Lajmi i fundit

Rama përgëzon Policinë: Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit

Kryeministri Edi Rama përgëzoi sot Policinë e Shtetit për punën e shkëlqyer për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Në një reagim Kryeministri Rama u shpreh se do të jetë gati brenda muajit nëntor Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së.

“Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së. Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu”, – thekson Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se deri në fund do të ketë zero tolerancë.

Policia e Shtetit deklaroi sot se “nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e aryeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë”./atsh

Rama përgëzon Policinë: Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit Read More »

Atentati ndaj prokurorit/ Arrestohet një nga autorët e dyshuar

Më datë 1 nëntor , rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, në ndjekje e sipër, persona të paidentifikuar duke udhëtuar me një mjet tip “Benz” kanë qëlluar me armë zjarri nga mjeti i tyre për të vrarë shtetasit A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, A. M., 24 vjeç dhe A. L., 46 vjeç, të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Benz”, të Prokurorit A. N., ku për pasojë, kanë mbetur të plagosur të tre këta shtetas.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës e Tiranë, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

Njëkohësisht, forca të shumta policie në disa Drejtori Vendore ngritën pika kontrolli dhe ushtruan kontroll të gjerë të territorit për kapjen e autorëve.

Si rezultat i kontrolleve të shpejta, në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohë të shkurtër në fshatin Shkafane, Durrës është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë.

Si rezultat i këtyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje.

Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për egzaminim të mëtejshëm.

Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e aryeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë.

Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Krimeve të Rënda po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen të kujdesshëm në dhënien e informacioneve për publikun, të cilat cënojnë vijimin e hetimeve.

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është tërësisht e angazhuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të telefonojnë në 112 apo Komisariatin Dixhital për çdo informacion të mundshëm për këtë ngjarje dhe për çdo paligjshmëri tjetër, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm. /atsh

Atentati ndaj prokurorit/ Arrestohet një nga autorët e dyshuar Read More »

Sherr masiv te Universiteti Ekonomik i Tiranës

Sherr masiv te Universiteti Ekonomik i Tiranës.

Nga informacionet paraprake, raportohet se tre të rinj janë plagosur dhe janë dërguar në spital.

Mësohet se ditën e djeshme dy persona kanë hyrë në ambientet e fakultetit dhe janë konfliktuar me studentët. Ndërsa ende nuk është i qartë shkaku.

Studentët kanë paralajmëruar se do të protestojnë.

Sherr masiv te Universiteti Ekonomik i Tiranës Read More »

Pritej të përballej me Vetingun, jep dorëheqjen gjyqtari Agim Bendo

Agim Bendo, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, ka dhënë dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Siç njoftohet nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor, në mbledhjen e sotme do të shqyrtohet si pikë e fundit të rendit të ditës, pikërisht projektvendimi “Për mbarimin e statusit të magjistratit, të gjyqtarit Agim Bendo, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit”.

Verifikimet për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Agim Bendo, kanë nisur gjatë muajit shtator të vitit 2018, ndërsa në ditët në vijim pritej që gjyqtari të dilte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Mbledhja e sotme e KLGJ ka në rend të ditës pesë pika. Fillimisht KLGJ do shqyrtojë raportin e informacionit periodik të Kryetarëve të Gjykatave në lidhje me veprimtarinë gjyqësore, për periudhën Prill-Qershor 2019. Më pas KLGJ, do shqyrtojë projektvendimin për trajnimin e magjistratëve, si dhe disa ndryshime mbi magjistratët udhëheqës. Po ashtu do verifikojë kushtet dhe kriteret ligjore të kandidimit për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profil gjyqtar, të kandidatit Elis Dine. /atsh

Pritej të përballej me Vetingun, jep dorëheqjen gjyqtari Agim Bendo Read More »

Riatdhesohen 36 shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë

Policia e Shtetit bën të ditur vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen.

Në njoftimin për shtyp, policia pohon se janë riatdhesuar 36 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë.

Operacioni i radhës u zhvillua ditën e djeshme dhe ishte i organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex-in, dhe me mbështetjen e eskortës së Policisë Kufitare shqiptare.

Gjatë këtij operacioni janë riatdhesuar 36 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, apo u është refuzuar dhënia e azilit, nga këta: 31 nga Franca dhe 5 nga Belgjika.

Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.

