Lajmi i fundit

Njoftim për banoret e krahinës. Në datë 18 Shkurt …

Veprimtari: me propozim te shoqates A.K.”Tragjasi” me daten 18 Shkurt 2020 dita e Marte ne oren 10: 0 ne sallen e pallatit te kultures Laberia Skele Vlore nga Keshilli i Qarkut Vlore, nga shoqata A.K.Laberia-nderi i kombit-dega vlore,dhe shoqata A.K.”Tragjasi” organizohet veprimtaria per dhenien e certifikates “Nderi i Qarkut” Vlore shoqeruar me dekoraten perkatse per :profesor Abaz Hoxha .

Njoftohen banore te tragjasit ne Tragjas Orikum Vlore Tirane etj nga komiteti veteraneve te l.a.n.cl.vlore dhe shoqatat e tjera si motra vlore si dhe kushdo qe e njef profesor Abaz Hoxha dhe qe kane mundesi jane te lutur te marrin pjese ne kete veprimtari
Ju faleminderit.
Kryesia e shoqates a.k.”tragjasi” vlore.me 14/2/2020.

Njoftim për banoret e krahinës. Në datë 18 Shkurt … Read More »

Shpërdorim detyre/ SHÇBA pezullon 7 punonjës policie në Durrës

7 punonjës policie të dyshuar për shpërdorim detyre janë pezulluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat( SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Abuzuesit e detyrës 2”.

Pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë së kundraligjshme të subjekteve të këtij procedimi. Ata dyshohet se duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Punonjësit e Policisë kryenin funksione të ndihmës/specialistit për Rendin, në Komisariatin e Policisë Krujë, në DVP Durrës. Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike.

Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara, Gjykata e Krujës caktoi masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për: Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme; S.D., Ndihmës/specialist për Rendin; M.C., Ndihmës/specialist për Rendin; N.S., Ndihmës/specialist për Rendin; K.D., Ndihmës/specialist për Rendin; D.S., Ndihmës/specialist për Rendin; F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.

Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.

SHÇBA nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor./atsh

Shpërdorim detyre/ SHÇBA pezullon 7 punonjës policie në Durrës Read More »

Ndahet nga jeta “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha

Mbretëresha e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha është ndarë sot nga jeta në moshën 87- vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

“Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, “Këngëtarja e Shekullit”, “Artiste e Merituar” , “Nderi i Kombit”, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të karrierës së saj artistike.

Nexhmije Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.

Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtina, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984.

Muzikën popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me ansamblin “Shota”.

“Unë gjithë jetën time kam punuar për popullin tim, jam munduar që këngën e bukur shqipe ta çoj sa më lart. Në kohëra shumë të vështira për një artiste shqiptare dhe për popullin tim, unë me shumë kompetencë e kam prezantuar këngën shqipe pothuajse në tërë botën”, është shprehur Pagarusha.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump. /atsh

Ndahet nga jeta “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha Read More »

Njohuritë e bashkive për integrimin në BE/ Prezantohet raporti i dytë i vlerësimit në Vlorë

Në Vlorë u zhvilluan një sërë aktivitetesh të cilat kishin në fokus procesin e integrimit dhe punën që po bëhet nga qeverisja vendore në lidhje me këtë proces, në kuadrin e prezantimit të Raportit të dytë “Bashkitë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”.

“Bashkitë për në Europë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me bashkinë e Vlorës, zhvilluan debatin publik mbi punën e kryer deri tani, në një takim që u zhvillua në mjediset e pallatit të kulturës “Labëria”, me pjesëmarrjen e ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, zv/ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, kryetarit të bashkisë, Dritan Leli.

“Roli i autoriteteve rajonale dhe lokale në procesin e integrimit në BE dhe zbatimi eventual i rregullave të BE-së, të cilat duhet të merren në konsideratë. Duhet të gjendet një ekuilibër i duhur midis qeverive qendrore, rajonale dhe lokale, i cili mbështet fort zbatimin e reformave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”.

