Histori

Historia e fshatit Fterra

Në fillim lugina e Fterres, me kodrat e faqet e maleve që e rrethojnë, ka qenë shfrytëzuar si kullotë e zonë e pasur në gjueti. Vizitorët e parë që vinin herë pas here, kishin populluar bregdetin e detit Jon shumë herët.

Ata vinin nga Kalaja e Bardh (midis Borshit e Piqerasit), nga kalaja e Sopotit ose Kalaja e Borshit , nga kalaja e Qeparoit, kala që, siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, kanë qenë banuar qysh në kohën e bronzit (rreth 3000 vjet më parë).

Për lashtësinë e fshatit na vijnë në ndihmë të dhënat gjuhësore, emrat e vendeve, shumica e të cilave janë emra të mirëfillte shqip. Qafa e Qishes, lidhet me ekzistencën e një lagjeje në |Qafë të Qishës. Atje ka mure shtëpish që i takojnë shekullit IX-X të erës sonë.

Një grup tjetër emrash si lxuar-lxor (burim), Berda-kodër e vogël, varre-tog me gurë të vegjël etj., lidhen me ardhjen e një popullsie me origjinë sllave, ose për të qenë më të saktë, me përfshirjen e fshatit tonë nën pushtimin administrativ të shtetit Bullgar. Të tjera emra vendesh shpjegohen me ndikimin e gjuhës turke e greke, si derven, foti, hon, perivol e shumë të tjera.

Edhe toponimet Galile, |Kikë, apo emrat e njerëzve |Avrec-Jevrej, |Rahile etj., janë me prejardhje Hebreje dhe pa mëdyshje duhet të lidhen me vendosjen e ndonjë familjeje Hebre në shekullin XVII.

Dokumenti i parë i shkruar për ekzistencën e fshatit është Defteri Osman i vitit 1431 i njohur me emrin deftri i sanxhakut shqiptar( Sureti Defter-i-sancak-i-Arvanid), i cili na bën të njohur se Efteran-Ifteran-Fterra, bënte pjesë në nahijen e Sapoti, kazaja e Gjirokastrës Gjirokastra, dhe kishte në atë kohë 12 hane, familje me kryefamiljar, si dhe familje të tjera që paguanin taksa më të vogla.

Në defetrin e vitit 1583, d.m.th. pas 150 vitesh, del përsëri emri i fshatit Ifteran me 24 zjarre (shtëpi). Fshat me 60 burra. Me 30 shtëpi të krishtera. Një familje muslimane me tokë. Një familje muslimane pa tokë.Kjo tregon që myslimanizmi në Fterrë ka rrënjë më të hershme se koha e Ali Pashës. Katër beqarë. Në këtë kohë fshati i Kuçit kishte gjithsejt 20 shtëpi.Borshi 75 shtëpi.Çorraj 116 shtëpi.

 

Historia e fshatit Fterra Read More »

Shikojeni mirë këtë foto, do ju rrëqethi shpirtin historia që fshihet pas saj

Historitëve e luftes ne Kosove jane nga me te ndryshmet, por kjo e fundit te copeton shpirtin.

Peter Turnley, fotograf i njohur amerikan që ka disa fotografi me pamje nga lufta në Kosovë, ka një fotografi që arrin të depërtoj në ndjenjat e të gjithë atyre që e shohin. Një pikëllim i tillë e ka përshkuar edhe autorin e fotografisë, të cilin edhe për shumë vite e ka përcjellë dëshpërimi i pamjes së personazhit të fotografisë, , shkruan KultPlus.

Mustafa Xaja është personazhi kryesor i kësaj fotografie. Një burrë nga qyteti i Mitrovicës që sapo ishte liruar nga një burg serb dhe ishte detyruar të kalonte kufirin në Shqipëri. Momenti më prekës i kësaj fotografie është kur ai ka nxjerrë dy fotografi të fëmijëve të tij që ai druhej se u vranë nga serbët mirëpo pas kthimit në Kosovë pas luftës e kishte kuptuar se familja e tij është gjallë dhe e sigurt.

Në një artikull të News Week, autori ka treguar gjithë historinë e kësaj fotografie që nga momenti kur i është afruar Mustafa Xajes e deri tek kthimi i fotografit për të kuptuar më shumë rreth jetës së tij.

“Më ra në sy sepse dukej si një burrë i madh dhe i fuqishëm por ai fshehte brenda vetes shumë pikëllim. Ai e nxori kuletën e tij dhe më tregoi dy fotografi të vogla të një djaloshi dhe vajze të mrekullueshme”, ishte shprehur vite më parë fotografi Peter Tunley.
Kjo fotografi ishte vendosur para dy dekadave në ballinën e Newsweek International ndërsa për këtë të përjavshme, autori i fotografisë kishte treguar i kënaqur që gjendja e tij tani po kapërcente pranë syve të shumë njerëzve.

auto_13foto11523602049

“Ai duke qarë, i vuri fotografitë pranë fytyrës së tij. Fotoja më pas u vendos në koperinë dhe unë isha i gëzuar që kaq shumë njerëz e panë gjendjen e Mustafës, por nuk e dija se çfarë i kishte ndodhur atij më pas”, kishte thënë fotografi Tunley.
Pas disa vitesh ai ishte kthyer përsëri në Kosovë, ndërsa kishte marr rrugën për në Mitrovicë, në vendin ku jeton Mustafa Xaja dhe kjo për të kuptuar fatin e Xajes dhe familjes së tij.

