Lajmi i fundit

Apelon për ndihmë, efektivët e Policisë Ura Vajgurore i blejnë librat 12-vjeçarit

Efektivët e Stacionit të Policisë Ura Vajgurore i blenë librat 12-vjeçarit, i cili kishte apeluar për ndihmë.

Policia e Shtetit njoftoi se punonjësit e Policisë, paraditen e sotme, kanë blerë librat, ia kanë dhuruar Seldit dhe i kanë uruar një vit shkollor sa më të mbarë dhe të suksesshëm.

“Ata i kanë premtuar Seldit se shtëpia e policisë Ura Vajgurore do të jetë gjithmonë e hapur për të dhe për të gjithë bashkëmoshatarët e tij në nevojë. Vogëlushi 12-vjeçar sot është paraqitur në shkollë, i gëzuar duke u përcjellë gjithë bashkëmoshatarëve të tij mesazhin se polici është miku më i mirë i tij”, shprehet Policia. /atsh

Apelon për ndihmë, efektivët e Policisë Ura Vajgurore i blejnë librat 12-vjeçarit Read More »

Riatdhesohen 31 shqiptarë nga Franca dhe Belgjika

Në Rinas janë riatdhesuar 31 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë e Belgjikë.

Operacioni i riatdhesimit, u zhvillua në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë franceze dhe belge. Gjatë fluturimit të përbashkët mes Francës e Belgjikës u kthyen 31 shtetas shqiptarë, që iu ishte refuzuar kërkesa për qëndrim, ndër ta 27 shtetas nga Franca dhe 4 nga Belgjika.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero. Policia Kufitare ka forcuar masat në kontrollin e dokumentacionit në dalje në të gjitha pikat e kalimit si dhe ka shtuar patrullimet në kufirin e gjelbër. Në kufirin me Greqinë është duke u zhvilluar operacioni i përbashkët me FRONTEX. /atsh

Riatdhesohen 31 shqiptarë nga Franca dhe Belgjika Read More »

Gjykata në Janinë shpall të pafajshëm Agim Kajmakun, reagon PD

Gjykata e Janinës e shpalli të pafajshëm Agim Kajmakun, alias Jorgo Toto. Gjykatësja Kristina Andoniun pranoi se i akuzuari nuk mund të fabrikonte paratë për të cilat Kajmaku u akuzua më 13 janar të vitit 2003. Këtë akuzë përdori edhe Partia Demokratike kundër tij.

Top Channel publikon vendimin e Gjykatës që shpall të pafajshëm kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim kajmaku. Vendimi i pafajësisë është dhënë nga Gjykata e Janinës. Kajmaku, me emrin Jorgo Toto akuzohej për veprën penale të falsifikimit të parave. Në procesin e zhvilluar në Janinë në datën 12 shtator 2019, i akuzuari Jorgo Toto, ose Agim Kajmaku është përfaqësuar prej avokatit të tij dhe pasi është shqyrtuar dosja, gjykata ka vendosur unanimisht se Jorgo Toto nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen e 13 janarit 2003 duke e shpallur atë të pafajshëm. Gjykatësja Kristina Andoniu pranoi se i akuzuari nuk mund të fabrikonte paratë e përdorura gjatë transaksionit dhe mundësitë e tij për të kryer këtë gjë ishin zero.

Edhe prokuroria pranoi se i akuzuari Jorgo Toto në asnjë rrethanë nuk kishte mundësi të fabrikonte por edhe të përdorte monedhat false pasi nuk ishte ne dijeni se transaksioni do të bëhej me para në dorë dhe jo nëpërmjet bankës siç kishte ndodhur në raste të ngjashme mes të akuzuarit dhe furnitorëve të tij.

Prokuroi pranoi edhe dëshminë e viktimës, i cili pavarësisht se denoncoi Toton, tha se nuk besonte se ai i ka dhënë me qëllim para të falsifikuara por edhe vete Toto ka rënë pre e mashtrimit.

Ndërsa avokati i Jorgo Totos, (Agim Kajmakut) sqaroi se për shkak të njohjes jo të mirë të gjuhës greke, kuptoi se procesi ndaj tij kishte mbaruar me lirimin e tij me janar të 2003 ndaj dhe nuk kishte informacion se duhet të paraqitej sërish në procesin ndaj tij pak muaj më vonë.

