Histori

Blloshmi tregon kalvarin në burgje: Më morën jetën

Në prill të vitit 1991 në Shqipëri ndodhi një ngjarje që konfirmoi plotësisht rrëzimin e sistemit komunist. Me dekret të presidentit Ramiz Alia u liruan të gjithë të burgosurit politikë. Njëri prej tyre ishte Bedri Blloshmi, i cili në vitin 1976 u dënua me vdekje për agjitacion e propagandë. Por ndërsa të vëllanë Vilsonin e pushkatuan, atij ia konvertuan dënimin në 25 vjet burg nga të cilat bëri 16 vjet. 27 vjet më pas ai rrëfen për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” momentin e lirimit, kalvarin në burgje por edhe arsyen e madhe përse arrestuan për shkaks e nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Për lirimin e të burgosurve

“Më 27 mars të vitit 1991 ndodhesha në burgun e Burrelit. Më thanë që do lirohesha me kusht. Kjo ishte absurde. Unë bashkë me të burgosurit e tjerë kishim dëgjuar që në Shqipëri kishin ardhur përfaqësue stë Komitetit të Helsinkit dhe ata kishin kërkuar lirmin e të burgsurve politikë, por në fakt nuk besonim te ky lirim.

Kur më thanë që do lirohesha me kusht, nuk pranova. U habitën të gjithë. Më thanë që të ikja, të shkoja në shtëpi. Por si mund të pranoja unë lirimin por me kusht. Kisha bërë 16 vjet burg pa bërë asgjë dhe më kishin pushkatuar vëllanë. Por një i burgosur që i lirua atë ditë, përpara se të shkonte në shtëpinë e vet, shkoi në Tiranë dhe u dorëzoi përfaqësuesve të Helsinkit një letër që ne kishim shkruar se ndodheshim ende në burg.

U bë rrëmijë e madhe. Përfaqësues të Komiteti i Helsinkit ditën tjetër u nisën për në burgun e Burrelit, ndërsa ne që ishim në burg për gjithë natën na transferuan në Qafën e Barit. Kështu që kur ata kontrolluan qelitë nuk gjetën asnjë të burgosur politik.

Më 29 mars më liruan mua. Njeriu i parë që mendova ishte nëna. Ajo ishte njeriu që kishte vuajtur më shumë. Unë 16 vjet në burg dhe Vilsoni u pushkatua pa llogaritur babanë, xhaxhanë e të tjerë. Udhëtova deri në fshatin tim Bërzeshtë të Librazhdit.

Në orën 01.00 të natës mbërrita në shtëpi. Ishte një moment prekës. Rastësisht, edhe pse ishte vonë, dera ishte gjysmë hapur sepse babai dhe vëllai priteshin të ktheheshin nga ara ku punonin. Kur nëna më pa, shtangu dhe menjëherë i ra të fiktë. Thirra me të madhe të më ndihmonin.

Erdhën dy nuset e kushërinjve dhe e përmendëm nënë. Ajo vetëm më puthte dhe më merrte erë. Të dy qamë si fëmijë. Ishte moment prekës. Në fund tha: Ah sikur të ishte edhe Vilsoni! Pak më vonë ika në Greqi. Kur u ktheva ne të burgosurit bëmë disa greva. Mbaj mend se zumë me forcë godinë e shkollës së Partisë këtu në Laprakë. Qeveria e Ylli Bufit na pajisi me viza greke ne nja 100 të dënuar politikë dhe të gjithë bëmë pushime 1 mujore në Greqi, falas.

Oferta për të qenë bashkëpunëtor i Sigurimit

Xhaxhai im i mërzitur më tha se më kërkonin në Degën Ushtarake por sipas tij kjo nuk ishte shenjë e mirë. Unë isha në Berzeshtë dhe sipas fletëthirrjes duhet të paraqitesha për të verifikuar ditët e zborit që bënim në atë kohë. Por sipas xhaxhait kjo ishte shenjë e keqe. Më porositi të qendroja si burrë. Shkova në degën ushtarake dhe prej andej më dërguan në degën e Punëve të Brendshme.

Oficeri që më priti më tha shkoqur. Je i ri, 25 vjeç, e ke jetën përpara. Çdo bësh ti në kooperativë. Që të dalim në temë: Ti do bëhesh bashkëpunëtor i Sigurimit dhe do jetosh mes të mirave në qytetin e Librazhdit. Do kesh para sa të duash, do kesh vajza sa të duash, por vetëm me zor jo. Vetëm ama do na shërbesh ne. Do na tregosh armiqtë e popullit në Berzeshtë dhe më tej. Do ti zbulosh cilët janë. Unë nuk pranova. Ai më tha dy rrugë ke: Ose me Sigurimin, ose në burg. Unë ia ktheva kurrën e kurrës nuk bashkëpunoj. Nuk mund ta bëja këtë gjë ishte një ofertë e ndyrë që unë tu bëja keq njerëzve. Më lanë 24 orë kohë të mendohesha.

Më dërguan në hotel turizmin e Librazhdit. Ishte vatër e Sigurimit atje. Atje bëheshin të gjitha. Nuk më zuri gjumi tërë natën. Në mëngjes erdhën dhe më morën. Përsëri nuk pranova të bashkëpunoja. Pra mua që më kishin arrestuar dhe dënuar pothuajse të gjithë paraardhësit të bëhesha bashkëpunëtor i tyre?! Ishte e papranueshme. Më futën në burg me akuzën agjitacion porpagandë dhe përpjekje për rrëzimin e pushtetit popullor. Më pas arrestuan dhe vëllanë Vilsonin. Sipas atyre që kam zbuluar im vëlla Vilsoni ndiqej nga 11 bashkëpunëtorë, ndërsa unë nga 3. Në jetë të jetëve nuk do ti fal kurrë ata që më dënuan. Nuk jam hakmarrë por nuk do ti lë kurrë. I kam kërkuar instancave që ata të dënohen por nuk e kanë bërë. Më kanë marrë jetën. Nuk i fal.

