Aktualitet

Parashikimi i motit – Vendi do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta

Vendi do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i kthjellët me vranësira kalimtare, kryesisht në mesditë.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Veriperëndim e lehtë e përkohësisht mesatare në bregdet.

Valëzimi në dete i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 24/36 diell
Kukës 19/34 diell
Lezhë 26/36 diell
Dibër 18/33 diell
Durrës 22/35 diell
Tiranë 24/37 diell
Elbasan 22/37 diell pak re
Berat 19/37 diell pak re
Vlorë 22/35 diell pak re
Korçë 17/33 diell pak re
Gjirokastër 17/37 diell pak re
Sarandë 22/35 diell pak re/atsh

Parashikimi i motit – Vendi do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta Read More »

Leli: Vlora e turizmit me disa pole

“Zonat rurale të bashkisë, do të jenë prioritet për investimet, gjatë mandatit të ardhshëm”, – është shprehur kandidati i Partisë Socialiste për kryetar të bashkisë së Vlorës, për zgjedhjet e 30 qershorit, kreu aktual i kësaj njësie vendore, Dritan Leli, gjatë takimeve që ka zhvilluar me komunitetin e këtyre zonave në ditët dhe javët e kësaj fushate.

Në këto takime, ai ka shpalosur projektin e vet për mandatin vijues, që pason një 4-vjeçar sfidues në krye të një bashkie ndër më të mëdhatë në vend.

Leli reflekton modesti në takimet me komunitetin. Kjo i jep vlerë dhe e përvijon më shumë staturën e tij në prezantimin e projektit të vet për Vlorën e dekadave që vijnë.

Vlora e sotme, është tërësisht e ndryshme nga ajo e 4 viteve më parë. E nesërmja, do të jetë edhe më intriguese.

“Do ta bëjmë Vlorën ku, turistët e vizitorët që vijnë, të kthehen sërish vitin tjetër dhe në vazhdim”. Ky premtim, ishte një nga nga shtyllat e programit të kryebashkiakut vlonjat, në zgjedhjet e kaluara, i materializuar tashmë në treguesit në rritje në sektorin e turizmit në këto vite.

Në konceptin e tij, turizmi i qëndrueshëm përbën edhe çelësin e zhvillimit të Vlorës, e cila funksionon si një bashki me territor shumë më të gjerë dhe me resurse më të shumta dhe shumëdimensionale, krahasuar me më parë. Kjo, do të thotë se, orientimi dhe profili i Vlorës duhet të kenë si pikësynim turizmin, të gjitha shërbimet që lidhen me të, që nisin dhe përfshijnë hallkat e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, kapacitetet njerëzore, rrjetin e tregtisë dhe të shërbimeve.

Por, një turizëm i shtrirë në kohë, një turizëm gjithëvjetor dhe jo i limituar në 3 apo 4 muaj dhe i lidhur vetëm me sezonin e verës, do të thotë që, Vlora të shndërrohet në një kompleks që të gjenerojë mundësi për qytetarët, për ata që vijnë dhe më gjerë, për të gjithë vendin. Prandaj dhe kërkohet vazhdimësia, për të çuar përpara projektin e iniciuar gjatë mandatit të kaluar. Në një raport funksional me qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama, Leli dhe stafi i drejtuar prej tij, tërhoqën dhe implementuan dhjetëra projekte me fonde qendrore, me fonde të donatorëve të huaj, apo me burime të vetë bashkisë.

“Lungomare”, me infrastrukturën shoqëruese përgjatë saj, bulevardi Vlorë-Skelë, i rikonceptuar, disa segmente rrugore të rikonstruktuara përgjatë bregdetit, apo rehabilitimi i mjediseve brenda blloqeve të banimit, sistemimi i ujërave të zeza, ujësjellësi etj, përbëjnë vetëm disa nga këto projekte, që kanë patur një impakt të fortë në transformimin e Vlorës.

Mijëra turistë që vijnë çdo vit në qytet dhe përgjatë bregdetit të tij, në një sezon veror të zgjatur në kohë, përbëjnë dëshminë më konkrete se gjërat kanë ecur në kahjen e duhur.

