Lajmi i fundit

“shqiperiaqeduam.al”/ Nga sot kanal emergjence për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit

Nga sot çdo person që ka një problem dhe kërkon zgjidhje në lidhje me situatën e shkaktuar nga COVID-19 mund të shkruajë në platformën e bashkëqeverisjes www.shqiperiaqeduam.al.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “kjo kohë me një vargmal vështirësish e hallesh nga më të ndryshmet, ka nevojë për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit, për të adresuar së bashku lloj-lloj problemesh që lindin në jetën e përditshme të njerëzve”.

“Nga sot ju keni në dispozicion një kanal emergjence për të komunikuar drejtëpërdrejtë me mua dhe çdo ministër, duke përdorur ajfonin apo kompjuterin tuaj, duke e adresuar hallin tek www.shqiperiaqeduam.al”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “skuadra speciale e platformës së bashkëqeverisjes është në dispozicion për të transmetuar me shpejtësi çdo shqetësim tuajin tek unë e ministrat, që do të lëvizim me shpejtësi për zgjidhjen e çdo halli të mundshëm. Kini besim dhe durim, durim, durim”. /atsh

“shqiperiaqeduam.al”/ Nga sot kanal emergjence për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit Read More »

Me kontributin e secilit, Shqipëria do të dalë kryelartë nga lufta me COVID-19

Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se “se me kontributin e secilit Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë me COVID-19”.

Në një mesazh drejtuar shqiptarëve pas çeljes së negociatave, Rama tha se “nuk do të bënim festë, edhe sikur kjo ‘PO’ e shumëpritur dhe e plotësisht e merituar të na gjente në kohë paqeje”.

Rama tha se “sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht”.

“Sot unë jetoj çdo ditë për atë ditë, si një ditë e madhe çlirimi kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte, duke i ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjet e saj të mëdha, falë rezistencës sonë popullore! E dua atë ditë, si një ditë lotësh dhimbjeje për ata që nuk u mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra e mijëra jetëve, falë solidaritetit të madh kombëtar e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare! E dua atë ditë, si një ditë të madhe vetëdijeje kombëtare e qytetare për forcën e për mirësinë e shpirtit shqiptar, që po sprovohet rëndë në këtë luftë, e cila jam përditë e më i bindur, do të na forcojë e bëjë më të mirë si njerëz e si vend”, tha Rama.

Kryeministri u kërkoi shqiptarëve që të binden e të kenë besim e bëjnë durim. “Motra e vëllezër dhe le të shohim bashkërisht jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë, po edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë; dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj, pa dallim feje, krahine, ideje e statusi shoqëror; jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe, për sa kohë do të kemi frymë e nuk kemi se si jemi tjetër, përveçse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare, që sot, kur jemi të ndaluar të jetojmë siç jemi mësuar përditë, na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë e se sa kot qahemi në të përditshmen tonë”, tha ai.

Rama kërkoi që “ta shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e shkurtër dhe e çmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njëri-tjetrit, e se sa shumë kohë dhe energji na marrin kotësitë në jetën tonë të përditshme”.

Le ta shohim në këtë errësirë, vijoi ai, “se sa e çmuar është drita e familjes dhe jeta e përbashkët në shtëpitë tona, që aq pak e vlerësojmë si dhuratë te paçmueshme në të përditshmen tonë dhe aq shumë e marrim të mirëqenë duke harruar t’i gëzohemi e të kujdesemi pa pushim për ushqimin e saj me energji”.

“Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na ndihmon të shohim fare qartë se sa i madh mund të jetë durimi ynë, i shqiptarëve të paduruar, për të përballuar vështirësi të jashtëzakonshme; se sa i madh mund të jetë vullneti ynë, i shqiptarëve që nuk bëhen dot bashkë, për t’ia dalë në një qëllim të përbashkët; se sa e madhe është rezerva e energjive dhe solidaritetit tonë si njerëz e si popull i Shqipërisë, që medemek, nuk bëhet”, tha ai.

