“Jam dhunuar, i kam shpëtuar shumë herë vdekjes. Ai më kërcënoi se nëse ikja në Shqipëri do të vinte dhe do të vriste prindërit e mi”, ka treguar në dëshminë e saj, 22-vjeçarja shqiptare e cila u torturua nga bashkëshorti se lindi vajzë.
Ajo u shpëtua pas 2 vitesh torturë brenda banesës ku 28-vjeçari e mbante të izoluar nga fqinjët e saj në Greqi.
Mbrëmjen e së enjtes kur banorët e lagjes u mobilizuan për ta shpëtuar pasi dëgjuan britmat e saj.
Fqinjët kanë shkuar tek banesa e çiftit duke goditur dyert, si edhe kanë njoftuar policinë. 28-vjeçari ka tentuar të dalë nga dera e pasme për të shpëtuar, por fqinjët e kapën dhe e ndaluan.
Kur policia hyri brenda banesës gjetën nënën e re e cila kishte përqafuar fëmijën e saj dhe ishte e mbuluar me gjak me shenja mavijosje në qafë, pasi bashkëshorti kishte tentuar ta mbyste.
Menjëherë është lajmëruar ambulanca dhe gruaja e fëmija janë dërguar në spital.
Torturat pas zbulimit të gjinisë së fëmijës
Ajo u martua me detyrim nga prindërit e saj në moshën 18-vjeçare dhe u zhvendos së bashku me partnerin nga Shqipëria në Volos të Greqisë në vitin 2021, por ky i fundit nuk e lejoi kurrë të mësonte greqisht, apo të kishte kontakte me njerëzit.
Sipas, protothema.gr, 28-vjeçari shqiptar e ka dhunuar bashkëshorten e tij që kur u bë e ditur gjinia e fëmijës së tyre, pasi ai nuk donte vajzë.
Kur lindi fëmija, nëna dhe foshnja jetuan për pesë muaj me grila të mbyllura dhe pa rrezet e diellit.
Dhuna ndaj saj ishte e përditshme dhe 28-vjeçari nuk e lejonte nënën të shkonte te mjeku për vaksinimin e fëmijës dhe as të thërriste mjekun në shtëpi.
Arrestimet e fundit të kryera nga autoritetet kanë aktivizuar alarmin në të gjithë vendin, për shkak të pranisë së të huajve që e shohin Kolumbinë si seli për kryerjen e krimeve të tyre. Në mesin e të arrestuarve, sipas autoriteteve të vendit të Amerikës së Jugut ka njerëz të kërkuar nga drejtësia e kombeve të tyre përkatëse si Spanja, Franca, Polonia dhe Shqipëria.
Kjo situatë vuri në gatishmëri Policinë Kolumbiane dhe Interpolin, të cilët filluan të gjurmojnë pesë të huaj të përfshirë në veprime që bien ndesh me ligjet e vendit në fjalë. Autoritetet kolumbiane janë të shqetësuara për këtë situatë që mund të çojë në një konfrontim midis grupeve të trafikut të kokainës për në Evropë. Mes të kapurve është njeriu më i kërkuar në Evropë, sipas policisë kolumbiane, si dhe dy shtetas shqiptarë, një polak dhe një spanjoll.
Më i kërkuari në Evropë kapet në Bogota
Raul Moreno ishte më i kërkuari në Evropë dhe u arrestua më 7 shtator 2023 në Bogota, Kolumbi. Moreno u gjet falë informacioneve të dërguara nga Garda Kombëtare Spanjolle dhe Interpoli, i cili në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane mundi të zhvillonte një operacion për kapjen e tij. Supozohet se ai ka mbërritur në Kolumbi në vitin 2020, pasi ishte arratisur nga Spanja ku kërkohej dhe akuzohej për trafik të lëndëve narkotike, pas kapjes së një ngarkesë të madhe të kokainës.
Bogota do të bëhej streha e tij kryesore, megjithëse ai mbajti një profil të ulët për të mos tërhequr vëmendjen e autoriteteve. Por më pas filloi të shihej shumë shpesh në vend publike me njerëz të dyshimte ç’ka solli dhe monitorimin e tij nga policia vendase. Policia tha se i arrestuari po organizonte një transport të madh të lëndëve narkotike nga Kolumbia në Portet e Valencias në Spanjë të kamufluara si fruta dhe perime.
