Art-Kulture

Ismail Kadare, do të vlerësohet me çmimin ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton se shkrimtari i njohur Ismail Kadare, do të vlerësohet me çmimin ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti.

Në një njoftim zyrtar ambasada amerikane thotë se Festivali Neustadt i Letërsisë është një nga ngjarjet më të mëdha të letërsisë botërore.

“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti. Si një nga ngjarjet më të mëdha të letërsisë botërore, Festivali Neustadt i Letërsisë është një festim i librave dhe kulturës ndërkombëtare, sponsorizuar nga World Literature Today dhe organizuar nga Universiteti i Oklahomës.

Këtë vit, ngjarja do të zhvillohet virtualisht dhe do të jetë pa pagesë për të gjitha ata që regjistrohen. Ju ftojmë të bashkoheni me ne dhe të shohim me krenari poetin dhe novelistin më të njohur të Shqipërisë teksa nderohet për arritjet e tij”, njofton ambasada.

Ismail Kadare, do të vlerësohet me çmimin ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti Read More »

‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’ mbushi sot 37-vjec/ kush ishin mjeshtrat që ngritën emisionin ikonë

Sot bëhen plot 37 vjet nga nisja e emisionit më të dashur dhe më të njohur sportiv, “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Emisioni që nisi në Radio Tirana, drejtuar nga Ahmet Shqarri, për shkak të kohës kur nuk kishte edhe mënyrë tjetër informimi, tërhiqte sportdashësh nga të gjitha trevat shqiptare.

Përvjetorin e emisionit të njohur e ka kuajtuar sot Sefer Kikija, gazetari sportiv i Elbasanit, pjesë e këtij emisioni. Ndër të tjera ai zbuloi se sigla që niste emisionim ishte e kompozuar nga mjeshtri i madh, Shpëtim Saraçi.

“Historia flet….; “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, – shkroi Sefer Kikija, nga Italia ku jeton sot, teksa solli detaje dhe nostalgjinë e këtij emisioni, aq të dashur dikur për shqiptarët.

NGA SEFER KIKIJA

2 Tetor 1983 – 2 Tetor 2020… Plot 37 vjet me pare, gazetari sportiv, i mirenjohuri AHMET SHQARRI do te ideonte, projektonte dhe Niste ne Radio Tirana, emisionin sportiv te titulluar “Nga njera ndeshje ne tjetren”. Nje nder emisionet me te degjuar ne Shqiperi. Nuk kishte familje shqiptare, qe sapo fillonte ky emision, hapnin radiot dhe degjonin zerin brilant te Shqarrit. Te tjeret nepermjet radiove te dores, nepermjet kasetofoneve te makinave ndiqnin këtë emision. Pas siglës muzikore të kompozuar me plot finesë nga maestro Shpëtim Saraçi, do të vinte zëri i kthjellët, plot timber dhe i qartë tek thoshte… “Mirëdita të nderuar dëgjues, unë Ahmet Shqarri ju përshëndes nga studio nr 1 e Radio Tiranës…, nisim transmetimin e emisionit sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

“Falë punes se kordinatorit teknik Fatmir Dizdari dhe teknikut Rubin Kristo, linjat jane gati…Luhen ndeshjet e javes se peste te kampionatit, dhe ka takime te rendesishme……Ne Kavaje, Besa- Vllaznia, radiokronist do te jete Fatmir Efica; ne Durres, Teuta-Flamurtari, radiokronist Bujar Qesja; ne Peqin nje ndeshje e rendesishme, Shkumbini- Tirana, do te jene dy radiokroniste elbasanas, Sefedin Allkja dhe Sefer Kikija…; në Tiranë, Dinamo-Lushnja, radiokronist Ismet Bellova dhe Veli Rada…; në Gjirokastër, Luftëtari-Partizani, radiokronist Frederik Fico…; në Korçë, Skënderbeu-Flamurtari, radiokronist Vladimir Ngjela…; në Fier, derbi i Myzeqesë, Apollonia -Lushnja, radiokronist Arbër Emiri dhe Mikel Mbricaj… E kështu, niste ky emision i shumëpritur nga dashamirësit e futbollit shqiptar.

