Lajmi i fundit

B urg për disa zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar

Disa zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar janë dënuar me b urg.

Autoritetet në Durrës bëjnë me dije se u bë ek zekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila, bazuar në provat e grumbulluara, ka caktuar masat e sigurisë ndaj 3 personave nën hetim, si dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë, konkretisht:

U ekzekutuan masat e sigurisë “Arr est në b urg” ndaj shtetasve:

L. T., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

K. B., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

Masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtë masë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve:

A. B., 48 vjeçe, Dh. L., 55 vjeçe, A. Z., 56 vjeç dhe S. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës iu ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Xh. V., 62 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ndërtues, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.

R. A., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ndërtues, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie, si dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

B urg për disa zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar Read More »

Në ditën e 17 të grevës së urisë, naftëtarët e Ballshit: ‘Të na japin ca na takon, ikim ne shikojmë hallin tonë’

Në ditën e 17 të grevës së urisë, naftëtarët e Ballshit janë ende në pritje të një përgjigje të munguar nga qeveria për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Naftëtarët e Ballshit kanë hapur paraditen e sotme me forcë portën e Uzinës duke kaluar kordonin e sigurisë të krijuar nga policia private.

Pasi kanë mundur të hyjnë me forcë, ata kanë ecur drejt godinës ku thirrjeve “duam paratë tona”, thanë se kërkojnë librezat e punës.

Ndërkohë në hyrje të godinës ishin vendosur efektivët, që nuk i lejuan fillimisht naftëtarët të futeshin në ambientet e brendshme.

Por naftëtarët shqyejnë portën dhe u futën me forcë në Uzinë paraditen e sotme. Kreu i Sindikatës së tyre, Sokol Dautaj, tha se “nëse do e lini në dorë të Zotit, ne të vdekur jemi.”

Sokol Dautaj në një dalje për mediat, jashtë ambienteve ku zhvillohet greva, tha se kërkesat e tyre janë shumë të qarta, por askush nuk i ka marrë parasysh.

“Është i gjithë fati i qytetit. Rafineria punon me naftëtarë. Të na japin ca na takon, ikim ne shikojmë hallin tonë. Hapi i radhës është shumë i qartë, kjo është në dorën e naftëtarëve, më shqip dhe qartë që i kemi shprehur kërkesat tona, nëse do ia lëmë Zotin, ne të vdekur jemi”, tha Dautaj, teksa sot greva është shoqëruar me protesta dhe incidente.

/NOA.al

Në ditën e 17 të grevës së urisë, naftëtarët e Ballshit: ‘Të na japin ca na takon, ikim ne shikojmë hallin tonë’ Read More »

Meta kujton Dritëro Agollin: ‘Në administratën shtetërore ende e gjen edhe Zylon edhe Demkën’

Sot do të ishte ditëlindja e poetit dhe shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli, i ndarë nga jeta pak vite më parë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zgjedhur disa fjalë, duke vënë në dukje mjeshtërinë e tij. “E kush do ta mendonte se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do të ishte edhe sot kaq prezente si fabul në administratën shtetërore, ku ende e gjen edhe Zylon edhe Demkën”, tha Meta.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

Thellësia e mendimit, këshillat e mençura, forca e karakterit, urtësia, e në veçanti kurajoja për t’u ballafaquar me padrejtësinë janë një pasuri e madhe që ai na la të gjithëve, së bashku me kryeveprat artistike, ngahera aktuale, frymëzuese dhe shumë të dashura.

Dritëroi ishte një derë e hapur ku gjeje një mik të mençur e të gjendur. Ai ishte dhe do të mbetet i të gjithëve, prezent në çdo kohë me idetë e tij, në art, kulturë, letërsi dhe politikë, sepse forca e talentit, karakterit dhe fuqia e mendimit i buronte nga populli dhe madhështia e të qenit në radhë të parë njeri modest dhe i thjeshtë, pranë halleve e problemeve të bujkut, fermerit, punëtorit dhe shqiptarit patriot, gjithmonë i pari për t’u “përleshur” me padrejtësinë, arrogancën, megalomaninë, burokratizmin dhe presionet e pushtetit.