Mafia shqiptare në Kolumbi
Në fillim të muajit u kapën edhe dy shqiptarë të përfshirë në trafikun e kokainës në Kolumbi. Kapja e Besnik Nikollit, alias ‘Niko’ ose ‘El Gordo’ si dhe Lirido Ajazi apo Lirido Shurtaj, i njohur në botën e krimit si ‘Mario’ u konsiderua si një goditje e madhe e një organizative kriminale shqiptare.
Raporti zyrtar thotë se Niko u ndalua në qytetin bregdetar të Santa Martës dhe se roli i tij ishte lidhja midis trafikantëve të drogës në Kolumbi dhe Francë. Nga monitorimi i kryer ndaj tij bëhet e qartë se Nikolli ka një histori më shumë se 10-vjeçare në krim dhe përdorte portin e Santa Martës për dërgimin e ngarkesave me kokainë në Francë. Në rolin e koordinatorit, ai akuzohet se ka eksportuar të paktën dy tonë kokainë në vit.
Rënia e Lirido Ajazit
Ndërkohë, Lirido Ajazi u kap në një zonë të Calit dhe ishte organizatori i takimeve me kolumbianët. Në axhendën e tij ai kishte kontakte me kartelet kolumbiane, shqiptare, franceze dhe dominikane. Ky njeri përdori porte të ndryshme klandestine në Karaibe për të dërguar kokainë në disa vende evropiane. Policia thotë se, Ajazi mbërriti në Kolumbi pasi ishte në kërkim nga policia e disa vendeve evropiane për krime të ndryshme, përfshirë trafikun e drogës.
“Për shkak të veprimeve të autoriteteve evropiane ndaj këtij personi, ai vendosi të transferohej në Kolumbi për të zgjeruar veprimet e tij kriminale dhe për të bërë aleanca me kartelet kolumbiane për dërgimin e lëndëve narkotike nga aeroportet ndërkombëtare të qyteteve kryesore të Kolumbisë, për në Holandë, Gjermani, Belgjikë, Spanjë dhe Francë, duke përfshirë aeroportin ndërkombëtar Charles de Gaulle në Paris. Ai e transportonte kokainën duke përdorur valixhe të dyfishta”, thuhet në raportin e policisë.
Trafikantët spanjolle dhe polakë
Sipas raportit, gjithashtu në fund të gushtit u kapën kolumbiano-spanjolli, Miguel Ángel Montenegro Peña, i njohur si ‘Pedro Pablo’ dhe polaku Jacek Dawid Semerga. Pedro Pablo u ndalua në Madrid dhe akuzohet si koordinator i trafikut të drogës në portin e Valencias, duke përdorur gjithashtu brigjet e Kosta Rikës si qendër operacionesh nga Amerika Qendrore.
Ndërkohë polaku, Jacek Dawid Semerga akuzohet për rritjen dhe trafikimin e marijuanës hidroponike në qytetin Gliwice të Polonisë. Autoritetet bëjnë me dije se ky shtetas evropian ishte arratisur nga Polonia në vitin 2017, sepse ligji polak kundër varësisë ndaj drogës e konsideron të paligjshëm kultivimin e kanabisit, i cili në këtë rast prodhohej në sasi të mëdha dhe shpërndahej në qytetin e lartpërmendur.
Miguel Ángel Montenegro u kap një herë në vitin 2018-të në Spanjë, por u lirua për shkak të skadimit të mandatit. Në vitin 2021, ai u shpall sërish në kërkim dhe për shkak se ishte arratisur nga vendi, autoritetet spanjolle kërkuan ekstradimin e tij nga Kolumbi. Ndërkohë, Semerga u arratis nga Polonia në vitin 2017 dhe vendosi të strehohej në shtëpinë e të dashurës së tij në Cali, Kolumbi por publikimet në rrjetet sociale e ekspozuan atë./TCh/
Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga dhuna që e reja shqiptare përjetonte prej dy vitesh nga bashkëshorti i saj në Greqi.
Sipas asaj që shkruan Protothema.gr, bashkëshorti i saj, 28-vjeçari shqiptar e dhunonte barbarisht për shkak të gjinisë së fëmijës së tyre. Më konkretisht çifti ka një vajzë të mitur, ndërkohë që 28-vjeçari donte djalë.