Për lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës
11 prilli 1985 ishte dita më e lumtur e jetës sime. Enveri nuk merrte më frymë. Ndodhesha në Spaç. Lajmi mori dhenë dhe vërtetë ne u gëzuam. Na pikasën. Ne festonim, ata më arrestuan sepse kuptuan që ne ishim të gëzuar. Më futën në izolim në qeli dhe atje torturat ishin çnjerëzore. Më lidhën kokë e këmbë dhe më varën në një hekur. Në kokë me vendosën hekura. Unë i rashë murit me kokë dhe me doli gjak. Ky ishte shpëtimi im. Erdhën në zgjidhën dhe më lanë të lidhur në dysheme. Në fakt ata thurën një plan për të më eleminuar. Futën një të dënuar politik për të më vrarë në burg. Por ai më tregoi dhe kështu plani nuk u realizua. Qelitë ishin mizerabël. As nevojat personale nuk na linim ti kryenim. I kryenim në qeli. /Ora News/

Blloshmi tregon kalvarin në burgje: Më morën jetën Read More »

Histori: Çfarë ka ndodhur më 10 prill?

1553 – Lindi Hugo Grotius, jurist holandez-filozof, teolog, dramaturg, historiograf, poet, burrë shteti dhe diplomat. Ai hodhi themelet e së Drejtës Ndërkombëtare bazuar në ligjin natyror. Në “Mare Liberum” botuar  më 1609, Grotius formuloi parimin e ri, sipas të cilit deti është territor ndërkombëtar dhe të gjitha kombet janë të lirë ta përdorin atë për tregti detare. Kritikët thonë se Grotius, duke mbrojtur  lirinë detare, përpiqej të arsyetonte politikën holandeze për shpërbërjen e monopoleve të ndryshme tregtare, dhe që më pas Holanda të krijonte monopolin e vet.

1821 – Patriarku Gregori V i Konstandinopojës varet në litar nga osmanët në portën kryesore të Patriarkanës; trupi i tij u hodh në Bosfor. Në fillim të Luftës greke të Pavarësisë, Gregori V u fajësua nga Sulltan Mahmudi II për paaftësi për të bindur grekët të hiqnin dorë nga kryengritja (edhe pse patriarku i kishte dënuar në fakt aktivitetet kryengritëse greke). Ekzekutimi me varje i Gregorit V, sidomos të dielën në ditën e Pashkës, tronditi dhe zemëroi grekët, si dhe shkaktoi protesta në Evropë, duke nxitur lëvizjen filohelene.

1826 – Të 10 mijë e 500 banorët e Mesolongit lënë qytetin pas rrethimit për një vit nga forcat osmane. Shumë pak prej tyre mbijetuan.

1858 – Në Londër, “Big Ben”, kambana 13.76 tonëshe, e riderdhur, u vendos në Kullën e Uestminsterit.

1919 – Udhëheqësi i Revolucionit meksikan, Emiliano Zapata, vritet pabesisht në pritë nga forcat qeveritare në Morelos.

1941 – Lufta e Dytë Botërore: Fuqitë e Boshtit në Evropë krijojnë shtetin e Kroacisë të pavarur nga Jugosllavia e pushtuar.

1961 – Në Izrael fillon gjyqi ndaj nazistit Adolf Aikman për krime lufte. Në maj 1960, agjentët e Shërbimit të Sigurimit izraelit e rrëmbyen Aikmanin në Argjentinë dhe e çuan në Jerusalem për gjykim, ku ai dëshmoi pas një mburoje prej antiplumbi. Çështja ngjalli interes ndërkombëtar, duke vendosur mizoritë naziste në krye të lajmeve botërore. Aikman u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje . Ai u ekzekutua me varje më 1 qershor 1962. Trupi i tij u dogj dhe hiri u përhap në det, përtej ujërave territoriale të Izraelit. Ekzekutimi i Adolf Aikmanit mbetet i vetmi rast që Izraeli ka miratuar një dënim me vdekje.

2010 -Aeroplani i forcës ajrore polake “Tu-154M” rrëzohet pranë Smolenskut, Rusi, duke vrarë 96 njerëz në bord, përfshirë presidentin polak Leh Kazinski dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë të Polonisë.

Histori: Çfarë ka ndodhur më 10 prill? Read More »

Rrëfimi rrëqethës, Kurt Kola: Ju tregoj si vdiq vajza e Abas Kupit me burrin dhe emrat e përgjegjësve në kampin e Tepelenës

Ngjarjet e kampit famëkeq të Tepelenës gjatë regjimit diktatorjal, janë shndërruar prej ditësh në një “mollë sherri” mes historianësh. Në debat është përfshirë edhe ish i perndjekuri, Kurt Kola.

Ai ka treguar momentin e inaugurimit te kampit te Tepelenes dhe castin kur kamionet me te internuar po i drejtoheshin godines. Duke nxjerre emrat e arkitektit, komandantit dhe komisarit qe rrinin ne krye e fund te kamioneve, ai kujton castin e tmerrshem kur makina u vervit ne humnere dhe gjeten vdekjen vajza e Abas Kupit me te shoqin.

Postimi i Kurt Koles

Inagurimi i kampit terrorist te Tepelenes.

Naten e 15 prillit 1949, rreth 100 kamione ushtrie me te internuar te bashkuar Jug–Veri nje muaj me pare ne Berat, kalojne mbi uren e Gorices drejte Jugut….

Komandanti e komisari, Xhafer Pogaci e Syrja Bajrami, njeri printe autokolonen e gjate, tjetri ne kamionin e fundit. Majori, arqitekt i ketij kampi, Niqit Andoni, me nje grup oficere te MB. hipur ne nje kamjocine, kontrollonte, here para, here mbrapa autokolonen….