“Shumë më vonë u ktheva në Kosovë dhe shkova në Mitrovicë, në qytetin e Mustafës. I tregova fotografitë njerëzve në rrugë dhe e gjeta Mustafën duke qëndruar vetëm pak metra larg meje. Më gëzoi më së shumti fakti që bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin gjallë dhe familja ishte ribashkuar. Gjetja e tyre së bashku ishte një mënyrë e shkëlqyer për t’i dhënë fund vitit”, kishte përfunduar fotografi Peter Tunley.

Shikojeni mirë këtë foto, do ju rrëqethi shpirtin historia që fshihet pas saj Read More »

Si u prek Shqipëria nga rënia e Wall Street dhe Depresioni i Madh në vitet ‘30? Nga kartelet e fajdet te zija e bukës e vetëvrasjet!

Tregtia e jashtme ishte e para që vuajti pasojat e krizës ekonomike. Gjatë kësaj periudhe importi dhe eksporti i mallrave do të arrinin nivelet e viteve të para të pasluftës së parë Botërore.
Shkruan Kreshnik Kuçaj

Kriza ekonomike botërore e njohur si “Depresioni i Madh” filloi në tetor të vitit 1929 me kolapsin e Wall Street në Shtete e dhe shumë shpejt u përhap në mbarë botën. Efektet që solli kjo krizë ishin papunësia e lartë, varfëri, përfitime të ulëta, deflacion, ulje të të ardhurave në bujqësi e rënie të theksuar ekonomike. Por mbi të gjitha, kjo krizë solli një humbje të besimit për një rritje ekonomike në të ardhmen. Kriza e nisur në vitin 1928 do të zgjaste deri në vitin 1933.

Por si u ndje në Shqipëri “Depresioni i Madh”?

Në fakt, Shqipëria do të përjetonte një krizë të thellë e më të zgjatur në kohë, deri në atë pikë sa mund të konsiderohet katastrofë si për ekonominë shtetërore, ashtu edhe për familjare. E kësaj krize, që ndikoi negativisht te dërgesat e emigrantëve e te tregtia e jashtme, me pasoja zinxhir në ekonomi më pas, do t’i shtohej edhe një periudhë e keqe stinore e prodhimit të drithit për bukë e një periudhë e tensionuar e marrëdhënieve politike të Shqipërisë me Italinë. Marrëdhëniet e tensionuara do të sillnin më pas edhe ndërprerjen e një burimi të rëndësishëm që kishte shërbyer si “oksigjen” për balancën që vinte nga këstet e kredisë të cilat përdoreshin edhe për financimin e deficitit buxhetor.

Rënie e dërgesave të emigrantëve

Dërgesat e emigrantëve, sidomos e atyre nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbënin një zë të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare. Para krizës ekonomike, emigrantët dërgonin mesatarisht 10 milionë franga ari në vit. Gjatë krizës, ata dërgonin më pak se 4 milionë franga, çka dobësoi më shumë fuqinë blerëse e paguese të detyrimeve fiskale nga ana e familjeve shqiptare.  Në këtë mënyrë, kriza u ndje në buxhetet familjare, me ndikim direkt edhe në arkën e shtetit.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe Shqipëria njohu edhe një kthim të emigrantëve në vendlindje ndërsa emigracioni në vetvete nuk konsiderohej më një alternativë. Pasojat që do ta shoqëronin këtë periudhë do të ishin lëvizjet nga qyteti në fshat për të siguruar nevojat bazë të jetesës por edhe  thellimi i papunësisë në vend.

“Zhdukja” e parasë dhe fajdet

Pasojat e krizës ekonomike do të ndjeheshin edhe në zhvlerësimin e frangut shqiptar. Zhvlerësimi i tij në këtë periudhë arriti në 5-6 % çka shkaktoi panik te tregtarët e biznesmenët e tjerë të cilën shkëmbyen kartëmonedhat me monedha ari duke ndikuar negativisht te politika e bankës për kontrollin e parasë në qarkullim. Mbushja e sporteleve të bankës qendrore për shkëmbimin e parave solli një pakësim të parasë në qarkullim me 4 milionë franga; nga 14 milion ra në rreth 10 milionë franga.

Nga ana tjetër, u rrit ndjeshëm edhe fenomeni i fajdeve ku kamata arriti deri në 100 %.

Pasojat në tregtinë e jashtme

Tregtia e jashtme ishte e para që vuajti pasojat e krizës ekonomike. Gjatë kësaj periudhe importi dhe eksporti i mallrave do të arrinin nivelet e viteve të para të pasluftës së parë Botërore.

