Lajmi i fundit

Spiropali: Deri në fund të 2020, mbi 90% e shërbimeve vetëm online

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se “deri në fund të vitit 2020, mbi 90% e të gjitha aplikimeve për shërbime do të jenë vetëm online”.

Duke folur për nisjen e revolucionit dixhital në shërbimet për qytetarët, ajo tha se “ofrohen tanimë online dhe në kohë rekord 472 aplikime për shërbime, që deri dje shtonin radhët nëpër sportele”.

Spiropali theksoi se “qytetarëve do t’u kërkohen vetëm dokumente që janë individualë kur të aplikojnë”.

“Në muajin qershor do të hyjë online një seri pasuese me 395 shërbime të reja dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë mbi 90% të të gjitha aplikimeve për shërbime vetëm online në https://e-albania.al”, tha Spiropali./atsh

Spiropali: Deri në fund të 2020, mbi 90% e shërbimeve vetëm online Read More »

Rama në banesën e re të të mbijetuarës nga tërmeti: Sfida është t’i rindërtojmë më mirë sesa ishin

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, në shtëpinë e re të Marjana Rexhepit, njërës prej të mbijetuarave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Mes dhimbjes për humbjen e pazëvendësueshme të nënës, nga pabesia e 26 nëntorit, ne u jemi dhe do t’u jemi pranë, megjithë zemër e me të gjitha mundësitë tona”, tha Rama, ndërsa u interesua për gjendjen e Marjanës, e cila u nxorr nga rrënojat pas 13 orësh.

Kryeministri u interesua për situatën në gjithë zonën e Durrësit, ku u informua se ndihmat kanë vijuar normalisht dhe banorët janë furnizuar edhe në datën 31 dhjetor 2019, edhe ditën e sotme.

Rama tha se ka një parti të fundit prej 250 çadrash dimërore, të cilat janë vonuar edhe për shkak të festave, por ky problem po zgjidhet shumë shpejt.

Prefekti i Durrësit, Roland Nasto tha se “banorët që janë sistemuar në çadra dimërore po pajisen me soba me dru”.

Lidhur me meremetimet e godinave të dëmtuara, Nasto tha se “janë 12 pika në qytet ku kanë filluar meremetimet”. “Kemi ndjekur procesin edhe në zonat rurale, por është periudhë dimri dhe problemet teknike nuk lejojnë që të procedohet ashtu si duam”, tha ai.

Kryeministri informoi se “sot në qeveri kanë kalur 8 vendime për procesin e rindërtimit”. “Vendimet kanë të bëjnë me ato hallkat e para të procesit që të gjitha duhen adoptuar në kuadrin e gjendjes së emergjencës dhe nevojës për t’i bërë shpejt”.

“Duhet të jemi maksimalisht transperentë dhe të garantojmë gjithë procesin e rindërtimit me cilësi. Sfida është t’i sjellim në situatë më të mirë se më parë, se çfarë kuptimi ka? Pra, duhet ta bëjmë më mirë se sa ishte”, tha Rama.

Ndërkohë, ai theksoi se “po bëjmë projektet e shkollave dhe të spitaleve që ato të jenë funksionale deri në shtator kur fillojnë shkollat”.

Kryeministri tha se ato që ndodhën nuk i ndalojmë dot, por të paktën cfarë mudn të bëjmë, e bëjmë deri në fund me shumë përkushtim dhe me shumë vendosmëri”. “Juve keni pranë për çdo gjë edhe zv/ministren Dajna Sorensen, të cilën e kemi Nënë Terezën e vogël brenda qeverisë”, u tha Rama familjarëve./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1361154814091514/?t=0

Rama në banesën e re të të mbijetuarës nga tërmeti: Sfida është t’i rindërtojmë më mirë sesa ishin Read More »

IPARD II/ Mbështetje investimeve për thertore të reja në 9 rajone të vendit

Programi IPARD II, mbështet investimet për ndërtimin e jo më shumë se dy thertoreve të reja në nëntë rajonet e vendit.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) informon në lidhje me investimet në thertore dhe kriteret e përfitimit të grentit për to, se “Në rastin kur do të dorëzohen më shumë se dy aplikime, përparësi do t’i jepen dy aplikimeve, të cilat përfshijnë më tepër lloje të kafshëve”.