Pertej mesnate, kur njerzit e lodhur dremisnin mbi makina, kamiini ku ishte komisari mori rrokullimen teposhte rrepires se malit…

Komisar Syrjaj dhe shoferi ushtarak, pasi kishte drejtuar kamionin nga rrepira, kishin zbritur dhe shikonin te qete viktimat, duke rene neper shkurre!!….. Te internurit zbriten e turren te gjejne viktimat…..

I mblodhen neper dushknaj dhe i sollen ne xhade… Dy te vdekur: Fadil e Zyra Petrela ( Kupi) bija e Abas Kupit… 26 te plagosur, me thyerje kembesh, krahesh e brinjesh…..

Zoti i Madh kishte ruajtur pa asnje gervishtje 4 djemte e bashkeshorteve te vdekur, te moshes 2 deri 12 vjec!!!!

Pas kembenguljes te internuarve u thye majori kriminel Niqit Andoni qe donte nje varr te perbadhket!

Me mjete rrethanore te internuarit hapen dy varre dhe varrosen bri njeri-tjetri burr e grua ne moshe rreth 40 e 35 vec!!

Nuk di nese djemte i kane marre eshtrat e tyre e rivarros ne Tirane?

Asnje pergjegjesi, as proces- verbal nuk u mbajt per kete krim, sepse ishte i planifikuar qe kampi i eksperimenteve te torturave te fillonte me nje masaker….

Duke qene “banor” i ketij Buhenvaldi komunist fillim– mbarim, do te pasqyroj, ne vijimsi tmerret e perjetuara aty! Kurt KOLA

Rrëfimi rrëqethës, Kurt Kola: Ju tregoj si vdiq vajza e Abas Kupit me burrin dhe emrat e përgjegjësve në kampin e Tepelenës Read More »

Ja cfarë nuk dini për Shpellat e Velçës, do habiteni ! (foto)

Shpellat e Velçës

Statusi i objektit: Janë shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë me vendim nr. 1886, datë 10.06.1973.
Viti/koha e ndërtimit: Periudha e Neolitit (7000-3100 para. Kr).
Vendndodhja: Fshati Velçë, Bashkia Selenicë.
Përshkrimi: Fshati i Velçës është i vendosur në anën e djathtë të lumit Shushicë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës. Shpellat Neolitike të Velçës (Neoliti i vonë) janë të vendosura në një faqe shkëmbore mbi fshatin e sotshëm dhe janë një ndër vendbanimet e para prehistorike të zbuluara në vendin tonë, në periudhën midis dy luftrave botërore. Ato u vizituan nga prehistoriani italian Luigi Cardini në vitin 1936, i cili në vitin 1937 kreu gërmime brenda shpellës numer 2 ose të quajturën “Shpella e Maçit” dhe në koridorin e “Shpellës Kala”. Nga kuadratet e gërmimit që realizoi, gjeti depozitime materialesh prehistorike të periudhës së neolotit të vonë. Materialet litike përbëheshin nga çekanë guri, vegla stralli si prehëse, maja heshte dhe vegla prej kocke, ndërsa qeramika përbëhej kryesisht nga qeramika e zbukuruar me pikturim, si dhe ajo me incizim. Qeramika e pikturuar e lidh Velçën me kulturat e bregut të Jonit, ‘Maliqin I’ në pellgun e Korçës, si dhe me sitet Hagios Nikolaos e Astakos të Akarnanisë në Greqinë Jugperëndimore. Në vitin 1954 një grup arkeologësh shqiptar të Muzeut Arkeologjik-Etnografik, nën drejtimin e prehistorianit Frano Prendi kryen sondazhe në “Shpellën e Skotës”, ku përveç materialit neolitik u gjet qeramikë e bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm.

Bibliografia: K. Francis et Ali., Explorations in Albania, 1930-39. The notebooks of Luigi Cardini, Prehistorian with the Italian Archaeological Mission. The British School at Athens, 2005, f. 99-160; D. Mustilli., Relazione preliminare sugli scavi archeologici in Albania (1937-40). RAI, Rendiconti della classe di scienze morali e storiche, Roma 1942, f. 681-684; F. Prendi., Neoliti dhe Eneoliti në Shqipëri, Iliria 4, 1976, f. 21. 121; M. Korkuti., Qytetërimi Neolitik dhe Eneolitik në Shqipëri, ASHESH, Tiranë 2000, f. 214-215.

Funksioni: Vendbanim prehistorik, sot monument kulture.

Hyrja: Pa biletë.

Itinerari: Drejt shpellave neolitike të Velçës mund të shkohet me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën automobilistike që nis nga qyteti i Vlorës dhe të çon drejt fshatit Velçë, në një distancë rreth 40 km.

Ja cfarë nuk dini për Shpellat e Velçës, do habiteni ! (foto) Read More »

Vrasje dhe ekzekutime/ Historia e vërtetë e Vilës së Enver Hoxhës. Ja fundi tragjik i pronarëve të saj

Kur Enver Hoxha erdhi në pushtet dhe u vendos në Tiranë, ai mori një nga vilat më të bukura të kryeqytetit për të jetuar me familjen e tij.

Edhe sot që kanë kaluar shumë vite, ajo mbetet një nga vilat më të bukura të Tiranës, përpos që gjendet në zonën më të populluar të kryeqytetit.

Ajo ka një arkitekturë të bukur dhe moderne për kohën kur u ndërtua.

Por mbrapa atyre mureve, fshihet një tjetër histori diktatoriale, që ka të bëjë me vrasje dhe ekzekutime.

Kastriot Dervishi në një shkrim në Facebook para pak kohësh tregoi se cilët kanë qenë pronarët dhe si përfunduan ata pasi Hoxha i “vuri” syrin shtëpive të tyre.