Në vitin 1929 kur filloi kriza, eksportet ishin në nivelin e 14.6 milionë franga ari ndërsa një vit më pas ato do të nisnin serinë e përvitshme të rënieve përkatësisht 12.3 milion franga ari në 1930, 7.5 milionë franga ari në 1931, 4.5 milion franga ari në 1932, 5.7 milion franga ari në në 1933 për të rënë në 4.3 milionë franga në vitin 1934. Brenda një periudhë të shkurtër, eksportet e mallrave shqiptare drejt vendeve të tjera shënojnë rënie të konsiderueshme me 10 milion franga më pak.

Situata ishte e ngjashme edhe me importet. Në vitin 1929 importet ishin në nivelin e 38.6 milionë franga ari për të zbritur në vitin 1930 në 33.2 milionë franga ari, e për të vijuar rënien e përvitshme përkatësisht 29.5 milionë franga në 1931, 22.8 milionë franga në 1932, 15.9 milionë franga në 1933 dhe 12.3 milionë franga në 1934. Rënia e importeve në këtë periudhë është me tre herë krahasuar me vitin e parë të krizës. Shkëmbimet tregtare do të vijonin me këtë tendencë deri në mesin e vitit 1935.

Goditja e bujqësisë, zija e bukës e vetëvrasjet

Goditjen më madhe nga kriza do të merrnin fermerët e fshatarët të cilët në pamundësi për të shitur produktet e tyre jashtë vendit, ku kishte rënë kërkesa, u detyruan të ulnin çmimet me ritme të shpejta. Por paratë në qarkullim ishin pak. E kësaj krize do t’i shtohej edhe një krizë tjetër, ajo e të korrave të pakta të misrit që do të reflektohej në zi buke në mbarë vendin, sidomos në zonat e thella malore.

Banorët e këtyre zonave u detyruan të shisnin gjithçka kishin për t’i shpëtuar urisë. Misri përbënte ushqimin kryesor për një pjesë të madhe të popullsisë dhe vonesat që pati në fillim qeveria për importin e misrit do të sillnin një shtrenjtim të çmimit të tij në treg e abuzime gjithashtu. Në vitin 1931, qeveria u detyrua të marrë masa duke importuar misër por sërish nuk do të kishte një zgjidhje të problemit për faktin se familjeve shqiptare u mungonin paratë për blerjen e tij. Në këtë periudhë nuk mungojnë as rastet e vetëvrasjes si pasojë e dëshpëruimit për pamundësinë e sigurimit të jetesës.

Në këtë periudhë, nuk mungojnë as fushatat për të ndihmuar të uriturit. Sa i përket blegtorisë, ajo do të përballej me një pakësim për faktin se kafshët do të pakësoheshin nga nevoja për t’u ushqyer familjet.

Falimentimet në industri dhe lindja e karteleve

Në vitin 1930-1931 kriza goditi rëndë industrinë e ndërtimit. Fabrika e çimentos e Shkodrës, për arsye teknike por edhe financiare ndali prodhimin dhe falimentoi. Po ashtu, nga 10 fabrika cigaresh, 5 prej tyre mbyllën aktivitetin në vend.

Një goditje të rëndë mori edhe artizanati dhe degët e tjera të industrisë gjithashtu, produktet e të cilëve konkurroheshin fort nga mallrat e eksportit. Gjatë kësaj periudhë nuk u hapën fabrika të reja, ndërsa ato ekzistuese e ngadalësuan veprimtarinë e tyre ekonomike apo e ndërprenë përkohësisht atë. Me mijëra zejtarë nuk arrinin të paguanin taksat e të shisnin produktet e tyre, çka solli një varfërim të thellë të kësaj kategorie, duke i detyruar ata që të mbyllnin dyqanet e punishtet.

Për t’i bërë ballë situatës së vështirë ekonomike, ku eksportet kishin mungesë të theksuar e tregu i brendshëm ishte i vogël për të përballuar vijimin e aktivitetit ekonomike, disa sektorë të industrisë ushqimore si industria e miellit apo ajo e alkoolit do të bashkoheshin në formën e karteleve duke ndarë mes tyre tregun.

Pamundësia e mbledhjes së taksave dhe e dhënies së pagave

Arkat e shtetit do të përballej në këtë periudhe me problematika serioze, aq sa nuk do të arrinte dot as të paguante pagat e nëpunësve. Në rrethe, vonesat shkonin deri në 6 muaj. Nga ana tjetër, kishte shumë vështirësi për mbledhjen e taksave, pavarësisht masave shtrënguese që u ndërmorën.

Politikat fiskale të kësaj periudhe rezultuan të pasuksesshme. Mallrat e sekuestruara si rrjedhojë e detyrimeve të prapambetura nuk kishin ku shiteshin si rrjedhojë e pamundësisë që kishte në vend për blerjen e tyre. Po ashtu, edhe alternativa e burgosjes nuk funksionoi e madje u konsiderua si një zgjidhje edhe më e kushtueshme pasi të burgosurit duheshin ushqyer e si rrjedhojë kostot rriteshin edhe më tej për arkën e boshatisur të shtetit.

Mospagimi i taksave në këtë periudhë vetëm në fshat vlerësohej se ishte kishte krijuar një borxh në nivelet 20 milionë franga ari.

