Lajmi i fundit

Zyrat e aplikimit për karta ID, të hapura dhe të shtunën

Ministria e Brendshme deklaroi sot se zyrat e aplikimit për dokumente identiteti (ID) do të qëndrojnë të hapura edhe të shtunave, me qëllim që qytetarët dhe emigrantët të kenë më shumë mundësi aplikimi dhe njëherësh të kursejnë kohë të vlefshme.

Po ashtu, Ministria e Brendshme sqaron se zyrat e shërbimit të qytetarëve në Policinë e Shtetit si dhe zyrat e Gjendjes Civile do të jenë gjithashtu të hapura të shtunave, duke krijuar kështu lehtësira për çdo shtetas që ka nevojë për rinovimin e dokumenteve të identitetit.

Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që këtë vit u skadojnë dokumentet e identitetit, të aplikojnë për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, pasi që nga muaji tetor 2019, do t’iu kushtëzohet shërbimi nëse do të jenë të papajisur me kuponin e aplikimit. /atsh

Zyrat e aplikimit për karta ID, të hapura dhe të shtunën Read More »

“Panairi 2019”, promovim traditës artizanale dhe Sarandës turistike

“Panairi 2019” promovon mbajtjen gjallë të traditës artizanale dhe Sarandën si destinacion turistik.

Kështu u shpreh sot kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma në ceremoninë e organizuar në ditën e dytë të këtij panairi, i cila ka një kontribut të çmuar gjatë sezonit veror.

Në kuadër të “Panair 2019”, sot u ndanë certifikata dhe çmime për pjesëmarrësit dhe për prurjet me të mira në panair.

Duke prerë simbolikisht tortën e Panairit 2019, Gurma tha se “8 edicionet radhazi si dhe hapësira më publike që iu rezervua këtë vit Panairit 2019, tek Sheshi i Limanit janë shprehje e qartë e vlerësimit në rritje të këtij eventi nga Bashkia e Sarandës”.

“Uroj që punët tuaja të zgjojnë interes tek çdo vizitor, për të marrë, bashkë me mbresat e pushimeve, edhe suvenirin e tyre të pëlqyer, shumica e të cilëve janë të bëra me dorë dhe “Made in Albania””, tha Gurma./atsh

“Panairi 2019”, promovim traditës artizanale dhe Sarandës turistike Read More »

Sot, Dita Europiane e kujtimit të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ka përkujtuar ditën Europiane të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit.

23 Gushti është Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të 20-të që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të komunizmit dhe nazizmit.

“Është një ditë e cila shënohet në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ndërkohë që njihet edhe si “Dita e Shiritit të Zi”. Parlamenti Evropian ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe nazizmit në vitin 2008 dhe që prej atëherë shënohet zyrtarisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo ditë përkujtimore mbështetet gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, -thonë specialistët e muzeut “Shtëpia me gjethe”.

Dita e 23 gushtit është zgjedhur si ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe të nazizmit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, pikërisht më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakord për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore./atsh

Sot, Dita Europiane e kujtimit të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit Read More »

Rritet me 9,7% numri i të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar e punuar

Mbi 14 mijë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi “Të huajt dhe azilkërkuesit në Shqipëri, 2018”. Sipas INSTAT numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 14.162 banorë, duke shënuar rritje me 9,7 %, krahasuar me 2017.

Numri i të huajve rezidentë, në vitin 2018, përbëhej nga 9.203 meshkuj, duke shënuar rritje me 9,9 % krahasuar me 2017, 4.959 ishin femra duke shënuar rritje me 9,6 % në vitin 2018.

Të huajt me origjinë nga Europa, gjatë vitit 2018, ishin 8.212 dhe përbënin 58,0 % të të huajve gjithsej kundrejt 59,2 % që përbënin në 2017.

Në vitin 2018, arsyet kryesore të lejeve të qëndrimit ishin arsyet për punësim dhe bashkim familjar, të cilat së bashku zinin 72,4 % të arsyeve të të huajve rezidentë gjithsej.

Janë evidentuar 6.893 të huaj të parregullt, ku pjesën më të madhe të tyre, 44,8 % e zinin të huajt me origjinë nga Siria.

Gjatë 2018, rezultuan 4.386 azilkërkues në Shqipëri, ku pjesën më të madhe të tyre, 49,0 % e zinin të huajt me origjinë nga Siria.

Në 2018, rezultuan 345 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 9,2 %, krahasuar me vitin 2017.