Kryeministri tha se ka marrë shumë përgëzime nga kolegë e miq të huaj për masat shtrënguese që kemi marrë, për shpejtësinë me të cilën kemi vepruar dhe për mënyrën se si po e zhvillojmë këtë luftë.

Kam shumë besim, tha Rama, “se me kontributin e secilit prej jush, Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë dhe respekti për këtë vend e për shtetin tonë do të rritet më tej”.

“Por kjo do të jetë thjesht rrjedhojë e qëllimit të luftës që ne po bëjmë e do të bëjmë përditë, jo për botën, po për veten, jo për BE-në po për Shqipërinë, jo për të fituar respektin e të huajve, po për të merituar në radhë të parë respektin e fëmijëve tanë për mënyrën se si e zhvilluam edhe këtë luftë”, tha Rama.

“M’i bëni hallall përsëritjet e vazhdueshme të apeleve të mia; m’i bëni hallall mesazhet e mia ku shpesh fjalët e mia kanë tone të forta; m’i bëni hallall kujtesat e mia të përsëritura pa pushim, për të këqijat e mëdha që na rrezikojnë nëse nuk jemi të kujdesshëm! Nuk dua t’ju mërzis, nuk dua t’ju lodh, nuk dua aspak t’ju frikësoj, por jam i detyruar të këmbëngul deri në bezdi me komunikime të shpeshta me ju, sepse dua t’jua përcjell sa më shumë shqetësimin e madh që kam për secilin prej jush, e për ju të gjithë! Më shumë se asnjëherë ju jeni familja ime dhe asgjë që do të bëja për familjen time në një hall të madh, nuk do ta lë kurrsesi pa bërë për ju”, tha Rama./atsh

Me kontributin e secilit, Shqipëria do të dalë kryelartë nga lufta me COVID-19 Read More »

BE: Personat me sëmundje kronike të mbrojnë veten, duke shtuar higjienën dhe distancimin shoqëror

Personat që kanë sëmundje kronike janë më të rrezikuar nëse preken nga koronavirusi, COVID-19.

Për këtë delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, bën thirrje që këta persona të mbrojnë veten duke praktikuar higjienën e duarve, etiketën në kollitje dhe distancimin shoqëror.

Gjithashtu, këta persona, nëse ndihen keq duhet t’i telefonojnë shërbimeve të kujdesit shëndetësor për këshilla duke dhënë hollësi të simptomave dhe gjendjes së tyre

“Çfarë duhet të bëj nëse kam një sëmundje kronike, për shembull diabet apo hipertension? Mbroni veten duke praktikuar higjienën e duarve, etiketën në kollitje dhe distancimin shoqëror. Nëse ndiheni keq, telefonojini shërbimeve të kujdesit shëndetësor për këshilla duke dhënë hollësi të simptomave dhe gjendjes suaj”, këshillon zyra e Bashkimit Europian.

Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen në një deklaratë të saj për koronavirusin është shprehur se, “Komisioni Europian është duke koordinuar një përgjigje të përbashkët europiane ndaj shpërthimit të COVID-19. Ne jemi duke ndërmarrë një veprim të vendosur për të forcuar sektorët tanë të shëndetit publik dhe për të zbutur ndikimin socio-ekonomik në Bashkimin Europian. Ne po mobilizojmë të gjitha mjetet në dispozicionin tonë për t’i ndihmuar shtetet tona anëtare të koordinojnë përgjigjet e tyre kombëtare dhe po ofrojnë informacion objektiv për përhapjen e virusit dhe përpjekjet efektive për ta kontrolluar atë”./atsh

BE: Personat me sëmundje kronike të mbrojnë veten, duke shtuar higjienën dhe distancimin shoqëror Read More »

Duhet me çdo kusht ta ndalim kërdinë që mund të bëhet për shkak të pakujdesisë, kokëfortësisë dhe papërgjegjshmërisë sonë

“Kjo është një javë zjarri dhe hyjmë në fazën më dramatike të luftës, ku duhet të bëjmë çmos të gjithë bashkë, për të ulur sa të jetë e mundur humbjet e jetëve dhe vuajtjet e mëdha që sjell ky armik i egër”, tha sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve për rezistencë dhe durim.