“Oksigjeni” i munguar nga jashtë

Në dy vitet e para të krizës, qeveria bëri përpjekje për të luftuar pasojat e krizës përmës politikës së rritjes së shpenzimeve. Kjo i mundësohej edhe nga fakti se ishte nënshkruar marrëveshja për një kredi nga Italia, që parashikonte ndër të tjera edhe krijimin e një mekanizmi ekonomik për zhvillimin e vendit të emërtuar SVEA. Marrëveshja ishte nënshkruar në vitin 1925 dhe parashikonte një hua 50 milionë franga ari për të financur veprat publike të cilat i nevojiteshin Shqipërisë.

Për formimin e kapitalit të këtij mekanizmi do të kontribuonin bankat e nivelit të dytë të Italisë dhe Instituti Italian për Kolonizimin dhe Ndërmarrjet e Punëve Italiane jashtë Vendit e si rrjedhojë marrëveshja parashikonte edhe koncesione në territorin shqiptar për kompanitë italiane.

Por krahas investimeve, këstet e kredisë që merreshin nga ky mekanizëm do t’i shërbenin qeverisë për të kuruar “sëmundjen kronike” të deficitit buxhetor.

Gjithsesi marrëdhëniet e disbursimit të kredisë dhe pagesa e kësteve u përballen me tensione të shumta e bllokime për shkak të pamundësisë së Shqipërisë për t’i paguar e për shkak të politikës së zgjerimit të prezencës së kapitalit të saj që ndiqte Italia në ato vite në Shqipëri.

Ndërsa vendi ndodhej në krizë, në vitin 1931, Italia kërcënoi me mosrinovimin e marrëveshjes financiare me Shqipërisë, çka nënkupton ndërprerjen e financimeve nga jashtë. Kjo e detyroi qeverinë shqiptare që jo vetëm të shkurtonte shpenzimet por edhe të shihte mënyra të tjera financimi; mes të cilave edhe opsioni i një kredia nga Lidhja e Kombeve, emetimi i kartëmonedhave apo edhe një hua e brendshme.

Asnjëra nga këto tre të fundit nuk u realizua dot duke vështirësuar në këtë mënyrë edhe më shumë pasojat e krizës ekonomike me të cilën po përballej vendi. Tensionet diplomatike mes dy vendeve, bllokimi i i financimeve nga jashtë e kërkesat e shumta që vinin nga Italia do të zgjidheshin në vitin 1936 por ndërkohë kishin përkeqësuar edhe më shumë pasojat ekonomike në vend e kishin krijuar dëshpërim jo vetëm në popullatë por tashmë edhe te shtetarët-negociatorë.

E kjo zgjidhje do të funksiononte deri në vitin 1939 kur vendi u pushtua nga Italia./SCAN/

Si u prek Shqipëria nga rënia e Wall Street dhe Depresioni i Madh në vitet ‘30? Nga kartelet e fajdet te zija e bukës e vetëvrasjet! Read More »

Histori: Çfarë ka ndodhur më 12 prill?

Nga perandori ilir te kozmonauti sovjetik Juri Gagarin që bëhet njeriu i parë në hapësirë e deri te dënimi i Klinton

467 – Anthemius (Anthemi) vjen në krye të Perandorisë Romake të Perëndimit. Ai i përkiste familjes fisnike ilire Prokopia, nga e cila kishin dalë disa oficerë të lartë, si civilë dhe ushtarakë. Gjyshi i Anthemit, ishte nip i Konstandinit të madh.

1484 – Lindi Antonio da Sangallo i Riu, arkitekti italian, që projektoi Pallatin Apostolik dhe Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, (vdiq më 1546)

1654 – Londër. Shpallet Bashkimi i Anglisë dhe Skocisë, Mbretëria e Bashkuar miratohet nga Këshilli i Shtetit.

1857 – Në Francë, Gustave Flaubert boton romanin “Madame Bovary”, rrëfim klasik i dashurisë dhe ndëshkimit; portret i gruas dhe tradhëtisë bashkëshortore. Libri u kritikua dhe u ndalua për një periudhë.

1919 – Parlamenti britanik miraton javën 48-orëshe të punës, si dhe pagën minimale (paga më e ulët e lejueshme).

1931 – Votuesit spanjollë refuzojë monarkinë – duke shkaktuar përçarje, të cilat çuan në Luftën e Madhe Civile.

1935 – Radio. Transmetohet për herë të parë programi “Hit Parade” me këngët më mira.

1945 – Vdiq Franklin Roosevelt (63 vjeç). Rusvelti (me këmbë të paralizuara nga poliomeliti) u zgjodh president në nëntor të vitit 1932,

Ai është presidenti i vetëm amerikan, i zgjedhur për katër mandate. Pas tij, Kongresi miratoi ligjin; një president mund të zgjidhje për jo më shumë se dy mandate.

1961 –  Kozmonauti sovjetik Juri Gagarin bëhet njeriu i parë në hapësirë dhe njeriu i parë në orbitën e tokës në një anije hapësinore.

1999 – SHBA, Arkansas – gjykatësja federale Susan Webber Wright gjen fajtor presidentin Klinton për shpërfillje të gjykatës pasi kishte gënjyer në lidhje me marrëdhëniet e tij me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë, Monika Lewinsky.