Personat të cilët e humbën shtetësinë shqiptare gjatë vitit 2018, qenë 640, duke pësuar rënie me 1,7 %, krahasuar me vitin 2017./atsh

Rritet me 9,7% numri i të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar e punuar Read More »

Tomor, Meta: Abaz Aliu të na japë forcë për një Shqipëri më të drejtë, të bashkuar dhe europiane

“Abaz Aliu të na japë forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, deklaroi Presidenti Ilir Meta i cili mori pjesë sot paradite në pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorit, ku përshëndeti Festën e Shenjtë Bektashiane të Abaz Aliut.

Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe mijëra besimtarëve, Presidenti Meta u shpreh: “Kënaqësi të shoh sot më shumë besimtarë dhe mysafirë të nderuar, të cilët janë bashkuar me ne në këtë Festë të Shenjtë, këtu në malin e Tomorit. Kjo është shenjë e mirë që punët në vitin që vjen do të shkojnë më mirë për vendin tonë dhe në të gjitha hapësirat tona, me ndihmën e Abaz Aliut”.

“Ndaj edhe ne mblidhemi çdo vit këtu në malin e Tomorit për të nderuar jo vetëm këtë figurë të shenjtë, por për të nderuar të gjithë ato legjenda, personalitete dhe baballarë, të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë dhe për çështjen tonë kombëtare”, shtoi ai. /atsh

Tomor, Meta: Abaz Aliu të na japë forcë për një Shqipëri më të drejtë, të bashkuar dhe europiane Read More »

Mbyllet restoranti në Fier, konstatohet intoksikacion nga uji i pijshëm

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka mbyllur sot një restorant në fshatin Kallm të Fierit pas konstatimit të intoksikacionit me origjinë hidrike.

Gjatë inspektimit në terren, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Fier, ka bllokuar aktivitetin e subjektit restorant, me person fizik D. V, NIPT: L92728401K në fshatin Kallm, Mbrostar Ura, Fier, si dhe është marrë masë administrative në vlerën 500 000 lekë, ndaj subjektit për ndotje të ujit të pijshëm.

Po ashtu, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor deklaron se do të vazhdojë inspektimet dhe do të penalizoj çdo subjekt që do të cenojë shëndetin e popullatës.

“Trupa inspektuese e ISHSH po kryejnë inspektime të vazhdueshme me qëllim garantimin e një turizmi të sigurt dhe të shëndetshëm”, shprehet ISHSH. /atsh

Mbyllet restoranti në Fier, konstatohet intoksikacion nga uji i pijshëm Read More »

3881 shkarkime të aplikacionit “Stop Informalitetit”, 290 denoncime në 24 orët e para

“Ka arritur në 290 numri i qytetarëve që kanë denoncuar abuzuesit, brenda 24 orëve të para të aplikacionit Stop Informalitetit! Shumë faleminderit”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

Po ashtu Kryeministri Rama shton se 3881 është numri i qytetarëve që e kanë shkarkuar aplikacionin në smartfonin e tyre, gjatë këtyre 24 orëve.

” Shkarkoje aplikacionin STOP INFORMALITETIT edhe ti që sapo e lexove këtë status dhe mos i’a përto askujt që refuzon të të japë kuponin; që të jep pagën në të zezë dhe nuk të paguan sigurimet e shëndetit e të pensionit; që të bën konkurrencë të pandershme; që të vjen për kontroll në biznesin tënd dhe sillet keq apo kërkon ryshfet”, tha kryeministri Rama.

Gjithashtu Kryeministri Rama fton qytetarët që të denoncojnë; Aplikacioni STOP INFORMALITETIT gjendet në App Store https://apps.apple.com/…/a…/stop-informalitetit/id1476196781 ose në Play Store https://play.google.com/store/apps/details…

“Denoncimi është i fshehtë dhe identiteti i denoncuesit 100% i mbrojtur”, thekson Rama.atsh

3881 shkarkime të aplikacionit “Stop Informalitetit”, 290 denoncime në 24 orët e para Read More »

Kuvendi hap garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, afati 15 shtator

Kuvendi i Shqipërisë shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në Kushtetutë dhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, si dhe pasi vlerësoi vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëpërmjet të cilit, KED vendosi njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e përkohshme e shpallur nga Kuvendi në datë 28.08.2018, rishpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 (një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të Fatos Lulos.

Po ashtu, Kuvendi shpall dhe kriteret për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese që gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

“Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 15 shtator 2019”, sqaron Kuvendi./atsh

Kuvendi hap garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, afati 15 shtator Read More »