Tashmë, ato duhet të zhvillohen më tej. Vlora dhe perspektiva duhet të ridimensionohen. Qyteti ka plot mundësi të tjera, që duhet të përfshihen në një vizion të ri, në atë që, Leli e cilëson, “Vlora me disa pole të zhvillimit të turizmit”.

Orikumi, Zvërneci, Narta, bregdeti i Novoselës, janë resurse që kanë nevojë të bëhen funksionale, të gjenerojnë mundësi sipas një strategjie të re.

Por, për këtë nevojiten investime në infrastrukturë, në ujësjellësa, në rikonceptim të vlerave të traditës. Në këtë drejtim, bregdeti dhe zonat më të thella duhet të vihen në një raport të ndërsjelltë ku, respektivisht, të dyja t’i shërbejnë dhe njëkohësisht të përfitojnë prej njëra tjetrës.

Projektet me vlerë rreth 45 milonë euro për ujësjellësat e zonave rurale të njësive administrative Shushicë e Qendër, projektet e rivitalizimit të qendrave të një sërë fshatrash në Dukat, Tragjas, Novoselë, Shushicë e Nartë, ndërtimi i rrugëve lidhëse me to, etj, përbëjnë një kapitull shumë të rëndësishëm investimesh, një sfidë tjetër e fortë për kryebashkiakun Leli, në një mandat të dytë në krye të bashkisë së Vlorës.

Sipas tij, realizimi i këtyre investimeve, që u bashkohen projekteve të përfunduara në 4-vjeçarin e parë, garantojnë kompaktësinë territoriale ekonomike të Bashkisë së Vlorë, në procesin e vijimit të transformimit rrënjësor të saj.

Ndërkohë, vijimi i investimeve në qytet, duke përfshirë edhe segmentet e tjera të shëtitores buzë detit, rehabilitimi dhe sistemimi i blloqeve të banimit, etj, e bëjnë edhe më të dukshëm projektin e Vlorës së të ardhmes.

Me përvojën e 4 viteve të tij në krye të bashkisë, kandidati Leli, është tërësisht i qartë në realizimin e ambicieve të tij për vijimin e punës edhe pas 30 qershorit.

Me vizionin e vet, ai ka treguar se di të bëjë pjesë të ndryshimit të gjitha resurset, duke përfshirë edhe ato që shtrihen në objektet e trashëgimisë historike e kulturore, në pasurinë shpirtërore të komunitetit të të gjitha trevave, institucionet promovuese dhe dokumentare të kësaj fushe, të gjitha ato mundësi që zgjojnë interesin dhe kërshërinë e qytetarëve të huaj dhe atyre nga rrethe të tjera të vendit.

Vlora është epiqendra e isopolifonisë, e kësaj pasurie të trashëgimisë botërore e vlerësuar si e tillë dhe e marrë nën kujdesin e UNESCO-s. Vlora ka dhjetëra monumente kulturore, historike e natyrore, disa prej të cilave janë unikale në llojin dhe profilin e tyre. Vlora ka një kështjellë me një histori të pasur, siç është ajo e Kaninës, ka një objekt të rrallë siç është Manastiri i Zvërnecit, ka qytezën antike të Orikumit, ende e pazbuluar plotësisht dhe e pashfrytëzuar, ka Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Etnografik dhe atë historik ku “flenë” vlera të jashtëzakonshme, ka dhjetëra monumente natyrore nga Novosela, në Karaburun e Llogora.

Vlora ka një bregdet të mrekullueshëm e të thyer ranor e shkëmbor, hapësira pyjore pa fund, kapacitete bujqësore e blegtorale, ka një rrjet hotelerik, tregtar e shërbimesh, restorantesh, të nivelit më të përparuar bashkëkohor, që është pasuruar më tej gjatë këtyre viteve, ka tre universitete publike e private, që mund të shfrytëzohen për kapacitetet e tyre akademike.

Por, mbi të gjitha ka kapacitetet njerëzore, të rinj e të reja, specialistë me përvojë, që kanë dëshirë dhe mundësi për t’u ingranuar në sistemin e vënies në funksion të vlerave që ka Vlora.

Të gjitha këto përbëjnë mundësi, përbëjnë optimizëm se, gjithçka do të vijojë të konsolidohet në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe me impakt për masën e gjerë të qytetarëve, kudo ata banojnë, në Vlorë apo në rrethina, në qendrën urbane, apo zonat rurale.