Rama tha se “kjo javë do të jetë tejet e vështirë sepse sipas modeleve statistikore tani hyjmë në fazën e shpërthimit më intensiv të atyre bombave në trupin e njerëzve të prekur”.

“Fatkeqësisht humbi jetën dhe një 42-vjeçar i cili nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike. Ngushëllime familjes së tij dhe ngushëllime familjeve të të ndjerëve të tjerë që kishin probleme serioze paraprakisht, por që armiku ua shkurtoi jetën. Kemi përsëritur pa pushim, kjo mortje që ka sulmuar botën synon më të moshuarit dhe më të dobtit fizikisht mes nesh, por as të rinjtë nuk janë 100% të paprekshëm prej saj, përkundrazi. Prandaj ju lutem mos luani me zjarrin”, tha Rama.

Kryeministrit tha se “nuk e ndalim dot vdekjen të na marri njerëz, por duhet me çdo kusht ta ndalim kërdinë që mund të bëhet për shkak të pakujdesisë, kokëfortësisë dhe papërgjegjshmërisë sonë”.

“Do të humbasim njerëz, nuk e di se sa, askush nuk e di askund, por nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasim një mal me njerëz, kurrën e kurrës. Dhe këtë e kemi ne në dorë, e ka në dorë secili prej nesh duke bërë durim, durim, durim”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që kur dalin për pazar ose kur shkojnë në bankë të mos rrinë grumbull, por në distancë të paktën 1 metër pas kurrizit të njeri-tjetrit.

“Në radhë vijë e drejtë. Pse është kaq e vështirë kjo? Çfarë lidhje kanë oraret me mosqëndrimin në radhë si duhet, me ecjen në rrugë 2-she apo 3-she, kur kjo është e rrezikshme dhe e ndaluar. Këto janë shërbime që i bëhen armikut që në grumbullimet kaotike apo ecjet pranë e pranë gjen shesh për përsheshin e hidhur që kërkon të bëjë me ne”, tha Rama./atsh

Duhet me çdo kusht ta ndalim kërdinë që mund të bëhet për shkak të pakujdesisë, kokëfortësisë dhe papërgjegjshmërisë sonë Read More »

Zbatimi i rregullave arma e vetme ndaj COVID-19/ Kjo javë dhe dy të tjera pas saj, vendimtare për të mos lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë

“Ne jemi nga ato pak vende që kanë shkuar deri në fund me marrjen e masave, mund të bëjmë edhe ndonjë shtrëngim tjetër, por përgjithësisht nëse e zbatojmë kuadrin e masave që kemi sot ne do t’ia hedhim pa shumë vuajtje dhe pa shumë humbje jete”, tha sot kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “ka një model statistikor të ndërtuar bazuar në trajektoren e vendeve pas 20 infektimeve të para”. “Nëse shohim atë model statistikor ne jemi shumë më mirë se sa shumë vende të tjera sepse i kemi marrë masat më shpejt dhe përgjithësisht dhe po i respektojmë ato”, tha Rama.

Duhet ta themi këtë, vijoi kryeministri, duke shtuar se “ka një lloj alarmi që nuk është i pavend por po ashtu është edhe pak i ekzagjeruar, pasi shkeljet që ndodhin dhe parregullsitë në sjellje na acarojnë të gjithëve, por janë minimale me ato që po bëjnë shumica e popullsisë”.

