Art-Kulture

100 vjet nga Lufta Kombëtare e Vlorës/ Ekspozitë me dokumente e fotografi në pedonalen e qytetit

100-vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës bëri bashkë në qytetin historik studiues, autoritetet vendore, deputetë të qarkut Vlorë si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar Vlorë, të cilët ishin dhe organizatorët e ekspozitës së realizuar me këtë qëllim.

Ekspozita përmbante dokumente që datonin që nga fillesat e organizimit të luftës, deri në fund të çlirimit të qytetit të Vlorës, foto të vullnetarëve në luftë, telegrame për çlirimin e vendit, fotografi nga festimet e çlirimit, dekoratat dhe vlerësimet për heronjtë e luftës, si dhe krahës ekspozitës ishin paraqitur disa objekte muzeale.

Lufta e Vlorës, e njohur ndryshe si Lufta e 20-ës, ishte një seri betejash mes forcave italiane dhe patriotëve shqiptarë për zotërimin e qytetit të Vlorës.

Kjo luftë zgjati 3 muaj dhe më 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh, forcat shqiptare arrijnë të çlirojnë qytetin duke i detyruar pushtuesit italianë të largohen jo vetëm nga rrethi i Vlorës, por edhe nga Saranda, Durrësi dhe Shëngjini. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe kapedani Hodo Zeqiri i cili ka qenë një ndër heronjtë dhe udhëheqësit legjendarë të kësaj lufte.

Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë vizitorët gjatë gjithë ditës së sotme në pedonalen e Vlorës./atsh

100 vjet nga Lufta Kombëtare e Vlorës/ Ekspozitë me dokumente e fotografi në pedonalen e qytetit Read More »

Violinistja dhe artistja shqiptare Enxhi Kumrija mori çmimin e tretë në Festivalin “Rruga për në Jaltë” në Rusi

Violinistja dhe artistja shqiptare Enxhi Kumrija mori çmimin e tretë në Festivalin “Rruga për në Jaltë”, që u mbyll mbrëmjen e djeshme në Rusi, në një garë të vështirë ku merrnin pjesë artistë nga e gjithë bota.

Performanca e artistes shqiptare është vlerësuar si ndër më të mirat në festival.

Ambasada Ruse në Tiranë, pas mbylljes së festivalit, përgëzoi përmes një mesazhi artisten shqiptare mbi suksesin e arritur.

“Ambasada Ruse në Shqipëri uron këngëtaren shqiptare Enxhi Kumrija për fitimin e çmimit të tretë të Festivalit “Rruga për në Jaltë”, finali i të cilit u zhvillua mbrëmë në qytetin e Jaltës”, – shkruhet në mesazh .

“Enxhi, je e paparë!”, – i është drejtuar ambasada përmes mesazhit të urimit artistes shqiptare.

/NOA.al

Violinistja dhe artistja shqiptare Enxhi Kumrija mori çmimin e tretë në Festivalin “Rruga për në Jaltë” në Rusi Read More »

Film i ri i Holly.wood për familjen Haklaj/ Ky është aktori që do luaj rolin e Fatmir Haklajt

30 milion Euro filmin e ri të Holly.wood it për familjen Haklaj, ky është aktori që do luaj rolin e Fatmirit

Filmi i Hollywood me 4 seri mbi ngjarjet tr agjike në Tropojën e viteve 1990 dhe 2000 do të bëhet realitet. I titulluar “HAKLAJ”.

Filmi do të ketë protagonist Fatmir Haklajn dhe familjen e tij.Projekti-film është ideuar dhe organizuar nga një regjisor suedezo-amerikan, si dhe nga një regjisor shqiptar i krahinës shqiptare të Kosovës. Në rolin e Fatmir Haklaj të jetë Doktor Jurgen Malaj.

Film i ri i Holly.wood për familjen Haklaj/ Ky është aktori që do luaj rolin e Fatmir Haklajt Read More »

At Zef Pllumi, i la kësaj bote dashurinë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, At Zef Pllumin, i cili sipas tij, “i ka lënë kësaj bote dashurinë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue”.

“At Zef Pllumi erdhi në këtë jetë në gusht të vitit 1924. Martirologu dhe breviari roman, ku përmblidhen gjithë emrat dhe jetët e shenjtëve e të të lumëve të Kishës Katolike, një pjesë prej tyre ndërtuar sipas gojëdhanave mbresëlënëse, nuk e përfshin – jo ende – jetën e tij, por jeta e tij e përmban martirologun dhe gjithë breviarin, si shembëlltyra vetë e mesazhit që prej 1500 vjetësh ato letrat me pluhur yjesh përpiqen të tejçojnë: Mishërimin njerëzor të dashurisë shëlbyese të Zotit të vuajtjeve, për të gjithë të vuajturit në mish e në shpirt, deri kur kësaj bote t’i vijë fundi”, tha Rama.

