Lajmi i fundit

12 maji, Dita Ndërkombëtare e Infermierëve

Në të gjithë botën ata janë duke u përballur me mbingarkesë të punës dhe një situatë aspak të zakontë.

Dhe sot është dita e tyre: 12 maji është Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, e cila përkujton ditëlindjen e Florence Nightingale, “infermierja e parë profesioniste”.

Nightingale u bë e njohur gjatë Luftës së Krimesë, teksa trajtonte ushtarët që vdisnin më shumë nga infeksionet sesa nga plagët e fushës së betejës. Ajo u bë e njohur si “Zonja me Llambë”, pasi punonte gjatë gjithë natës.

Një muze në Londër paraqiti uniformën e saj të shekullit të 19-të si dhe artefakte të tjera. Nightingale përdori përvojën në Krime për të përmirësuar kushtet shëndetësore në Britani.

“Parimet mbeten të njëjta si ato të 200 viteve më parë, të cilat janë që duhet të lani duart dhe duhet të siguroheni që mjedisi ku punoni te jetë i pastër dhe i rregullt, dhe ajo çka është me rëndësi është hapësira midis pacientëve dhe nevoja për ajrosje brenda zonave klinike”, thotë Eileen Sills, kryeinfermiere te spitali “Guys and St Thomas’ NHS Foundation Trust”.
Emri i Nightingale është shënuar në shumë spitale përfshirë, dhe në spitalet e urgjencës të ndërtuara në MB për të përballuar krizën COVID-19./atsh

12 maji, Dita Ndërkombëtare e Infermierëve Read More »

120 mjekë e infermierë ushtarakë, në vijën e parë të luftës kundër COVID-19

120 mjekë e infermierë të specialiteteve të ndryshme, pjesë e Forcave të Armatosura kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këto kohë pandemie.

Të angazhuar pranë Spitalit të Traumës, mjekët dhe infermierët ushtarakë kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19, duke evidentuar rastet e reja të infektuara.

Që prej muajit mars Forcat e Armatosura ngritën çadrat e triazhit në mjediset e jashtme të Spitalit të Traumës, ku pas kontrolleve paraprake zbuluan pacientët me COVID-19, përpara se ata të pranoheshin në spital.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë takimit me efektivët e FA vlerësoi personelin shëndetësor ushtarak dhe atë civil në të gjithë vendin, për punën e palodhur dhe humane gjatë kësaj periudhe.

“Falënderim dhe një përgëzim gjithësecilit për punën e jashtëzakonshme që keni bërë. Falë punës tuaj dhe bluzave të bardha në të gjitha strukturat shëndetësore janë parandaluar probleme që mund të ishin shkaktuar si pasojë e pandemisë. E di që nuk ka qenë e lehtë, por edhe vëmendja jonë, e qeverisë, e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë tek marrja e të gjitha masave, për trajtimin dhe për kushtet në mjedisin tuaj të punës dhe fatmirësisht nuk kemi pasur probleme”, -nënvizoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u shpreh se “një gjë është e sigurt, që me punën tuaj të jashtëzakonshme me kurajon dhe profesionalizmin që karakterizon gjithësecilin, ia keni dalë më së miri të parandalojmë probleme të tjera që mund të kishim pasur, nga çadrat e triazhit e deri brenda në spital ku vijon i gjithë procesi”.

Në Spitalin e Traumës shërbejnë 120 mjekë dhe infermierë ushtarakë të specialiteteve të ndryshme, ndërkohë që Njësia e Mjekësisë Ushtarake mbetet në gatishmëri për çdo emergjencë, kudo ku mund të kërkohet.

Në çadrat e triazhit të ngritura nga Forcat e Armatosura pranë Spitalit të Traumës janë kryer 1296 kontrolle paraprake që prej muajit mars kur këto cadra u ngritën./atsh

120 mjekë e infermierë ushtarakë, në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja nga 243 qytetarë të testuar, dita me pozitivitetin më të ulët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se 24 orët e fundit janë identifikuar pozitivë me COVID-19 vetëm 4 persona.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik ka bërë të ditur se “situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Në 24 orët të fundit janë testuar 243 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19. Që nga fillimi epidemisë, sot shënohet dita me pozitivitetin më të ulët në vend, ndaj totalit të testimeve ditore, me vetëm 1.64 %.

“Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitive 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Krujë, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat. Të shëruar janë 28 qytetarë”, u shpreh Daja.

Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11332 testime, nga të cilat, 10802 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (12 Maj 2020)
Testime totale 11332
Testime molekulare 10802
Testime serologjike 530
Raste pozitive 876
Raste të shëruara 682
Raste Aktive 163
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 70
Krujë 51
Shkodër 16
Kamëz 12
Fier 5
Kurbin 3
Elbasan 2
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja nga 243 qytetarë të testuar, dita me pozitivitetin më të ulët Read More »

Balla në spitalin “Shefqet Ndroqi”: Falë punës suaj, sot Shqipëria ka numrin më të ulët të viktimave në Europë

Në ditën Ndërkombëtare të Infermierit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, Klodiana Spahiu shpërndanë karajfila në shenjë mirënjohjeje për stafin e infermierëve në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, të cilët janë në vijën e parë të luftës përballë COVID-19.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se falë punës së mjekëve dhe infermierëve, sot Shqipëria ka numrin më të ulët të viktimave në Europë.

“Ju shpreh mirënjohje për atë për atë kujdes që keni treguar ndaj të gjithë personave që u trajtuan në spitalin COVID 2 dhe dita e infermierëve nuk është rastësi, që përkon pas ditës së Europës. Janë dy gjera që për Shqipërinë janë shumë të lidhura me njëra–tjetrën. E para, drejtimi i Shqipërisë mbetet ai i integrimit europian dhe e dyta, falë jush dhe kujdesit tuaj të veçantë, ne jemi ndër vendet e para në Europë sa i përket numrit të vogël të jetëve të humbura. Edhe pse çdo jetë e humbur është një fatkeqësi për çdo familje shqiptare”, tha Balla.

Ai u shpreh se “sot ne kemi mundësi të shohim përpara”. “Sot janë konstatuar vetëm 4 raste të reja. Të urojmë që të shkojë drejt përfundimit kjo situatë e cila ishte e jashtëzakonshme e që duhet të kalojë një brez për të kaluar një situatë e ngjashme si kjo. Na është dashur që brenda 3-4 muajve të kalojmë 2 fatkeqësi. Faleminderit infermierëve dhe mjekëve, sepse pa ata nuk bëhet protokolli mjekësor”, deklaroi Balla./atsh

Balla në spitalin “Shefqet Ndroqi”: Falë punës suaj, sot Shqipëria ka numrin më të ulët të viktimave në Europë Read More »

“Data 18 me gati 97 % të hapjes së të gjitha aktiviteteve”/Java e fundit e majit me lehtësira për eventet kulturore dhe transportin

Eugena Tomini, Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, deklaroi mbrëmjen e sotme në një nga mediet e vendit se 18 maji nuk është hapja përfundimtare por do të pasohet me lehtësira të tjera sipas vlerësimeve përgjatë kohës së lirimit.

“Data 18 nuk do të jetë përfundimtare. Ju keni qenë live edhe me Komitetin Teknik para disa ditëve dhe data 18 përkon me gati 97 % të hapjes të të gjithë aktiviteteve apo subjekteve në vijimësi por nuk do të jetë përfundimtarja. Sepse do të kemi aktivitete përsëri kulturore që do të gjykohen, transporti që janë në proces gjykimi. Jemi në proces të vlerësimit edhe të hapjes apo të lirimit të fashës orare por gjithçka ngelet pas datës 18 për t’u deklaruar dhe për t’u bërë publike për të gjithë popullatën”, u shpreh Tomini.

Sipas Tominit, fundi i majit dhe java e parë e qershorit do të përkojë edhe me lehtësirat e tjera megjithëse , duhen vlerësuar disa kritere kryesore.

“Besoj që sipas gjasave dhe parashikimeve të kryera deri në këto momente, fundi i majit, java e parë e qershorit duke monitoruar tre kriteret e domosdoshme të fazave të lirimit të masave të karantinës apo të distacimit fizik, janë shumë të rëndësishme numri i rasteve të reja pavarësisht se kemi 4, numri i shtrimeve në spital dhe numri i rasteve në terapinë intensive do të krijojnë hallkat zinxhir në lehtësimin progresiv por gradualisht të të gjithë masave lehtësuese përfundimtare”.