Histori: Çfarë ka ndodhur më 12 prill? Read More »

Tirana në vitet e Luftës, fotot e rralla në qershor 1944

Studiues të shumtë shqiptarë dhe të huaj, duke hedhur dritë mbi veprimtarinë e trupit diplomatik të Gjermanisë në Shqipërinë e Paraluftës dhe gjatë saj (1932-1944), kanë arritur të zbulojnë edhe imazhin e selisë së Legatës, apo Konsullatës gjermane, pasi ajo e ndërroi shpesh emërtimin, madje edhe vendndodhjen e saj në Tiranë.

Shkruan Armand Plaka

Studiues të shumtë shqiptarë dhe të huaj, duke hedhur dritë mbi veprimtarinë e trupit diplomatik të Gjermanisë në Shqipërinë e Paraluftës dhe gjatë saj (1932-1944), kanë arritur të zbulojnë edhe imazhin e selisë së Legatës, apo Konsullatës gjermane, pasi ajo e ndërroi shpesh emërtimin, madje edhe vendndodhjen e saj në Tiranë.

Sidoqoftë, gjërat tashmë janë qartësuar plotësisht dhe dihet se ajo që sot njohim si “Vila e Mehdi Frashërit”, në një nga rrugët mes RTSH-së dhe Ambasadës së SHBA, ka shërbyer në funksion të plotë gjatë viteve të Luftës së Dytë, deri më 17 tetor 1944, si seli diplomatike e Rajhut të Tretë në Shqipëri.

Në dekadat që pasuan pas Luftës, për shumë vite ajo shërbeu si seli e Ambasadës së ish-RDGJ-së. Sidoqoftë, në fotot e sjella në këto materiale, haset vetëm pamja e mjegullt e asaj vile në bardhezi, apo e pamjes që ajo ka sot ( me ngjyra), duke vlerësuar se pas rikonstruksionit që i është bërë asaj pas rënies së monizmit, ka arritur fatmirësisht të ruajë tërësisht formën dhe strukturën.

Megjithatë, aty nuk arrihet të përftohet dot ideja nëse është marrë në vitet 1943-’44, kur Shqipëria ishte e pushtuar prej gjermanëve, apo i takon viteve të mëparshme, të Zogut apo të pushtimit italian. Pra, më së shumti ka qenë një foto ilustruese pa datë të saktë, e as pajisur me ndonjë shenjë e tabelë të veçantë, të cilat do t’a bënin atë të cilësohej si “autentike”.

Nisur nga kjo, fotoja që po botoj në këtë artikull shoqërues, është e para që mbart në hyrje të saj tabelën “Deutsche Gesandschaft”, çka në shqip do të thotë: Legata, apo “Misioni Diplomatik Gjerman”, dhe është realizuar përkrah një seti shumë interesant fotosh të tjera të Tiranës, nga fotografi gjerman, Georg Fruhstorfer në qershor të vitit 1944, pikërisht në kulmin e prezencës gjermane në Shqipëri.

Tirana në vitet e Luftës, fotot e rralla në qershor 1944 Read More »

“Sara Blloshmi, bashkëshortja bukuroshe e një deputeti më e njohura e Tiranës”

Sara Blloshmi, gruaja më e njohur e Tiranës, mbesa e Ismail Qemalit, ne nje foto te vitit 1929. Ja cfare shkruante per te Ambasadori Gjerman ne 1926: “Tiranë, 3 Janar 1926
Në festën e Vitit të Ri, tek ambasadori amerikan ngjau diçka, që meriton vëmendjen e gjithë atyre që interesohen për çështje historiko- kulturore. Për herë të parë në Shqipëri një grua myslimane vallëzoi në publik. Ishte po e njëjta grua, e cila as dy vjet më parë në njërën nga festat e organizuara prej diplomatëve – asokohe tepër të pakët – rrinte në lozhën e mënjanuar, e rrethuar nga katër kujdestare dhe vërente nga larg atë çka për të ishte e ndaluar. Sepse vallëzimi i gruas në publik këtu ende dënohet me ligj… Zonja Blloshmi, bashkëshortja bukuroshe e një deputeti, dhe motra e saj, kërcyen të pambuluara me ferexhe dhe të veshura me fustane të shkurtra fokstrot dhe shimi me pasion dhe me hov deri përtej mesnatës. Më tre të mëngjesit, ndërsa vallëzonin të palodhura, dukej se dy të zgjidhurat nga vargonjtë ende s’po bëheshin të ndërgjegjshme se shkundja e tyre e gjymtyrëve sinjalizonte ndoshta ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë… Efekti i këtij emancipimi qe i shumëllojshëm. Ndërsa një pjesë s’u çuditën dhe aq, duke qenë se zonja Blloshmi ka disa kohë që shfaqet e pambuluar në shtëpitë e botës, ambasadorit amerikan dukej se arritjet e përparimit, e lirisë dhe qytetërimit i shijuan veçanërisht. Ka tepër të ngjarë që të ketë informuar me një telegram edhe Shtëpinë e Bardhë. Shqiptarët pleq nga ana tjetër u ndjenë thellësisht të fyer. S’paskësh mbetur më gjë e shenjtë mbi dhe, menduan, duke u dridhur nga përfytyrimi i një Shqipërie të ardhshme me kapela dhe dansim, futboll dhe poker, me trarà burse e mish derri dhe me një ngutje e dalldisje të jetës, që deri dje rridhte e qetë dhe plot filozofi…

