Aktualitet

Kërkuan azil në BE, vijojnë operacionet e riatdhesimit

Vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në vendet e BE-së.

Gjatë mesditës së sotme me një avion të posaçëm, janë riatdhesuar vullnetarisht 29 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në Francë.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit edhe njëherë apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të mos tentojnë për të kërkuar azil dhe mos abuzojnë me rregullat për lëvizjen në hapësirën Schengen, si dhe të tregojnë kujdes mos bien pre e mashtrimeve për të marrë dokumente false me qëllim përfitimin e azilit në vendet e BE-së, pasi shanset për të përfituar janë zero.

Operacionet e riatdhesimit nga Policia Kufitare në bashkëpunim me partnerët e vendeve të BE-së do vijojnë edhe në javët e ardhshme. /atsh

Kërkuan azil në BE, vijojnë operacionet e riatdhesimit Read More »

Gazetarët sllovakë, interes të lartë për Shqipërinë turistike

Përfaqësues nga medie të ndryshme vizive dhe të shkruara në Sllovaki zgjodhën Shqipërinë turistike në një udhëtim 1-javor ku shijuan bukuritë e bregdetit, trashëgiminë, kulturën dhe gastronominë.

“Me gazetarë sllovakë, nga media të ndryshme vizive dhe të shkruara në Sllovaki, për arritjet në fushën e turizmit gjatë vitit 2019 dhe sfidat e zhvillimit të kësaj industrie në të ardhmen”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

“Përmes një udhëtimi disa ditor, në destinacionet që nuk duhet të humbnin në Shqipëri, axhendë e sugjeruar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, gazetarët realizuan reportazhe, dokumentarë e kronika në Parqe Kombëtare, Zona të Mbrojtura, Parqe Arkeologjike e muzeume, për tu njohur me vlerat kulturore, historike, por sidomos me potencialet që ofron Shqipëria për investime në këtë industri dhe për turizëm gjithë vjetor për turistët sllovakë, interesi i të cilëve është gjithnjë e në rritje”, tha Klosi.

Gjatë udhëtimit të tyre gazetarët sllovak bënë një itinerar turistik dhe kulturor ku vizituan qytete si Tirana, Durrësi, Fieri (Apoloni) dhe Vlora. /atsh

Gazetarët sllovakë, interes të lartë për Shqipërinë turistike Read More »

Meta po ofendon stemën e Republikës

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, gjatë një interviste televizive u shpreh se vendi ka parlament funksional.

”Ne kemi thenë se jemi gati të sfidohemi nga opozita. Ata kanë kapriçio, ne gjykuam në të mirë të vendit. Po të bënim zgjedhje të përgjithshme, do të ishim rivotuar më shumë. Kushtetuta i parashikon situatat, nuk mund të bësh lojëra”, – tha Hyseni.

Duke komentuar propozimin e sotëm të Presidentit Meta që më 13 tetor të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, Hyseni tha se “Meta duhet të kishte dhënë dorëheqjen, qoftë moralisht dhe nga pikëpamja juridike”. “Meta po ofendon stemën e Republikës së Shqipërisë me ato që thotë. Ai po kërcënon imazhin e Shqipërisë dhe Kushtetutën”, – tha Hyseni.

“Çështjen e moralit të tij politik e zgjidh vetë ai, pjesën juridike do ta zgjidhim ne për pak ditë nga Parlamenti dhe punë javësh do të jetë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Sa i takon propozimit të tij ne nuk e marrim për bazë fare. Unë personalisht dhe nuk shpreh këtu opinionin e PS-së. Unë nuk do i referohem asgjëje që thotë Presidenti i Republikës, i cili edhe pse po rri në atë karrige ai po ofendon stemën e Republikës së Shqipërisë me këtë që po thotë. Do të punoj fort që një orë e më parë të mos jetë më në atë karrige, jo se më cenon gjë mua personalisht, por ai po cenon imazhin e Republikës së Shqipërisë”, – theksoi ai.