Brenda të njëjtit numër kafshësh, renditet i pari ai që ka kapacitet më të lartë therje. Ndërkohë që ngritja e thertoreve është e ndara sipas qarqeve: Shqipëria e Veriut: Qarku Dibër, Durrës, Kukës, Lezhë dhe Shkodër; Shqipëria e Mesme: Qarku Elbasan dhe Tiranë; Shqipëria e Jugut: Qarku Berat, Fier, Gjirokaster, Korçë dhe Vlorë.

Institucionet vendore dhe ministria e Bujqësisë kanë bashkërenduar punën në ngritjen e poleve blegtorale në qarqet e vendit, që synon mbarëvajtjen e zhvillimit të blegtorisë në vendin tonë, sipas standardeve më të mira me tregje të reja të shitjes së mishit , duke i dhënë fund kaosit të tregtimit në rrugë të produkteve blegtorale./atsh

IPARD II/ Mbështetje investimeve për thertore të reja në 9 rajone të vendit Read More »

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: Shpejtësia e erës më e fortë në Tiranë, dita më e ftohtë do të jetë e marta

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se shpejtësia e erës më e fortë ka qenë në Tiranë, e ndërsa dita më e ftohtë do të jetë e marta.

Sipas SHMU, duke nisur nga orët e mesditës së ditës së sotme era ka qenë intensive në vendin tonë me shpejtësi mesatare 5-10m/s dhe drejtim nga kuadrati i veriut.

“Shpejtësia më e lartë është regjistruar në qytetin e Tiranës me 18m/s. Era intensive do të vazhdoj deri në orët e para të mëngjesit të së hënës me shpejtësi mesatare 5-10m/s dhe hera-herës era fiton intensitet deri në 15-20m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore stuhi ere e cila arrin shpejtësinë deri në 25-30m/s”, thuhet në njoftimin për mediet.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, duke nisur nga orët e mesditës së të hënës pritet pakësimi gradual i intensitetit të erës me shpejtësi mesatare 5-10m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare zonat luginore të verilindjes dhe juglindjes si dhe zonën e alpeve era do të mbetet intensive deri në 20-30m/s përsëri me drejtim nga kuadrati i veriut.

Nga e marta era humbet akoma më shumë intensitet dhe bëhet mesatare me shpejtësi 3-8m/s me përjashtim të vijës bregdetare e cila do të arrijë shpejtësi deri në 15m/s. Dita më e ftohtë parashikohet të jetë mëngjesi i së martës me temperaturat që pritet të arrijnë deri në -10 gradë në zonat malore, -6 në ato te ulëta dhe -1 gradë në ato bregdetare./atsh

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: Shpejtësia e erës më e fortë në Tiranë, dita më e ftohtë do të jetë e marta Read More »

Reshjet e dëborës/ ARRSH: Qarkullimi në situatë normale, rrugët të kalueshme pa zinxhir

Reshjet e dëborës që kanë përfshirë zonat veriore dhe verilindore të vendit nuk kanë sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar në një njoftim për shtyp bën të ditur gjendjen e akseve kryesore në vend.

Rajoni Verior

Reshjet e borës kanë filluar të lehta në Tropojë Dibër dhe Fushë Arrëz-Kukës, por pa sjellë probleme për qarkullimin.
Kompania e mirëmbajtjes ka bërë trajtimin me kripë dhe është në terren me mjete e punëtorë nuk ka probleme në qarkullim.

Rajoni Qendror

Ka pasur reshje bore në Steblevë, është bërë pastrimi i rrugës dhe trajtimi me kripë, nuk ka probleme me qarkullimin.

Rajoni Jugor

Kanë filluar reshjet e dëborës me intensitet të ulët në segmentet e mëposhtme:

– Qafë Thanë-Korçë-Kapshticë
– Qafë e Qarrit-Korçë-Ersekë
– Boboshticë-Dardhë
– Korçë-Voskopojë
– Zëmblak-Goricë.

Në të gjitha segmentet qarkullohet pa zinxhirë

Kontraktorët janë në terren dhe në gatishmëri për çdo situate, me qëllim sigurimin e kalueshmërisë normale në të gjitha akset. Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, të reduktojnë shpejtësinë, të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, të respektojnë sinjalistikën horizontale dhe vertikale./atsh

Reshjet e dëborës/ ARRSH: Qarkullimi në situatë normale, rrugët të kalueshme pa zinxhir Read More »

Shqipëria e 7-a në Europë për kultivimin e portokallit

Shqipëria prodhoi rreth 10.800 tonë portokalle në vitin 2018, duke u renditur në vendin e 7 në Europë, duke lënë kështu pas edhe Francën, e cila prodhoi 10.090 tonë.