Kardoff (ambasadori gjerman)

Përktheu Ani Wilms”

“Sara Blloshmi, bashkëshortja bukuroshe e një deputeti më e njohura e Tiranës” Read More »

E panjohur nga ’90-ta: kur të burgosurit politikë i çuan fshehtaz një letër Berishës dhe kryedemokrati nuk e botoi

Është temë më vetë debati ajo se pse PD në fillimet e saj nuk i kishte fare “në hesap” të burgosurit e të përndjekurit politikë. Këtë e tregon një letër e rrallë që i është dërguar kret demokrat Berisha në dhjetor ’90-të nga një grup të dënuarish të burgut në Kosovë të Madhe, Lushnje.
Bëhet e ditur kjo nga njëri prej tyre, Fatos Lubonja, i cili qe ndër ata që vitet e fundit të dënimit i kreu aty, prej nga dhe u lirua më pas me ardhjen e erës demokratike.

Edhe vetë ai që bën me dije se kjo letër që iu dërgua Berishës, u “shpërfill” prej këtij të fundit.

“Më 19 Dhjetor 1990, pra vetëm disa ditë pas formimit të Partisë Demokratike, sëbashku me një grup bashkëvuajtësish i kam dërguar ilegalisht nga burgu Sali Berishës një letër me kërkesën që të botohet në shtypin e PD-së. Arsyet pse ajo nuk e ka pa dritën e botimit nuk i di mirë, por pasi u zhburgova dhe pyeta se pse kjo letër nuk u botua, dikush më tha se asokohe ishte kompromentuese për PD-në të tregonte se kishte lidhje me të persëkutuarit politikë”, shkruan Lubonja në përmbledhjen e tij publicistike “Liri e kërcënuar”, botim i afro 20 viteve më parë.

Veç kësaj, pra aspektit denoncues të faktit se PD-ja e nisi moralisht jo mirë rrugëtimin e saj në raport me viktimat e komunizmit, letra ka brenda dhe vizionin e një pjesë të burgosurish mbi Shqipërinë post-komuniste, i mbingarkuar nga një idealizëm naiv, sidomos në funksion të asaj që ato vite do ishte kredo e kohës nga një pjesë e mendimit elitar shqiptar: nevoja për pajtim kombëtar.

Ngjan naiv parë me syrin e sotëm, por aspak nga ai i djeshmi, kur sheh sot se çfarë plagësh plus ka krijuar gjuha politike, ku burimin e ka nga e djeshmja nën komunizëm.

Letra e plotë:

Zotit Sali Berisha, Nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike
“Pas lotëve sytë shohin më mirë…”

Populli

Nga burgu i Kosovës, që besojmë ta dini se ndodhet në një humbëritë mes Lushnjes dhe Elbasanit, po ndjekim dhe ne, me aq sa mundemi, kthesat dramatike që po përjeton Shqipëria, Atdheu ynë, dhe po i ndjekim jo thjesht si spektatorë indiferentë, as thjesht si të ngujuar që presin, me rastin e këtyre zhvillimeve, të zhburgohen prej këtej e të fitojnë lirinë individiuale, por dhe duke diskutuar e medituar rreth fateve të kombit tonë, rreth së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së tij, rreth rrugëve dhe mënyrave optimale se si të arrihet sa më shpejt dhe sa më pa dhembje për popullin një demokraci e njëmendtë dhe e qëndrueshme, duke kërkuar pra, fundja më në fund, të gjejmë dhe në pozicionin dhe disponimin tonë ndaj rrymave dhe tendëncave politike që shohim e ndjejmë të ravijëzohen, ku haptas e kun ë mënyrë latente, ku paqësisht e ku vrullshëm, në bocetin pluralist të Shqipërisë.

Me aq sa mund të vërejmë e analizojmë prej këndej atë që mund të quhet tashmë opozita shqiptare ndaj partisë në fuqi, konstatojmë se mund të dallohen aty, ndonëse jo shkoqur dhe në vijë ndarëse të prerë, dy rryma kryesore: një rrymë të moderuarish, që duket se tenton të grupohet rreth Partisë tuaj Demokratike dhe një frymë, po e quajmë radikale, që e manifestoi vullnetin e vet politik më vrullshëm (edhe nëpërmjet ndonjë eksesi), në manifestimet e protestës së Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Durrësit (me aq sa dimë ne).

Mendojmë se, nëse është e vërtetë, sikurse besojmë, se ekziston një diferencë e tillë, e shfaqur apo latente, një akt apo në potencë, mendojmë pra se shkak i saj nuk është divergjenca e pikëpamjeve politike, të cilat në Shqipëri ende nuk mund të thuhet se janë kristalizuar, as dhe ndonjë diferencë e lehtë në shtresëzim social apo nivel intelektual, por ajo që nga partia në fuqi është quajtur politikë e goditjes, e mbështetur në parimin antihuman të luftës së klasave.