Gjatë kësaj interviste Hyseni foli edhe për zgjedhjet e 30 qershorit ku deklaroi se se me këto zgjedhje ka fituar vetëm Shqipëria.

”Glover, e tregon qartë fajtorin, grusht që i është dhënë opozitës. Ne i bëmë përpjekjet që opozita të vinte në zgjedhje. Ne mbajmë përgjegjësinë tonë, ne bëmë ç’është e mundur. Të hapur që skema politike të kompletohet, t’i japim mundësi opozitës të rikthehet rrugës politike. Kemi bërë ndaj elektoratit presion pozitiv, që të ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare e të mos ndikoheshin nga situata aktuale. Mund të kishim marrë më shume vota, ka disa që janë stepur si intelektualë apo elektorat gri për shkak të pasigurisë së situatës. Kemi marrë më shumë vota se në 2017. Do ta bëjmë Shqipërinë me këtë opozitë, detyra jonë është t’ua shtrijmë dorën vazhdimisht, pa cenuar parimet kushtetuese e morale”, – tha Hyseni. /atsh

Meta po ofendon stemën e Republikës Read More »

Vlorë, Ujësjellës Kanalizime aksion për zbatimin e reformës së ujit

Ujësjellës Kanalizime Vlorë po vijon edhe gjatë stinës së verës aksionin për identifikimin dhe marrjen e masave për debitorët në zona të ndryshme të qytetit dhe në njësitë administrative, si dhe për vendosjen e matësave.

Ujësjellës Kanalizime Vlorë bën të ditur se “grupet janë në terren gjatë gjithë ditës për të kontrolluar linjat e paligjshme të furnizimit të ujit, si dhe për të vendosur matësat për abonentët, për të mundësuar furnizim me ujë të vazhdueshëm për të gjithë”.

Sipas UK, Vlorë aksioni është shtrirë në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës, në qytet dhe në njësitë administrative.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme kanë vijuar kontrollet në biznese në zona të ndryshme të qytetit, në drejtim të detyrimeve që ato kanë ndaj Ujësjellës Kanalizime Vlorë.

Në fokus të punës së UKT Vlorë janë edhe riparimet e defekteve, ku sot është ndërhyrë në rrjetin e furnizimit me ujë, te Kabinat e ‘Plazhit të Vjetër’, si dhe në rrjetin e ujësjellësit në zonën e “Ujit të Ftohtë” dhe në lagjen “24 Maj”.

Prej gati një viti e gjysmë grupet e kontrollit të Ujësjellës Kanalizime kanë dalë në terren për të ndërprerë ujin të gjithë qytetarëve apo bizneseve që nuk kanë kontrata me ujësjellësin. /atsh

Vlorë, Ujësjellës Kanalizime aksion për zbatimin e reformës së ujit Read More »

Investimi në tokë bujqësore, lehtësohet procesi i konvertimit nga tokë arë, në truall

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi sot, disa ndryshime ligjore, që lehtësojnë procesin e marrjes së lejes së ndërtimit apo zhvillimit të tokës bujqësore, duke përcaktuar konvertimin automatik nga tokë arrë në tokë truall.

Zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli argumentoi se kjo do të shmangë konfliktin institucional, që deri më tani ka sjellë vonesa apo refuzime të panevojshme.

Qëllimi i këtij projektligji është lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afateve kohore për kalimin e sipërfaqes së tokave bujqësore në tokë truall për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, për struktura/objekte në funksion të agroturizmit si dhe veprimtari të tjera ekonomike.

