Lajmi i fundit

500 persona akomodohen nga operatorët turistikë në Vlorë

Rreth 500 persona janë akomoduar tashmë nga operatorët turistikë në Vlorë.

Lista e hoteleve që vihen në dispozicion të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti përditësohet cdo moment me emra, vendndodhje dhe kontakte.

Jeni të lutur të shpërndani sa më tepër listën e vendeve për akomodim që të mund ta shohin sa më tepër persona!

500 persona akomodohen nga operatorët turistikë në Vlorë Read More »

Këngëtarja Bebe Rexha: Në Shqipëri për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti

Këngëtarja e njohur shqiptare Bebe Rexha do të vijë në Shqipëri për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti që goditi vendin tonë mëngjesin e së martës, më 26 nëntor.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Bebe Rexha përmes një videoje të postuar në rrjetin social Instagram.

Bebe shprehet se do të lërë turin e saj për dy ditë për të ardhur në Shqipëri në mënyrë që t’i dorëzojë vetë paratë që ka mbledhur dhe të sigurohet që do përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të jetë në terren për të ndihmuar njerëzit që po kalojnë mbrëmjet jashtë në çadra.

Shqiptarët anë e mbanë botës janë mobilizuar për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri./atsh

Këngëtarja Bebe Rexha: Në Shqipëri për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti Read More »

Dita e Pavarësisë/ Ceremoni solemne në Vlorë, 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit

Dita e Flamurit mblodhi sot në Vlorë autoritetet më të larta shtetërore në një ceremoni solemne me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Flamuri Kombëtar u ngrit në mënyrë ceremoniale në Sheshin e Flamurit, në praninë e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, ku u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të jetëve të humbura nga tërmeti që goditi vendin.

Në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti Meta u shpreh se, “sot nuk është një ditë për t’u festuar, por është dita për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar, Ditën e Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë”.

“Nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 Nëntori dhe të gjithë sakrificave të etërve të Pavarësisë sonë, që kaluan sprova shumë herë më të rënda dhe më të vështira, për të garantuar mbijetesën e kombit dhe ndërtimin e shtetit, është që të vazhdojmë të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga tërmeti”, tha Meta.

Njëkohësisht, shtoi ai, “duhet të jemi sa më pranë të gjithë atyre familjeve që kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e tyre më të shtrenjtë në këto ditë, për të përballuar këtë dhimbje, por dhe për të parë me besim tek e ardhmja, në mënyrë që të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre, që u goditën drejtpërdrejt nga tërmeti dhe po vuajnë pasojat e tij, të rifillojnë sa më shpejt jetën normale”.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se, “Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë për çështjet më të rëndësishme të vendit, të shtetit, të popullit dhe të bashkëjetesës sonë shoqërore dhe demokratike. Aq më tepër për të përmbushur një mision, të cilit nuk i jemi afruar në vitet e fundit, siç është ai i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është një aspiratë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, e të gjithë forcave politike dhe e mbarë kombit tonë.”/atsh

Dita e Pavarësisë/ Ceremoni solemne në Vlorë, 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit Read More »

Rama paralajmëron portalet: Stop me lajme të rreme që hapin panik

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, se “do të jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik”.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ku duhet matur çdo fjalë është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh vendas a të huaj apo të shtrembërohen, sipas avazit të zakonshëm, prononcimet e shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve! Stop dhe Stop tani! Menjëherë!!!”, tha Rama./atsh

Rama paralajmëron portalet: Stop me lajme të rreme që hapin panik Read More »

Kryeministri shpreh anën më njerëzore: Të gjithë të prekurit e tragjedisë, si Gregori im

Me pamje nga rrënojat e frikshme të tërmetit shkatërrimtar ku edhe gjatë orëve të natës vijon pa ndërprerje operacioni për shpëtimin e jetëve njerëzore, kryeministri Edi Rama ka treguar si rrallë herë ndjeshmërinë e tij sa njerëzore aq edhe të përgjegjësisë së detyrës të cilat nuk i ka fshehur përballë një pyetjeje të fundit, pak më personale gjatë një interviste televizive.

“Flasim për impaktin njerëzor që ka sjellë kjo katastrofë edhe te ju. Lexova një status shumë të ndjerë të djalit tuaj, Gregut. Duket se kjo tragjedi ka prekur edhe njerëz të afërt me familjen tuaj”, iu drejtua gazetari Kryeministrit, por ky i fundit nuk ka dashur të personalizojë tragjedinë, as kur është fjala për djalin e tij, kur tha se në këtë fatkeqësi për kryeministrin e Shqipërisë të gjithë mund të ishin Gregu.

“Nuk dua të flas për gjëra që lidhen me aspekte personale apo qoftë dhe të djalit. Unë sot jam në një pozitë që ndoshta është e pamundur ta shpjegoj. Ndoshta është shumë e vështirë të kuptohet, ndoshta shumëkush nga ata që dinë politikën një mizerabilitet, apo një instrument për të vjedhur dhe që kujtojnë se të gjithë jemi njëlloj dhe që kujtojnë se unë rri këtu dhe po jap mish e shpirt për lekë, nuk mund ta kapë, por ndjesia ime shumë e fortë është që sot unë i kam të gjithë këta njerëz të prekur si Gregun,” u shpreh Rama, duke shfaqur anën njerëzore dhe shprehjen e kësaj ndjeshmërie përpara të gjithë shqiptarëve, sidomos kur është fjala për një tragjedi me një përmasë të tillë. /atsh

Kryeministri shpreh anën më njerëzore: Të gjithë të prekurit e tragjedisë, si Gregori im Read More »

Bilanci tragjik nga tërmeti/ 24 të plagosur, 657 të plagosur dhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat

Tërmeti që goditi vendin mëngjesin e së martës ka një bilanc tragjik me deri tani 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe fatmirësisht deri tani edhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, ndërsa e cilësoi tërmetin shkatërrimtar për mijëra familje dhe sfidues për shoqërinë, shtetin, qeverinë dhe në tërësi për kombin tonë.