Kryeministri tha se “jeta legjendare e Patër Zef Pllumit o.f.m., që s’është as gojëdhanë, as hagjiografi konvencionale, zuri fill në bjeshkë, mes Shkrelit e Shalës, 96 vite më parë”.

“Qysh herët ajo u vu në shej të martirit, qëkurse pragun e banesës së thjeshtë të vocërrakut e kapërcyen At Gjergj Fishta e At Anton Harapi. Me një gisht drejt qiellit dhe me një pëllëmbë në zemrën e kërthiut, i cili do të bëhej një ditë françeskani simbol i rrethit të nëntë të ferrit komunist, mu si në enluminurat e vëllimeve të vjetra monastike ku rrëfehen bëmat e të Vorfnit të Asizit, këta korifej të besimit e shënuan Zefin me karizmën e dëshmorit. “Ji dëshmitar i kumtuem”, pra martir, “gjeje kudo dashurinë e Zotit”, pra dëshmo! Dhe duke i dhuruar një medaljon të Shën Françeskut, dy të ardhurit e rekrutuan atë ushtar të dritës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “jeta e tij prej ushtari të dritës, u lidh pazgjidhshmërisht me hetuesitë e nëntokës famëkeqe komuniste e me burgjet e mbitokës fatkeqe shqiptare, aty ku lëngata e trupit bëhej barrë e pambajtshme e trurit dhe ai u përgjigj tue mos lëshu fe e pe”.

“Kam pasur fatin ta njoh Padren e të shihem dhe flas me të disa herë, e s’e harroj kurrë kur më inkurajoi në betejën për lidershipin e Partisë Socialiste, me ata sytë e tij si zgavra të shpuara nga brenda prej një drite të çuditshme, nën atë zhgunin e tij si lëkurë mali mbi trup, me vështrimin ëmbëlsisht përçues dhe të folurën me tinguj si të kambanares, “veç ti munesh me e krye dekomunistizimin përfunimtar t’asaj partie e t’ksaj shoqnie, prandaj hiç mos u tut n’dasht me i dal për zot ksaj Shqipnie t’ngatrrume!” Komunistët i’a kishin bërë të gjithë nderimet e ferrit, ku e patën kyçur dhe ku e patën sprovuar deri në asht me torturat më speciale, por Padrja nuk i urrente, thjesht i mëshironte, ndërsa komunizmin po, atë as e falte, as e duronte dot. Qeshte Padrja me antikomunistët e kohës, tundte kokën shkëmbore mbi qafën e tretur dhe gjente fjalë mëshiruese, si për të thënë Zoti i faltë se s’dinë çka bëjnë”, shtoi Rama.

Ai tha se “të rrëfyerit e Patër Zef Pllumit, mund të krahasohet vetëm me Shën Augustinin, paçka se ipeshkëvi i madh Hiponës e grishte Zotin duke e hedhur në qiell vështrimin, ndërsa françeskani prej Shkreli e gjente atë “në do këpucë të vjetra mu nën hundën e xhelatit”, ku hosta e shenjtë e meshës futej fshehurazi në burgun e Antikrishtit”.

“Apoteoza e martirologut të tij, fara e besimit të një jete të tërë për me rrnue për me tregue, them se gjendet në çka ka shkruar për ditën e parë pas daljes prej këpucëve të të burgosurit, për të hyrë në liri si ajo hosta në gojën e besimtarit që mbyll sytë për të parë atë s’duket”, tha Rama.

“Atê natë fjeta aty. Fjeta a nuk fjeta. Në çdo çast që më delte gjumi pvetshëm veten: “Ku jam? I lirë apo jo?…” Kurrgjâ nuk besojshëm. Kur duel dita, u çova dhe thirra:

– Motër!… Motër!…
Nga dhoma tjetër ajo përgjegji:
– Vëlla, vëlla!… asht tepër herët.

– Më ka marrë malli me thanë meshë (…)

Kur e fillova Meshën, zemra m’u çue peshë. Më rrethuen gjithfarë mendimesh (…) E në ç’shekull jena sot?… Pse doktrina e dashunisë gjithmonë do rrijë e strukun prej dhunës?… Mister i madh i historisë njerëzore… Kjava me lot ndër sy. Vetëm me vedi thashë:

“O Zot! E kur do të vijë fundi i kësaj bote?!”., citoi Rama.