“Duke qenë pjesëe këtij emisioni, për shumë vite, falenderoj dhe i uroj jetë të gjatë Shqarrit, përshendes ish-kolegët dhe drejtuesit e tanishëm, gazetaren sportive Ajna Erga Kënga, te madhin Shpëtim Gjoshi si analist dhe drejtues, por dhe një tjetër personazh, ikonë e gazetarisë sportive, Bashkim Tufa. Respekte dhe mirënjohje…

/NOA.al

‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’ mbushi sot 37-vjec/ kush ishin mjeshtrat që ngritën emisionin ikonë Read More »

Vlorë/ Përurohet busti i Isa Buletinit në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë

Në ambientet e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë u përurua busti i Isa Boletinit, i punuar nga skulptori nga Mitrovica Sabri Behramaj.
Ky bust iu dhurua muzeut nga skulptori Behramaj duke pasuruar fondin muzeor. Në përurimin e busitit, që u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për Ditët Europiane të Trashëgimisë dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, deputeti i Partisë Socialiste, Fate Velaj, skulptori, qytetarë etj.
Deputeti Velaj tha në fjalën e tij se “kur Beb Dobi, drejtori i muzeut me lajmëroi se një artist nga Kosova po krijonte një bust të Isa Boletinit, mendova se do ishte Luan Mulliqi apo Adem Rusinovci, dy pesha të rënda të skulpturës kosovare. Rezultati ishte se asnjëri prej tyre nuk ishte por Sabri Berhamaj që kishte studiuar në akademinë e artve pikërisht tek miku im Adem Rusinovci. Vazhdova më tutje kërkimin mbi autorin dhe mësova se e kishte nisur mirë rrugën e suksesit duke u paraqitur në disa ekspozita brenda dhe jashtë Kosovës”.
“Ajo që mua sot më gëzon, është fakti se më në fund, pritja mbaroi. Ka kaq vite që këtyre dhjetë burrave në bronx këtu në oborrin e muzeut (dhjetë firmëtarë të pavarësisë si dhe ministra të qeverisë së parë të Ismail Qemalit) ju ngelën sytë nga dera dhe të merakosur, pyesin përse po vonohet Isa. Por sot, tek e panë të hynte, u qetësuan kur ai, pasi u përqafua me ta, ju shpjegoi vonesën, sesi i ishte dedikuar pavarësisë së Kosovës. Unë dua ta falënderoj autorin që e mundësoi këtë bashkim të bronxtë të 1912’s dhe veçanërisht, drejtorin që muzeun e ka kthyer në një vatër të ngrohtë të shqiptarizmit”, – theksoi Velaj.
Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë.
Muzeu i Pavarësisë u përurua në 28 nëntor të vitit 1962 me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare. Ndërtesa gjatë vitit 1913 ishte vend pune për qeverinë shqiptare, për rreth 6 muaj. Më 28 nëntor 1913 këtu u festua përvjetori i parë i pavarësisë. Nga viti 1936 deri në fillimet e Luftës se Dytë Botërore ka shërbyer si muze historik kombëtar.

Muzeu është i pajisur me dokumente, fotografi e objekte origjinale, që pasqyrojnë përpjekjet e luftërat e popullit shqiptar për çlirim kombëtar. Në të të jepet mundësia të shohësh kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverisë provizore të Ismail Qemalit, flamujt origjinalë të çetave kryengritëse dhe mjaft relike të kohës.