Ja çfarë shkruante ai:

Historia e dy shtëpive të E. Hoxhës…

Sapo erdhi në pushtet, Enver Hoxha u vendos në hotel “Dajti” në Tiranë. Pak ditë më vonë i pëlqeu një shtëpi e ndërtuar në vitin 1942 nga një italiane, Velleda Lucia Costa. Në shtëpinë tjetër ngjitur me të (nga lindja) që i takonte pronarit Qemal Biçakçiu, u vendos Koçi Xoxe.

Shtëpia ku u vendos diktatori ishte në ish truallin e ish deputetit Hamit Myftiu nga Berati. Këtë truall, më 9.1.1940, Myftiu ia dha me qira për 99 vjet sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti. Gjatë kohës së qirasë, për 2 vjet, zonja italiane ndërtoi shtëpinë. Nisur nga kjo, ajo kërkoi ta blejë gjithë truallin duke revokuar marrëveshjen e datës 9.1.1940.

Më 2.6.1942 u përpilua “akt revokimi kontrate qiradhënie, fshirje inskriptimi hipotekar, shitje-blerje trualli dhe deklarim zotërimi shtëpie”. Zonja Velleda Lucia Costa nga Gjenova bleu gjithë truallin e shtëpisë dhe parcelës. Megjithatë në këtë shtëpi deri në vitin 1944 banuan Belloti dhe tregtari Petraq Katro nga Korça.

Qemal Biçakçiu (1921-1988) u dënua dhe vuajti burgimin në vitet 1946-1960. Pas daljes nga burgu bëri një jetë të vështirë e pa gëzime. Deri në vdekje ndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

Hamit Myftiu u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 2.3.1948.

Pasi Koçi Xoxe u largua nga shtëpia e Qemal Biçakçiut, Enver Hoxha e mori edhe atë shtëpi. Të dyja i lidhi me një korridor të përbashkët. Në vitin 1973 ngjitur me këtë shtëpi ndërtoi shtesën e re që njihet sot si vila nr.31.

Vrasje dhe ekzekutime/ Historia e vërtetë e Vilës së Enver Hoxhës. Ja fundi tragjik i pronarëve të saj Read More »

Orgjina e fjales ‘Shqiperi’ – Ky emer rrenjet i ka ne antikitet

Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike të saj.

Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali e në Greqi ky emër nuk njihet.

Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë, pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri.

Këto emra përdorin gjer më sot dhe pasardhësit e atyre shqiptarëve që u shpërngulën pak më parë, në shekullin e XIV e të XV, prej Shqipërie për në Greqi, të cilët edhe ata nuk e kanë në përdorim emrin që zotëron sot në Shqipëri; edhe ata përdorin rregullisht arbëresh për “shqiptar”, arbërishte për “gjuhë shqipe”, arbërisht për “shqip, në gjuhën shqipe”.

Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri, Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh, arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë.

Kjo pamje etnografike gjen vërtetimin e plotësimin e saj më një anë me disa të dhëna të vjetra e më të reja prej Shqipërie, më anë tjetër me dëshminë e gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët, e m‘anë tjetër me emrat e Shqipërisë e të shqiptarëve në burimet e ndryshme europiane të mesjetës.

Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së mesme ç‘merr prej Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës, pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën, dhe mal e arbën përdoret atje për “male e fusha”.

Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh, dhe Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjindet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit të XVIII, prej të shpërngulurish nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është një katund afër Tiranës.

Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe të Gjirokastrës e të Delvinës dhe arbëreshë e arbërorë banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri, po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Që ai ka qenë në përdorim me përmasa nacionale, në mbarë territorin gjuhësor të shqipes, këtë e vërtetojnë ndër të tjera edhe vargje popullore si Dalin zojat arbëneshe të anëve të Kosovës. M‘anë tjetër burimet historike të vendit e plotësojnë këtë pamje edhe për të kaluarën. Në monumentet letrare të shqipes së vjetër, të cilat rrjedhin nga shekulli i XVI e i XVII, vendi del rregullisht me emrin Arbënë , populli me arbënesh, arbëruer, dhe gjuha e tij me arbënisht.

Me këto të dhëna të brendshme në lidhje me emrin nacional të Shqipërisë e të popullit të saj, pajtojnë burimet e jashtme, dëshmia e gjuhëve të popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Edhe atje vrehet prania e këtij emri, i cili në rrymë të kohëve rrezatoi prej Shqipërie tek ata popuj. Në serbokroatishten popullore shqiptari quhet arbanas, në dokumentet mesjetare të asaj gjuhe arbanasin.

Arbananu quhet ai dhe në bullgarishten popullore, arbanas në rumanishten e vjetër, dhe tek aromunët e Shqipërisë e të Maqedonisë arbines, arbinesi, të gjitha reflekse të shqipes arbënesh e të varianteve të saj. Duke u ngjitur te burimet historike të mesjetës, në dokumentet e shkruara latinisht të vendeve perëndimore të kohës para dinastisë së Anjouve, të cilët patën marrëdhënie politike me disa treva të Shqipërisë, shqiptarët quhen arbanenses, e më vonë albanenses, dhe vendi i tyre Albania, ashtu si edhe sot.

Duke i shikuar këto dëshmi, të brendshme edhe të jashtme, me një vështrim përmbledhës, rezulton se emri nacional i hershëm i popullit shqiptar e i vendit të tij është arbën arbër me variacionet e tij, dhe se ky ka mbizotëruar në Shqipëri gjer në shekujt e parë të sundimit osman.

Ky emër rrënjët ndërkaq i ka që në kohën antike.

Sikundër dihet, astronomi e gjeografi Klaud Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit, në shekullin e dytë të erës së re, në hartën e tij botërore shënon emrin e një fisi Albanói dhe qytetin Albanópolis në një trevë të Shqipërisë të mesme, afërsisht midis Durrësit e Dibrës së sotme e në lindje të Leshit.

