Lajmi i fundit

300 vende të lira pune në Forcat e Armatosura

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka jep lajmin se mbi 300 vende të lira pune ofrohen në mbarë vendin në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Ministrja fton çdo të ri i cili është në kërkim të një vendi pune dhe ka dëshirë t’i shërbejë atdheut, të aplikojë për t’u bërë pjesë e FA.

“Për çdo të ri me vullnet që do t’i shërbejë atdheut dhe vetes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë vendi i duhur!

Mbi 300 pozicione të lira pune ofrohen anembanë vendit, për çdo të ri me arsim të mesëm e sipër.

Nëse ke një zanat eja shërbe në FA, nëse s’ke, eja përfitoje”, – njoftoi ministrja Xhaçka.

Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë është deri në 30 dhjetor 2019. Për më shumë info: https://bit.ly/2MoTqBs

300 vende të lira pune në Forcat e Armatosura Read More »

Rihapet “Syri i Kaltër”/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Rrethim i zonës dhe restaurim i ballkonit panoramik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh

Rihapet “Syri i Kaltër”/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Rrethim i zonës dhe restaurim i ballkonit panoramik Read More »

Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kaluan Vetingun, Rama: Janë sot grupi më i madh kriminal

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se “ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar Vetingun dhe që e dinë që nuk e kalojnë atë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se këta prokurorë dhe gjykatës kanë nxjerrë edhe një togfjalësh me njëri-tjetrin, ‘Kap çfarë të kapësh”. Këtë grupin KÇK, ky duhet ta shpallë në kërkim dhe e them jo në mënyrë metaforike, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtë grupin duhet ta shpallim në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu të gjithë së bashku”

“Është e kotë t’i bëjmë njëri tjetrit predikime dhe është e kotë nga tryezat e opozitës të ngrihemi dhe të fajësojmë qeverinë apo nga tryezat e qeverisë të ngrihemi dhe të justifikojmë”-, theksoi Rama.

Sipas tij, procesi i Vetingut për të përfunduar kuptohet do të kërkojë disa vjet.
Por, vijoi Rama, ne nuk mund të lejojmë që edhe për disa vjet të tjera prokurorë si ai Durrësit, gjykatës si ai në Durrës apo plot të tjerë si ata të bëjnë kërdinë mbi njerëzit.

Kreu i qeverisë u shpreh se “çdo ditë marr mesazhe siç i merrni ju të gjithë ose nga situata që i njihni ju të gjithë nga njerëz që po capëlohen nëpër prokurori dhe gjykata.

“E dëgjova të nderuarin gojëtar të opozitës, madje kur erdha thashë kush po zihet në sallë se dëgjohej ulërima deri jashtë kur po fliste të mëdhenj e të vegjël, kur po thoshte shteti është ai që merret me të mëdhenjtë e me të fortët. Jam shumë dakord , por si i bëhet kur shteti, ai kishte parasysh vetëm ne, por shteti nuk jemi vetëm ne , shteti janë edhe prokuroritë dhe gjykatat, që s’kanë lidhje me ne. Si i bëhet kur çon në prokurori dhjetëra sipërmarrje të mëdha, jo të vogla që bëjnë abuzime skandaloze me tatimin për vlerën e shtuar dhe askush prej tyre nuk mbahet brenda, por përkundrazi paguajnë dhe ikin. Paguajnë dhe ikin se bien në duar prokuroresh se janë KÇK”-, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama ritheksoi edhe njëherë se shpallja në kërkim e KÇK është objektivi që duhet “të kemi ne si parlament një orë e më parë”.

“Nuk ka asgjë që ne mund të na ndalojë apo justifikojë para njerëzve. Nuk mjafton më, përkundrazi po bëhet bajate. Një grua më shkruante tani nga Gjirokastra, e dhunuar nga burri, me urdhër mbrojtje detyrohet të përballet me një vendim tjetër të një KÇK, që vë mbrojtje burrin, dhunuesin dhe detyron me urdhër mbrojtje gruan që ti hapë derën burrin, se përndryshe gruaja kthehet në objekt të forcave të rendit. Si i bëhet, si mundem unë të mjaftohem t’i them këta janë kriminelë janë më keq se burri yt”-, tha Rama./atsh

Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kaluan Vetingun, Rama: Janë sot grupi më i madh kriminal Read More »

Vlorë/ Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura, investim strategjik për qytetin bregdetar

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë është një vepër infrastrukturore e rëndësishme për mjedisin e turizmin, ku çdo ditë kryhen një sërë shërbimesh.

Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve Vlorë bën të ditur se për funksionin e tij, janë të përfshira një sërë shërbimesh. Në shërbimet ditore janë të përfshira kontrolli dhe pastrimi i paneleve LCP

“Punonjësit e bashkisë kanë kryer sot shërbimet ditore në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura si: grasatimet e kompresorit, krehërit të mbeturinave, kontrolli dhe pastrimet e paneleve LCP” , shprehet UK, Vlorë.

Po ashtu është realizuar marrja e monstrave, si dhe janë kryer analizat laboratorike.

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë konsiderohet si një investim strategjik me rëndësi të madhe për qytetin, që disiplinon rrjetin e ujërave të zeza, si dhe shërben për një standard të ri të Vlorës turistike me bregdet të pastër./atsh

Vlorë/ Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura, investim strategjik për qytetin bregdetar Read More »

Drejtues dhe efektivë të Gardës dhurojnë gjak

Punonjësit e Gardës së Republikës kanë dhuruar sot gjak për të sëmurët në spitale, si një gjest solidariteti dhe humaniteti. Fushatës për dhurimin vullnetar të gjakut nën emrin “10 minuta për të shpëtuar 3 jetë!” i janë bashkuar drejtues dhe efektivë të Gardës.