“Nëpërmjet shtesave dhe ndryshimeve të propozuara bëhet e mundur që miratimi i kalimit të tokës bujqësore në kategorinë truall të realizohet në një kohë më të shkurtër, dhe sipërmarrësit të marrin më shpejt lejet e ndërtimit për fillimin e investimeve”,citon relacioni që shoqëron këtë projektligj./atsh

Investimi në tokë bujqësore, lehtësohet procesi i konvertimit nga tokë arë, në truall Read More »

Meta: Rekomandimet e diplomatëve na çojnë drejt Koresë së Veriut

Presidenti i Republikës, Ilir Meta propozoi sot për zgjidhjen e krizës që më datë 13 tetor të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe për presidentin.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se do të bëjë çdo gjë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në zgjidhjen e krizës politike.

“Kjo krizë politike nuk e ndihmon Shqipërinë. Do bëj çdo gjë për të ruajtur atë që kemi fituar në 30 vjet. Është mirë të mos e provojë askush kokëfortësinë time për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, është mirë. Nuk jam vetëm. Janë shumë shqiptarë. Rrugë për në Korenë e Veriut Shqipëria nuk ka për të bërë. Po u thellua kriza, do rivendosen edhe vizat”, tha Meta.

I pyetur se përse nuk ka thirrur në takim edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Meta tha se “nuk më nxjerr dot mua nipi i Spiro Kolekës antiamerikan. Unë vizën nuk ja heq kurrë demokracisë, as që bëhet fjalë në këtë botë. Pse niseni nga ata që nisin SMS-të, ata të gruas së Balilit. Unë zv.ambasadoren e SHBA-ve e kam takuar më vete, dy-tre ditë para se të merrej ky vendim (dekreti i zgjedhjeve). E kam sqaruar, i kam thënë keni ndonjë shqetësim nga ana ligjore? Jo. Faleminderit shumë, qëllimi është ky. Unë tani po përpiqem me të gjithë. Ne hall kryesor kemi të hyjmë për të çelur negociatat në tetor me BE-në. Dhe këtë e kanë në dorë aktorët e BE-së. SHBA ka një politikë të qartë, që mbështet integrimin. Qëndrimet që mbajnë ata është e drejtë e tyre? Kush në këtë botë thotë që presidenti nuk mund të mbajë qëndrimet e veta?”, tha Presidenti

“I kam bërë të qartë zotit Basha, Kryemadhit, mikut tim doktorit të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit dhe kanë gjetur njeriun e duhur për këtë çështje që nuk vjen në takim me presidentin por lahet në pishinë edhe pse presidenti i ka treguar rrugën e zgjidhjes”, tha Meta.

Më tej, Meta tha se “unë dhe shqiptarët do ta mbrojnë vendin nga ata miliarderë që u duket Shqipëria një mizë lisi që mund të tallen si të duan. Kam dy fjalë për miliarderin Soros, ju uroj jetë të gjatë, suksese dhe të birit që vjen shpesh në Shqipëri, ti gëzojë miliardat. Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit. Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi. Jam i gatshëm të bëj testin e shëndetit mendor dhe pas kësaj krize duhet të vëmë në kushtetutë testin e shëndetit mendor dhe jam gati të bëj edhe testin e drogës, kurse për testin e shqiptarit e dinë ata që e kam bërë e do ta bëj në çdo kohë. Këto ishin zgjedhje socialiste. Nuk e kam për socialistët, përkundrazi sepse ndryshe nga Edi që ka pas shumë pirueta, unë kam qenë shumë konsekuentë në bindjen time. Deri sa të vdes do jem socialist, do vdes shqiptar dhe jo shqipfolës”.

“E ftoj z. Rama të tregohet i përgjegjshëm. I ftoj përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharak. Të mos tallen me Kushtetutën tonë. Sepse u tallën njëherë në 2008-ën. Duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu si burra shteti”, tha ai.

Gjatë konferencës, Meta foli edhe për një grup të strukturuar që punon kundër interesave të Shqipërisë që e quajti PPPd.”P e madhe janë politikanët, P – Propaganda (mediet), P – policia jo si Polici e Shtetit, por rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar njerëzit si dhe d – diplomatët e huaj që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”.

