Art-Kulture

Shqipëria me paketë të re turistike gjatë këtij sezoni/Ulje e çmimit të biletave në sitet e trashëgimisë kulturore

Të gjithë turistët, vendas apo të huaj do mund të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore gjatë këtij sezoni turistik me një çmim tejet simbolik.

Në mbledhjen e Komitetit të Turizmit mbajtur në Apoloni me tour operatorë dhe hotelierë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi prezantuan paketën e re turistike sikurse është edhe ulja e çmimit të biletave në sitet kulturore.

Në fjalën e saj, ministrja Margariti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për rimëkëmbjen e turizmit pas pandemisë me të cilën u përball e gjithë bota.

“Kemi dalë me një paketë të re ofertash që vihen në vijim edhe të bisedave të bëra me të gjithë tur operatorët edhe për t’ju gjendur më afër ju sepse mendojmë se ky është momenti kyç që t’ju gjendemi pranë, pasi mendojmë fort që ky vit të kemi gjithmonë e më tepër një turizëm lokal e ndoshta do të kemi më pak turistë të huaj, megjithatë dhe në momentin që do të kemi turistë të tjerë të huaj, ne do t’i përgjigjemi me shërbime të reja në sitet tona”, u shpreh Margariti.

Ministrja tha se edhe në Berat kanë filluar tashmë paketat e kombinuara të biletave me audio grilën. Sipas saj, ulja e çmimit të biletave për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike është një ndihmë e madhe ekonomike, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të agjencive.

“Kemi arritur që vitin e shkuar të kemi mbi 1 milionë vizitorë dhe mendojmë që me këtë politikë të re dhe ato site që nuk kanë qenë të vizituara të bëhen sa më shumë pjesë e paketave tuaja. Kemi biseduar së bashku për disa muze, sikur dhe për Muzeun e Gjetheve që ka qenë një nga pikat ku dhe vetë tour operatorët kanë thënë që ju duket pak jo i aksesueshëm për paketat e tyre. E kemi arritur tashmë në një çmim thuajse simbolik dhe këtë e kemi bërë dhe për shumë site dhe mendojmë që kjo është zgjidhja e duhur për t’ju gjendur pranë në këto momente”, u shpreh Margariti.

Më tej, ministrja tha se pas shtatorit do të ketë paketat e reja që janë paketat e kombinuara me çmime të reduktuara vetëm për agjencitë.

“Kemi shtuar dhe kategori të reja që janë kategori 50 plus që janë për t’ju ardhur në ndihmë agjencive dhe ajo çfarë kemi bërë është promovimi i biletarisë online. Besoj se jemi të gjithë dakord që e ardhmja është e gjithë drejt dixhitalizimit besoj se dhe këto kohë e kemi treguar se aksesi dixhital ka qenë ai që na ka krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe ne do të vazhdojmë të promovojmë akoma më shumë çmimin e biletës online”, deklaroi ministrja, duke shtuar se aty do të jetë aksesueshmëria më e madhe e tarifave të ulëta.

“Pra ndryshe do të jetë çmimi në sportele, ndryshe do të jetë çmimi online. Po punojmë që të kemi një kanal të dedikuar sidomos nga shtatori dhe më pas për të patur paketa kombo që i quajmë, që janë paketat e disa siteve bashkarisht”, tha ministrja Margariti.

“Pamdemia nuk na gjunjëzoi po na gjeti më pranë me njëri- tjetrin në këto muaj të kemi mundësinë akoma dhe më tepër të sjellim sa më shumë turistë dhe në ato site në të cilat ju nuk i keni sjellë më parë që të kemi pastaj dhe më tepër promovim nga shtatori dhe më pas dhe më shumë paketa kombo”, u shpreh Margariti./atsh

Shqipëria me paketë të re turistike gjatë këtij sezoni/Ulje e çmimit të biletave në sitet e trashëgimisë kulturore Read More »

Vlorë: Qendra Historike, dëshmi e vlerave të traditës në arkitekturë

Qendra Historike, ose Vlora e Vjetër, e rikonstruktuar përmes një projekti të përbashkët të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit(AADF) dhe Qeverisë Shqiptare, është shndërruar tashmë në një mjedis atraktiv dhe me interes për vizitorët.

