Lajmi i fundit

EMSC: Tërmetet nuk parashikohen, aktiviteti sizmik në Shqipëri normal pas tërmetit me magnitudë 6.3

Qendra Sizmologjike Europiane e Mesdheut (EMSC) ka siguruar se aktiviteti sizmik që po ndodh në Shqipëri këto ditë është normal pas një tërmeti me magnitudë 6.4

Të pyetur nga qytetarët shqiptar në lidhje me një lajm që po qarkullon për një tërmet tjetër të mundshëm pas rënies së shirave, EMSC thekson se, “jo, nuk ka një mënyrë për të parashikuar tërmetet dhe disa ditë reshje shiu nuk do të ndryshojnë situatën sizmike. Ajo që është e qartë është se për shkak të aktivitetit pas tërmetit, njerëzit nuk duhet të qëndrojnë në ndërtesa, të cilat janë prekur nga tërmetet e mëparshme. Shpresoj që kjo të ndihmojë”.

Të pyetur nga një tjetër qytetare nëse tërmetet e vogla që po vazhdojnë të bien në Shqipëri janë normale, EMSC shton se, “po aktiviteti është normal pas një tërmeti me magnitudë 6.3. Kanë filluar të ulen dhe duhet të vazhdojnë të ulen me kohën, por do të zgjasë me ditë, javë dhe ndoshta muaj”./atsh

EMSC: Tërmetet nuk parashikohen, aktiviteti sizmik në Shqipëri normal pas tërmetit me magnitudë 6.3 Read More »

Xhaçka: Mbi 5 mijë efektivë të FA, policë, zjarrfikës, punonjës dhe vullnetarë në terren

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka falenderuar çdo shqiptar për solidarizimin dhe humanitetin për përballimin e situatës së krijuar pas tërmetit katastrofik që goditi vendin tonë.

“Mbi 5 mijë efektivë të FA, policë, zjarrfikës, mjekë, infermierë, punonjës bashkish dhe vullnetarë janë në terren”, – lajmëron ministrja.

Ajo e konsideron këtë punë të pandërprerë si një sakrificë të jashtëzakonshme për shpëtimin e personave të bllokuar nën rrënoja.

Xhaçka gjithashtu shton se Forcat e Armatosur vazhdojnë të qëndrojnë pranë të mbijetuarve të tërmetit për të lehtësuar dhimbjen e tyre ndërkohë që ekipeve tona të të kërkim shpëtimit i janë bashkuar ekspertët më të mirë të vendeve mike./atsh

Xhaçka: Mbi 5 mijë efektivë të FA, policë, zjarrfikës, punonjës dhe vullnetarë në terren Read More »

Sizmologu Duni: Nuk ka rrezik për cunam, alarme false

Sizmologu LLambo Duni deklaron se Durrësi nuk rrezikohet nga cunami, duke theksuar se lajmet të cilat qarkullojnë së fundmi janë false.

Sizmologu Duni pohoi se alarmi për cunam rezultoi falas. Ai theksoi se tërmeti i së martës me magnitudë 6.3 të shkallës rihter, nuk e ka fuqinë që të shkaktojë një dukuri të tillë si cunami.

“Të dhënat tona shpërndahen në të gjitha qendrat në botë (ne rastin kur alarmi u dha nga Instituti italian i tërmeteve). Të dhënat tona shpërndahen në kohë reale në të gjitha qendrat, në Amerikë dhe Europë. Ne kemi lidhje në kohë reale me këto vende, për të përcaktuar cunamet, nëse ato mund të gjenerohen në vendin tonë, mund të përdoren. Ata nxjerrin alarmin, që këto kanë nevojë të rishikohen. Jo çdo alarm që jepet është i vlefshëm. Në rastin tonë nuk ishte i vlefshëm pasi madhësia 6.3 nuk është e atij niveli që të gjenerojë cunamet. Epiqendra e tërmetit nuk ka qenë në mes të Adriatikut, po në bregdetin shqiptar, ku nuk ka kolonë ujë. Është e pamundur që ky tërmet të shkaktojë cunam. Vatra e tërmetit ka qenë e thellë. Nuk ka pasur çarje që të ngrihet toka. Që të ngrihet, kërkohet spostim. Deri sa e kanë hequr alarmin, e kanë kuptuar që është fals.”, tha Duni. /atsh