“Të dhurosh gjak është një akt humanizmi dhe solidariteti, ndaj të gjithë së bashku, mund të rrisim ndërgjegjësimin për të siguruar gjak”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Shumë punonjës të Gardës shprehën vullnetin dhe dëshirën për të dhuruar gjak duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë ndërkohë që vlen të theksohet se kësaj nisme punonjësit e Gardës i janë bashkuar çdo vit. /atsh

Drejtues dhe efektivë të Gardës dhurojnë gjak Read More »

Përkujtohet ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, kujton ekzekutimin e deputetëve të opozitës vrarë në shtator 1947, plot 72 vite më parë.

“Një ditë kujtese dhe mendimi. E paharruar seanca parlamentare ne përkujtim te rezistencës dhe martirizimit të grupit të deputetëve. Çdo tetor na kujton sa me fat jemi që jetojmë në demokraci!”, shprehet kryetarja e AIDSSH, Gentiana Mara Sula.

Në datën 10 shtator 2017, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një aktivitet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në kujtim të martirizimit të grupit të deputetëve të pushkatuar nga regjimi komunist.

Kjo ngjarje, mbetur e mbuluar për një kohë të gjatë, duhet të na shërbejë për një reflektim të thellë, jo thjesht për të nxjerrë të vërtetën e asaj ngjarjeje, por për të reflektuar për lirinë.

Ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945

Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës; Shefqet Beja, deputet i Durrësit; Enver Sazani, deputet i Durrësit; Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës; Irfan Majuni, deputet i Dibrës; Faik Shehu, deputet i Dibrës; Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja, pati guximin të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë.

Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.

Vendimi

Më së fundmi, pas shumë akuzash dhe kundër akuza, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947:

“…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen:Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi.

Në fund, numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.

Ekzekutimi në Malin me Gropa

Të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë Nr. 313 në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Pas kësaj do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë./atsh

Përkujtohet ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945 Read More »

Në Kadastrën e Vlorës,Z.Vullnet Sinaj, zhvillon takim me qytetarët

Në Kadastrën e Vlorës, zhvillova një takim lidhur me disa problematika të qytetarëve të cilët i kishin adresuar ato pranë zyrës time.

Në hyrje të institucionit, u ndala dhe u takova me disa qytetarë, të cilët i dëgjova për problemet që kishin dhe i ftova të paraqiteshin në zyrën time nëse nuk do të mernin zgjidhje mbas takimit që ata do të zhvillonin në institucion.
Gjatë takimit, shtrova për zgjidhje dhe vura theksin te problematikat të cilat janë mbartur dhe lënë në harresë prej vitesh, siç ishin legalizimi i godinës së ish-Fabrikës së Makaronave për 22 qytetarë të Vlorës, kalimi në pronësi i parcelave ndërtimore për disa qytetarë që kanë legalizuar ndërtesat, zgjidhja e problematikave me AMTP-të për disa banorë të fshatit Peshkëpi, si edhe raste të legalizimeve të ndërtimeve informale në fshat dhe në qytet, si edhe banesave të ndërtuara para vitit 1991.

Vlerësoj gadishmërinë e stafit të Kadastrës së Vlorës, për prakticitetin dhe futjen në rrugën e zgjidhjes të të gjitha problematikave më sipër, të cilat do të ndiqen hap pas hapi nga stafi i zyrës time, deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre, por nuk mund të lë pa kritikuar punën e këtij institucioni i cili ndër vite ka sjell mjaft problematika për qytetarët duke keqregjistruar pronat e tyre, ashtu sikundër shpresoj dhe jam i bindur se me krijimin e Institucionit të ri të Kadastrës, të gjitha këto problematika do të futen në rrugën e zgjidhjes.

Në Kadastrën e Vlorës,Z.Vullnet Sinaj, zhvillon takim me qytetarët Read More »

96,2% e qytetarëve të kënaqur nga shërbimi në sportelet e DPSHTRR

96,2% e qytetarëve të anketuar kanë qenë të kënaqur nga shërbimi në sportelet e DPSHTRR.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka zhvilluar një anketim për periudhën shtator 2019, ku janë realizuar 511 telefonata rastësore në 13 drejtori rajonale për të matur perceptimin e publikut mbi kënaqësinë dhe cilësinë e shërbimit në sportelet e DPSHTRR.

Nga ky pyetësor ka rezultuar se nga 511 qytetarë të anketuar, 492 qytetarë ose 95,5% kanë qenë të kënaqur nga shërbimi ndërsa 3,7% nuk e kanë vlerësuar pozitivisht për arsye të ndryshme si: radha dhe koha e pritjes në sportel, shërbimi në sportel, mungesa e informacionit e të tjera.

“Mendimet e qytetarëve na ndihmojnë të përmirësohemi, ndaj na kontaktoni për të adresuar të gjitha ankesat, denoncimet, apo sugjerimet që mund të keni”, – thotë DPSHTRR, pas publikimit të rezultateve. /atsh

96,2% e qytetarëve të kënaqur nga shërbimi në sportelet e DPSHTRR Read More »