Prej këtij emri rrjedh rregullisht Arbën Arbër i shqipes, një dëshmi, ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autoktonë në vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vazhdimësi, një kontinuitet gjuhe të pakën që prej antikitetit.

Nga Arbën, si u tha, ka dalë në analizë të fundit emri i Shqipërisë e i shqiptarëve te popujt e Gadishullit Ballkanik e të pjesëve të tjera të Europës. Historikisht ky emër, mbi dëshminë e përbashkët të Ptolemeut, të burimeve mesjetare të vendeve të ndryshme dhe të përhapjes së sotme popullore në Shqipëri, në krye të herës pas gjithë gjasësh i ka përkitur një treve e një popullsie të Shqipërisë së mesme; ai u përgjithësua pastaj si emër nacional në mbarë vendin që në kohën para Skënderbeut.

Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të populli gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen.

Vetëm një gjë mund të thuhet me gjasë të madhe, që shqip në krye të herës ka qenë emri i gjuhës. Ky si i tillë ka qenë mbase me përdorim më të moçëm, mbase paralel me emrin arbën arbër si emër etnik, dhe pastaj do të ketë shtrirë fushën e përdorimit, duke përfshirë edhe popullin e vendin. Shihet kështu se më i vjetri shkrimtar shqiptar që njihet, Gjon Buzuku, i vitit 1555, krahas ndë Arbanit “në Shqipëri” ka shqip “në gjuhë shqipe”; ashtu dhe Pjetër Budi (1621) shqip të na e thotë, e Pjetër Bogdani (1683) një gramatikë latin e shqip. Përdorimi etnik i këtij emri rreth vitit 1700 kishte zënë rrënjë, sepse në Vendimet e Koncilit provincial të vitit 1706 krahas Arbëni “Shqipëria” dhe i Arbëneshi “shqiptari” del edhe gjuhë e Shqipëtarëvet.

Mendimi që emri shqiptar të ketë ekzistuar në Shqipëri veriore që në shekullin e XIV, e të jetë identik me emrin familjar Schivipudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder të një banori të qytetit të Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës, mbetet një hipotezë që meriton të gjurmohet më tej.

Në lidhje më në fund me burimin e dy emravet arbën edhe shqip, do pasur parasysh se shumë emra të popujve, të vjetra e më të reja, që njihen nga historia, mbeten me domethënie e burim të paditur. Një kusht paraprak i domosdoshëm në këtë fushë kërkimesh është konstatimi i formës së kryehershme të emrit përkatës. Në lidhje me këtë, për emrin e vjetër nacional të shqiptarëve mund të thuhet me siguri që nga dy format e tij, arb- dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike që u zunë ngoje më sipër.

Prandaj kërkimi i një rrënje alb- me kuptimin e pretenduar “mal”, krahasimi me emrat topike Alba- të Italisë e të viseve të tjera, me emrin e Alpeve etj., nuk kanë ndonjë bazë solide. Duke u nisur përkundrazi nga forma arb-, e nga kuptimi “fushë, rrafshinë”, i cili ruhet në mal e arbën të përmendur më lart, mund ta afrojmë këtë emër me latinishten arvum “arë, tokë e punuar, fushë”, greqishten e vjetër aroura “arë, tokë buke”, me fjalën kelte të irlandishtes së mesme arbor, shumës arbanna “drithë”. Me emrin e Arbënit mund të ketë një lidhje të moçme edhe emri i ishullit Arbe të Dalmacisë.

Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri Shqipni, prej nga ka dalë edhe folja shqipëroj, shqipëlloj “spiegoj, sqaroj” e gjuhës popullore, ky emër mbetet me gurrë të dyshimtë. Mendime që të ketë dalë nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prej këtij shpendi, qysh në kohën e Skënderbeut, duke e vënë në lidhje m‘anë tjetër këtë emërtim me fjalët e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u kremtua me epitetin “shqiponjë”, nuk duket t‘i rezistojë kritikës, po të nisemi nga trajtat e këtyre dy emrave.

Në të vërtetë, tek autorët e vjetër shqiptarë, shqip, shkruar me këtë trajtë, dallohet dukshëm nga emri i shpendit, që shkruhet tek ata rregullisht shqype, gjë që tregon se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme. Jo bindëse paraqitet dhe afrimi me qipi “mullar bari”, me paravendim (presupozim) të një kuptimi të hershëm “grumbull, popull”.

Të dyshimta mbeten dhe interpretimet e tjera të këtij emri, ai si “banor shkrepash, malesh” dhe ai si “pushkatar” prej greqishtes së re skippetto(n) “pushkë” (kjo prej italishtes schioppetto), një fjalë që dëshmohet për greqishten sëpari me shekullin e XVI-XVII. I pabesueshëm mbetet mënëfund edhe spiegimi i fjalës shqip nga latinishtja excipio; fjala latine nuk do të thotë: “kuptoj”, si kanë thënë, po “marr; vë më njanë; përjashtoj; pranoj”. Kështu, duke përfunduar, puna e burimit të fjalës shqip mbetet një çështje e hapët. /Eqerem Çabej/Kultplus

Orgjina e fjales ‘Shqiperi’ – Ky emer rrenjet i ka ne antikitet Read More »

Dokumente të rralla të vitit 1955, ja si ndikoi Moska për zhdukjen e fesë në Shqipëri

Feja dhe besimet në Shqipëri u paraqitën si shqetësim për regjimin komunist që në vitet e para të pasluftës.

Besimi në Zot dhe të gjithë praktikat fetare nuk shkonin paralel me ideologjinë komuniste.