Në fjalën e vet, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi mes të tjerash se, BE-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet përsa i përket të ardhmes së Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar i BE-së pas atij rrugëtimi që do të duhet të vijë pas çeljes së negociatave.

Duke ju referuar Samitit të Zagrebit, ku do të diskutohet për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ai tha se, Shqipëria po arrin në një moment shumë të rëndësishëm, në një moment kyç për të ardhmen, për të cilën Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, po bën të pamundurën që, gjithçka të jetë gati për këtë moment të rëndësishëm.

“ Ne, i bëjmë thirrje qeverisë qendrore dhe qeverisjes vendore, për të ndërmarrë hapat e nevojshme që gjithçka të jetë gati”, theksoi Soreca, duke evidentuar rolin e rëndësishëm që ka qeverisja vendore në këtë të ardhme.

Sipas tij, nëse do të merret ai vendim në Samitin e Zagrebit, do të vijnë disa momente dhe përpjekje shumë të rëndësishme për qeverisjen vendore, çka do të thotë që, të gjitha njësitë e qeverisjes vendore do të duhet të jenë të përgatitura dhe gati, për këto detyra të reja që do të ndërmarrin.

“Administrata lokale luan një rol shumë të rëndësishëm. Njësoj siç ndodh në shtetet anëtare të BE-së, zbatimi i Acquis të BE-së në Shqipëri, mbështetet tek bashkitë e vendit në një masë prej 70 përqind”, theksoi Soreca, duke nxitur të gjitha bashkitë që të përdorin këtë raport të vlefshëm në punën e tyre në vijim dhe që së bashku, autoritetet dhe qytetarët, të gjejnë mënyra për të përmirësuar nivelin e shërbimeve publike dhe më në përgjithësi performancën e tyre, sa i përket integrimit në BE.

“ Kjo në vetvete na sjell shumë mundësi dhe shanse shumë të mira. Kjo punë do të realizohet edhe me burime shtesë edhe me kapacitete të reja njerëzore. Sepse do të ketë shumë punë, do të ofrohen mundësi më shumë për të rinjtë, në të gjitha bashkitë e vendit që do të ndërmarrin këto detyra”, theksoi më tej ambasadori i BE-së në Tiranë, ndërkohë që shprehu besimin se, janë bashkitë, është qeverisja vendore ajo e cila është më pranë qytetarëve, e cila u shërben qytetarëve dita ditës me ato shërbime për të cilat ata kanë më tepër nevojë.

Ai u ndal në investimet madhore të realizuara nga BE-ja në Vlorë, duke veçuar ndërtimin e “Lungomares”, financimin e Planit të Menaxhimit të Ujrave të Zeza, ndërtimin e “By-pass”-it të qytetit etj. ndërkohë që nënvizoi se, mbështetja me projekte të tjera do të vijojë edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi se, Raporti i dytë i vlerësimit është pasqyra ku duhet të shohim vetveten, ku pasqyrohet puna që ka bërë qeverisja vendore në kuadrin e procesit të integrimit. Ai e vuri theksin tek angazhimi aktiv i qeverisjes vendore në zbatimin e politikave të BE-së, si një kusht për plotësimin e objektivave.

Raporti i Vlerësimit i vitit 2018 vlerëson një rritje të zotërimit të procesit nga ana e Qeverisë Shqiptare. Në të, përcaktohet se, Ministria e Brendshme është e përkushtuar që ky ushtrim të jetë i përvitshëm.

Kryetari i bashkisë, Dritan Leli, u ndal në disa nga çështjet dhe detyrat kryesore që dalin përpara bashkive në kuadrin e procesit të integrimit.

“Ne besojmë fuqimisht se, proceset e ndryshimit mund të jenë të qëndrueshme dhe të gjenerojnë ndikimin e dëshiruar nëse ato mbështeten nga niveli lokal, të ndihmuar nga qytetarë të angazhuar, aktivë dhe të përkushtuar në një aleancë strategjike me administratën publike dhe autoritetet që ndajnë të njëjtin vizion”, theksoi Zoti Leli ndërkohë që, shtoi se, decentralizimi, si një shtyllë e procesit të reformës demokratike është thelbësor për kohezionin shoqëror, stabilitetin dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të ardhmen e Europës.