“Që nga protesta e parë kam qenë në Mynih, kam bërë reagim menjëherë. Këtyre ndërkombëtarëve si nuk i vjen turp që nuk thanë një fjalë po ky kryeministër si nuk bëri asgjë për opozitën që iku nga parlamenti? Si nuk e priti opozitën? Nuk e panë ata që nga mitingu i parë deri tek i parafundit, bëj këta miting në Tiranë, bëj ai në Berat. Mirë ata që janë në opozitë, po ky kryeministër nuk ka përgjegjësi ndaj dhjetëra atyre njerëzve që paguajnë taksa? Përgjegjësia më e madhe është e qeverisë. Këta (ndërkombëtarët) shikojnë vetëm gabimet e opozitës dhe jo të qeverisë. Unë e krijova mundësinë për dialog, përse nuk erdhi. Të thoshte zoti president unë nuk iki nga karrigia e kryeministrit, ta shtyjmë këtë datë dhe të bëjmë zgjedhje lokale normale. E bëri ndonjëherë ai këtë gjë? JO! Më keni dëgjuar ndonjëherë të them unë “Rama Ik”? JO. Edhe mua më thoni tani për përgjegjësitë që kam unë? Unë po flas hapur, bëra gjithçka të ruaja qetësinë. Falënderoj drejtuesit e opozitës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që bënë thirrjen e tyre për qetësi më 30 qershor. Parlamentin e ka socialist. Është vetëm një deputet që kritikon opozitën, Lefter Maliqi, të tjerë nuk ka. Ai vetëm presidentin nuk e merr dot dhe nuk ka për ta marrë ndonjëherë. Dhe presidentin e FSHF-së vetëm ka lënë ndonjë gjë tjetër pa marrë? Drejtësinë po komplet Ramafon, të gjithë të dalin në diell t’i bien dajres”, deklaroi Meta.

“Ka njeri që nuk i kupton këto kurthet! Si nuk iu vjen turp ndërkombëtarëve. Kam ndërhyrë pesë herë kur u rrëzua ai z. Sait Dollapi aty. Po ndërkombëtarëve si nuk iu vjen turp që nuk ndërhynë. Nuk e panë ata se që nga mitingu i parë e deri tek i fundit, provoko ai, provoko dhe këta. Po mirë ata që janë në opozitë, po ky nuk ka përgjegjësi ndaj tyre, ndaj dhjetëra-mijëra që paguajnë taksa. Qeveria ka përgjegjësi. Ndërkombëtarët shohin vetëm problemet e opozitës dhe jo të mazhorancës. Po letrat që i bëri për dialog. Unë ia krijova mundësinë për dialog, pse nuk erdhi? Të vinte këtu dhe të thoshte “unë nuk iki, të gjejmë zgjidhje, të shkojmë në zgjedhje lokale normale”. Nuk e bëri këtë. Më thoshte “nuk vij të të takoj, por nga e hëna (1 korriku) shihemi. Për fat të mirë zgjedhjet përfunduan pa përplasje. Parlamentin e ka krejt socialist, vetëm Lefter Maliqin kam parë të opozitës, tani edhe bashkitë, edhe këshillat vetë, drejtësinë. Të dalim e t’i biem dajres”, deklaroi Meta.

Ai tha se do të kandidojë sërish për postin e presidentit në këto zgjedhje të 13 tetorit që ai propozon, dhe thotë se kryeministri Edi Rama mund të vërë cilin kandidat të dëshirojë.

“Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë”, tha Meta në konferencë duke shtuar se “unë do të garoj për president me këto kompetenca që kam. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë. Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat për president Edi Rama ta bëjë. Të mos tallet askush me Kushtetutën tonë. U tallën njëherë në 2008”.

“Nuk më intereson se kush fiton, Basha apo Rama, por nuk dua që të humbasë më Shqipëria për lojëra politikanësh dhe ambasadash”, tha Meta.