Ndaj, drejtuesit e regjimit, të orientuar kryesisht nga Moska kishin ndërmarrë herëpasherë disa ndërhyrje në politikat qeveritare ndaj feve, madje në disa raste edhe në çështjet e brendshme të komuniteteve.

Enver Hoxha i kamuflonte ndërhyrjet e qeverisë së tij në punët e fesë në emër të emancipimit të popullit.

Dhe deri në vitin 1955, ishin bërë jo pak ndërhyrje. Por në vitin 1955, ndikimi i Bashkimit Sovjetik në çështjet e fesë në Shqipëri kishte qenë mjaft i dukshëm.

Dy dokumente që ruhen në fondin arkivor të Këshillit të Ministrave në AQSH zbulojnë përveç ndikimit dhe ndërhyrjeve të Moskës në çështjet fetare në Shqipëri edhe përmasat reale të “reformave” të regjimit komunist në drejtim të feve në vendin tonë.

Dokumenti i pari i cili mban datën 28 dhjetor 1955 është një raportim i vizitës së sekretarit të I-rë të Ambasadës Sovjetike, Vasil Siminev në zyrat kryeministrisë në Tiranë, me 27 dhjetor 1955, i cili ka kërkuar shpjegime për një varg të gjatë çështjesh që lidheshin me gjendjen e fesë në Shqipëri në vitin 1955.

Reshat Gërmenji, kryetari i Komitetit për çështjet fetare e njoftonte kryeministrin Mehmet Shehu për listën e kërkesave dhe pyetjeve që kishte drejtuar Vasil Siminev, rreth gjendes së feve dhe besimeve në Shqipëri.

Ai interesohej se në ç’bazë ishte e organizuar feja dhe a kishte një ligj për fetë, a ishin autoqefale apo me lidhje nga jashtë, çfarë ndikimi kishin në popull, a merrnin subvencione nga shtetit apo si kontrollohej buxheti i tyre e deri tek interesimi për mbajtjen e perçes, apo statistikat e sakta për përqindjen e popullsisë sipas besimeve në qytetet e mëdha…

Pyetjet që ai i drejton kryeministrit Mehmet Shehu synojnë të zbulojnë përmasat reale të ndikimit të fesë në Shqipëri.

Mes listës së gjatë të pyetjeve të sekretarit rus, bie në sy interesimi i tij se “çfarë kuadri kanë dhe a kanë shkollë për klerikë?”.

Kjo çështje është parë nga regjimi që nga kjo kohë e deri në mbylljen e plotë të kishave dhe xhamive si ”thembra e Akilit” për të minimizuar maksimalisht forcën e komuniteteve fetare. Dhe duket se kjo “detyre shtëpia” nga Moska është zbatuar me rigorozitet prej Enver Hoxhës.

Në vitin 1967 para se të niste goditjen finale Enver Hoxha e veçon çështjen e kuadrit të fesë si një shtyllë ku duhet të mbështetej regjimi, pasi pa kuadro dhe arsim fetar, fetë në shqipëri gradualiasht do të shkonin drejt eleminimit të tyre.

Pas këtij informacioni për këtë vizitë, Komiteti për Çështjet Fetare kishte përgatitur një raport të hollësishm për gjendjen e feve në Shqipëri. Raporti është dokumenti i dytë për të cilin folëm më lart.

Në të gjejmë të dhëna të vyera për statistikat e kësaj periudhe në drejtim të besimeve fetare por edhe përmasat reale të tendencës të regjimit për të ndërhyrë sa më thellë në punët e brendshme të komuniteteve fetare.

Më poshtë i sjellim ekskluzivisht dy dokumentet e dhjetorit 1955 për gjendjen e feve në Shqipëri, që zbulojnë një stacion të rëndësishëm në luftën kundër fesë, që përkon me kohën kur ndikimi i Moskës në regjimin komunist shqiptar ishte në kulmin e tij.

Dokumenti i parë

INFORMACION MBI SEKRETARIN E I-rë TË AMBASADËS SOVJETIKE, QË KËRKON DISA TË DHËNA MBI FENË NË VENDIN TONË

S H O K U

K R Y E M I N I S T Ë R

Në datën 27/XII/1955 Sekretari i I-rë i Ambasadës Sovjetike Shoku Vasil Siminev bëri takim me mua këtu në Kryeministri. Unë si përkthyes kisha Qemal Shehun.

Ay kërkoj disa të dhëna mbi fenë në vendin t’onë:

1) Në ç’bazë është organizuar feja dhe a ka ligjë.

2) Sa lloj feje janë e si janë të organizuara.

3) A janë autoqefale, apo jo, dhe a kanë lidhje nga jashtë.

4) Influenca që kanë në popull.

5) Çfar kuadri kanë dhe a kanë shkollë për klerikë.

6) Çfarë kulture kanë dhe kush ka më shumë.

7) Ku e kanë marrë kulturën.

8) A u jepet subvencion nga Shteti dhe pse u jepet.

9) Nga kush i kanë të ardhurat e tyre.

10) A ka ligjë që shteti duhet t’i ndihmojë.

11) Si kontrollohet buxheti i tyre nga shteti.

12) Kur kanë festa zyrtare dhe për vdekie a u bienë kambanave.

13) Rajonet (qarqet) që janë më fetarë.

14) Perçia që vazhdon a është influencë fetare apo zakon.

15) Nëse venë të rinj në kisha e xhamira.

16) Në qytetet më të mëdhenj cila fe ka popull më shumë.

17) Si është vënë në praktikë propaganda anti-fetare nga ana shkencore.

Përveç pikës së parë, për pikat e tjera nuk i kam përgjegjur. Ai më tha kur do më përgjigjesh? Unë i thashë, do t’u njoftoj unë kur t’i bëj gati.

Lutemi më urdhëzojni si do t’i përgjigjem, t’ja u ap të shkrojtur apo të mbajnë shënime dhe a do t’u përgjigjem me hollësi pyetjeve.