Për lehtësirat e krijuara që nga sot, Tomini u shpreh se “janë struktura shëndetësore, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor për të inspektuar kushtet higjieno-sanitare të cilat këto kritere i ka pasur edhe më parë për t’i supervizuar por me vendosjen e protokolleve të ri të sigurisë, përkundrejt situatës së COVID- 19, jo vetëm ato kritere për të cilat këto subjekte duhet të funksionojnë, i shtohen edhe protokollet e sigurisë të Insepktoriatit Shtetëror Shëndetësor njëkohësisht taskforca e ngritur nga Kryeministria, do të monitorojë njëkohësisht nga grupet e veta në terren në drejtim të respektimit të protokolleve të sigurisë”.

Në rast se nuk respektohen këto procedura dhe protokolle, Tomini u shpreh se “sigurisht që do të ketë masa siç i kemi aplikuar me masat e moszbatimit të tyre edhe në terren përshembull përkundrejt legjislacionit të lëvizjes së taksive apo të kundravajtjet e familjarëve të cilët nuk kanë respektuar pranimin në makinë të vetëm njërit prej familjarëve, apo të disa personave të tjerë, ju e keni parë edhe sot që fluksi i makinave ka qenë më i shtuar kundrejt marrjes së autorizimit në zonat e gjelbra apo të kuqe dhe sigurisht sanksionet në fuqi janë të zbatueshme”.

Në zonat e kuqe sipas saj, ka ende vatra të cilat po monitorohen në vazhdimësi.

“Në zonat e kuqe, ne kemi akoma vatra, kemi akoma pacientë aktivë që janë aktualisht në supervizim të njësive vendore të kujdesit shëndetësore. Aktualisht sot që flasim në Tiranë, pavarësisht që flasim kemi pasur 4 raste në total pozitive por janë 97 persona të tjerë që janë në procesin 14 ditor të vetizolimit por në procesin e shërimit. Sigurisht që ka problematika përkundrejt asimptomatikëve që përveç personave që janë të konfirmuar mund të kemi persona në lëvizje, në qarkullim persona që janë asimptomatikë”, sqaroi Tomini.

“Baret, restorantet apo kafenetë që do të hapen do të jenë vetëm në ambientet e hapura dhe në jo në ambiente të mbyllura dhe diferenca me një makinë dhe më një ambient të hapur sigurisht që është e dukshme sepse kemi ajrosje më të madhe, është ambient i hapur, nuk e kemi ambientin e mbyllur që mund të sjellë prezencë të kushteve për zhvillimin e virusit”, u shpreh Tomini.

Me hapjen e qendrave tregtare, Tomini shpjegoi se “ një nga kriteret që i dallon nga subjektet e tjera, që një administrues i përcaktuar nga qendra tregtare për të gjithë klientët dhe të gjithë personat e tjerë të punësuar apo jo të qendrës, vizitorë do t’u monitorohet temperatura që në hyrje dhe evidentimi i prezencës së maskës dhe dorezave për të gjithë personat që do të hyjnë në qendrat tregtare. Në rast të kundërt, asnjë person nuk do të vizitojë qendrën tregtare”. /atsh

“Data 18 me gati 97 % të hapjes së të gjitha aktiviteteve”/Java e fundit e majit me lehtësira për eventet kulturore dhe transportin Read More »

Reagimi i AKSHI-t për vjedhjen e të dhënave: e-Albania ura e vetme e komunikimit të shtetit me qytetarin, informacionet në regjistrat shtetërore

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka reaguar pas një shkrimi të publikuar në një nga mediat e përditshme për grabitjen e të dhënave të qytetarëve përmes e-Albania.

Në reagimin zyrtar, AKSHI thekson se, “kjo platformë elektronike përdoret edhe në vende të zhvilluara si Estonia, Gjeorgia, ku të dhënat e përdoruesve janë të sigurta.

Platforma e-Albania është kanali kryesor i marrjes së shërbimeve publike online për qytetarët, bizneset dhe punonjësit e administratës publike. Dhe si çdo portal tjetër qeveritar, që ofron shërbime publike online në shtete të zhvilluara si Estonia, Gjeorgja apo kudo në botë, e-Albania përdor regjistrimin dhe autentifikimin e sigurt të të dhënave të përdoruesve. Të dhënat e plotësuara nga përdoruesit, gjatë procesit të regjistrimit në portalin e-Albania verifikohen automatikisht me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për individët dhe Regjistrit Kombëtar Tregtar për bizneset, aty ku ruhen në të vërtetë këto të dhëna.