Presidenti thekson se gjithashtu zgjedhjet lokale do të mbahen më 13 tetor, duke shtuar se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se nuk është krizë politikë, por krizë e shtetit. “Kjo është një krizë e shtetit të së drejtës, dhe kryetar i shtetit është presidenti”, tha Meta.

Presidenti tha se alternativa e tij për zgjidhjen e krizës ishte një axhendë ndryshe nga ajo e opozitë jo parlamentare, që është Rama ik. “Ajo ishte Rama reflekto, që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas Metës është kthyer në Rama kthjellohu”.

“Nëse nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lisi e mund të tallen”, tha Meta.

Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, Kreu i Shtetit tha se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet lokale, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut.

Ndërsa për Reformën në Drejtësi, Meta tha se, u shndërrua në “Ramaformë”.

I pyetur nëse po flet si kryetar i opozitës, Meta tha se, “kjo është një krizë e shtetit të së drejtës dhe kreu i shtetit është Presidenti dhe jo kryetari i qeverisë që ka përgjegjësi për unitetin e popullit, për pluralizmin politik dhe sidomos në momente krize të bëjë më të mirën që shqiptarët të mos përplasen e vriten për politikë”.

“Opozita ka axhendë Rama ik, unë Rama reflekto. S’i kam kërkuar t’i lerë karrigen Lulit. Edhe Bashës i kam thënë mos iu shmangni institucioneve. Po t’i kishin dëgjuar më parë këshillat e mia, shumë më mirë do kishin dalë dhe as 5 % e shqiptarëve s’do kishin dalë. Socialistët janë njerëzit që kanë dhënë më shumë për demokracinë. Nuk po i kërkoj Edit karrigen e tij. Të votohemi nga populli, nuk do asgjësojmë demokracinë se kemi frikë nga populli. Mos harroni, në këtë godinë, pyesni prof. Meidanin, kam ikur nga këtu vetëm për një arsye, për të mos cenuar integrimin europian”, tha Meta./atsh

Meta: Rekomandimet e diplomatëve na çojnë drejt Koresë së Veriut Read More »

Rama për ”La Stampa”: Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë

Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë, deklaroi Kryeministri Edi Rama për gazetën e njohur italiane ”La Stampa”.

”Zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është një studio artisti, çdo faqe muri është e pikturuar. Paleta bojërash vaji, markera dhe pastele zënë skrivaninë. Ai është ulur dhe vizaton forma të ngjashme me kafshë imagjinare. Të dielën u mbyllën pa dhunë zgjedhjet më të vështira që nga fundi i komunizmit”, shkruan Letizia Tortello.

”Është një fitore e madhe, edhe për mua”, kërkon të thotë.

Por, vetëm një në pesë shqiptarë votoi. Rama, 54 vjeç, flet një italishte të përkryer (”Meritë e gjyshes, vajzë e një venecianeje”).

Mpreh armët kundër presidentit, dhe bën shaka për mënyrën e veshjes: “Më kanë kritikuar pasi votova i veshur me një xhaketë elegante dhe pantallona të shkurtra me çorape. Kujtohuni që kam qenë i pari që kam veshur atlete me kostum. Sot jam në modë: bëj tendencë”.

Kryeministër, si u zgjua Shqipëria pas votimeve të djeshme, të bojkotuara nga opozita?

”Shqiptarët që shkuan të votojnë shpëtuan vendin. Ishte në rrezik shteti i së drejtës. Nuk ishin zgjedhje vetëm për kryetarët e bashkive, kishte një rrezik shumë të prekshëm për përleshje. Nuk pati të tilla, sepse nuk ishte populli që i donte ato”.

Në ç’kuptim? Që nga shkurti mijëra manifestues zbresin në shesh për të kërkuar dorëheqjen tuaj.

”Ishte një inskenim, djem nga periferia ishin paguar për të sulmuar ndërtesat”.

Presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet tuaja? Çfarë do të ndodhë tani?

”Po zhvillohet një procedurë ‘impeachment’ për Illir Metën, do të shkarkohet nga Parlamenti për shkelje të rëndë antikushtetuese. Duke mbështetur bojkotimin e zgjedhjeve, dekretoi vetëvrasjen e tij politike duke shoqëruar drejt harakirit të gjithë opozitën”.

Kur ju ishit kandidat për bashkinë e Tiranës, në vitin 2006, kërkuat një shtyrje që u pranua. Po për sot, nuk vlen kjo gjë?

”Në atë kohë problemi ishte falsifikimi i dokumenteve të identitetit. Këtë herë opozita zgjodhi të tërhiqej përpara se të fillonte beteja. Shqipëria ka nevojë për ndërtimin e një shteti demokratik dhe europian. Kemi një traditë të brishtë për institucionet pas 50 viteve diktaturë, që na kishte transformuar në Korenë e Veriut të Europës. Duke mos i shtyrë zgjedhjet mbrojta demokracinë. SHBA dhe BE e kuptuan”.

Për të bashkuar vendin, a do të pranonit zgjedhje të parakohshme?

”Jo. Opozita nuk mund të marrë peng mazhorancën”.

E përditshmja gjermane “Bild” ka publikuar përgjime që ju shohin në kontakte me narkotrafikantët. Akuza të rënda. A jeni i shqetësuar?

“Nuk kam nevojë të mbrohem nga asgjë. Po përgatitemi për një luftë të madhe kundër korrupsionit, një pastrim me rrënjë të shumë gjykatësve të korruptuar. Përgjimet janë pjesë e kësaj rruge”.

Ish-presidenti Sali Berisha ka thënë se Shqipëria me ju është shndërruar në një narkoshtet.

“Çfarë narkoshteti?. Ne çrrënjosëm kanabisin si fenomen kriminal. Çfarë duhet të themi për Holandën?”

Kush janë miqtë tuaj në Itali?

”Kam nderin të jem mik personal me Renzin dhe D’Aleman”.

Çfarë gabimesh bëri Renzi?

”Nuk më takon mua të gjykoj. Ndoshta është më e vështirë të qeverisësh Italinë se sa Shqipërinë”.

Pse?

“Ka shumë korporativizëm. Ne nuk kemi sindikata, të bësh reforma është më e thjeshtë. Në Shqipëri edhe reformat më jopopullore janë popullore, njerëzit i presin. Ka shumë dëshirë për Europën”.

A është gati Shqipëria për në BE?

“Po. Por vendimet për hyrjen tonë varen nga dinamikat e brendshme europiane”.

Si do ta bindni Këshillin Europian?

“Nëse politikanët e Brukselit do të shohin hartën, do të shohin që Ballkani është i rrethuar nga vende anëtare të BE: Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Greqia. Jemi si mëlçia i një trupi që quhet Bashkimi Europian”.

A do ta përballonte ekonomia juaj një anëtarësim në union?

“Ballkani është deri tani një mundësi e nënvlerësuar, ka një potencial të pamatë. Imagjinoj një anëtarësim në një BE më fleksibël. Duhet të jetë një Europë me shumë Europa: të Schengenit, të monedhës, të Mbrojtjes, të qytetarëve. Me këto rregulla është e pamundur. Gjyshërit, prindërit, fëmijët, nipërit nuk mund të kenë të gjithë të njëjtën peshë”.

Keni qenë një popull migrantësh. Çfarë mendoni për çështjen Sea Watch?