Për propagandën anti-fetare me mjete shkencore si do t’i përgjigjem.

Për komitetin për çështje klerike:

(Reshat Gërmenji)

(firma)

28/XII/1955

Më d. 3/I/956 m’u kthye nga Shoku Beqir Balluku, duke ju dhënë një kopje

Dokumenti i dytë

R E L A C I O N

MBI GJENDJEN E KISHËS NË SHQIPËRI

E gjithë Shqipëria ka një popullsi prej 1.394.310. Nga këto janë 71.20% mysliman, 18.56% orthodhoks, 10.18 katolik, 0.06 të ndryshëm.

1) Në ç’bazë është organizuarë feja dhe a ka ligjë.

Në Republikën Popullore të Shqipërisë janë katër komunitete dhe pesë sekte fetare, të cilat kanë qenë të organizuar qysh prej kohe. Në vitin 1949 ka dalë dekret-ligja mbi komunitetet fetare Nr. 743 datë 26/XI/1949 që flet mbi organizimin e komuniteteve fetare.

2) Sa lloj feje janë e si janë të organizuara.

Janë tre lloj feje Mysliman, Orthodhoks e Katolik. Myslimanët ndahen në dy komunitete, të cilët janë Bektashinjtë që e kanë komunitet më vete, këta kanë qenë sekt, por më 1928 kryetari i bektashinjve që e kish qendrën në Stamboll (Turqi) në këtë vit u përzu nga Turqia dhe erdhi u vendos në Shqipëri mbasi ky ishte shqiptar dhe fitoj të bëhet komunitet dhe botëror i cili quhej Niazi Sali Dedej, ky ka qenë i zgjedhur nga gjithë besimtarët bektashianë të botës, ky është vrarë prej fashistave Italianë në vitin 1941.

Në komunitetin mysliman janë të mvarur pesë sekte fetare të tjerë, të cilët quhen Alveti, Rrufai, Kadri, Sadi e Tixhani.

Të katër komunitetet janë të organizuarë, ku kanë nga një këshillë të përgjithëshme, i cili është organi më i lartë i komunitetit, ky mblidhet njëherë në vit dhe mer vendime, për emërime ose pushime të kuadrove të larta (dioqezave) shikon dhe aprovon buxhetin vjetor. Të gjithë komunitetet kanë statutet dhe rregulloret administrative të tyre.

3) A janë autoqefale dhe a kanë lidhje nga jashtë.

Që të gjitha janë autoqefale, as njeri nuk kanë mvarie administrative nga jashtë. Katolikët para çlirimit Shqipërisë kanë qenë të mvarur nga papa i Romës, por në vitin 1952 dhe katolikët bënë statutin dhe rregulloren e tyre dhe administrohen vetë.

4) Influenca që kanë në popull.

Në pjesën më të madhe të popullit nuk kanë influencë qoftë si fe, qoftë si klerikë. Atë pakë influencë që kanë e kanë më të shumtën në fshatarësin e malësis që janë me pakë kulturë dhe këtu e ka më shumë si fe, e si klerikë e kanë më të pakët influencën.

5) Ç’far kuadri kanë dhe a kanë shkolla për klerikë.

Simbas rregullit të tyre kuadrot kryesore i kanë të plotësuarë p.sh. myslimanët kanë kryetarin dhe tre kryemyftinj të zonave dhe 7 myftinj të qarqeve si dhe 18 nënmyftinj të rretheve.

Orthodhoksit kanë kryetarin (kryepiskopin) dhe 4 episkopë të dioqezave si dhe 17 zv.lokalë.

Katolikët kanë kryetarin me një ndihmës ipeshkv dhe 6 vikar kapitullarë.

Bektashinjtë kanë kryetarin (kryegjyshin) dhe 6 gjyshër të zonave. Nga klerikët e ulët në përgjithësi kanë mungesa, por sidomos më shumë orthodhoksit e katolikët.

Shkolla për klerikë ka vetëm komuniteti mysliman me 60 nxënës ku vazhdojnë në ‘te 4 vjet. nxënësit kur merren duhet të kenë mbaruarë shkollën 7/vjeçare.

Në gjetien e nxënësve nga viti në vit gjejnë vështirësi, më të shumtit që venë janë bij fetarësh.

Orthodhoksit e katolikët kanë marrë nga njerzit që kanë qenë në fakultetin fetar e në seminare, pse para çlirimit katolikët kanë patur fakultet dhe orthodhoksit seminar.

6) Ç’far kulture kanë dhe kush ka më shumë.

Në përgjithësi me përjashtim të katolikëve nga kultura janë të ulët. Kurse katolikët në përgjithësi i kanë me kulturë, pse të gjithë kanë theollogji.

7) Ku e kanë marrë kulturën.

Myslimanët piesa më e madhe e ka marë në Shqipëri se ka patur shkolla fetare, piesa tjetër e ka marrë kulturën në Turqi (Stamboll).

Orthodhoksit afro gjysmët e kanë marrë në Shqipëri me anë të seminareve, piesa tjetër e ka marrë në Greqi e një pjesë e vogël Rumani.

Katolikët piesa më e madhe e ka marrë në Itali dhe një pjesë në Gjermani e Shqipëri.

Bektashinjtë në përgjithësi janë autodidakt, nuk kanë patur shkolla bektashiane, një pjesë e vogël kanë nga pakë arsim shtetëror.

8) A u jepet subvencion nga shteti dhe pse u jepet.

Nga shteti u është dhënë subvencion, masi kanë qenë shumë ngushtë nga buxheti për plotësimin e rrogave të personelit dhe ky subvencion nga viti në vit u është pakësuarë.

9) Nga kush i kanë të ardhurat e tyre.