Sizmologu Duni: Nuk ka rrezik për cunam, alarme false Read More »

Vlora e Flamurit, simbol i solidaritetit me të prekurit e tërmetit, ofron 1385 shtretër

Qyteti i Vlorës mund të konsiderohet më shumë se kurrë sot edhe qyteti i flamurit, pasi ka ofruar një ndjenjë të lartë solidariteti me të mbijetuarit e tërmetit tragjik që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri që është dhe drejtues politik i kësaj force politike për këtë qark ka deklaruar se një numër i madh biznesesh por edhe familjesh vlonjate kanë hapur dyert për të gjithë ata që sot kanë mbetur të pastrehë për shkak të tërmetit shkatërrimtar.

Gjiknuri shprehet se në total deri më tani në këtë qark ofrohen 1385 shtretër, kryesisht në hotele, por edhe vila e apartamente, në të cilat deri tani janë sistemuar 810 persona të prekur nga tërmeti dhe vijojnë të mbeten të lira edhe 575 shtretër.

“Vlora e Flamurit nuk kishte si të ishte ndryshe veçse Vlora e solidaritetit,” shprehet Gjiknuri.

“Operatorët turistikë kanë vënë në dispozicion 1385 shtretër dhe deri më tani kanë garantuar strehim për 810 banorë të prekur nga tërmeti në Durrës dhe Tiranë. Edhe 575 shtretër janë ende të lirë dhe Shtabi i Emergjencave po koordinon nevojat në terren,” deklaron deputeti socialist.

Gjiknuri ka publikuar edhe listën me emrat e të gjithë hoteleve dhe personave që iu janë gjendur pranë të prekurve nga tërmeti tragjik në këtë fatkeqësi, duke hapur dyert, zemrën dhe gjithçka nevojitet për të përballuar këtë moment të vështirë./atsh

Vlora e Flamurit, simbol i solidaritetit me të prekurit e tërmetit, ofron 1385 shtretër Read More »

Ambasada italiane qytetarëve të saj: Referohuni vetëm komunikimeve zyrtare të Shqipërisë

Ambasada Italiane në Tiranë ka ftuar të gjithë nënshtetasit italianë që ndodhen në Shqipëri që t’i referohen vetëm komunikimeve zyrtare të shpërndara drejtpërdrejtë nga organet shtetërore shqiptare dhe nga rrjeti diplomatik Italian në Shqipëri.

Me këtë rast Ambasada e Italisë ka theksuar se ata mund të kërkojnë ndihmë tek numrat e emergjencës të Ambasadës italiane.

Një audio-fake në italisht, që qarkullon në whatsapp dhe në mediet sociale shkaktoi alarm në Durrës. Zëri i një burri që flet italisht, i bën të ditur një personi imagjinar i cili banon në Durrës se duhet të largohet nga katet e sipërme të banesave, pasi, “sipas ushtarakëve”, një tjetër tërmet “gjatë natës” mund të shkaktojë në Durrës shumë dëme “për shkak të shiut”.

Audioja nisi të qarkullonte që nga dita e djeshme dhe parashikimi-fake i referohej natës së mbrëmshme, gjatë së cilës nuk u regjistrua asnjë tërmet i fuqishëm. Por lajmi u shpërnda vetëm sot dhe u shpërnda në mënyrë virale, duke krijuar alarm krejtësisht pa baza.

Lajmi është “fake” dhe duket nga shumë elemente mbi të gjitha, ushtarakët në asnjë vend, aq më pak italianët, nuk merren me tërmete, që janë kompetencë ekskluzive e sizmologëve. Dhe pastaj, shiu nuk ka asnjë efekt mbi ndodhjen e tërmeteve, madje shpesh para apo mbas tërmeteve bien shira të dendur e kjo nuk ndryshon asgjë.

Në audion-fake i referohen edhe lajmit, të vërtetë, që për shkak të tërmetit, toka në Durrës është ngritur 10 centimetra. Por ky është një fenomen natyror, që ndodh saktësisht gjatë çdo tërmeti dhe nuk tregon në asnjë mënyrë se do të pasojnë lëkundje të tjera.