Kjo hapësirë me vlera të shumëfishta, përmbledh në vetvete historinë e qytetit, ngjarje e momente me rëndësi kombëtare e mbarëkombëtare, ndërkohë që evokon segmente të të shkuarës shumëshekullore në aspekte të ndryshme, një prej të cilave është tradita në arkitekturë.

Ndërtimet në këtë zonë, të evokuara në kohë përmes procesit të restaurimit selektiv dhe në tërësi, përfaqësojnë vlera të vërteta në arkitekturë, të materializuara në shekujt XIX dhe XX, vazhdë e traditave shumë më të hershme.

Në këndvështrimin e historisë së arkitekturës, nuk mund të flitet për një banesë tipike vlonjate, si element urban, ashtu siç përkufizohet dhe veçohen banesat tiranase, shkodrane, elebasanase, beratase, gjirokastrite e korçare. Kjo, sepse, banesa qytetare e realizuar në Vlorë në dy shekujt e fundit, është një përzierje stilesh dhe ndikimesh, e kushtëzuar nga një sërë faktorësh ku përfshihen edhe mentaliteti edhe niveli ekonomik i individëve, ashtu si edhe zhvillimi shumëdimensional i vetë qytetit. E trajtuar në këtë këndvështrim, banesa në Vlorë përfaqëson një tërësi, një simbol ndikimesh e gjykimesh për përditshmërinë.

Në Vlorën e Vjetër, në çdo godinë apo banesë të saj, ne zbulojmë të gjitha fazat e zhvillimit të arkitekturës shqiptare, të materializuara në nivelin lokal. Ndeshim traditën qytetare në ndërtim, stilet arkitekturore otomane dhe më tej, ndikimin e arkitekturës italiane, në variantet e saj neoklasike dhe moderne në katër dekadat e para të shekullit XX, ndikime të stilit austriak etj, të selektuara në raste të veçanta etj.

Këtu, ne hasim dhe shijojmë mrekullinë e artit arkitektonik të të njohurve Gherardo Bosio e Morpurgo, Paolo Palleri etj, të cilët me talentin dhe fantazinë e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Vlorën e Vjetër dhe njëkohësisht të re, ashtu sikundër edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Banesat e shekujve XIX dhe XX në Vlorën e Vjetër, janë produkt i këndvështrimeve të ndryshme, janë përzierje e banesës qytetare beratase, gjirokastrite, korçare, por edhe më gjerë, ashtu si edhe e përvojës së mjeshtrave popullorë që kanë ndërtuar dhe që vinin kryesisht nga Korça, Panariti e Dibra(Golloborda), mes të cilëve Usta Nuredini e Usta Hasani.

Prandaj dhe çdo banesë e ndërtuar në Vlorë në periudhën e dy shekujve të fundit, duhet lexuar në atë që shfaq dhe në atë që mban të fshehur.

Vlora, për shkak të pozicionit gjeografik, vlerësohet të ketë qenë historikisht një qytet i hapur, një destinacion për migrimin e brendshëm dhe rajonal.

Familje me origjinë nga zona dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë, nga Berati, Korça, Gjirokastra, Tirana, kanë mbërritur në këtë qytet, duke sjellë me vete edhe mentalitetin, traditën në stilin e jetesës, në përditshmëri, në ndërtim. Përmes aktivitetit ekonomik tregtar, apo prodhues, kanë rritur standardin ekonomik dhe kanë ndërtuar për të jetuar më mirë, por edhe për të treguar. Sepse, banesa, si njësia bazë e jetesës, është vlerësuar edhe si tregues i pozicionit të individit në shoqëri, si shfaqje e nivelit ekonomik të një familjeje.