Lidhur me këtë vendim, reagoi sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi duke theksuar se gjykata greke konfirmoi të gjithë denoncimet e PD se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin Jorgo Toto dhe ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e Dekriminalizimit

“Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi duke mbyllur çështjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi”, shprehet Bardhi.

Ai tha se “Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto. Për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjëherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të Dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”./atsh

Gjykata në Janinë shpall të pafajshëm Agim Kajmakun, reagon PD Read More »

Një mijë mësues ndihmës për nxënësit me nevoja të veçanta

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaron se 1000 mësuesit ndihmës për nxënësit me nevoja të veçanta, libra falas për 220.000 nxënës, kurrikulat e reja dhe librat shumë më të mirë janë disa nga rezultatet e politikave arsimore, çka sipas saj, kanë përmirësuar cilësinë dhe kanë përfshirë nxënësit vulnerabël në shkolla.

Shahini zhvilloi po ashtu edhe një bashkëbisedim me nxënësit e klasës së dhjetë në shkollën “Qemal Stafa”, me qëllim njohjen nga afër me pritshmëritë e tyre nga shkolla e mesme, si dhe marrjen e sugjerimeve për përmirësimin e punës së Ministrisë së Arsimit.

Sipas saj, në dy vitet e fundit janë 34.000 nxënës më pak në arsimin parauniversitar në Bosnjë-Hercegovinë, 32.000 më pak në Serbi apo 25.000 më pak në Kosovë.

“Të thuhet se rënia e numrit të nxënësve në Shqipëri është një dukuri që ndodh vetëm këtu, është populizëm i pastër dhe shpërqëndrim nga përpjekja e përbashkët për arsim më të mirë”, – thotë Shahini./atsh

Një mijë mësues ndihmës për nxënësit me nevoja të veçanta Read More »

“Air Albania” drejt të gjitha aeroporteve të Europës

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të aeroportit të Vlorës, theksoi se qeveria Rama është e fokusuar në investimet që lidhen politikat e aviacionit civil dhe Aeroporti i Kukësit dhe Projekti i Vlorës janë një dëshmi e kësaj.

Po ashtu ajo bëri të ditur se “Air Albania” më datë 30 do të ngrejë në qiell avionin “Migjeni”, që do udhëtojë drejt Italisë, ndërsa “Naimi” pritet të udhëtojë drejt destinacioneve të tjera europiane.

“Vetëm para një viti, ne ngritëm në qiejt e Europës avionin e parë shqiptar, dhe vetëm në datë 30, “Air Albania” do të realizojë një premtim tjetër dhe avioni i dytë, atë që mban emrin e “Migjenit”, do të ngrihet për të udhëtuar në destinacionet më të kërkuara të Italisë. Ndërsa, jo më vonë se fundi i këtij viti avioni i tretë, ai me emrin “Naimi” do udhëtojë drejt të gjitha aeroporteve të Europës, në Londër, Bruksel, Athinë dhe kudo ku ka shqiptarë e kudo ku zemra e shqiptarisë rreh”, – tha Balluku.

“Por jo vetëm kompania ajrore ka qenë në planet tona, tashmë ne flasim për një bosht të tërë të aeroporteve duke nisur nga veriu dhe deri në jug. Kemi nisur punën me aeroportin e Kukësit. Nuk është më një ëndërr apo premtim, por një realitet. Aty ku sot punohet për të mbaruar sa më parë me punët civile, e më pas për të plotësuar të gjitha kushtet për të qenë një aeroport ndërkombëtar “Low Cost”, ku shqiptarët mund të aksesojnë veriun e Europës me çmime shumë të ulta”, – tha Balluku. /atsh

“Air Albania” drejt të gjitha aeroporteve të Europës Read More »

Ndahet nga jeta Gjeneral Rahman Parllaku

Gjenerali Rrahman Parllaku, u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Gjeneral Parllakut, të cilit i akordoi para disa kohësh edhe titullin “Nderi i Kombit”.

“Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, partizanit dhe komandantit fitimtar antifashist, qëndrestarit të pamposhtur të burgjeve komuniste, veteranit me arsye dhe zë të kthjellët në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë”, është shprehur Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve”, ka theksuar Meta.

“Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore”, ka shtuar Meta.

“Duke u shprehur familjes Parllakut, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, jam i bindur se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh. Lamtumirë Gjenerali ynë fitimtar”, është shprehur presidenti Meta.

Edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Gjeneral Rrahman Parllakut.

“Ish-drejtuesi i formacioneve partizane në kohën e Luftës dhe gjenerali në paqe, Rrahman Parllaku ka ndërruar jetë. Veç të tjerash ishte një mik i tim eti, i cili nuk e hiqte nga goja edhe kur ai ishte në burg. Edhe për këtë arsye sa herë e takoja më nxirrte mallin e tim eti që ndërroi jetë përpara tij. Dhimbja sot për gjeneral Parllakun ka shumë kuptime. Një partizan më pak dhe një kujtim më shumë. Të qoftë dheu i lehtë gjeneral”, është shprehur ministri Majko./atsh

Ndahet nga jeta Gjeneral Rahman Parllaku Read More »

Policia, plane masash për garantimin e sigurisë gjatë vitit të ri shkollor

Policia e Shtetit në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara ka marrë një sërë masash për të garantuar sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, për të parandaluar ngjarje kriminale apo aksidente rrugore, si dhe zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla apo edhe përreth tyre.

Drejtues Albert Dervishaj, Drejtor i Drejtorisë së Rendit Publik, në Departamentin për Sigurinë Publike gjatë një deklarate për shtyp në shkollën ” 1 Maji” në kryeqytet ka folur për masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019 – 2020.

Kjo duke filluar nga sot, që është dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor dhe në vazhdimësi, për çdo ditë të zhvillimit të këtij procesi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka urdhëruar të gjithë drejtuesit e strukturave vendore të Policisë në Drejtori, Komisariate, Stacione dhe Posta Policie, të studiojnë e vlerësojnë situatën kriminale dhe atë të rendit publik. Mbi këtë bazë, strukturat vendore të policisë tashmë kanë hartuar Planet e Masave me detyra konkrete për shërbimet e kontrollit të territorit, të rendit, për policinë kriminale, policinë rrugore etj.

Në këto plane janë përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e policisë me shërbim pranë shkollave, duke shtuar prezencën policore pranë ambienteve të tyre, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo pranë tyre.

Komisariatet dhe Stacionet e Policisë sipas Zonave Policore, për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit do të sigurojnë prezencë policore me Patrullën e Përgjithshme, ndihmës specialistët e policimit në komunitet, ndihmës specialistët e policisë kriminale, si dhe shërbimet e policisë rrugore, në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të saj.

Nga punonjësit e policisë është vendosur bashkëpunimi me institucionin e Prefektit, drejtuesit e institucioneve arsimore, ato të qeverisjes vendore etj. duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet shkollore, për:

Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.

Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë kanë qenë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave.

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë.

Në zbatim të Vendimit të Qeverisë me nr. 600 të tetorit të vitit 2018, mbi bazën e eksperiencës së projektit pilot të zbatuar në qytetin e Tiranës në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, nga strukturat e Policisë së Shtetit, do të bashkëpunohet ngushtësisht me oficerët e sigurisë në 150 shkollat e mesme në Shqipëri (personel i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të cilët kanë përfunduar trajnimin në Akademinë e Sigurisë), për shkëmbimin e informacionit, përmirësimin e perceptimit, forcimin e bashkëpunimit midis OSSH-së, nxënësve dhe policisë.

Vlerësimin e çdo informacioni që ka të bëjë me prishjen e rendit publik, konflikte, mosmarrëveshje që mund të kenë nxënësit apo në përballje me fenomenin e bulizmit, me qëllim marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e veprave penale, identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Për raste të veçanta dhe për shkolla të veçanta, në të cilat situata e rendit dhe sigurisë mund të paraqesë shqetësime do të planifikohen dhe kryhen shërbime fikse, sipas orarit të zhvillimit të procesit mësimor, për periudha kohore të caktuara.