Të gjithë ekspertët italianë e shqiptarë konfirmojnë se lëkundja kryesore e 26 nëntorit do të pasohet nga të tjera lëkundje, por të gjitha me fuqi më të vogël dhe se, pra, rreziku kryesor ka kaluar. Kështu, thirrja për popullatën është se duhet ti shpërfillë këto lajme të rreme dhe të kthehet nëpër shtëpi, me përjashtim të atyre, shtëpia e të cilëve është e pabanueshme./atsh

Ambasada italiane qytetarëve të saj: Referohuni vetëm komunikimeve zyrtare të Shqipërisë Read More »

“Qendra e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe” në ndihmë të njerëzve të prekur nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot “Qendrën e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe”, ku janë strehuar shumë prej të prekurve nga tërmeti.

Rama u shpreh se me Arbërin (Hajdari) kishim menduar ta çelnim me një ceremoni në festat e fundvitit, por Zoti a Natyra e bënë të hapej nga dhimbja e tragjedisë së këtij fundmuaji.

Drejtuesi i qendrës, Arbër Hajdari u shpreh se, “kemi strehuar njerëz, gatuhet, kemi shkarkuar trajlera që kanë ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kemi shpërndarë ushqime të gatshme në Thumanë, Durrës, Sukth, Laç, Lezhë dhe vazhdon. Presim dhe 12 trajlera të tjerë që janë duke ardhur. Mendoj që duhet të ulim në tryezë palët e interesuara dhe të fillojmë planin e rindërtimit. Duhet të piketojmë individët që kanë abuzuar, nuk duhet t’i lëmë të shpëtojnë, qoftë ata online që kanë qenë më problematikët”.

Rama u shpreh se, “para disa minutash më dhanë informacion që ishte arrestuar njëri që kishte bërë një faqe Rilindja dhe merrte lekë online”.

Këto, tha Hajdari, “mendoj se duhen futur në burg sepse prishin të gjithë humanizmin e njerëzve. Ne deri tani kemi grumbulluar 1.5 milionë dollarë nga e gjithë bota rreth 60 mijë donatorë”.

Rama, u shpreh se, “kjo që kemi vendosur ne është që të ecim me këtë frymë që kemi ngritur dhe gjithë këtë infrastrukturë këtu. Por tani me këtë sfidë gjigante që na ka rënë mbi supe Komuniteti Kombëtar i Rindërtimit është një strukturë që është në funksion të Komitetit të Emergjencave për periudhën e emergjencës dhe pastaj të qeverisë për vazhdimin dhe që është një tryezë ku janë përfaqësues të qeverisë, përfaqësues të organizatave solidare për njerëzit në nevojë që janë këto organizatat e mëdha, ku patjetër është dhe Fundjavë Ndryshe”.

“Të vendoset përpara harta e problemeve, të bëhet ndarja e detyrave, pastaj të ketë standard për planifikimin, të ketë standard për ndërtimin, për monitorimin e parasë. Ju kontrolloni dhe atë që ne shpenzojmë nga buxheti. Ne kontrollojmë dhe atë që shpenzoni që e keni mbledhur vetë dhe publikut i thuhet që jemi të gjithë. Në raste të tilla duhet të bëhemi bashkë. Fjala vjedh duhet të zhduket nga fjalori. Kjo është shumë sensitive dhe aq më tepër që këtu është dhënë kaq shumë lekë me zemër dhe po jepet kaq shumë lekë me zemër sa që është e pafalshme të shkojë nëpër duar të gabuara, apo të shkojë nëpër xhepa në vend që të shkojë në themelet e programit dhe të shtëpive”, – theksoi Kryeministri Rama.

Kryeministri u shpreh se, “duhet të bëjmë dhe një program të përbashkët për trajnimin e vullnetarëve për emergjencat dhe koordinimin e të gjitha forcave. Jo vetëm forcave brenda shtetit, por edhe forcave të tjera siç e ka e gjithë bota. Çohen të gjithë njerëzit, por nuk dinë ku të shkojnë. Ndërkohë që duhet të kenë një sistem vullnetarizmi që dihet unë në rast emergjence jam i regjistruar si vullnetar dhe jam gati të marr pjesën time. Kush është pjesa jote? Do shkosh në filan pikë për të shpërndarë ujë. Do shkosh në filan pikë për të ndihmuar të moshuarit. Do shkosh në filan pikë për të nxjerrë nga përmbytja, se larg qoftë, jo më tërmete se u lodhëm, u shkatërruam fare”./atsh

“Qendra e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe” në ndihmë të njerëzve të prekur nga tërmeti Read More »

Kryeministri Rama me të mbijetuarit e tërmetit: Do ta kapërcejmë këtë të gjithë bashkë!