Ndërkohë Policia Kufitare ka forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka shtuar patrullat në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero. /atsh

Riatdhesohen 36 shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë Read More »

Rritja e Sigurisë, 105 të proceduar gjatë 24 orëve të fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 34 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, në qarkun Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Fier; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në qarkun Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 në Elbasan, 2 në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën. Janë evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier. Janë evidentuar dhe proceduar 15 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 6 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 2 në Elbasan dhe 3 në Berat. Janë proceduar 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit./atsh

Rritja e Sigurisë, 105 të proceduar gjatë 24 orëve të fundit Read More »

Revolucioni industrial mbi teknologjinë 5G edhe në Shqipëri, Rama: Do të transformojë rrënjësisht çdo sektor

Në Shqipëri nisi sot revolucioni industrial mbi teknologjinë 5G, me një investim fillestar prej 150 milionë euro nga kompania “Vodafone”.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili thekson se ky revolucion do të transformojë rrënjësisht çdo sektor.

“Me timon pa timon shoferi jonë osht kampion”, thotë ajo kënga e vjetër, ndërsa këtu jam unë që i jap makinës pa prek timon me dorë… Sot nisi në Shqipëri revolucioni industrial mbi teknologjinë 5G, me një investim fillestar prej 150 milionë Eurosh nga kompania Vodafone”, – shprehet Rama.

“Ky revolucion do të transformojë rrënjësisht çdo sektor, nga ekonomia tek financat dhe energjia, nga bujqësia tek shëndetësia dhe arsimi, duke bërë të mundur të paimagjinueshmen jo në shekujt, po në vitet që vijnë”, – tha Rama.

Si funksionon teknologjia 5G?

Më shpejt

Do të thotë mund të luani lojëra multiplayer edhe në lëvizje, të merrni informacione në kohë reale dhe të shkarkoni filma në sekonda.

Kapacitet më i madh i rrjetit

Do të thotë që ju mund të lidheni në mënyrë të sigurt edhe në vende të zëna si stacionet e trenave dhe ndeshjet e futbollit.

Vonesë më e ulët

Teknologjitë e reja të përdorura nga rrjeti 5G janë krijuar për të përjetuar më pak vonesë./atsh

Revolucioni industrial mbi teknologjinë 5G edhe në Shqipëri, Rama: Do të transformojë rrënjësisht çdo sektor Read More »

Lufta ndaj pasurive të paligjshme/ “Goldfinger” sekuestron 3 milion euro asete

Policia e Shtetit, njofton se vijon operacioni “Goldfinger“, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni.

Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar 3 milionë euro pasuri, me burim të ardhurash nga aktiviteti kriminal i 4 personave, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, në Danimarkë, më datë 26 qershor 2019.

“Në vazhdim të operacionit “Goldfinger“, i zhvilluar më datë 26.06.2019, gjatë të cilit u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, operacion i koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, i shtrirë në disa shtete, si Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Hollandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri, Drejtoria Hetimore Qëndrore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vijuar hetimin pasuror për të sekuestruar të gjitha pasuritë e personave të arrestuar gjatë operacionit, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i tyre”-, njofton Policia e Shtetit.

“Gjatë hetimeve për identifikimin e pasurive të tjera që kishin rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasve J. K., D. E., A.D. dhe E.P., të arrestuar në Danimarkë më datë 26.06.2019, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, Drejtoria Hetimore Qëndrore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, evidentoi një sërë pronash të tjera të këtyre personave dhe i kërkoi Gjykatës sekuestron përfundimtare në bazë të ligjitit antimafia”-, vijon njoftimi.

“Bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, u vendos sekuestrimi mbi pasuritë, si më poshtë: Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro; 10 apartemente banimi, në plazhin e Velipojës; 1 apartament banimi në Shkodër; 14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit; Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro”-, bëhet me dije nga Policia e Shtetit.

“Të gjitha pronat e sekuestruara dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilët i kanë regjistruar në emër të familjarëve të tyre. Pronat e sekuestruara më datë 26.06.2019 dhe 29.10.2019, me vendim gjykate, i janë dorëzuar për administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave”-, vijon njoftimi.

“Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo personave me të cilët kanë lidhje miqësore dhe shoqërore. Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të tjera të luajtshme apo të paluajtshme, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminale i këtyre personave”-, bën të ditur Policia e Shtetit. /atsh

Lufta ndaj pasurive të paligjshme/ “Goldfinger” sekuestron 3 milion euro asete Read More »