E kush do ta mendonte se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do të ishte edhe sot kaq prezente si fabul në administratën shtetërore, ku ende e gjen edhe Zylon edhe Demkën.

Sot në ditën e tij të lindjes, Dritëroi na mungon fizikisht të gjithëve. Por ai do të jetë përherë i gjallë midis nesh, në çdo raft librash, në kujtimet e paharruara që la pas dhe në çdo këshillë të vyer që na dha ne miqve të tij!

Meta kujton Dritëro Agollin: ‘Në administratën shtetërore ende e gjen edhe Zylon edhe Demkën’ Read More »

Nga e enjtja maska me detyrim, ja sa do të jenë gjobat për qytetarët që s’do respektojnë vendimin

Prej ditës së enjte maska do të jetë me detyrim dhe kush nuk do të respektojë do të gjobitet. Burime për Report Tv bënë me dije se masa administrative do të jetë nga 2 mijë deri në 5 mijë lekë, por vendimi do të merret të mërkurën në mbledhjen e qeverisë.

Gjoba do të vendoset në faturën e dritave për shkelësit, ndërsa për bizneset do jetë në mënyrë tradicionale.
Ditën e mërkurë do të publikohet akti normativ me detajet e vendimit më të fundit të qeverisë. Më herët, qeveria ka vendosur që gjoba për mos mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura të jetë 2 mijë lekë.

Kontrollet do të bëhen nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake.

Nga e enjtja maska me detyrim, ja sa do të jenë gjobat për qytetarët që s’do respektojnë vendimin Read More »

Durrësi renditet në qarkun e dytë më të madh në vend, përgjysmohet Gjirokastra…

Durrësi është renditur në vitin 2020 në qarkun e dytë më të madh në vend, pas Tiranës, duke ia kaluar në këtë mënyrë Fierit, që deri tani ishte pas kryeqytetit sa i takon numrit të popullsisë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, Durrësi kishte 290.7 mijë banorë, me rritje të lehtë prej 0.2% duke ia kaluar për herë të parë Fierit. Ky i fundit zbriti në 289.9 mijë banorë, pasi popullsia e tij ra me rreth 1.7%.

Në fakt, Fieri, së bashku me Elbasanin, rezultojnë qarqet që kanë pasur reduktimet më të mëdha të popullsisë, që nga viti 2001, kur INSTAT raporton të dhënat. Të dy këto qarqe kanë humbur nga rreth 92 mijë banorë në dy dekadat e fundit.

Me zvogëlim në dy dekadat e fundit rezultojnë dhe të gjitha qarqet e tjera, Kukësi, Lezha, Gjirokastra, Shkodra, Korça, Berati.

Në raport me popullsinë përkatëse, qarku që është reduktuar më shumë është Gjirokastra, që pothuajse është përgjysmuar. Në Gjirokastër në 2020-n jetonin 59 mijë banorë, nga rreth 113 mijë në vitin 2001. Kjo ka bërë që ky qark të jetë sot më i vogli në vend, ndërsa në vitin 2001, ishte Kukësi me më pak banorë.

Dibra është një tjetër qark që ka humbur gati 40% të popullsisë në dy dekada, duke zbritur në 116 mijë banorë.

Berati është reduktuar me -37% në krahasim me vitin 2001, Kukësi me -32%, Shkodra me -22%, Korça me -23%, Elbasani me -25%, Fieri me -24%.

Pothuajse e pandryshuar, me një rënie të lehtë prej 2% ka mbetur popullsia e Vlorës.

Rritja e fortë e Tiranës dhe më pak e Durrësit

Tirana dhe më pak Durrësi, reduktojnë të vetmet qarqe që kanë njohur rritje të popullsisë në dy dekadat e fundit, pasi kanë përfituar nga migrimi i brendshëm i popullsisë.

Teksa të gjithë duan të jetojnë e punojnë në kryeqytet, popullsia e saj është rritur me 52% në dy dekadat e fundit, duke arritur në 906 mijë banorë, nga 597 mijë në vitin 2001.

Edhe Durrësi është zgjeruar me 19%, duke u bërë në këtë mënyrë qyteti i dytë më i madh në vend, nga i katërti që ishte në vitin 2001, pas Tiranës, Fierit e Elbasanit.