Sipas një raporti të publikuar nga Eurostat, gjatë 2018-s në Shqipëri u kultivuan 300 hektarë me portokall.

Raporti i Eurostat evidenton se Shqipëria rriti me 100 hektarë sipërfaqen e kultivimit të portokallit në 2018, krahasuar me 2017, ndërsa edhe prodhimi u rrit me 1.700 tonë.

Shtimi me 1/3 i sipërfaqes në 2018-n është një tregues se prodhimi do të rritet më shumë në vitet në vijim, kur të hyjnë në prodhim fidanët e rinj.

Sipas raportit të Eurostat-it, shtetet anëtare të Bashkimit Europian (BE) prodhuan 6.5 milionë tonë portokalle në vitin 2018.

Ky ishte niveli më i lartë i prodhimit që nga viti 2010 dhe u mbështet nga vjelja rekord në Spanjë. Sipas Eurostat, Spanja voli 3.6 milionë tonë portokalle, ose 56% të totalit që u vol në vendet e BE-së.

Përveç Spanjës, vendet e tjera kryesore prodhuese ishin Italia, me 1,6 milionë tonë, ose 24% e totalit të BE dhe Greqia me 0,9 milion ton, ose 14% e totalit të BE.

Pothuajse 274 mijë hektarë (ha) portokalle u kultivuan në vitin 2018, dhe pak më shumë se gjysma e kësaj sipërfaqe totale ishte në Spanjë (140 mijë ha).

Italia zinte vendin e dytë me sipërfaqen më të lartë të prodhimit të portokallit, konkretisht 83 mijë ha, që përbënte 30% të totalit të BE-së, e ndjekur nga Greqia me 32 mijë ha, ose 12% e totalit të BE-së. /atsh

Shqipëria e 7-a në Europë për kultivimin e portokallit Read More »

Moti i keq/ Greqia ndalon kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë nga Kapshtica për dy ditët në vijim

Drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, që kanë planifikuar lëvizjen për në shtetin grek nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, duhet ta shmangin ose të përdorin pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë, njofton se pala greke në këtë pikë kufitare do të ndalojë kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë për shkak të prezencës së akullit në rrugë.

“Në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, në datën 05.01.2020, nga ora 06:00 deri në orën 23:59 të datës 06.01.2020 nuk do të lejohet kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) në drejtim të Greqisë, për të shmangur problemet dhe vështirësitë në qarkullim, si pasojë e prezencës të akullit në rrugë. Do të lejohet kalimi i autoveturave dhe autobusëve të cilët duhet të jenë të pajisur me zinxhirë”, thuhet në një njoftim zyrtar të Drejtorisë vendore të Kufirit dhe Migracionit, Korçë.

Policia Kufitare, apelon drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, që kanë planifikuar lëvizjen për në shtetin grek nëpërmjet pikës kufitare Kapshticë, ta shmangin ose të përdorin pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë, deri në normalizimin e situatës. /atsh

Moti i keq/ Greqia ndalon kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë nga Kapshtica për dy ditët në vijim Read More »

Me letra false drejt BE-së/ Policia parandalon një tjetër rast, në pranga punonjësi i aeroportit të Rinasit

Policia e Shtetit parandaloi sot një rast të tentativës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve me dokumente të falsifikuara.

Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë finalizoi operacionin policor “New start”, duke vënë në pranga dy shtetas, njëri prej të cilëve punonjës i skanerit në aeroportin e Rinasit.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, shtetasja Xh. K., 23 vjeçe, banuese në Mat.

Po ashtu, u arrestua edhe R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht punonjës i sigurisë te kontrolli i pasagjerëve me skaner, në terminalin në varësi të TIA-s.

Ky shtetas ka qenë i proceduar më parë nga Policia Kufitare, pasi është kapur në zonën sterile me 2 700 euro dhe telefon celular.

Arrestimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.

Shtetasja XH. K. ka tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me dokumentacion të rregullt, por pas dyshimeve të punonjësve të Policisë Kufitare mbi qëllimin e udhëtimit dhe arsyet e dhëna, është kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm, ku i është gjetur një kartë italiane e falsifikuar./atsh

Me letra false drejt BE-së/ Policia parandalon një tjetër rast, në pranga punonjësi i aeroportit të Rinasit Read More »