“Nëse Europa dëshiron të jetë sa më pranë qytetarëve të saj të ardhshëm atëherë ajo duhet të jetë më vendore”, theksoi Leli. Sipas tij, BE-ja ka të bëjë me njerëzit, për njerëzit dhe përreth njerëzve. “Bashkitë janë krijuese të politikave, por edhe ofruese të shërbimeve sipas të drejtave dhe detyrimeve, të përfshira në legjislacionin kombëtar. Programet e BE-së duhet të njohin këtë fakt, duke thjeshtuar rregullat financiare dhe krijimin e mbështetjes për stafin e nëpunësve civilë të qeverisjes vendore, përmes instrumenteve dhe lehtësive të tij”, shtoi Leli.

Në këtë arsyetim, ai sugjeroi se, është e nevojshme të implementohet një proces konstruktimi, më gjithëpërfshirës në të gjitha fazat e planifikimit, programimit, dhe vendimmarrjes për të gjitha çështjet që prekin qeverisjen vendore, duke marrë parasysh rolin specifik, kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë e qeverive vendore, të cilat janë të ndryshme nga aktorët e tjerë vendorë, pra sektori privat dhe ai civil.

Bashkia Vlorë është tashmë pjesë e një serie projektesh IPA, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ku disa prej tyre kanë si qëllim binjakëzimin, duke përmirësuar kapacitetet administrative të autoriteteve lokale, duke trajnuar stafin dhe duke mbështetur riorganizimin e strukturave të administratës.

Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të niveleve të ndryshme të qeverisjes vendore, anëtarë të këshillit bashkiak, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj e të reja, studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, etj.

Më herët, në mjediset e bashkisë së qytetit u zhvillua një takim me të rinj studentë të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, ku u diskutua për vendin dhe rolin që do të kenë të rinjtë në procesin e integrimit, veçanërisht pas vendimit të pritshëm për çeljen e negociatave në Samitin e Zagrebit./atsh

Njohuritë e bashkive për integrimin në BE/ Prezantohet raporti i dytë i vlerësimit në Vlorë Read More »

Nis nesër rivlerësimi i pronës, Lame: Aplikimi online, përfitojnë edhe ata në proces legalizimi

Nga dita e nesërme qytetarët mund të paraqiten pranë sporteleve të ADISA-s (atje ku ka të tilla) ose pranë sporteleve të Kadastrës, për të aplikuar për procesin e rivlerësimit të pasurive të tyre.

Nëpërmjet procesit të rivlerësimit, synohet që qytetarët të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive dhe përafrimi i tyre me vlerën e tregut. I shprehur në shifra, ky përfitim për qytetarët realizohet duke e çuar vlerën e tatim fitimit në rast transaksioni, nga 15% në 3%, që e parashikon ligji i rivlerësimit.

Pas miratimit të ligjit për rivlerësimin e pasurive, Kadastra Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, hartoi dhe miratoi aktet nënligjore që e bëjnë të mundur zbatimin e tij.

Kreu i Kadastrës, Artan Lame bëri të ditur në një conference për mediet se aplikimi për rivlerësimin, mund të kryhet edhe “on line” direkt nga çdo i interesuar.

“Gjej rastin që të ftoj qytetarët që masivisht t’i drejtohen kësaj mënyre shërbimi, duke aplikuar vetë direkt nga kompjuterët apo telefonat celularë personalë”, tha ai.

Lame theksoi se e gjithë procedura e përpunimit të të dhënave nga ana e punonjësve tanë, zgjat 5 ditë pune.

Procesi i rivlerësimit kësaj radhë do të ketë dy risi.

Do të realizohet nëpërmjet aplikimeve online, duke shkurtuar burokracitë për qytetarët dhe do të aplikohet edhe për pasuritë e legalizuara që janë në proces regjistrimi në Kadastër.