Rritja e Tiranës dhe Durrësit nuk kanë arritur të kompensojnë tkurrjen e qarqeve të tjera dhe si rrjedhojë, popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 217 mijë persona në dy dekadat e fundit, ose me madhësinë e një qyteti sa Korça. Në 2020, Shqipëria vlerësohet se ka rreth 2.84 milionë banorë. Gjithsesi, do të jetë censi, që aktualisht u shty për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, i cili do të japë një panoramë të saktë të popullsisë që ka mbetur në vend.

Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë janë faktorët që kanë ndikuar në tkurrjen e popullsisë gjatë dekadave të fundit./Monitor

Durrësi renditet në qarkun e dytë më të madh në vend, përgjysmohet Gjirokastra… Read More »

Përmbytje nga reshjet e shiut në Vlorë, Bashkia paralajmëron qytetarët: Shmangi lëvizjet

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar përmbytje dhe probleme me qarkullimin e makinave në Vlorë.

Bashkia e Vlorës përmes një postimi në Facebook paralajmëron qytetarët të kenë kujdes nga përmbytjet dhe lëvizjet e panevojshme me makina.
NJOFTIMI NGA BASHKIA VLORË
Duke parë kushtet e motit në Vlorë, por edhe në të gjithë vendin, do ju luteshim të shmangni lëvizjet me makina që nuk janë të domosdoshme.

Për shkak të shirave të dendur, duhet të keni kujdes edhe me vendin e parkimit të makinave dhe të jeni të vëmendshëm për vendet që rrezikojnë të përmbyten! Paralajmërimet e meteorologëve për shira të vazhdueshëm, na bëjnë të jemi të kujdesshëm.

Kujdesuni për veten dhe familjarët tuaj!
Për çdo nevojë vendosni kontakt me Ujësjellës Kanalizimet dhe Shërbimet publike të Bashkisë.

Përmbytje nga reshjet e shiut në Vlorë, Bashkia paralajmëron qytetarët: Shmangi lëvizjet Read More »

Policia e Shtetit paralajmëron: Nga e enjtja patrulla në terren, mbani maskë ose do ndëshkoheni

Kryeministri Edi Rama tha në fundjavë se maskat do të jenë me detyrim për t’u mbajtur edhe në ambiente të hapura në rrugë.

Për këtë, Policia e Shtetit ka paralajmëruar se do ketë ndëshkime për cilindo që nuk e zbaton këtë vendim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, ka thënë se prej ditës së enjte patrullat e policisë do të monitorojnë zbatimin e kësaj mase kundër përhapjes së koronavirusit.

“Ftoj qytetarët që të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi.

Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre”, tha kreu i Policisë së Shtetit.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

Të nderuar qytetarë,

Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit.

Edhe në vendin tonë kanë nisur të merren disa masa në mënyrë që të pengohet përhapja masive e virusit. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet.

Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit.

Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi.

Së dyti, me marrjen e një mase të tillë, synojmë edhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë një maskë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit social, sesa t’u nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes.

Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë.

Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës.

Duke përfituar nga rasti ftoj qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi.

Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale.

Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre.

Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm.

Policia e Shtetit paralajmëron: Nga e enjtja patrulla në terren, mbani maskë ose do ndëshkoheni Read More »

I shkruajn artikull për gruan, ja çfarë bën burri i këngëtares te redaksia e gazetës

Menaxheri dhe burri i këngëtares Aida Doçi, Naser Qeli, në orët e vona të së shtunës ka thyer dyert e Gazetës Express dhe është futur brenda redaksisë.

Ai për shkak të një teksti ku kjo gazetë ka raportuar për ish-gruan e tij, ka kërcënuar gazetarët e Gazetës Express me vrasje.

Naser Qeli pavarësisht insistimit të gazetarëve për t’u qetësuar, ka refuzuar dhe ka kërcënuar në vazhdimësi. Madje ka përmendur edhe armën e zjarrit.

Gazeta Express ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës në lidhje me rastin.

I shkruajn artikull për gruan, ja çfarë bën burri i këngëtares te redaksia e gazetës Read More »