“Një rast në treg apo disa raste ecje në rrugë bashkë mirë është të eliminohen plotësisht por nuk janë një arsye të themi se ne po dështojmë në aplikimin e masave si popull. Ne po bëjmë gjithçka të mirë por duhet të shtrëngohemi çdo orë e më shumë nëse nuk duam të numërojmë qindra të vdekur në mos mijëra. Kjo është e mundur të ndodhë nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm që secili të bëjë luftën e vet dhe të kemi humbje sa më minimale”, tha Rama.

Rama tha se “ne bazohemi në modelin e ndërtuar në algoritmet e përdorura nga vendet e tjera”. “E kemi prezantuar disa herë atë kurbën e famshme që është diçka që na bashkon me të gjitha eksperiencat dhje bazohet në një fakt shumë të thjesht: virusi do të përhapet, pra asnjë gjë nuk e ndalon virusin të bëjë të vetën dhe të prekë shumicën prej nesh, por masat shtrënguese ngadalësojnë përhapjen e tij dhe i japin mundësi sistemit shëndetësor që të kurojë ata që preken më rëndë”, tha Rama.

Rama tha se “ne e dimë shumë mirë se 80% që do të preken nuk do të kenë shenjë, por ne duhet t’u japim shansin atyre që do të luftojnë me vdekjen në krevat në spital që të marrin shërbimin e duhur”.

“Duhet të rrimë sa më shumë mbyllur në shtëpi dhe të zbatojmë të gjitha rregullat që janë të thjeshta sepse nuk kemi asnjë armë tjetër. Java që kemi hyrë është e parashikuar. Nuk kemi hedhur fall por është algoritëm bazuar në modelin statistikor të përbotshëm që e përdor çdo vend. Kjo është javë shumë e vështirë, por edhe vendimtare bashkë me 1 apo 2 javët e tjera që e pasojnë për të mos e lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë që pastaj të jemi të detyruar të shkojnë në katastrofë”, tha Rama./atsh

Zbatimi i rregullave arma e vetme ndaj COVID-19/ Kjo javë dhe dy të tjera pas saj, vendimtare për të mos lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë Read More »

Asnjë nga familjet në nevojë nuk do të mbetet pa u mbështetur nga qeveria

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se asnjë nga familjet në nevojë nuk do të mbetet pa u mbështetur nga qeveria.

“Jemi në luftë dhe në luftë nuk ka çfarë do të ndodhi, po ka si do të shpëtojë familja. Për familjet që nuk janë në punë që për shkak të luftës e kemi thënë dhe do të marrin atë që kemi thënë. Për të tjerët që kanë nevojë për asistencë, sepse janë shumë më në nevojë nga shumica dërrmuese e popullit, po shkojmë dita-ditës, derë në derë dhe askush prej tyre nuk do të mbetet vetem”, u shpreh Kryeministri Rama në një intervistë në media.

Fatkeqësia, tha ai, është që ka jo pak njerëz me iphone në dorë që edhe iphone e ushqejnë dhe ankohen për internet që dinë të shkruajnë vetëm një fjalë: po vdes populli për buk.

Këta, vuri në dukje ai, janë kompet zhurmues të panevojshëm në kohë të gabuar e në vendin e gabuar.

“Nuk ka vdekur njeri për buk në Republikën e Shqipëris në 30 vite, e as në 50 vitet kur hanin 200-300 kalori në ditë e as në mesjetë. Ata që janë më të varfër se të tjerët, kanë sigurisht mangësi ushqimore, kanë pamundësi për të ushqyer fëmijët normalisht në të tria vaktet, por për bukë nuk ka vdekur dhe nuk ka për të vdekur njeri, as në këtë luftë”, shtoi ai.

Sepse, e vijoi Kryeministri, nuk kemi vdekur ne, as Forcat e Armatosura e Policia e Shtetit, as Shërbimi Social Kombëtar.

“Të gjitha këto, janë një rrjet i tërë i organizuar për operacionin humanitar nën drejtimin e e ministres së Mbrojtjes”, deklaori Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se të gjitha familjet në nevojë i kemi të identifikuar dhe kemi listat që janë shërbyer.