Të ardhurat i kanë nga një pjesë të vogël toke që u është lënë, nga qirat e një pjes godina të vogla që kanë dhe nga ndihmat e besimtarëve në rast festash si dhe subvencioni i dhënë nga shteti.

10) A ka ligjë që shteti duhet t’i ndihmojë.

Nuk ka ligjë që kleri të ndihmohet, në statutet e tyre dhe në dekret-ligjën mbi komunitetet fetare thuhet se eventualisht shteti mund t’u japë subvencion.

11) Si kontrollohet buxheti i tyre nga shteti.

Buxheti i tyre nhuk kontrollohet nga shteti, por po të ketë të dhëna financa se ka viedhje, ndërhyn dhe ja jep gjygjit, të tillë raste ka patur në komunitetin bektashian e mysliman.

12) Kur kanë festa zyrtare dhe për vdekie a u bienë kambanave.

Rënien e kambanave e kanë patur shumë të egzaxheruar gati tërë ditën binin kambanat, këtë e kanë patur më të zhvilluar katolikët, bile ka patur ankim nga populli.

Në vitin 1955 u është lënë që t’i bien kambanave simbas rregullit të tyre, ditët e djelave dhe të kremteve që i kanë më të forta të cilat janë 10 ditë në vit, për vdekie nuk i bien. Kjo është në qytete, kurse në katunde u është lënë simbas rregullit të tyre.

13) Rajonet (qarqet) që janë më fetare.

Qarqet që janë më fetare është Shkodra, Elbasani, Durrësi, Tirana, Berati e Korça. Me përjashtim të Shkodrës dhe Elbasanit, qarqet e tjerë në qytet nuk janë shumë fetarë, si fetarë kanë popullsinë e katundeve.

14) Perçia që vazhdon është influencë fetare apo zakon.

Një pjesë e vogël grash që mbajnë perçe ka në Shkodër dhe në rrethin e Kavajës të qarkut Durrësit. Po të shikohen familjet e grave që mbajnë perçe janë mjaft të ulët nga ana e kulturës, kështu që presioni fetar qysh prej kohe u ka mbetur zakon që të mbajnë perçe.

15) Në se venë të rinj në kisha e xhamira.

Para çlirimit sidomos në kishat dhe xhamirat vinin më shumë të rinj se sa pleq, kurse mbas çlirimit e këtej janë pakësuar shumë vajtia e të rinjve e sidomos në xhamirat e kishat orthodhokse, kurse në kishat katolike ka akoma nga të rinjtë që venë e sidomos më shumë në katundet e malsive.

16) Në qytetet më të mëdhenj cila fe ka popull më shumë.

Tirana 80% është muslimane, 16% orthodhokse, 4% katolike.

Shkodra 53% është katolike,45% myslimane, 2% orthodhokse.

Durrësi 81% është muslimane, 15% orthodhokse, 4% katolikë.

Elbasani është 90% mysliman, 9.6% orthodhoks, 0.4% katolikë.

Korça është 61% mysliman, 39% orthodhoks.

Gjirokastra është 60% orthodhoks, 40% myslimane.

Vlora është 62% myslimane, 28% orthodhokse.

Berati është 85% mysliman, 15% orthodhoks.

17) Si është vënë në praktikë propaganda anti-fetare nga ana e shkencës

Për propagandën anti-fetare, kanë dalë libra (broshura) shkenca dhe feja, mbi katoliçizmin, janë vënë në revistën Hosteni dhe gazetën Bashkimi disa klerikë me raste bërie nuskash pse përkënduarie të sëmurish.

Në grumbuj punëtorësh (kampe etjera) janë spjeguarë mbi fenomenet e natyrës (dielli, hëna, toka, shiu etj.)

Kur ka patur filma si Zekthi etj. janë propaganduarë që i ka frekuentuar masa më shumë. (tesheshi)

Dokumente të rralla të vitit 1955, ja si ndikoi Moska për zhdukjen e fesë në Shqipëri Read More »

Historia e trishtë e 13 vjeçares, mjeku nga Zagrebi sjell lajmin e mirë

Historia në emisionin ‘Shqiptarët për shqiptarët” e 13-vjeçares nga Lezha e cila vuan nga skolioza (shpina e deformuar) dhe ka nevojë për operacion ka prekur mbarë opinion publik, jo vetëm në Shqipëri por edhe në trojet e tjera ku jetojnë shqiptarë.

Mjeku shqiptar në Zagreb, Gëzim Rexhepi pasi është njohur me rastin e Dianës ka telefonuar në emisionin ‘Shqiptarët për shqiptarët’ për të dhënë lajmin e mirë.

Ai tha se 13-vjecarja do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në datë 11 prill në një klinikë në Zagreb, ndërsa një pjesë e kostos që kushton minimalisht 30 mijë euro do merret përsipër nga komuniteti shqiptar që jeton në Zagreb.

“Unë për fat të keq i takoj një grupi që shumë pak kohë të lirë kanë dhe jam fans i rregullt i emisionit tuaj. Mbasi pashë historinë e Dianës vendosa të ofroj ndihmë, pasi kam fëmijë dhe vetë. Unë e thirra Elvisin dhe komunikova me një mjek që Diana të operohet në Zagreb. Me zotin para, në datën 11 prill do fusim Dianën në operacion.

Unë nuk merrem me këto lloj operacionesh, por janë koleget e mi. Diana duhet të mbarojë moshën e pubertetit dhe do shohim nëse do ketë nevojë për operacion të dytë. Një pjesë të kostos së operacionit do e sigurojë komuniteti shqiptar në Zagreb. Ky operacion kushton minimumi 30 mijë euro për 12 ditë që do rrijë në spital. Rëndësi ka që Diana të mos ketë komplikacione të tjera”, tha mjeku Gëzim Rexhepi./News24

Historia e trishtë e 13 vjeçares, mjeku nga Zagrebi sjell lajmin e mirë Read More »