Pavarësisht se ku jetojnë, ata do të ingranohen njëlloj në zhvillimin ekonomik të bashkisë së tyre. Pavarësisht se cili do të jetë aktiviteti i tyre i përditshëm, të gjithë qytetarët e Vlorës do të jenë njëlloj përfitues. Përfitues të të mirave materiale, të investimeve, të të ardhurave që do të krijohen nga një ekonomi që do të jetë dhe orientohet tërësisht, në funksion të turizmit.

Sepse, fermerët e Novoselës, Llakatundit, Dukatit, Shashicës, prodhimet e tyre do t’i çojnë në një treg të unifikuar, modern dhe në përshtatje me standardet më të mira të kohës, ndërkohë që ky i fundit, do të jetë çelësi për të vijuar me pjesën tjetër të sistemit të tregtimit dhe konsumit, deri tek qytetari i qendrës urbane, tek restoranti, tek operatori turistik, tek vetë turistët.

Por, për të bërë këtë gjë, do të duhet infrastrukturë rrugore e përmirësuar dhe e unifikuar sipas nevojave e kërkesave të kohës, në të gjithë territorin e bashkisë duke përfshirë edhe zonat rurale, do të duhet vijimi i mbështetjes për bujqësinë, me investime dhe skema subvecionesh, do të duhet ndërtimi i një mekanizmi efikas që të funksionojë në çdo hallkë të tij.

Por, gjithashtu, për këtë duhet dëshirë e vullnet, duhet guxim, duhet iniciativë, duhet përkushtim, ndershmëri, por akoma edhe më tepër, duhet vizion. Vizioni i një njeriu që të di se çfarë të synojë dhe si duhet të plotësojë këtë pikësynim, të jetë i aftë të projektojë një sistem të plotësuar që të ketë në bazë të gjithë elementët përbërës të tij. Prodhimi, shërbimet, trashëgimia shpirtërore e historike, kapacitetet natyrore e ato njerëzore, të jenë në funksion të njëra tjetrës.

Të gjitha këto kanë qenë pjesë e fushatës së Dritan Lelit, gjatë këtyre javëve, ku ai ka argumentuar se i disponon këto vlera, të cilat i ka manifestuar dhe shpalosur gjatë 4 viteve në krye të Bashkisë dhe që janë pjesë e projektit të tij për Vlorën e dekadave në vijim, për një Vlorë ku të gjithë të ndihen pjesë e hapësirës së përbashkët, ku, ata që vijnë të përjetojnë ndjesinë e kthimit. /atsh

Leli: Vlora e turizmit me disa pole Read More »

Leli: Pas 30 qershorit, plotësim infrastrukturës në fshatrat e Vlorës

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i premtoi sot banorëve të fshatrave të Xhyherinës, Sherishtës, Mekatit, Risilisë dhe Grabianit përmirësim të infrastrukturës, si dhe një sërë projektesh të tjera me synim përmirësimin e jetës së tyre.

Gjatë takimi me këta banorë, Leli theksoi se “në këtë mandat kemi ndërtuar rrugën e Risilisë, aks i cili ishte kërkesa më urgjente e banorëve të kësaj zone. Synojmë gjatë këtij 4-vjeçari plotësimin me infrastrukturë të Sherishtës pas ndërtimin të landfilldit, ndërtimin e aksit lidhës Xhyherinë – Rruga e Lumit të Vlorës”.

Kryetari Leli u shpreh se “kemi projekte konkrete për ndërhyrje në kanalet kullues dhe vaditës të fshatrave si dhe ndërhyrjen në ujësjellësa”.

Sipas tij, edhe rehabilitimi i qendrave të fshatrave ngelet sfida jonë e re. Së bashku për më shumë vëmendje për zonat rurale./atsh

Leli: Pas 30 qershorit, plotësim infrastrukturës në fshatrat e Vlorës Read More »

Meta: Nesër takimi me Bashën, pres sërish edhe kryeministrin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend.

Sipas njoftimit nga Presidenca, takimi me Bashën është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00.