Kur lindi fëmija, nëna dhe foshnja jetuan për pesë muaj me grila të mbyllura dhe pa rrezet e diellit. Rrahjet ishin të përditshme dhe 28-vjeçari nuk e lejonte nënën të shkonte te mjeku për vaksinimin e fëmijës dhe as të thërriste mjekun në shtëpi, shkruajnë mediat greke.
Skenat e tmerrit që ka pësuar vajza janë zbuluar mbrëmjen e së enjtes më 21 shtator, kur fqinjët janë mobilizuar pasi kanë dëgjuar britmat e saj nga brenda shtëpisë. Kur kanë trokitur me këmbëngulje në derë, 28-vjeçari e ka hapur atë dhe ka tentuar të arratiset, ndërsa banorët e kanë ndaluar, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka bërë arrestimin e tij.
Siç u mësua, atë natë 28-vjeçari, pas dhunës në rritje e ka kapur nga qafa të renë dhe ka tentuar ta mbysë, ndërsa nga këqyrja e mëpasshme e gruas vërtet janë konstatuar shenja mbytjeje.
Aktualisht i riu është arrestuar, ndërsa nëna dhe vajza e mitur janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Një ngjarje deri në kufijtë e të paimagjinueshmës ka ndodhur së fundmi në Itali.
Bëhet me dije nga burimet për media se një avokate është dënuar në Itali pasi ka përdorur magji vudu duke tentuar të vriste klienten e saj në mënyrë që të trashëgonte pasurinë e shtëpinë e saj.
Dënimi i pazakontë është konfirmuar edhe pse deri tani nuk ka prova shkencore se “magjia mund të bëjë dikë të vdesë”, shkruan Metro.
58-vjeçarja Barbara Raimondo, ishte emëruar avokate për klienten e paidentifikuar 86-vjeçare që ishte gjithashtu mike e familjes, u tha në gjykatën e Genoa, në veriperëndim të Italisë.
Rrjedhimisht pensionistja e kishte bërë avokaten trashëgimtare të vetme, dhe ajo kishte përfituar nga fakti për të përdorur pasurinë e saj prej rreth 1 milionë euro.
Raimondo më tej kishte pajtuar një ‘shtrigë vudu’ për të kryer rituale magjie të zezë për të shpejtuar vdekjen e të moshuarës.
Kjo tentativë vrasjeje me “vudu” i kushtoi asaj dënimin dhe zbulimin nga autoritetet, që panë se Raimondo kishte zbrazuar llogaritë e klientes së saj.
Raimondo u dënua sipas nenit 49 të kodit penal vendas ku përfshihen ato që quhen “krime të pamundura”.
Ajo u burgos për pesë vjet për përvetësim pasurie, mashtrim dhe ‘magji vudu’.
Gjykatësja Paola Faggioni urdhëroi që Raimondo t’i hiqet licenca e avokates dhe të paguajë 1 milionë euro kompensim.
Avokati i Raimondo, Alessandro Vaccari, tha se do të apelonte dënimin për magji “vudu”.
“Shpresojmë që kjo akuzë të bjerë, klientja ime beson të shtrigat por ne besojmë te apeli, që do të rrëzojë akuzën”, tha ai.
Paolo Dogliatti, avokati i viktimës 86-vjeçare të mashtrimit, tha: “Ajo është e tronditur sepse kishte dhënë të gjithë besimin e saj te avokatja duke e bërë trashëgimtare, kurse ajo përpiqej të përfitonte nga vdekja e saj. Është shumë e rëndë për klienten time që ka humbur besimin te njerëzimi”.
Këngëtari, Sinan Vllasaliu rrezikon burg deri në 5 vjet burg pasi akuzohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve.
Akuzat e ngritura ndaj tij sipas inspektorit tatimor, Fidan Tolaj janë ngritur bazuar në të dhënat që ATK-ja ka vendosur si detyrime tatimore ndaj Vllasaliut dhe këto bazuar në informatat që kanë marrë nga postimet e klubeve muzikore nëpër rrjete sociale ku qenë I ftuar të performojë këngëtari.
Tolaj ka deklaruar se këto klube brenda Kosovës janë inspektuar edhe nga Policia e Kosovës ndërsa për ato jashtë vendit nuk kanë pasur informata përpos posterëve që i kanë postuar në rrjete sociale.