Platforma funksionon duke bërë kryqëzimin e regjistrave me njëri-tjetrin për të dhënë një dokument të caktuar, pa e përpunuar informacionin dhe pa e ruajtur atë. Rrjedhimisht, sa herë përdoret një shërbim nga biznesi apo qytetari, e-Albania kryqëzon sërish regjistrat për të dhënë dokumentin me të dhënat në atë moment. Pra, besimi i qytetarëve apo bizneseve është drejt regjistrave në institucionet përkatëse dhe e-Albania thjesht sa ua ka bërë më të lehtë punën, sidomos në këtë kohë pandemie. Mjafton të përmendim një fakt: Vetëm në muajin prill në portal ka patur mbi 15 milionë vizita.

Brenda 2020-s, e-Albania do të jetë ura e vetme e komunikimit të shtetit me qytetarët e tij, pasi 90% e shërbimeve publike do të ofrohen vetëm online. Dhe e gjitha kjo lidhet me projektin e dixhitalizimit të shërbimeve publike, për të shmangur kostot, radhët dhe burokracitë e panevojshme”./atsh

Reagimi i AKSHI-t për vjedhjen e të dhënave: e-Albania ura e vetme e komunikimit të shtetit me qytetarin, informacionet në regjistrat shtetërore Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja, numri më i ulët në 8 javët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Eugena Tomini, tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet se “sot është numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive. Bazuar në të dhënat e deritanishme vlerësohet se numri efektiv i riprodhimit nga data 24 prill e në vazhdim ka zbritur nën kufirin kritik (për R < 1)”.

“Në 24 orët të fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Të shëruar janë 4 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 872 qytetarë”, – nënvizoi Tomini.

Sipas saj, në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

“Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, – tha Tomini.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes COVID-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40

COVID-19 – Statistika (11 maj 2020)
Testime totale 11089
Testime molekulare 10559
Testime serologjike 530
Raste pozitive 872
Raste të shëruara 654
Raste Aktive 187
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 87
Krujë 56
Shkodër 17
Kamëz 12
Fier 5
Kurbin 3
Elbasan 3
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja, numri më i ulët në 8 javët e fundit Read More »

196 automjete të reja i shtohen flotës së Policisë së Shtetit/ Hap i rëndësishëm i modernizimit

196 automjete të reja i janë shtuar flotës së Policisë së Shtetit.

Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, ishin sot në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë, në prezantimin e flotës së re të automjeteve të Policisë së Shtetit.

Kryeministri theksoi se “vijon procesi i modernizimit të flotës së mjeteve të Policisë së Shtetit, e cila po dëshmon përditë dobinë e transformimit të thellë ku ka hyrë gjatë viteve të fundit, duke qenë gjithnjë e më shumë në lartësinë e pritshmërisë qytetare ndaj saj”.

“Shumë faleminderit për bashkëpunimin dhe kontributin. Ky kontribut i përbashkët financiar, ku pa diskutim kontributi i BE-së është një pjesë e konsiderueshme, përveç kontributit të qeverisë, është një shprehje e qartë e faktit që së bashku ne po e transformojmë rrënjësisht vendin dhe Policinë e Shtetit në mënyrë të veçantë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “disa vite më parë, jo shumë vite më parë, kjo ishte e paimagjinueshme”.

“Policia e Shtetit që ne gjetëm ishte në një gjendje të mjerë. Flota motorike e Policisë së Shtetit ishte qesharake, ndërkohë që sot ne i japim të gjithë punonjësve të Policisë një fuqi të re motorike, dhe sidomos Forcave Speciale një flotë të tërë mjetesh, që do të mundësojnë kushte optimale operacionesh, që janë edhe operacionet më speciale dhe të rrezikshme për ta”, tha Rama.

Ai theksoi se “këtu nuk mbaron, por këtu fillon një hap i rëndësishëm i modernizimit”. “Tanimë ne duam të shkojmë më tutje me rritjen e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, të kapaciteteve dixhitale, futjen e mjeteve më të sofistikuar si dronët e fjalës së fundit e me radhë”, tha Rama. /atsh

196 automjete të reja i shtohen flotës së Policisë së Shtetit/ Hap i rëndësishëm i modernizimit Read More »