Ky tipar i shoqërisë shqiptare në tërësi dhe asaj vlonjate në rastin konkret, reflektohet në çdo godinë të Qendrës Historike të Vlorës, në çdo banesë të kësaj lagjeje të njohur me emrin e saj historik “Muradie”, ku ishin vendosur dhe ndërtuan shtëpitë, pjesa më e madhe e familjeve të pasura, apo të njohura në Vlorë.

Banesa të tilla, si ato të familjeve Bezhani, Strati, Papa, Skrami, Karbunara, Dëma, Kuçi, Seit Qemali, Kume, Sorra, Koleka, Papa, Aristidh Ruçi, Shehu, Shyti, Hoxha, Levi e Jakoel, Matathia, Shamo, Beqa, Dhimitriadhi etj, përfaqësojnë jo vetëm shkëlqimin e pronarëve të tyre, por edhe arritje të spikatura në aspektin arkitekturor.

Sot, të restauruara, ato kanë fituar një dimension tjetër, në një hapësirë të ndryshuar, e cila pritet të shndërrohet në një pol të ri të zhvillimit të qytetit të Vlorës.

Prandaj dhe, në këtë zonë gjen dhe zbulon të gjithë Shqipërinë, personazhe që kanë lënë gjurmë në historinë e saj, Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Marigo Posion e Babë Dudë Karbunarën, Avni Rustemin e Fan Nolin, ashtu sikurse edhe ngjarje të përmasave kombëtare si Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, Revolucioni Demokratik i Qershorit etj.

Kështu, Qendra Historike e Vlorës, përmes këtij projekti të financuar nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit(AADF) dhe Qeveria Shqiptare, përjeton tri dimensionet kohore, duke evokuar të shkuarën në funksion të të tashmes dhe të perspektivës./atsh

Vlorë: Qendra Historike, dëshmi e vlerave të traditës në arkitekturë Read More »

Vittorio Sgarbi viziton Galerinë Kombëtare të Arteve/ Margariti: Shkëmbyem ide për projekte në fushën e artit

Kritiku dhe personaliteti i shquar i artit italian Vittorio Sgarbi vizitoi dje Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ku vizitoi disa nga pavijonet e galerisë.

Gjatë vizitës në galeri Sgarbi u shoqërua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila e cilësoi “një nga vizitat e rralla në Galerinë Kombëtare të Arteve”.

“Pata kënaqësinë ta shoqëroj në një tur nëpër pavijonet e GKA-së, kritikun e artit, një nga njerëzit më interesantë dhe një mik të Shqipërisë, Vittorio Sgarbi”, – shprehet Margariti.

Ministrja tha se “gjatë kësaj vizite patëm mundësi të shkëmbenim ide dhe pse jo, projekte në fushën e artit, sesi mund të na ndihmojë me ekspertë në fushën e restaurimit dhe vlerësimit të veprave të artit”.

Sgarbi vizitoi pavijonin e skulpturave, si dhe ekspozitën “Tirana Pasion”, si dhe atelienë e restaurimit, ku pa nga afër dy vepra të Kol Idromenos që janë restauruar.

Me një interes të posaçëm për trashëgiminë kulturore, udhëtimi i Sgarbit vijoi drejt Apolonisë, një prej parqeve të jashtëzakonshme arkeologjike në Shqipëri, dikur kryeqendër kulture e arsimi, sot një atraksion turistik./atsh

Vittorio Sgarbi viziton Galerinë Kombëtare të Arteve/ Margariti: Shkëmbyem ide për projekte në fushën e artit Read More »

Nënshkruhet kontrata 3-vjeçare kolektive e punës me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë

Ministria e Kulturës, nënshkroi me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, kontratën 3-vjeçare kolektive të punës e cila ka për qëllim garantimin e të drejtave dhe detyrimeve të institucioneve publike të artit dhe kulturës, në cilësinë e “punëdhënësit” dhe “punëmarrësve” artistë.

Ministria e Kulturës, njoftoi sot se, “në përmbushje të misionit të saj për hartimin dhe zhvillimin e politikave në fushën e artit dhe kulturës si dhe në respektim të Kodit të Punës, nënshkroi me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, kontratën 3-vjeçare kolektive të punës, e cila ka për qëllim garantimin e të drejtave dhe detyrimeve të institucioneve publike të artit dhe kulturës, në cilësinë e “punëdhënësit” dhe “punëmarrësve” artistë”.