“Duke qenë në dijeni që Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë”, tha zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi. /atsh

Meta: Nesër takimi me Bashën, pres sërish edhe kryeministrin Read More »

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se pasnesër do të jetë në Vlorë për takimin e ditës së fundit të fushatës zgjedhore të 30 qershorit

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se pasnesër do të jetë në Vlorë për takimin e ditës së fundit të fushatës zgjedhore të 30 qershorit. Ai ui referua takimit me pjesëmarrje të gjerë në Elbasan, duke thënë se edhe në Fier pret të njëjtën gjë.

“O vlonjatë o ju bëfsha kurban, këta elbasanllinjtë më thonë e bëmë fora si s’e bën dot as Vlora! Ata në Fier më çojnë mesazhe që nesër Fieri do ta bëj si Vlora!”, tha kryeministri Rama.

“Tani ju si do ta bëni ju pyes unë, se pasnesër më keni në Vlorë dhe mezi pres t’ia vemë aty buzë detit, vulën e zjarrit 30 QERSHORIT”, tha kryeministri Rama. /atsh

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se pasnesër do të jetë në Vlorë për takimin e ditës së fundit të fushatës zgjedhore të 30 qershorit Read More »

Kriza politike, Moisu: Palët të ulen urgjent në dialog

Ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu deklaroi sot se në shtyrjen e hapjes së negociatave ka ndikuar hezitimi i disa vendeve anëtare dhe kriza politike në vend.

Moisiu gjithashtu kërkoi një pakt kombëtar dhe një zgjidhje për situatën në interes të Shqipërisë e jo në kurriz të saj.

Ai doli sot para medieve së bashku me disa intelektualë, përfaqësues të medies, shoqërisë civile dhe biznesit, ku deklaroi se kriza po përkeqësohet dhe se duhet një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur.

Sipas tij, janë të patolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut.

“Ministrat e Jashtëm të Këshillit të BE vendosën për të shtyrë në muajin tetor vendimin për mundësinë e hapjes së negociatave me Shqipërinë. Hapja e negociatave me BE është prioritet absolut kombëtar për vendin tonë. Në shtyrjen e tyre ka ndikuar hezitimi i disa vendeve anëtare dhe kriza politike në vend. Hapja e negociatave, në vend se të kuptohet si një çështje mes BE dhe vendit, po përdoret si instrument i luftës politike mes shumicës e pakicës. Koha deri në tetor është e shkurtër për të bindur vendet skeptike”, tha Moisiu.

“Punët për t’u kryer nuk janë të pakta. Kriza po përkeqësohet. Është koha për një zgjidhje në interes të Shqipërisë dhe jo në kurriz të saj. Koha për një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur krizat ciklike”, theksoi Moisiu.

“Janë të patolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut. Këta faktorë kanë çuar në cenim të sigurisë së qytetarëve, dëmtojnë demokracinë e brishtë shqiptare, po cenojnë imazhin e Shqipërisë në botë. Veprime që bien ndesh me dëshirat e popullit për integrimin europian”, deklaroi Moisiu./atsh

Kriza politike, Moisu: Palët të ulen urgjent në dialog Read More »

Balla: Ekskluzivitetin për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri e ka OSBE/ODIHR

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se raportin përfundimtar për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri e ka ekskluzivitet OSBE/ODIHR-i.

I ftuar në një studio televizive, Balla reagoi pas deklaratës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha lidhur me tërheqjen e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale, para zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

“Kongresi i Autoriteteve Lokale është një prej institucioneve përbërëse të KiE-së, por nuk është KiE, nuk bëhet fjalë fare për gjithë dërdëllitjen që sapo dëgjuan shqiptarët. Është si ai i mbyturi që kërkon të kapet pas çdo fije që i del para. Brenda KiE-së kjo javë ka qenë shumë intensive, bëhet fjalë për çështje të buxhetit”, tha Balla.

Ai tha se “edhe zgjedhjet në 2017 nuk janë monitoruar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale që i referohet Basha, por zgjedhjet monitorohen nga OSBE/ODIHR-i dhe drejtimi i institucionit të vëzhgimit bëhet nga një prezencë shumë aktive të drejtueses së këtij misioni vëzhgues, Glover, e cila është një autoritet që gëzon një reputacion ndërkombëtar, në misionet e vëzhgimit dhe e njeh shumë mirë Shqipërinë.

“Siç jeni në dijeni kemi një numër vëzhguesish të akredituar nga ODIHR-i gjatë këtyre zgjedhjeve, si dhe nga pjesa më e madhe e ambasadave në partneritet me shoqërinë civile”, tha Balla.