Ky muze iu nënshtrua rikonstruksionit falë projektit për restaurimin e qendrës historike të qytetit bregdetar, investim i qeverisë shqiptare./atsh

Vlorë/ Përurohet busti i Isa Buletinit në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë Read More »

Vlorë/ Parku i Shtëpisë së Pavarësisë një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit bregdetar

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit të Vlorës, që po bëhet përditë e më tërheqës, si dhe do të kalojë kufijtë e vendit tonë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projektit të ndërtimit të parkut të Shtëpisë së Pavarësisë.

“Vlora do të kthehet vit pas viti në një nga motorët më të fuqishëm të industrisë së turizmit shqiptar, duke rritur më tej punësimin, të ardhurat dhe vlerën e pasurive të paluajtshme të zonës. Ky park do të lidhë bulevardin “Ismail Qemali” me buzën e detit dhe Lungomaren, ku më në fund do të dalë në dritë shtëpia më e rëndësishme e Shqipërisë, e fshehur pas gardheve e kioskave prej dekadash të tëra; do mbillen shumë pemë e gjelbërim dekorativ, në një tjetër hapësirë fantastike për banorët, vizitorët dhe turistët”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “projekti do të sjellë lidhjen e bukur mes bulevardit të ri të Lungomares dhe do të krijojë një hapësirë krejt ndryshe e të re për gjithë banorët, por edhe për vizitorët e ditës dhe turistët në Vlorë duke iu ofruar një mundësi të gjithëve pavarësisht moshave për të pasur më shumë hapësirë dhe më shumë ndërveprim me njëri-tjetrin, sepse jam i bindur se ky park do të jetë shumë i jetuar gjatë çdo dite”.

“Kjo është shtëpia më e rëndësishme e Shqipërisë dhe për fat të keq për shumë shumë kohë është një shtëpi që ka mbetur e vetmuar ndërkohë që duhet të jetë e hapur e plot me njerëz në mënyrë të vazhdueshme. Mënyra sesi është rrethuar dhe ka humbur pas gardheve e kioskave e ka bërë të pamundur që edhe kjo shtëpi e vogël në përmasë, por kaq e rëndësishme nga pikëpamja historike të jetë pjesë e rasteve që e bën Vlorën të vizituar jo thjesht për detin, diellin, por edhe për historinë e saj”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “projekti është pjesë e zinxhirit që i kalon përmasat e ngushta të një qyteti kur vjen puna tek aspektet e veta urbanistike e arkitektonike, njësoj si Lungomare, si sheshi ‘Skënderbe’, si shëtitorja pranë detit në Himarë, njësoj si një sërë projektesh të tjera do ti kalojë kufijtë e vendit, do shikohet në publikime urbanistike e arkitekturore e do jetë pjesë e konkurseve të mëdha ndërkombëtare siç ishte Lungomare apo sheshi ‘Skënderbe’ që fitoi çmimin si hapësira më e bukur publike e ndërtuar në Europë”.

“Ne me këtë projekt rrisim edhe hapësirën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijojmë një mundësi urbanistike të re për të lidhur gjithë aksin kryesor”, tha Rama./atsh

Vlorë/ Parku i Shtëpisë së Pavarësisë një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit bregdetar Read More »

3-vjetori i ndarjes nga jeta/ Farudin Hoxha, projektues i veprave më të mëdha hidroenergjetike

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujtoi sot në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta akademikun e shquar Farudin Hoxha.

Farudin Hoxha ishte inxhinier hidroteknik, profesor, akademik. Ai lindi në Gjirokastër. Kreu Politeknikumin e Tiranës dhe ndoqi studimet e larta për ndërtime hidroenergjetike në Budapest e Sofje; u diplomua më 1961 në UT.

Prej vitit 1961 ka punuar në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve të Hidrocentraleve, Nënstacioneve dhe Linjave të Tensionit të Lartë.

Në vitin 1971 për një periudhë gjashtëmujore, kam kryer specializimin pasuniversitar në Francë për mekanikën e dherave dhe ndërtimin e digave të larta me materiale vendi ose rrethanorë.