“Kjo kontratë garanton mundësi punësimi për të rinjtë, rregullim të marrëdhënieve në punë, liri krijuese e sindakale”, thekson Ministria e Kulturës.

“Për asnjë moment nuk do të reshtë dialogu me artistët për gjetjen e zgjidhjes së problemeve dhe ngritjen e cilësisë artistike”, ka shtuar Ministria e Kulturës./atsh

Nënshkruhet kontrata 3-vjeçare kolektive e punës me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë Read More »

Shqipëri-Greqi, projekte të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore

Shqipëria dhe Greqia do të bashkëpunojnë mbi projekte të përbashkëta, në fushën e trashëgimisë kulturore duke iu përshtatur kontekstit të ri, mbarëbotëror të pandemisë së COVID-19.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me ambasadoren e Greqisë, në Tiranë, Sophia Philippidou me të cilën biseduan mbi mbi projekte të përbashkëta, në fushën e trashëgimisë kulturore, digjitalizimit dhe shkëmbime ekspertësh, duke iu përshtatur kontekstit të ri, mbarëbotëror

“Situata post Covid-19, na vendosi përpara kërkesave të reja. Me ambasadoren e Greqisë, në Tiranë, Sophia Philippidou, ndamë ide mbi projekte të përbashkëta, në fushën e trashëgimisë kulturore, digjitalizimit dhe shkëmbime ekspertësh, duke iu përshtatur kontekstit të ri, mbarëbotëror”, u shpreh ministrja Margariti./atsh

Shqipëri-Greqi, projekte të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore Read More »

Sulon te “Lulëkuqet mbi mure” a e mbani mend/ Ja si duket ai sot (foto)

Filmi “Lulëkuqe mbi mure” është një nga filmat shqiptarë më të ndjekur, i cili trajtone çështjen e fëmijëve jetim në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Rolin e aktorit kryesor e luante i madhi Kadri Roshi, ndërsa një tjetër rol protagonist ishte ai i Sulos, që interpretohej nga aktori Krenar Arifi.

Sulo preku zemrat e të gjithëve, për shkak të fundit tragjik që pati në film.

Por si duket sot aktori Krenar Arifi? Ai ka ndryshuar shumë, sa vështirë ta njohësh se ka qenë ai që ka luajtur rolin e Sulos në filmin “Lulëkuqet mbi mure”.
Krenar Arifi, aktori që luajti rolin e Sulos në filmin “Lulëkuqe mbi mure”:

Sulon te “Lulëkuqet mbi mure” a e mbani mend/ Ja si duket ai sot (foto) Read More »

Aktori Fino për ATSH-në: I vonuar ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, shpresoj që amaneti i ikonave të artit të plotësohet sa më shpejt

Aktori Helidon Fino, një emër i vlerësuar nga publiku për kontributin dhe artin në skenën e Teatrit Kombëtar në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ndërtimi i një teatri të ri është i vonuar.

Prej më shumë se 25 vitesh, i rritur në Teatrin Kombëtar, Fino thotë se prej shumë kohësh artistët kanë merituar të performojnë në skenë dinjitoze.

“Absolutisht që po, besoj që askush nuk është kundra ndërtimit të një teatri të ri dhe për mendimin tim teatri i ri me të gjitha parametrat bashkëkohorë është vonuar shumë. Unë kam filluar punë në Teatrin Kombëtar në 1995, pra prej 25 vitesh kam qenë mjaft aktiv në skenën e atij teatri dhe e njihja mirë atë godinë me të gjitha problematikat e saj. Megjithatë, në atë skenë janë vënë shfaqje të mëdha dhe dinjitoze falë përkushtimit dhe pasionit të trupës artistike të historisë të teatrit dhe brezave aktualë”, tha aktori Fino për ATSH-në.