Në mënyrë me eksplicite duam të themi se, ndërsa në pjesën më të madhe tuajën, që u bëtë nismëtarë të krijimit të Partisë Demokratike, nuk ka rënë direkt dhe pa mëshirë goditja e së ashtëquajturës “diktaturë e proletariatit”, madje shumë prej jush mund të jenë bij e farefis komunistësh, mbi krahanën tjetër, e cila fatkeqësisht ka qenë mjaft e madhe, kjo goditje ka qenë direkt dhe pa mëshirë, duke marrë hera-herës dhe trajta genocidi. Kjo diferencë kujtojmë se është një nga shkaqet thelbësore që bën të përjetohen në mënyra të ndryshme, qoftë emocionalisht, qoftë intelektualisht, qoftë moralisht kthesat dramatike në Shqipëri.

Kjo diferencë bën që, ndaj partisë në fuqi, ju të jeni më shumë tolerantë dhe komprensivë se sa intrasigjentë, më shumë të prirur kah debate dhe dialogu se sa konfrontimi dhe konflikti, më shumë për frymën e pajtimin se sa armiqësimit, më shumë për ruajtjen e rindërtimin e atyre vlerave që janë ndërtuar në kohën e saj, se sa për shkatërrimin e gjithçkaje ajo ka ndërtuar. Kjo diferencë bëri që deri diku të thuhet e anasjelltas për një pjesë të krahanës tjetër, por mendojmë gjithashtu se njohja e kësaj diference kërkon më shumë komprension ndaj ndonjë fenomeni ekstremist të manifestuar prej kësaj pjese që duket më pak e disponuar për të bërë kompromisin mess ë shkuarës dhe së tashmes, kompromis që, për mendimin tonë, është një domosdoshmëri historike.

Le të shpjegohemi më tej rreth pozicionimit dhe disponimit tonë. Na e thotë mendja se ne, të burgosurit politikë, që kemi vuajtur më shumë se kushdo nga ky regjim, që konsiderohemi edhe për këtë si kundërshtarët më të skajshëm të partisë që ai përfaqëson, shumëkushi,  a priori, na vendon në anën më esktreme të krahanës apo rrymës që e quajtëm radikale; shumëkush sheh tek ne vetëm forca destruktive, të etura për revansh, hakmarrje dhe larje hesapesh.

Kanë plot arsye për të mënduar kësisoj, por jo të gjitha arsyet. Është e vërtetë se ne burgimi n aka dhënë shumë vuajtje, dhunime, poshtërime, persekutime (për vete dhe familjet tona) të cilat afërmendsh të mbushin me urrejtje kur mendon se janë të padrejta, kur duket qartë si drita e diellit se burgimi ynë nuk i ka shërbyer ligjit, demokracisë dhe lirisë, përkundrazi, arbitraritetit, diktaturës dhe skllavërisë, por, me anë tjetër, burgu na ka falur, përmjet asaj vetie pastruese dhe fisnikëruese që i atribuohet vuajtjes, jo vetëm urrejtje por dhe ndonjë virtyt.

Mbi të gjitha n aka bërë të kuptojmë deri në palcë se çështë dhunimi, poshtërimi, persekutimi, prandaj dhe çfarë krimi kryen njeriu kuru a shkakton atë të tjerëve, dhe, së dyti na ka dhënë mundësinë e madhe, këtu në vetminë dhe izolimin tonë, të mendojmë e rimendojmë më gjatë e më thellë për jetën dhe filozofinë e saj, të zhvillojmë më shumë atë që përbën diferencën specifike të njeriut nga kafsha: arsyen. E pra, arsyeja, ky fakultet suprem, privilegj i njeriut, që ka ndërhyrë gjithëherë në afeksionet e pasionet që kanë vrundulluar zemrën e tij për t’i frenuar, moderuar, përudhuar, shpesh dhe për t’i shuar, na bën të mendojmë dhe konkludojmë se, për hir të atyre voçrrakëve shqiptarë, të cilët presin prej nesh më shumë bukë, më shumë arsim, më shumë dashuri dhe jo mjerimin, injorancën, urrejtjen që sjell anarkia dhe lufta civile, është i domosdoshëm kompromisi dhe pajtimi kombëtar.

Arsyeja na ndihmon të mos e mbajmë kokën vetëm prapa, të mos shohim vetëm varret e së kaluarës (për t’u mbushur me ndenja urrejtjeje dhe hakmarrje), port ë shohim dhe përpara me gëzim dhe shpresë për jetën në liri dhe demokraci. Arsyeja në shtyn t’u referohemi historisë së popujve më të qytetëruar dhe të shohim se si, në situata të tilla të ngjashme, një Napoleon Bonopart – pajtonjës i kombit frëng pas një decade përçarjeje – bënte thirrje asokohe popullit të vet të falte sa qe e mundur, të fashiste urrejtjen, të kalonte fshirësen mbi 10 vjet krime e tmerre; të “pinte”, sikurse shprehet historiani me gjuhën e mithologjisë, “ujët e Letes”.

