, 2 në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, si dhe 1 në Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Numri i login-eve në faqe ka arritur në 102 257. Ndërsa numri i regjistrimeve të reja është 17 577.

Platforma e bashkëqeverisjes është kthyer në një mjet për zgjidhjen e halleve të qytetarëve, të cilët brenda 10 ditëve marrin përgjigje rreth ankesave të depozituara prej tyre, duke shmangur burokracitë.atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/323739354970731/?t=0

Platforma e bashkëqeverisjes, 25 848 ankesa të zgjidhura Read More »

Skënder Gjinushi zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave

Skënder Gjinushi është zgjedhur sot kryetar i Akademisë së Shkencave me 35 vota pro dhe 6 kundër.

Gjatë ditës së sotme në ambientet e Akademisë së Shkencave u zhvilluan zgjedhjet për katër vende vakante në këtë institucion. Në votim morën pjesë 43 anëtar, ku 32 ishin të pranishëm fizikisht ndërsa 11 kanë votuar me postë.

Nga këto votime u zgjodh po ashtu Sekretari i Akademisë, Salavator Bushati, si dhe zëvendëskryetari i Akademisë, Vasil Tole.

Në shpalosjen e platformës së tij, Skënder Gjinushi siguroi se Akademia e Shkencave do të ndryshojë rrënjësisht.

“Akademia ka nevojë për një riorganizim total dhe më pas ky institucion do të kryejë punën ashtu siç duhet. Akademia e Shkencave do të kthehet nga institucioni që ishte nën presion për t’u reformuar, në institucionin që drejton dhe nxit reformimin e sistemit të shkencës dhe të vetë Akademisë”, – tha Gjinushi.

Po ashtu në mbledhjen e sotme prezantoi platformën e tij edhe Vasil Tole, i cili kandidonte për zëvendëskryetar të Akademisë së Shkencave.

Sipas Toles nëse fiton këto zgjedhje ai do të bëjë të pamundurën për të përmirësuar punën e Akademisë së Shkencave.

“Prioritet do të jetë zbatimi dhe jetësimi i procesit të reformimit ligjor e institucional të Akademisë së Shkencave, si dhe promovimi i Akademisë dhe i shkencës si një e mirë publike”, – tha ai.atsh

Skënder Gjinushi zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave Read More »

Regjistrimi i banesave apo truallit, Lame: Të hënën nis procesi

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që duke filluar nga e hëna të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për të ligjëruar pronën ose truallin e tyre.

Në një konferencë për shtyp të premten, Lame tha se “qytetarët e interesuar të hënën të fillojnë të plotësojnë dokumentacionin përkatës me qëllim që të ligjërojnë banesën dhe truallin e tyre pranë zyrave tona të Kadastrës”.

“Trualli i përfituar me Vendim të Këshillit Bashkiak, e dhënë për leje ndërtimi, është ende në emër të qytetarit dhe ky i fundit, nuk e ka shitur tek të tjerë, ai mund të kërkojë regjistrimin”, – theksoi Lame.

Sipas tij, sot në të gjithë vendin janë 12-13 mijë banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër etj.

“E them me përgjegjësi se në një pjesë të këtyre rasteve procesi i dhënies së trojeve ka qenë i parregullt dhe i paligjshëm. Faji nuk është i qytetarëve, por i njësive vendore apo kryetarëve të bashkive që i kanë hyrë këtyre aventurave që ende e kësaj ditë i paguajnë banorët”, – deklaroi kreu i Kadastrës Lame. /atsh

Regjistrimi i banesave apo truallit, Lame: Të hënën nis procesi Read More »