“Patër Zefi e ndërroi këtë jetë me një tjetër në vitin 2007, duke i lënë kësaj bote dashuninë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue”, tha Rama./atsh

At Zef Pllumi, i la kësaj bote dashurinë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue Read More »

Homazh/ 26 gushti i Nënë Terezës dhe Migjenit, të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr

“Shën Tereza dhe Migjeni lidhen bashkë me këtë datë, 26 gushtin, atë të vitit 1910 kur erdhi në jetë nëna e madhe e të varfërve të kësaj bote dhe atë të vitit 1938, kur ndërroi jetë poeti i madh i grushtit të kësaj toke”.

Kështu u shpreh sot përmes rubrikës “Homazh”, Kryeministri Edi Rama, ndërsa përkujtoi Shenjtoren shqiptare Nënë Tereza dhe Migjenin, ndër poetët e shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XX.

“Nënë Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni pak, si një bubullimë buçitëse”, tha Rama.

“Ajo ishte e bardhë, nuse kokëulur martuar me kaltërsinë e qiellit, ai ishte kryeneç, siluet i zi përballë lartësisë së malit pa zë. Ajo ishte dora e shtrirë në kërkim të dritës së pafundme, ai ishte dora e mbledhur grusht në drejtim të errësirës së padurueshme. Ajo e gjeti qetësinë e pandërprerë, duke ndezur qiririn në vend se të mallkonte errësirën, ai nuk rreshti së mallkuari errësirën pa gjetur dot një dekikë qetësi”, vijoi ai.

Rama tha se “të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr, ajo i fërkonte kokën për t’i lehtësuar dhimbjen, ndërsa atij i ngriheshin flokët përpjetë prej dhimbjes së tij”. “Të dy e donin me pasion njeriun, ajo e donte atë siç ishte, ai e donte siç duhet të ishte. Të dy e donin botën më të mirë, ajo duke u gjunjëzuar devotshmërisht për ta bërë më të lehtë, ai duke u kryengritur verbalisht për ta kthyer përmbys”, shtoi ai.

Ishin të dy shqiptarë, vijoi kryeministri, “por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia”. “Njëra besonte në një e në të vetmin Zot që e kërkonte lart në qiell, tjetri hahej me Zotat që i shihte nga lart poshtë. Për Shën Terezën, Fjala ishte Zoti dhe Zoti ishte Fjala, ndërsa Zoti i Migjenit ishte vetja dhe Zot i Fjalës ishte ai vetë”, shtoi ai.

Rama tha se “Gonxhe Bojaxhiu u vesh murgeshë dhe u bë Shën Tereza e Kalkutës. Millosh Gjergj Nikolla e flaku veshjen e murgut dhe u bë Migjeni i shqiptarëve”.

“Ajo vdiq 87 duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, Ai 27 pa kuruar dot sëmundjen e vet”, tha ai.

“Por të dy e kapërcyen vdekjen, Ajo me fuqinë e përkushtimit të saj ndaj Zotit, përmes dashurisë qiellore për njerëzit, Ai me fuqinë e përkushtimit kundër të vjetrës, përmes fjalës për Botën e Re. Ajo vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit, Ai vazhdon me të vetën si zëri i të resë nga thellësia e tokës”, tha Kryeministri. /atsh

Homazh/ 26 gushti i Nënë Terezës dhe Migjenit, të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr Read More »

‘Koko Fest’/ Korça përgatitet për Festivalin mbarëkombëtarë të Komedisë

Festivali i Komedisë në Korçë do të nisë në 8 shtator ndërsa për shkak të numrit të kushtëzuar të publikut secila shfaqje do të luhet për disa ditë me radhë për të krijuar mundësinë që të gjithë të shijojnë humorin e “Koko Fest”.

Prej shtatë vitesh komeditë e realizuara nga trupat teatrale nga gjithë trevat shqipfolëse, bëhen bashkë në Korçë në Festivalin e Komedisë “KoKo Fest”.

Tri skena të improvizuara në ambient të hapur, oborri i Muzeut Kombëtar të Arsimit, Hani i Pazarit dhe parku “Rinia” do të mirëpresin publikun korçar dhe vizitorët.

Me pjesëmarrjen e trupave nga Korça, Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Tetova, ky festival nuk i ka ndryshuar rregullat për sa i përket garës dhe çmimeve, ku trupat profesioniste do të marrin vlerësime nga një juri e përzgjedhur./atsh

‘Koko Fest’/ Korça përgatitet për Festivalin mbarëkombëtarë të Komedisë Read More »

Presidenti Meta dekoron tre nga emblemat e polifonisë shqiptare

Në vijim të vizitës në Pilur të Himarës, Presidenti i Republikës vlerësoi tre nga emblemat e polifonisë shqiptarë, këngëtarë të grupit polifonik “Bejkë e bardhë”.