Pavarësisht nga detyrat e tjera që iu ngarkuan, profesori ka vazhduar rregullisht punën studimore e projektuese në këtë Institut deri në mesin e vitit 1993. Nga nëntori 1982 deri në maj 1988, ka qenë ministër i Ndërtimit dhe më pas deri në 21 shkurt 1991, kur ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga qeveria, ka qenë ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me jashtë.

Ka qenë anëtar i grupit qendror për studimet, projektimet dhe ndërtimet e veprave hidroenergjetike në Shqipëri:Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin, Hidrocentrali i Vaut të Dejës me fuqi 250.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Komanit me fuqi 600.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 2 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Fierzës me fuqi 500.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1.7 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Banjës me fuqi 60.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.25 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali Bistrica II me fuqi 5.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.032 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Bogovës me fuqi 2.500 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.0125 miliard kilovat/orë.

Ka qenë projektues dhe kryetar i grupit të studimit dhe të projektimit të të gjitha digave të hidrocentraleve të mësipërme me lartësi nga 40 m deri në 167 m disa prej të cilave nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha (ICOLD), janë klasifikuar ndër më të lartat në Evropë e më gjerë.

Ka kryer studime dhe projektime dhe për vepra të tjera hidroteknike dhe hidroenergjitike të rëndësishme, si: hidrocentrale, ujëmbledhës, diga, stacione pompimi etj., një pjesë e të cilave janë ndërtuar.
Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Digave të Larta prej vitit 1991 deri në vitin 1995. Prej vitit 2002 e në vazhdim ka qenë kryetar i këtij Komiteti.

Nga nëntori 1999 deri në nëntor 2000 ka qenë drejtor i përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Prej vitit 1997 deri në vitin 2008 ka qenë anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa nga viti 1997 deri në vitin 2004 ka qenë anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Shqipërisë.

Hoxha prej vitit 1973 deri në vitin 1982 ka qenë anëtar i Komisionit Qeveritar për ekonominë ujore me vendet fqinje. Prej vitit 2001 deri në vitin 2005 ka qenë anëtar i këtij Komisioni. Nga viti 2000 deri në vitin 2006 ka qenë i zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Tiranës.

Mban titullin shkencor “Profesor” dhe “Akademik”. Në vitin 1986 u pranua anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 1989 ishte anëtar i saj. Prej vitit 1997 deri në vitin 1999 ka qenë sekretar shkencor i ASh-së dhe nga ky vit deri në vitin 2008 u zgjodh dhe zëvendëskryetar i saj. Për arritjet në punën studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve hidroenergjetike, është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë./atsh

3-vjetori i ndarjes nga jeta/ Farudin Hoxha, projektues i veprave më të mëdha hidroenergjetike Read More »

Tropojë/ Kthim në identitet për Mullirin e Bajram Currit, monument kulture i kategorisë së parë

Mulliri i Bajram Currit, monument kulture i kategorisë I i është nënshtruar ditët e fundit restaurimit, për t’u kthyer në identitet.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se ky objekt i është nënshtruar restaurimit me projekt të miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) dhe me fondet e buxhetit të shtetit. Kjo ndërtesë gjendet në fshatin Shoshan, Tropojë, daton në fundin e viteve 1800 dhe është një ndërtim që e gjejmë shpesh në zonën e Tropojës.

Sipas DRTK, Shkodër kemi të bëjmë me një ndërtim tip kullë guri, dykatëshe, mbuluar me furde pishe.

Mulliri i Bajram Currit ose siç thuhet nga vendasit Mulliri i Currit është ndërtuar me financimet e kësaj figure popullore në ndihmë të Malësisë së Gjakovës rreth 120 vite më parë.

Pas shumë kohësh ky mulli me vlera kulturore e historike po restaurohet, pasi për shkak të mosmirëmbajtjes rrezikonte të shembej.