Kjo risi e dytë, është rezultat direkt i reformës institucionale të shkrirjes në një të vetme të institucioneve të pronësisë, ish-Aluizni-t dhe ish-ZRPP-së.

Me qëllim që të shmanget ngarkesa e madhe, nga ana e Kadastrës është ndërtuar një kalendar për shpërndarjen e këtij procesi përgjatë muajve në vijim.

Kështu, përgjatë muajve shkurt dhe mars do të kryhet procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që ju shërben në kuadër të ndjekjes së procedurave të tjera emergjente, si vendosja e pronës në bankë si kolateral apo me qëllim shitjen e pronës së tyre.

Në vijim deri në muajin shtator, kur mbyllet ky proces, do të vijojë shërbimi për pjesën tjetër të qytetarëve të interesuar.

Tatimi i parashikuar është për individët 3% e diferencës midis vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet e referencës, me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar (kur rivlerësimi bëhet nga ASHK) dhe 3% e diferencës ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar (kur rivlerësimi bëhet nga një ekspert privat i licencuar).

Për personat juridik është 5% e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.

Nisur nga eksperienca në vite e aplikimit të këtij procesi nëpërmjet tij synohet që qytetaret të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive me vlerën e tregut dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten si rezultat i aplikimit të këtij procesi. Në momentin e transaksionit per tjetërsim pasurie, që kryhet pas rivlerësimit kosto për qytetaret në momentin e pagimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë (15%) zvogëlohet si pasojë e rivlerësimit.

Gjithashtu, nëpërmjet aplikimit të këtij procesi rriten transaksionet per pasuritë e paluajtshme në qarkullimin civil, që ndikon drejtpërdrejt në nxitjen e tregut të pasurive të paluajtshme./atsh

Nis nesër rivlerësimi i pronës, Lame: Aplikimi online, përfitojnë edhe ata në proces legalizimi Read More »

Shqiptarët pa viza drejt Arabisë Saudite

Shqiptarët do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza drejt Arabisë Saudite.

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme miratimin e memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për heqjen reciproke të vizave për qëndrim afatshkurtër për mbajtësit e pasaportave diplomatike të shërbimit dhe private për shtetasit e të dyja vendeve.

Vendimi hyn në fuqi pas botimin në “Fletoren Zyrtare”./atsh

Shqiptarët pa viza drejt Arabisë Saudite Read More »

Shqipëria vendi i parë i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri mori pjesë në Uashington, me ftesë të Senatit amerikan, në forumin mbi teknologjinë 5G.

Në këtë forum u diskutua mbi teknologjinë 5G, aspektet e sigurisë dhe rreziqet potenciale nga ndërhyrjet e palëve të treta.

Gjithashtu gjatë këtij forumi u veçua dhe roli i Shqipërisë si vendi i parë që shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjen me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G.

“Në Uashington, ku me ftesë të Senatit amerikan, pata kënaqësinë të merrja pjesë në forumin ku u diskutua mbi teknologjinë 5G, aspektet e sigurisë dhe rreziqet potenciale nga ndërhyrjet e palëve të treta. U veçua roli i Shqipërisë si vendi i parë që shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshje me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G”, shprehet Gjiknuri./atsh

Shqipëria vendi i parë i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G Read More »

Paketa anti KÇK/ Brenda 48 orësh subjektet e ligjit duhet të plotësojnë formularin për burimin e pasurisë, të tregojnë sa fort kanë punuar

Paketa anti “KÇK”, është një instrument në duart e Policisë për t’i dhënë atdheut atë që kërkon prej shumë vitesh, fytyrën e pastër dhe dinjitetin edhe në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij sot në repartin “RENEA”, përpara efektivëve të Policisë, pjesë e grupit “Operacioni Forca e Ligjit”, tha se përmes paketës anti KÇK, “nuk do e lëmë atdheun tonë që të shihet me njolla para syve të partnerëve tanë”.