Nga ana e strukturave të policisë kriminale, të policimit në komunitet, të rendit publik dhe të policisë rrugore, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe organizatat joqeveritare që në fokusin e punës së tyre kanë institucione arsimore, do të organizohen dhe zhvillohen aktivitete të përbashkëta me mësuesit dhe nxënësit, si në ambientet e policisë ashtu edhe në ato të shkollave, për njohjen dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në qendrat urbane, për sigurinë dhe bashkëpunimin me policinë, pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, rrezikshmërinë e mbajtjes së armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit etj.

Specialistët për krimet dhe ndihmës specialistët e policimit në komunitet / SPZ, sidomos funksioni që ka drejtimin e punës me të rinjtë, nxënësit dhe me shkollat, do të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, si në bordin e prindërve, senatin e nxënësve, duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë në këto institucione.

Policia e Shtetit siguron nxënësit dhe prindërit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ato të shkollave, se do të jetë e gatshme në çdo kohë lidhur me vlerësimin dhe realizimin e masave të sigurisë në shkolla.

Ata do të gjejnë tek punonjësit e policisë partnerë bashkëpunues e seriozë, por njëherësh kërkojmë edhe bashkëpunimin e tyre, për të bërë prezent tek strukturat policore çdo shqetësim dhe problematikë që mund të kenë.

Policia e Shtetit fton cilindo shtetas të denoncojë çdo shkelje ligjore dhe siguron se do të vlerësojë maksimalisht çdo telefonatë që do të adresohet, duke vepruar në kohën e duhur për sigurimin e rendit dhe të qetësisë, parandalimin e ngjarjeve, kapjen e autorëve të tyre dhe në bashkëpunim me prokurorinë, për zbulimin, identifikimin dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.

Në përfundim me lejoni që ne emër të Policisë së Shtetit të uroj nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, suksese në këtë vit shkollor.

Policia e Shtetit garanton mësuesit dhe prindërit se do të kryejë me përgjegjësi të plotë detyrimet e saj për garantimin e rendit publik në ambientet shkollore./atsh

Policia, plane masash për garantimin e sigurisë gjatë vitit të ri shkollor Read More »

U rindërtuan 200 shkolla në gjithë vendin, Rama: Hoqëm trupën mësimore nga kthetrat e politikës

“Përveç infrastrukturës arsimore që po transformohet në gjithë vendin numërohen rreth 200 shkolla që janë rindërtuar me standarde optimale apo janë ndërtuar nga e para”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama i pranishëm në përurimin e shkollës “Servete Maçi” në Tiranë.

Rama tha se këtij grupi do t’i shtohen edhe shkolla të tjera siç është grupi i 17 shkollave të reja të bashkisë së Tiranës që do të realizohen përmes një projekti të mbështetur financiarisht nga qeveria.

“Ne kemi një ambicie të re për të pasur shkolla, që duke qenë se ndërtohen nga themelet dhe nuk kushtëzojnë funksionalitetin të jenë një model i ri i shkollës së kësaj kohe të re që jetojmë”, tha Rama.

Por, sipas tij, “kur infrastruktura është aty dhe kur kushtet dhe logjistika janë aty, ajo që ka ende më shumë rëndësi është përmbajtja e procesit mësimor dhe e marrëdhënieve mes nxënësve dhe shkollës”.

Në këtë aspekt, Rama tha se nuk është aspak e ekzagjeruar të vlerësohet progresi që është bërë.

“Kemi një sistem mësimor goxha më cilësor e më miqësor për nxënësit në aspektin e ngarkesës dhe të organizimit të brendshëm. Kemi një trupë mësimore përfundimisht të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, nga kthetrat e interesave politike apo edhe nga imponimet e deridjeshme të korrupsionit dhe ryshfetit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “sigurisht që jo gjithçka është flori, pasi ka edhe brenda gjithë këtij procesi elementë ende për t’u adresuar, por mund ta them me plot gojë se nëse shohim sistemin e funksionimit të sotëm dhe bëjmë krahasime me më parë, e shohim ndryshimin”. /atsh

U rindërtuan 200 shkolla në gjithë vendin, Rama: Hoqëm trupën mësimore nga kthetrat e politikës Read More »