“Italia ka të drejtë, u vu në lojë për vite të tëra dhe ka bërë shumë për t’i pranuar. Mund të diskutohen metodat e qeverisë suaj, por unë nuk shoh metoda të tjera”./ atsh

Rama për ”La Stampa”: Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë Read More »

Ambasadorja Glover: E kënaqur nga zgjedhjet e të dielës, reforma zgjedhore e domosdoshme

Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet lokale 2019 në Shqipëri deklaroi se për zgjedhjet e 30 qershorit do të varet nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të bëjnë me rezultatet e tyre, ndërsa e cilësoi kryerjen e reformës zgjedhore në Shqipëri të domosdoshme dhe një orë e më parë.

Në një intervistë për Deutche Welle (DW), ambasadorja Glover thekson se “nuk ka mbaruar ende gjithë cikli i procesit zgjedhor. Jemi duke parë me shumë interes ankimimet, që janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor”.

“Jam shumë e kënaqur që në zgjedhjet e të dielës vështirë se pati ndonjë akt të rëndë dhune. Zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe në rregull, gjë që është shumë e mirë, duke marrë në konsideratë se sa shumë dhunë ka patur në zona të ndryshme të vendit, sa të dhunshëm kanë qenë muajt e fundit. Por, përderisa procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ende nuk mund të përshkruaj atë në tërësi”, – tha Glover.

E pyetur se çfarë pasojash solli për votuesit bojkoti i 30 qershorit nga PD dhe partitë e tjera opozitare jashtë parlamentit, Glover tha se “kandidatë për kryetarë bashkie garuan pa konkurrentë përballë. Kam folur me disa kandidatë që nuk patën kundërshtarë… ata më thanë, se kjo gjë largoi disi interesin nga zgjedhjet, kur nuk ke asnjë përballë, asnjë kundër, kjo ndikon në performancën e kandidatit, sa bindës është. Në 31 bashki nga 61 nuk pati kandidatë kundërshtarë. Votuesit në këto bashki nuk patën mundësi të bëjnë zgjedhje, në kuptimin e plotë të fjalës”.

Ambasadorja Glover theksoi se “përcaktimi i zgjedhjeve varet nga autoritetet e këtushme, varet se ҫfarë kanë ndërmend të bëjnë si rezultat i kësaj situate. Ne mund të nxjerrim në pah, të tregojmë se si ishte situata, por janë autoritetet e Shqipërisë që do të vendosin se ҫfarë do të bëjnë në të ardhmen, si pasojë e bojkotit të opozitës dhe zgjedhjeve pa kundërshtarë”.

Duke e cilësuar mospjesëmarrjen e opozitës të pazakontë, Glover tha se “zgjedhjet janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Për zgjedhjet e 30 qershorit do të varen nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të bëjnë me rezultatet e tyre”.

“Të gjitha vendet anëtare të OSBE-së kanë nënshkruar angazhimet e tyre lidhur me standardet e zgjedhjeve demokratike. Por, është shteti, autoritetet e këtushme që do të vendosin se ҫfarë do të bëjë me zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk na takon ne të vendosim. Ne do të shkruajmë raportin dhe do të bëjmë rekomandime”-, nënvizoi ajo.

Lidhur me qëndrimin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Glover u shpreh se “në raportin tonë përfundimtar do të ketë vlerësime dhe opinione të pa anshme për zgjedhjet lokale të 30 qershorit”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se a sollën argumente shtesë, a vërtetuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit, se kryerja e reformës zgjedhore në Shqipëri është e domosdoshme dhe një orë e më parë, Glover theksoi se “kryerjen e reformës zgjedhore e kemi rekomanduar prej një kohe të gjatë. Shqipëria duhet të ketë një sistem drejtësie që të funksionojë si duhet, të ketë Gjykatën e Lartë dhe më e rëndësishme të ketë Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të jetë pjesë e rekomandimeve edhe kësaj here në raportin tonë final. Për Shqipërinë është e rëndësishme të ketë një sistem ligjor dhe gjyqësor, që funksionon si duhet”./atsh

Ambasadorja Glover: E kënaqur nga zgjedhjet e të dielës, reforma zgjedhore e domosdoshme Read More »