“Sot ka gjykatës e prokurorë që s’kanë për ta kaluar kurrë Vetingun dhe jetojnë nën togën e zezë sikur të ishte në ditën e fundit të pazarit të madh të gjësë së gjallë me moton kap ça të kapësh. Edhe për ta kjo paketë ka një ilaç. Edhe ata do përgjigjen në mos sot nesër, sepse njësoj si sot erdhi koha të përgjigjen të gjithë të fortët e të paprekshmit për të gjitha pasurit e tyre, bizneset, shtëpitë, tokat, makinat, do të vijë koha edhe për ata”,- tha Rama.

“Vetingu nuk është gjykatë nuk është as prokurori dhe nuk ka për detyrë të ndëshkojë ato që kanë vënë pasuri të marramendëse duke përdorur çekiçin e drejtësisë për të thyer kafkën e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, faza ku ata që nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre largohen nga sistemi dhe ndërkohë ata që dalin të pastër, siç janë anëtarët e SPAK, që futen në sistem dhe siç ndodh me këtë operacion, nga nesër janë sistemi i ri që së bashku me “OFL” dhe bashkë me të gjithë Policinë e Shtetit do t’u kërkojnë subjekteve të ligjit të provojnë ata burimin e pasurisë së tyre dhe jo më, të stërmundohet gjithë policia bashkë me prokurorinë për të gjetur provat dhe për të provuar para gjykatësish që në të shumtën e herës janë kriminel e nuk janë gjykatës, dhe në të shumtën e herës duhet të ishin bashkë me subjektet e këtij ligjit, e jo për t’i thënë policisë e prokurorisë se nuk e ke mirë dosjen, se nga i burojnë pasuritë”,- theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se aksioni nis të hënën.

“Nga nesër një letër do t’u drejtohet këtyre subjekteve dhe do t’u kërkohet që brenda 48 orësh të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre dhe pastaj formulari do shkojë te SPAK dhe nga SPAK në gjykatë dhe ata do duhet të vijnë përpara gjykatësit dhe do duhet t’u tregojnë se sa fortë e kanë punuar tokën, se sa ullinj e portokall kanë mbledhur, se sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte dhe se sa shumë janë lodhur e stërmunduar në fasoneri dhe sesa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit nëse duan t’i mbajnë ato pasuri që kanë, përndryshe gjithçka që ata kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e Policisë së Shtetit”,- theksoi Kryeministri.

“Gjithçka dhe kjo nuk do të vazhdojë si në atë proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës gjatë gjithë këtyre dekadave, ku në fund fare personave me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet, por kjo ka afate. Fillimisht 48 orë për plotësimin e formularit, më pas, deri në 15 ditë SPAK dhe deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona e juaj, jo e imja se nuk është prona ime për ta, por është prona e të gjithëve që gëzojnë ata. Dhe me pasuritë e tyre ne do të rrisim në radhë të parë rrogat tuaja. Pasuritë e tyre do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tuaj. Me pasuritë e tyre do të mbështesim fëmijët e policëve të vrarë në detyrë. Do të mbështesim akademinë e sigurisë ku dalin gjeneratat e reja të Policisë së Shtetit dhe natyrisht me mjetet e tyre motorike ne do të shtojmë kapacitet motorike të Policisë së Shtetit”,- garantoi Rama.

“Paketa anti KÇK parashikon jo vetëm kaq, por parashikon bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit. Parashikon kufizimin e lëvizjes së këtyre subjekteve jashtë njësisë së tyre administrative. Jo të nisen me autokolona makinash luksoze nga ana e anës dhe të shkojnë të nxjerrin pushkën në plazhet e Himarës e Dhërmiut mu në mes të sezonit, aty ku mblidhen mijëra të rinj e turistë”,- shtoi Rama.