Përtej mënyrës se si është sjellë ky lajm në media, Balla tha se “ka qenë në dijeni të këtij lajmi”. “Kam qenë në dijeni të këtij vendimi që javën e kaluar. Nuk ka nevojë për ta trajtuar si një lajm tejet të rëndësishëm”, tha ai.

Balla tha se “të gjithë janë të qartë se shqiptarët do të votojnë në 30 qershor dhe menjëherë pas 30 qershorit do të vijojë puna me qeverisjen vendore”. “Ditën e diel partitë do të heshtin dhe do të flasë vetëm sovrani. Pas përfundimit të zgjedhjeve vendore dhe mbylljes së këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor, ne kemi ndjeshmëri për të dialoguar me opozitën institucionale në Kuvend, por edhe me opozitën rrugore”, tha Balla, duke shtuar se mazhoranca i ka dhënë opozitës jashtëparlamentare mundësinë e përfaqësimit në komisionin e reformës zgjedhore.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Balla tha se “Kuvendi do të vijojë punën për të hedhur poshtë dekretin e presidentit që ktheu për shqyrtim në Kuvend ligjin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.

Po ashtu, sipas tij, do të vijojnë procedurat për shkarkimin e Presidentit. “Kjo është një procedurë e vendosur nga ajo që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Brenda dy javëve nga marrja e njoftimit, komisioni i ligjeve në Kuvend përgatit raportin dhe e depoziton atë dhe brenda 7 ditëve merr vendimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Brenda 10-ditëshit të parë të korrikut do të ngrihet edhe komisioni hetimor për vlerësimin e shkeljes së rëndë kushtetuese nga ana e Presidentit, që përbën arsyen për shkarkimin e tij”, tha Balla./atsh

Balla: Ekskluzivitetin për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri e ka OSBE/ODIHR Read More »

Anëtarët e KiE: Zgjedhjet e 30 qershorit të jenë të qeta e sipas standardeve ndërkombëtare

Deputetët e Partisë Socialiste, Ervin Bushati dhe Eglantina Gjermeni kanë marr pjesë në punimet e sesionit të verës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

“Sot mora pjesë në punimet e sesionit të verës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku ndër të tjera diskutova edhe për situatën ne Shqipëri në Komitetin e Monitorimit”, bën të ditur deputeti Bushati.

“Prezantova para komitetit situatën politike dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht ato të lidhura me reformën në drejtësi, e cila po jep produktet e saj. Gjithashtu theksova edhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, rëndësinë e respektimit të institucioneve dhe vijimin e reformave të nisura. Kjo është beteja e fundit për Drejtësi dhe Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga një opozitë që qëllimisht bojkoton proceset dhe reformat”, sqaron deputeti socialist.

Sipas tij, “anëtarët e komitetit vlerësuan shkëmbimin e mendimeve dhe informacionin duke uruar që zgjedhjet e datës 30 qershor të jenë të qeta dhe sipas standardeve ndërkombëtare”.

“Gjithashtu e rëndësishme të theksoja edhe njëherë progresraportin pozitiv të Komisionit Europian: ku theksohej qartë se Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm në fushat e përcaktuara nga Këshilli. Ajo që vlerësohej më së shumti në raport por edhe nga gjithë ndërkombëtarët është përparimi që Shqipëria ka bërë në transformimin e madh të sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar atë si një shembull të paprecedentë të kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, proces ky që më në fund qytetarëve t`u kthehet besimi i munguar në sistemin e drejtësisë”, bën të ditur Bushati.

“Rekomandimi pozitiv tregon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e saj në këtë proces dhe i ka plotësuar ato me përpikëri ndaj bojkoti, rrëmujat dhe protestat aspak paqësore nuk na nderojnë por përkundrazi. Opozita duhet të tregojë qytetari dhe të kuptojë që jetojmë në demokraci. Nuk mund të sillet në mënyre destruktive dhe të pengojë zgjedhjet, por duhet t’i shërbejë qytetarëve dhe vendit”, nënvizon Bushati./atsh

Anëtarët e KiE: Zgjedhjet e 30 qershorit të jenë të qeta e sipas standardeve ndërkombëtare Read More »