Arsyeja na bën t’i kthehemi dhe njëherë asaj thënies romake “Fiat justicia pereat mundus”, të cilën e kemi pasur aq për zemër, teksa kërkonim drejtësi dhe nuk e gjenim, e të mendojmë se ndoshta, për hir të interesave të kombit, është më mirë të themi: “Të bëhet pajtimi, le të cënohet drejtësia”

Dhe në fund, por jo më pa rëndësi, gjithëpo arsyeja në bën të themi se, kur flasim për kompromis dhe pajtim kombëtar, nuk kemi parasysh kompromisin dhe pajtimin me të keqen – sipas mendimit tonë, të keqen duhet doemos ta ekzorsojmë dhe dënojmë që të mund të ndihemi vërtet në liri -, por kemi parasysh se, mbi të gjitha, duhet të nxjerrim jashtë dhe të asgjesojmë frymën e saj, jo trupat fizikë që dashur pa dashur, me vullnet e pa vullnet, u bënë përçuesit e saj; aq më tepër kur dihet se përçuesit kryesorë të kësaj të keqeje, sinteza e saj, tashmë nuk ekzistojnë fizikisht. Gjithëpo në këtë ravë shtojmë se ekzorcizmi dhe dënimi i së keqes pritet të bëhet më së pari nga partia që e ka pasur dhe e mban ende atë në gji, çka është, mendojmë ne, kushti i domosdoshëm i pajtimit kombëtar.

Për gjithë sa thamë më lart e për gjithë sa ndjejmë dhe mendojmë, por s’qemë të zot t’i shprehim në këtë letër, krijimin e Partisë tuaj Demokratike ne e konsiderojmë jo vetëm si shpresën shqiptare për liri dhe demokraci, për rimëkëmbje ekonomike, për ballafaqimin dinjitoz me Europën, për zgjidhjen e problemit të Kosovës…por, dhe mbi të gjitha, si faktorin esencial që mund dhe duhet të realizojë pajtimin dhe kohezionin e popullit shqiptar, prandaj e përshëndesim atë fuqimisht dhe me zemër.

Të rrojë Partia Demokratike!

Kosovë e Madhe, 19.12.1990

Përgatiti: Ermir Hoxha – /tesheshi.com/

E panjohur nga ’90-ta: kur të burgosurit politikë i çuan fshehtaz një letër Berishës dhe kryedemokrati nuk e botoi Read More »

Dikush të ka lënduar? Ky mesazh do ju ndryshojë JETËN

“Një ditë të bukur, një çift do të martohej dhe gjatë kohës që nusen po e çonte i vëllai me makinë për në kishë, dhëndri e telefonoi dhe i tha se kishte ndryshuar mendim.

Nuk donte të martohej me të. E kishte bërë të dashurohej pas tij dhe po e linte. Vajza ndihej e shkatërruar. I tha vëllait ta kthente në shtëpi dhe u mbyll në dhomën e saj me lot në sy.

Ajo tentoi vetëvrasjen duke pirë shumë ilaçe, por fatmirësisht vëllai e kuptoi gjendjen e saj dhe e çoi në kohë në spital. Ajo shpëtoi”.

Kur ngjarje të tilla ndodhin në jetën tonë, na duket sikur gjithçka rreth nesh po shkatërrohet. Si në rastin kur dikush na lë, si në rastin kur ndahemi për pak kohë, si në rastin kur dikush na braktis në altar, dhimbja na e pushton gjithë qenien tonë.

Pyesim veten se ku kemi gabuar, ku ishte problemi që gjërat nuk funksionuan, pse na ndodhi pikërisht neve diçka e tillë.

E keqja më e madhe është se për secilën nga këto pyetje, nuk gjejmë dot përgjigje. Mendohemi, por çdo pyetje e jona mbetet në fund një mundim më tepër për veten tonë.

Por mendoni diçka mjaft të rëndësishme.

Në momentin kur ndaheni prej dikush që realisht nuk ju do mjaftueshëm (nëse do t’ju donte, do ta gjenit bashkë mënyrën ta çonit përpara lidhjen tuaj), ju realisht e shpëtoni veten nga një dhimbje e përjetshme.

Imagjinoni sikur do të jetoni gjithë jetën me dikë. Nga jashtë ju do të dukeni si një çift perfekt, por nga brenda nuk do të ndiheni të lumtur, nuk do të ndiheni të sigurtë se është shpirti juaj binjak.

Imagjinoni sikur brenda mendjes së tyre nuk kalon aspak mendimi, se çfarë duhet të bëjnë për ta çuar përpara lidhjen me ju.

Imagjinoni pak sikur do ta kalonit jetën tuaj me dikë që donte t’ju braktiste, por nuk e bëri, dhe që në çdo moment do të ishte duke u menduar se si do të ishte jeta e tij/saj, nëse do e bënte atë gjë.

Bindeni veten se edhe në gjendjen tuaj më të mirë, për personin e gabuar ju nuk do të jeni asnjëherë mjaftueshëm.

Ndërsa, edhe në gjendjen më të keqe tuaj, për personin e duhur do të jeni më shumë se mjaftueshëm. Ata përherë do t’ju kujtojnë vlerat tuaja.

Tashmë të mbetet ty në dorë të zgjedhësh se çfarë mendon se meriton në jetë…

Dikush të ka lënduar? Ky mesazh do ju ndryshojë JETËN Read More »