“Paketa parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tender apo në çdo lloj aktiviteti ku ka 1 qindarkë nga taksat e qytetarëve. Ligji parashikon heqjen e të gjitha licencave që ata disponojnë dhe ju e dini shumë mirë. Kush e di sa herë jeni ndjerë të fyer dhe kush e di sa herë me vetën tuaj, me plot të drejtë keni pasur nevojë të shfryni kundër shtetit, kur keni parë këta që kanë roje, këta ruajnë me polici private, këta nuk do gëzojnë më asnjë licencë nga ato licenca që kanë në dispozicion. Këto kanë mjete ndriçimi të posaçme, kanë sisteme videosh, e survejimesh që nuk do ti gëzojnë, ose duhet të provojnë se këto i kanë blerë duke shitur domate, patate, apo rroba të përdorura te gabi. PO e pro vaun këtë ti gëzojnë!”,- theksoi Rama

“Dhe e fundit që kam është për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, për ata të cilët godasin shtetin dhe policinë e shtetit, shtetin dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në kapjen e tyre mostrave jo me plumba, por më keq se plumbi, por me çekiçin e drejtësisë dhe e godasin pas shpine. Për çdo rast kur, ne shteti do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim paketa kërkon brenda tre ditësh pezullimin e tyre nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ta. Ata janë bashkë, ju e dini shumë mirë, që ata sot, edhe tani që po na shohin, janë bashkë. Dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin, të dyja palët. Ju siguroj për këtë”,- tha Rama.

“Të gjithë ju mund të keni shumë rezerva dhe kritika legjitime edhe për qeverinë, por një gjë jam i bindur se nuk e thoni dot. Ju nuk thoni dot që në këto vite ju jeni tradhtuar që në këto vite ju nuk jeni respektuar dhe që në këto vite kushtet tuaja nuk janë përmirësuar edhe rroga juaj nuk është rritur edhe pse nuk mjafton, asgjë nga këto nuk mjafton, dhe në fund fare që në këto vite keni parë mungesë dëshire dhe vullneti nga ana ime dhe ana jonë për tju mbështetur fuqimisht në atë që ju keni detyrë”,- u shpreh Kryeministri.

“Ndërsa të tjerët dalin shkojnë në punë apo kërkojnë punë, puna juaj është luftë, është luftë në shërbim të atdheut. Unë jam shumë krenar që së’bashku ne mund t’i japim atdheut ne me këtë fazë me këtë paketë, dhe me aftësitë tuaja atë që atdheu kërkon pas kaq shumë vitesh, fytyrën e pastër dhe dinjitetin edhe në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ne s’mund ta lëmë atdheun tonë që të shikohet në me njolla në fytyrë, para syve të partnerëve tanë për shkak të atyre që duhet të ishin bashkë me ju bashkë me ne në rolin e prokurorit të gjykatësve, por që janë me ata kriminelët dhe së bashku njollosin ne njollosin atdheun. Falë këtij operacioni ne do mund të jemi krenar që jemi sot bashkë dhe do të mund ta kujtojmë me shumë krenari të punës sonë të përbashkët dhe do mund ti japim njerëzve të zakonshëm mesazhin se nuk ka shans që ata të cilët deri sot janë veshur me pushtetin informal të krimit dhe të korrupsionit në gjykata e prokurori t’ju a bëjnë ferrë jetën e tyre në komunitet, në njësinë administrative, bashkinë ku taksirati ia sjell t’i kenë fqinjë mostra të tilla, jetën e tyre ku duhet të presin me zemër të ngrirë fëmijët që ju vijnë pasi errësohen, pse? Se kanë shkuar me shokët në klubet e natës”,- tha Rama.

“Ju siguroj mbështetjen tonë dhe ju uroj shumë sukses të gjithë anëtarëve të OFL, duke e mbyllur me lutjen që të kuptoni se ju keni në dorë të bëni një investim të madhe të shtoni kreditë e larta por që do të jenë edhe më të larta të Policisë së Shtetit dhe të shtoni kreditë e vendit ton ë në sytë e njerëzve të vetë dhe miqve tanë”,- përfundoi Kryeministri. /atsh

Paketa anti KÇK/ Brenda 48 orësh subjektet e ligjit duhet të plotësojnë formularin për burimin e pasurisë, të tregojnë sa fort kanë punuar Read More »