“Ajo që mund të them thjesht si aktor, jashtë debateve rreth vlerave historike dhe arkitekturore të asaj godine, për të cilat le të flasin kompetentët, një teatër i ri me të gjitha parametra bashkëkohorë, duhej patjetër në të tashmen që jemi dhe për të ardhmen. Nëse prej shumë kohësh tashmë është treguar një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri ndaj nevojave të artistëve në përgjithësi dhe teatrit veçanërisht, është koha që me ndërtimin e teatrit ashtu siç duhet dhe pa abuzime të tregojnë përgjegjshmëri. Përndryshe, do të duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe historike” -u shpreh Fino për ATSH-në.

Sipas tij, Shqipëria dhe Tirana prej vitesh e ka pasur të nevojshme ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

“Shqipëria dhe Tirana prej vitesh kanë pasur nevojë për një teatër të ri me parametra bashkëkohorë. Të gjithë artistët duan të punojnë në kushte normale dhe standarde bazike, duan të performojnë në skena të bukura, të ngrohta, dhe me detaje teknike që nuk kufizojnë kreativitetin artistik. Është përsëritur shumë këto kohë që kemi punuar në atë godinë në temperatura të vështira dhe të papërshtatshme, si dhe shumë problematika të tjera, dhe ky është fakt dhe i pakundërshtueshëm. Prandaj them që është humbur kohë deri tani dhe mjaft më me shpërbërje dhe armiqësi brenda komunitetit ndërkohë që interesi ynë i vetëm duhet të jetë nxitja dhe vënia përpara përgjegjësisë autoritetet përkatëse për realizimin e teatrit të ri të vonuar”.

Amanetin e ikonave të artit shqiptar që nuk janë më mes nesh për pasjen e një teatri të ri, Helidon Fino e solli në mënyrë biblike.

“Më vjen keq për mënyrën se si janë përdorur emrat e ikonave të skenës së teatrit këto kohë. Është fakt dhe i trishtë madje që artistët rrallë herë janë kuptuar drejt nga shoqëria. Po, do të doja që dhe me ndihmën e Zotit amaneti i tyre të plotësohet sa më shpejt”. /atsh

Aktori Fino për ATSH-në: I vonuar ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, shpresoj që amaneti i ikonave të artit të plotësohet sa më shpejt Read More »

Investimet në trashëgimi kulturore sa në të gjitha vitet së bashku sa ka pasur shtet shqiptar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “te Piramida shumë shpejt do të fillojë investimi dhe do të kthehet në një qendër e teknologjisë së informacionit dhe projekti është prezantuar”.

“Çfarë kemi bërë ne dhe sa e kam kthyer unë syrin e qeverisë nga trashëgimia kulturore nuk është bërë në të gjitha vitet së bashku sa ka pasur shtet shqiptar. Sa shumë restaurime, mbrojtje e me radhë. Piramida do të bëhet një qendër e teknologjisë së informacionit. Guaska ekzistuese do të adaptohet brenda një strukture e bërë nga një prej arkitektëve më të famshëm të botës. Ju që keni pasur arkitekt vetëm Albert Brojkën revoltoheni nga aktet e mia kundër kulturës”, tha Rama.

Rama tha se “studio ka bërë projektin do të filloj investimi bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit”.

Kryeministri kujtoi se në godinën e Kryeministrisë ka gjetur në kat të parë togje me letra, minj, ujë dhe gardhe të vendosura.

“Kam vajtur në Shkodër dhe në reparte ushtarake kishte mobilie të babait të dizajnit modern, që ka bërë mobilie unikale për pallatin e Mbretit dhe Kryeministrinë. Aty ku trashëgimia është trashëgimi, mos ma qani hallin mua për ta ruajtur. Ka një gjeneratë e tërë, djali im u bë 30 vjeç dhe nuk kanë shkuar dot në Teatër Kombëtar për t’u ulur pa u ankuar karrigia”, tha Rama. /atsh

Investimet në trashëgimi kulturore sa në të gjitha vitet së bashku sa ka pasur shtet shqiptar Read More »