“Do ta kapërcejmë këtë të gjithë bashkë”. Është ky premtimi që Kryeministri iu ka dhënë të mbijetuarve të tërmetit që ka lënë pas bilancin tragjik të 46 viktimave, teksa ka takuar në hotelet ku tashmë janë akomoduar familjarët e parë të mbërritur nga zonat më të prekura.

“Shtëpia është bërë copë. Shyqyr që shpëtuam!” – shprehet një prej tyre.

“Punët e Zotit, i di Zoti. Punët tona i dimë ne. Ne do bëjmë tonën dhe do i bëjmë të gjitha. Duhet durim. Do rrini këtu. Do keni trajtim si turistë në sezonin veror. Fola dhe me Astritin, [sipërmarrësin], do kontribuojmë ne që të rrijë i gjithë stafi në punë. Do kemi mjekë dhe infermierë në dispozicion. Nevojë për ilaçe të mos ketë askush, por po pati do ua mbulojmë ne. Ju lutem vetëm përpiquni të merrni frymë thellë dhe mos mendoni më për tërmetin. Mendoni vetëm se si do ta kapërcejmë këtë të gjithë bashkë. E tmerrshme është të jetosh me këtë ndjenjë, por do ta kapërcejmë së bashku. Për të gjallin janë bërë,” – u shpreh Kryeministri.

Duke biseduar me stafin hotelier, kreu i qeverisë ka kërkuar përkujdesje dhe mirëkuptim ndaj kësaj traume njerëzore që duhet trajtuar me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Ne do kontribuojmë që hoteli të rrijë hapur gjithë dimrin që mbulimi i kostove të jetë i sigurtë, vetëm se këta nuk janë klientë, janë pacientë, janë njerëz të traumatizuar. Duhet t’i duroni pak. Duhet t’ua bëni edhe më shumë se atyre turistëve që ju ua bëni shumë mirë. Trajtojini si t’i kishit prindërit tuaj,” – u shpreh Rama. /atsh

Kryeministri Rama me të mbijetuarit e tërmetit: Do ta kapërcejmë këtë të gjithë bashkë! Read More »

Procedohen administratorët e një portali/Policia: Përhapën lajme të rreme për destabilizim

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi deklaroi se “Policia e Shtetit, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm për zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, duke synuar jo vetëm sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe garantimin e qetësisë dhe ndjenjës së sigurisë, po merr masa për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të gjithë personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese”.

Në një deklaratë për mediet, ait ha se “në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf”.

Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët.

“Konkretisht, kjo faqe në datën 28.11.2019 ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash të gjendur në morgun e Tiranës. Menjëherë pas publikimit të njoftimit, nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit kibernetik, krimit ekonomik e financiar dhe strukturat e hetimit Antiterror janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar publikimin e këtij njoftimi dhe njoftimeve të tjera të kësaj natyre. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky njoftim ishte tërësisht i rremë dhe dashakeq duke synuar përhapjen e panikut e frikës tek qytetarët”, tha Minxhozi.

“Policia e Shtetit po monitoron çdo minutë dhe do të procedojë penalisht çdo person që do të publikojë lajme të rreme, të cilat përhapin panik tek qytetarët. Në të njëjtën kohë, njoftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, Komisariatin Dixhital dhe në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale, për çdo njoftim të rremë që publikohet në rrjetet sociale i cili synon destabilizimin e qytetarëve.Policia e Shtetit fton median dhe qytetarët që për çdo situatë e cila mund të ngrejë dyshime ti drejtohen Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore për të marrë informacion zyrtar”, tha ai./atsh

Procedohen administratorët e një portali/Policia: Përhapën lajme të rreme për destabilizim Read More »