Në seancën gjyqësore inspektori i ATK-së dëshmoi lidhur me hetimet dhe inspektimet që ATK-ja kishte bërë rreth këngëtarit Sinan Vllasaliu për detyrimet tatimore të tij, duke shtuar se çdo e hyrë duhet deklaruar në ATK edhe nëse tatimet janë kryer jashtë vendit.
Sipas Tolajt kallëzimi penal I ushtruar nga ATK-ja është dorëzuar ne Prokurori me provat e bashkangjitur.
Avokati mbrojtës i Vllasaliut, Florent Latifaj kundërshtoi deklarimet e inspektorit duke u shprehur se ATK nuk ka hartuar raportin final siç është dashur.
Gjithashtu arsyetimi i inspektorit se nuk e di sa është paguar këngëtari Vllasaliu për netët që ka kënduar në diaspore por ka nxjerrë një mesatare duke u bazuar në posterët e klubeve, sipas tij, në të drejtën penale kjo nuk lejohet për shkak se çdo nxjerrje e mesatares është dashur të interpretohet me vlerën zero e jo me dy mijë euro.
Sipas inspektorit, Vllasaiu është paraqitur si tatim pagues i rregullt për vitet 2011-2013 kurse për vitet pasuese 2014-2016 mungojnë këto deklarime.
Seanca e sotme përfundoi dhe ajo e radhës do caktohet pas marrjes së ekspertizës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “shmangia nga tatimi”.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Një grup vajzash adoleshente janë filmuar nga një person ende i paidentifikuar duke pirë oksid azoti përmes tullumbaceve.
Në një moment, siç duket në videon e publikuar në Tik Tok nga faqja “narcos_k”, njëra prej vajzave nuk është ndjerë mirë kur ka konsumuar.
Shumë shpejt tullumbacet e rrezikshme me oksid azoti që shiten lirshëm nëpër lokalet e Tiranës do të ndalohen me ligj.
Lajmin e bëri me dije Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në Kuvend, i cili tha se është lëndë e palejuar dhe do të vendoset në kontrollin e shteti deri sa të bëhet ligji që do e cilësojë si drogë.
Alarmi u ngrit pak ditë më parë nga Top Channel, ku mjeku Adrian Fandi tregoi se kjo lëndë përmban dy kimikate në formë gazi që japin probleme mendore dhe neurologjike.
Një ngjarje e rëndë ndodhi në Shkodër mbrëmjën e djeshme, ku 33-vjeçari Valter Fierza u vra nga fqinji i tij.
Vrasja ndodhi në fshatin Hot i Ri të njësisë Rrethina rreth orës 22:00 të së enjtes.
Autori e qëlloi viktimën me kallashnikov, teksa është shpallur në kërkim nga policia.
Mësohet se konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes. Këta dy persona kanë debatuar me njëri-tjetrin për një parkimin e një automjeti në arë.
Fillimisht debati ka nisur në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar. Pas debatit autori, që është edhe komshi me 33-vjeçarin ka marrë armë automatik kallashnikov dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.
Menjëherë pas të shtënave disa herë kanë dalë familjarët e viktimës të cilët e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës, afër makinës së tij. Pas vrasjes autori i dyshuar është larguar në drejtim të paditur. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e vrasjes bashkë me drejtorin e policisë vendore të Shkodrës Ervin Hodaj. Pas informacioneve të siguruara nga vëllai i viktimës Kolë Fierza dhe banorëve të tjerë është arritur që brenda një kohe të shkurtër të identifikohet autori i cili u shpall në kërkim.
Policia ka rrethuar zonën ku ndodhi vrasja për të bërë të mundur gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar. Po ashtu në pika të ndryshme janë ngritur grupe kontrolli për të mos lejuar që autori të largohet.
Valter Fierza që mbeti i vrarë mësohet se bënte një jetë të qetë dhe nuk njihej si person problematik në atë lagje. Viktima dhe autori i dyshuar janë komshinj prej shumë vitesh dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Debati mes vëllait të viktimës dhe autorit ka qenë i çastit dhe sipas informacioneve të deri tanishme më përpara palët nuk kanë pasur ndonjë debat apo konflikt në të kaluarën.