Vizitorë kuriozë shkojnë shpesh drejt këtij monumenti tradicional, për natyrën e bukur, por edhe për të parë nga afër një dëshmi historike./atsh

Tropojë/ Kthim në identitet për Mullirin e Bajram Currit, monument kulture i kategorisë së parë Read More »

Aleks Buda, një nga mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike

Aleks Buda e pa për herë të parë dritën e diellit më 7 shtator 1911, në një nga shtëpitë e lagjes Kala të Elbasanit, në familjen e Taqi Budës, përfaqësues i qytetit të tij në kongreset e Manastirit dhe Elbasanit dhe mbështetës i Normales së mirënjohur të qytetit.

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot në rubrikën “Homazh” fidgurën e Aleks Budës duke e cilësuar atë “një nga dy mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike”.

“I prirur familjarisht drejt mësimnxënies dhe mësimdhënies, qysh fare i ri, Aleks Buda i avitet, nga Austria në Itali, kryeqendrave të hulumtimit shkencor në fushë të ballkanistikes; frekuenton Patsch, Joklin dhe Tagliavinin; dialogon në idiomat e shkencës me Çabejin dhe Lasgushin; përfton aftësinë e qasjeve holiste dhe analitike të historisë; me një fjalë, merr krahët e hutinit të Minervës dhe të Hegelit dhe kqyr panoramen e madhe historike, kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi Kryeministri Rama.
Me durimin dhe vetëpërmbajtjen e një filozofi antik dhe me prirjen ku bashkohej pasioni për shkencën dhe geni familjar, përballoi vënien në shënjestër nga snajperët e ideologjisë, pa iu shmangur detyrës që i kishte taksur fati: grumbulloi burimet njerëzore që krijuan botën shkencore dhe akademike shqiptare; përmblodhi në vëllime etapat kryesore të studimeve historike në Shqipëri; i dha dorë hulumtimeve enciklopedike; mbikqyri dhe redaktoi dhjetra botime të dokumentacionit të huaj mbi historinë tonë; la faqe nga më interesantet dhe me autoritativet të historiografisë shqiptare, me një thjeshtësi të admirueshme””, shtoi ai.
“Aleks Buda mbetet, së bashku me Çabejin, alter ego-n e tij të gjuhësisë shqipe, një nga dy mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike. Sa të varfër do të kishim qenë pa frymën që, në mes të tallazeve të një shoqërie të ndrydhur e nën përdhunën e diktaturës, ata injektuan në mjedisin intelektual dhe pedagogjik”, përfundoi Kryeministri Edi Rama. /atsh

Aleks Buda, një nga mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike Read More »

“Histori në Polifoni” libri më i ri i poetit Muhamet Tartari

“Histori në Polifoni” titullohet libri më i ri i Muhamet Tartarit, i cili ka sjellë përmes tij punën 45-vjeçare në fushën e polifonisë labe, kulturës dhe arsimit.

Në libër përfshihen studime, ese dhe këngë që nga kryengritja e jugut kundër Tanzimatit, në mesin e shekullit XIX, deri tek zhvillimet në fushën e arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu në libër janë pasqyruar edhe këngët e vjetra të Labërisë, të cilat hedhin dritë mbi ngjarjet e mëdha historike të kësaj zone e më gjerë.

Një vend të veçantë në librin e Tratarit zë edhe Lufta e Vlorës më 1920, duke përkujtuar përmes studimeve në këtë 100 vjetor figurat më të rëndësishme të asaj kohe. Në pjesën e dytë, autori fokusohet tek figura të ndryshme, të pushkës e penës, të valles e këngës, që dhanë kontributet e tyre në mëse dy shekuj për zonën e Labërisë. Në pjesën e tretë, shohin dritën e botimit tekste të poezive, këngëve e valleve labe të poetit Muhamet Tartari, që u kënduan në gjysmë shekulli nga grupet polifonike më në zë të trevës së Labërisë e deri tek Ansambi Kombëtar i Këngëve e Valleve, Ansambli i Ushtrisë etj.