“Ka ca që nuk ju del dot vesi, pa ju dalë shpirti që nga shtëpia shkruajnë se ndihma me paketa ushqimore e medikamente po vidhet dhe po bëhet selektive. Po ku i shikojnë këta këto, me satelit apo dylbi? Asgjë e tillë nuk po ndodh. Po bëhet maksimumi”, siguroi kryeministri./atsh

Asnjë nga familjet në nevojë nuk do të mbetet pa u mbështetur nga qeveria Read More »

Nëse nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të kishim shifra që mund të na merrnin frymën

“Nëse nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të kishim shifra që mund të na merrnin frymën duke i thënë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “masat synojnë një përpjekje për të përballuar përhapjen e epidemisë, që do të përhapet në të gjitha rastet dhe vendet, pavarësisht se çfarë bëjnë, por themelore është që përhapja të ngadalësohet sa më shumë mbi bazën e kësaj strategjie”.

“Qëllimi është që ne të mos kemi kurbën katastrofike që është prezantuar edhe publikisht dhe që është kurba e Italisë, por të kemi një kurbë graduale ndaj ishim të parët që nisëm të marrim masat më ekstreme dhe u futëm në shtëpi”, tha Rama.

Ai theksoi se “masat shtrënguese janë e vetmja gjë në këtë histori të hatashme, ku të gjithë biem dakord që ndihmojnë dhe mënyra se si merren dhe zbatohen përcaktojnë sa shumë ndihmojnë”.

Rama tha se “ajo që kemi regjistruar në ditët e fundit është ajo që kemi pritur dhe e kam paralajmëruar jo se jam profet apo hodha fall, por sepse ne punomë mbi bazën e një modeli të ndërtuar mbi statistika dhe jemi në fazën ngritëse të kurbës”. “Javën e kaluar shifrat filluan të rriten dhe këtë javë do rriten edhe më shumë. Di që shifra zyrtare e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë është brenda parashikimeve”, tha Rama.

Sa i takon kufizimeve të lëvizjes, Rama tha se “ne nuk i kemi ndryshuar shpesh oraret, i kemi ndryshuar 2 herë”. “Kishim një orar standard. Të gjithë ankoheshin se nuk funksiononte. Vendosëm me 2 fasha, funksionoi më mirë se i pari, por jo aq mirë sa donim dhe të gjithë ankoheshin prapë, dhe tani kemi 8 orë për të blerë që janë më shumë se të mjaftueshme për të qëndruar në radhë dhe jo të grumbullohemi”, tha ai./atsh

Nëse nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të kishim shifra që mund të na merrnin frymën Read More »

Vlorë/ Familja me 4 anëtarë infektohet me koronavirus

Një familje në Vlorë është konfirmuar me koronavirus, 77 vjeçare gjyshja( nga nëna), 69 vjeç babai, 50 mamaja dhe 24 djali.

Bëhet e ditur se nipi 24-vjeçar ka qenë në levizje dhe dyshohet se ai mund t’i këtë infektuar.

Nipi ka ardhur para disa ditësh nga Bergamo dhe më pas ka ikur në Gjermani. Nipi ka ardhur që në datën 8 në Shqipëri dhe ka ikur në datën 20 në Gjermani.

Familja banon pranë Postës Qendrore të qytetit dhe përbëhet nga 5 anëtare, njëri prej tyre ka rezultuar negativ.

Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka shkuar në 89 numri i personave të infektuar me koronavirus në vendin tonë ndërsa mosha mesatare e tyre është 54-vjeç.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, informon mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri ku ndër të tjera tha se në Spitalin Infektiv ndodhen 43 pacientë të shtruar, 4 prej tyre nën trajtim intensive. Mosha mesatare e pacientëve të hospetalizuar sipas saj është 54 vjeç.

Vlorë/ Familja me 4 anëtarë infektohet me koronavirus Read More »