Në ceremoninë solemne të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, ku merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, Kryeplaku i fshatit Pilur, Dritan Bala, autoritete vendore dhe dhjetra qytetarëve, Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh” *Kristo Çipa me motivacionin: “Për kontributin dhe talentin e spikatur në lëvrimin e këngës polifonike të Bregdetit. Si poet, prozator, publicist, organizator i grupeve folklorike dhe krijues i këngëve me karakter të theksuar lirik, shoqëror e atdhetar. Përçues i traditës dhe ideve të krijuesve popullorë e atdhetarë në trevën e Himarës”.

Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh”, znj.Ermioni Mërkuri, me motivacionin: “Si një nga interpretueset më të talentuara të këngës polifonike piluriote. Me pasionin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit te saj ajo ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit të zonës”.

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri”, Kreu i Shtetit çmoi Dhimitraq Bala me motivacionin: “Si një prej këngëtarëve më të shquar të këngës polifonike. Me talentin e tij, si kthyes klasik e tradicional, i ka dhënë frymë dhe timbër kësaj kënge, duke fituar admirimin e publikut të gjerë të isopolifonisë”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Meta në një postim në rrjette sociale, ku shkruan: “Këngët e Atdheut tim Janë ilaç dhe janë shërim” Piluri nuk mund të perceptohet pa polifoninë e tij magjike. Këngët e pilurjotëve kanë frymëzuar luftën e kanë zbukuruar jetën, dhe janë disa prej perlave të fondit të artë të kulturës sonë kombëtare. Pilurjotët i kanë kënduar bukurive të bregut, dëshmorëve, betejave për liri, heronjve, lirisë së Kosovës dhe atdhedashurisë! Breza të tërë në kushtet e një jete tejet të vështirë, janë frymëzuar dhe argëtuar nga kënga e jashtëzakonshme “Tundu Bejkë e bardhë tundu”. Ndaj në shenjë nderimi, pata kënaqësinë të vlerësoj në Pilur tre nga emblemat e polifonisë shqiptare, pjesë e grupit polifonik “Bejkë e bardhë”, Kristo Çipa, Ermioni Mërkuri dhe Dhimitraq Bala, të cilët me pasionin, talentin dhe zërin e rrallë kanë përçuar me mjeshtëri të rrallë nga brezi në brez, traditën, kulturën dhe kanë kultivuar folklorin e jashtëzakonshëm të Himarës. Ju këndoftë zemra përherë!

Presidenti Meta dekoron tre nga emblemat e polifonisë shqiptare Read More »

Lufta e Koplikut/ Meta: Simbol i qëndresës, atdhedashurisë dhe patriotizmit të pashoq

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 100-vjetorin e luftës në mbrojtje të kufirit veriperëndimor të Shqipërisë, e njohur si “Lufta e Koplikut”.

Meta shprehet se, “lufta heroike në mbrojtje të kufirit veriperëndimor të Shqipërisë, e njohur si “Lufta e Koplikut”, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Lushnjës, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë të shek. XX”.

“Kjo luftë është simbol i qëndresës, atdhedashurisë dhe patriotizmit të pashoq për mbrojtjen, deri në sakrificën më sublime, të integritetit territorial të shtetit shqiptar, të pavarësisë e sovranitetit të tij.

Në 100-vjetorin e kësaj lufte, kujtojmë me nderim e mirënjohje dhe përulemi para veprës së figurave të shquara të kombit, Bajram Currit e Ahmet Zogut dhe qindra heronjve malësorë nga Dukagjini, Kopliku, Gruda, Traboini, Kastrati, Shkreli, Gruemira, Bajza, Grizha, Buza e Ujit, luftëtarëve të paepur nga Plavë-Gucia, nga Kosova e nga Shkodra, si dhe vullnetarëve nga vise të tjera shqiptare, që, të frymëzuar nga ndjenjat më të lartë të atdhedashurisë, dhanë gjithçka për mbrojtjen e kufijve territorialë të Shqipërisë”, shprehet Presidenti.

Meta thekson se, “Malësia e Madhe, fisnike dhe e mençur, e cila mbajti peshë të rëndë në këtë luftë, edhe kësaj here dëshmoi se është krenaria dhe nderi i kombit. Lufta e Koplikut i dha një impuls edhe më të fuqishëm Luftës për çlirimin e Vlorës dhe mbarë Shqipërisë”. /atsh

Lufta e Koplikut/ Meta: Simbol i qëndresës, atdhedashurisë dhe patriotizmit të pashoq Read More »