Akademiku Vasil S. Tole, i cili ka përgatitur edhe parathënien e librit, thekson se “zakonisht hyrjet bёhen pёr tё futur nё temё lexuesin e panjohur me lёndёn qё libri sjell mё pas, e nё kёtё kuptim ato janё si njё lloj urimi mirё se ardhjeje, i ngjashёm me formulat qё zakonisht i zoti i shtёpisё i drejton me dorё nё zemёr e me gaz nё buzё, mikut, apo miqve qё pret tek dera e shtёpisё. I tillё mё duket vetja mua sot, si njё zot shtёpie imagjinar i cili fton miq e kalimtarё (nё kёtё rast lexues), pёr tu kthyer nga rruga e pёr tё qëndruar njё copё herё e pёr t’u çlodhur e soditur nё faqet e kёtij libri, pёr t’u njohur me tё zotin e vёrtetё tё librit-shtёpi, Muhamet Tartarin, kёtё “kёmbё mali” Labёrie, e shqiptarie”.

“E vёrteta kёrkon tё thuhet qё pёr Muhametin tonё nuk ka shumё nevojё tё flitet gjatё, pasi koha dhe historia ka folur e shkruar pёr tё, biles ai, ndryshe nga shumica qё kanё veç jetёn fizike, ka disa jetё: jetёn si bartёs e mbledhёs folklori, si rapsod e poet, si kёngёtar e valltar, si gazetar, drejtues e organizator i artit dhe kulturёs, pa folur pёr jetёn e pёrjetshme tё artit tё tij qё rron e pёrcillet mё tej sa herё qё kёnga dhe vallja labe kёrcehet e kёndohet”, – theksoi Tole.

“Sapo tё filloni tё shfletoni me kёrshёri faqet e kёtij libri, i cili nuk ёshtё shkruar siç shkruhen zakonisht librat. Para se faqet e kёtij libri tё ishin sё bashku, ato ishin tё shpёrndara fije-fije si pjesё e peizazhit kulturor qё Muhameti formoi me talentin, jetёn dhe veprimtarinё e tij krijuese mbi 50 vjeçare pёr njerёzit. Prandaj ato vijnё tek ne ashtu siç vijnё flora dhe fauna erёmirё e natyrёs shqiptare, tё cilat sjellin me vete gjithё elementet e botёs krijuese qё ka pёr autor Muhametin. Ajo ёshtё njё botё qё ju mirёpret krahё hapur, sepse krijuesi i saj ёshtё mbi tё gjitha njeri me zemёr tё madhe dhe me shpirt tradite e mik pritjeje. Muhameti mban emrin e profetit dhe si mbiemёr ka emrin e njё mali. Kёshtu ёshtё edhe jeta e tij. E lartё dhe e rёndё si mali nga rёndёsia dhe shpirtёrore, me paqe e bekim nga brendia e emrit tё Tij”, nënvizoi Tole.

Ndërsa mjeshtri i madh i poezisë popullore Lefter Çipa shprehet se “Muhamet Tartari është poeti – artist i shquar i Labërisë së Madhe. Krijimtaria e tij poetike është aq e dallueshme sa krijimet më të mira të poetit të Luftës së Dytë Botërore nga trevat tona, Memo Meto. Talenti i tij për mishërimin e teksteve poetike në vallen magjike të Vranishtit, është një majë e pakapshme suksesi në këtë një qind vjetësh të fundit. Në artin e Fosforinës Vënçe Labe, Muhamet Tartari është pagëzuesi më i shquar i valles burrërore.”

Libri vjen me redaktimin e studiuesit prof. dr. Bardhosh Gaçe si dhe me hyrje të akademikut prof. dr. Vasil S. Tole dhe botohet nga Shtëpia Botuese Toena.//atsh

“Histori në Polifoni” libri më i ri i poetit Muhamet Tartari Read More »