Kryeministri nënvizoi reagimin e menjëhershëm domethënës të të gjithë kryeministrave. Po ashtu, Rama vlerësoi reagimin e menjëhershëm të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të FA-së, zjarrfikëseve dhe Urgjencës Shëndetësore Kombëtare.

“Në fund të një 24-orëshi që ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit me uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua që t’u shpreh të gjithë mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballjeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme, që nga ata të cilët rrezikuan jetën e tyre, duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit, deri tek ata që pritën dhe trajtuan në gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor me qindra të plagosur, ndër të cilët një numër i vogël në kushte rreziku për jetën”, tha Rama. /atsh

Bilanci tragjik nga tërmeti/ 24 të plagosur, 657 të plagosur dhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat Read More »

Ditë zie kombëtare në Shqipëri, Basha anulon vizitën në Athinë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, anuloi vizitën në Athinë, ku kishte planifikuar të festonte, bashkë me shqiptarët në Greqi, Ditën e Flamurit.

Basha ishte i ftuar të merrte pjesë në Kongresin e Nea Demokracisë. Lajmin e anulimit të kreut të PD-së e njoftoi kryetari i degës së PD në Athinë, Fatmir Gjoçi.

“Pas situatës së vështirë që po kalon vendi ynë, për shkak të fatkeqësisë natyrore që shkaktoi humbje jetësh, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, e anulloi vizitën e tij në Athinë.”- shprehet kreu i degës së PD-së së Athinës.

Basha kishte planifikuar një sërë takimesh, me kryeministrin e Greqisë Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtme Nikos Dendias dhe një sërë personalitetesh të larta të shtetit grek, si dhe personalitete ndërkombëtare diplomatike, që ishin të ftuar në Kongres. /atsh

Ditë zie kombëtare në Shqipëri, Basha anulon vizitën në Athinë Read More »

Marrëveshje me strukturën hoteliere, asnjë familje e prekur nga tërmeti nuk do qëndrojë në infrastruktura të rrezikshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo është barra jonë prandaj kemi filluar që dje me ministrin e Turizmit, të punojmë për një marrëveshje me të gjithë strukturën hoteliere të Durërsit dhe Kavajës për ti akomoduar të gjitha familjet pa çati”.

Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Rama theksoi se “gatishmëria ka qenë shumë e madhe, kjo nuk është çështje e një jave apo një muaji, këto familje nuk kanë nevojë për një javë apo një muaj, kanë nevojë për shumë më tepër prandaj nuk mund ta mendosh jo më ta provojmë që sipërmarrësve të hotelerisë tu kërkojmë që me shpenzimet e tyre individuale të mbajnë infrastrukturën hoteliere me muaj të tërë në dispozicion pa pasur asnjë mbështetje financiare”.

“Nga ana tjetër ne nuk mund te pranojmë që familje, të moshuar, fëmijë, gra të kalojnë dimrin në tenda është e pakonceptueshme, apo t’ua lëmë si barrë familjeve të tjera, që kanë shprehur solidaritet mund ta bëjnë këtë gjë nuk mund të kalojnë një periudhë, relativisht të gjatë me një barrë të tillë”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “këtë herë dua të them shumë qartë nuk do të lëmë asnjë familje që do të kërkojë të qëndrojë në infrastrukturën e rrezikshme dhe teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk dal nga oborri nuk do funksionojë”.

“Është një fakt që të gjitha shtëpitë, për shembull që në qarkun e Tiranës kanë rezultuar të dëmtuara por të riparueshme nga tërmeti i parë sot janë jashtë funksionit nuk janë më të riparueshme, por duhen rindërtuar. Që do të thotë që numri i familjeve që kanë nevojë për strehë nuk është i vogël. Natyrisht kjo do të kërkojë një angazhim ekstra për të cilin kemi filluar punë me ministren e Infrastrukturës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor që të kemi një organizim të transportit për fëmijët që duhet të shkojnë në shkollë dhe nga ana tjetër me Ministren e Arsimit për të ofruar një asistencë për këta fëmijë në periudhën jashtë shkollës apo për të krijuar klasat në vijën akomoduese të bregdetit të Durrësit, Kavajës duke iu dhënë mundësi këtyre familjeve që të jetojnë në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale dhe ti kalojën festat e fundvitit në kushte më optimale”, – nënvizioi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se mos harrojmë që pjesa më e madhe e këtyre familjeve janë familje të varfra.

“Kjo fatkeqësi, e kemi parë në terren gjerë e gjatë sepse çdo minutë ka qenë një orë, ka goditur pjesën më të dobët , hallkën më të dobët familjet më të varfra shtëpitë e vjetra apo të ndërtuara thjesht për të futur kokën pa standarde sigurie të mjaftueshme”, – tha Rama./atsh

Marrëveshje me strukturën hoteliere, asnjë familje e prekur nga tërmeti nuk do qëndrojë në infrastruktura të rrezikshme Read More »