Aktualitet

Sezoni turistik/ 1100 udhëtarë me tragete vetëm ditën e sotme në portin e Vlorës

Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend, ditët e para të gushit kanë shënuar një fluks të lartë udhëtarësh, të cilët kanë ardhur nga vendi fqinj, Italia.

“Gjatë ditës së sotme në portin e Vlorës kanë ardhur rreth 1100 pasagjerë, 102 autovetura dhe 22 autobusa”, bën të ditur porti i Vlorës.

Sipas portit, një numër i konsiderueshëm i udhëtarëve janë emigrantë që kthehen për pushime në atdhe, por edhe turistë që vizitojnë Shqipërinë.

Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për ti shërbyer sa më mirë fluksit të ditës së sotme e në vazhdimësi.

“Me hapjen e terminalit të ri përpunimi i pasagjerëve dhe i automjeteve ka qënë cilësor dhe i shpejtë”, shprehet porti.

Vetëm gjatë fundjavës që lamë pas në portin e Vlorës kanë ardhur rreth 3050 pasagjerë dhe 440 automjete./atsh

Sezoni turistik/ 1100 udhëtarë me tragete vetëm ditën e sotme në portin e Vlorës Read More »

Rama publikon momente me Zahon në bregdet

Bregdeti i jugut të Shqipërisë përveç turistëve vendas dhe të huaj është zgjedhja edhe e Kryeministrit Edi Rama në këto ditë vere.

Në një foto të publikuar sot në rrjetet sociale, Kryeministri Rama shfaqet me djalin e tij të vogël 5 vjeçar, Zahon.

Duke e cilësuar “Fotoja e ditës”, kreu i qeverisë, bashkë me djalin e tij të vogël kanë fiksuar në fotografi një moment nga qëndrimi i tyre buzë detit Jon.

Kjo nuk është hera e parë që Rama poston fotografi me të birin, Zaho në momente nga jeta e tyre e përditshme./atsh

Rama publikon momente me Zahon në bregdet Read More »

900 të rinj francezë promovojnë Vlorën si destinacion europian të turizmit

900 të rinj francezë qëndruan në Vlorë për ta prezantuar atë si një destinacion të mirëfilltë në rrjetin e qyteteve turistike europiane, në kuadër të turneut sportiv, kulturor dhe solidariteti Europ’Raid.

Të rinjtë francezë të mahnitur nga bukuria e qytetit bregdetar, që ofron plazhe, monumente të shumta kulturore dhe peizazhe fantastike, zgjodhën për të tretin vit radhazi përsëri Vlorën për ta bërë pjesë të turit të tyre.

Europ’Raid, përfaqëson një nismë që nxit dhe konkretizon idenë për të përshkuar me makina më shumë se 10000 km rrugë përgjatë 23 vendeve europiane dhe për t’i promovuar ato .

Të rinjtë u vendosën në plazhin e vjetër ku shijuan perëndimin e diellit, ushqimin dhe aktivitetin e përgatitur për ta.

Ata festuan deri në orët e para të mëngjesit nën tingujt e muzikës në një disko verore.

Organizatori i Europ’Raid, Benjamin Laidin, u shpreh se “jam shumë i lumtur që jam kthyer sërish në Vlorë, për herë të tretë dhe me një numër akoma më të madh turistësh. Më pëlqeu shumë Vlora, ishte një organizim perfekt dhe sigurisht vitin tjetër do të vijmë përsëri në këtë qytet të bukur”.

Ndërsa një i ri francez shprehet se “jemi të lumtur që jemi në Shqipëri dhe kemi shumë dëshirë të udhëtojmë dhe të zbulojmë vendin”.

Europ’Raid konsiderohet një ngjarje unike kulturore, që synon zbulimin e një trashëgimie, një kulture, një historie, një populli … Nga Mesdheu deri në Detin e Zi, nëpërmjet Karpateve dhe maleve Tatra, Rinit dhe Danubit, në rivierën shqiptare, Europ’Raid rizbulon peizazhin natyror, qytetet e famshme dhe vende historike europiane: si sheshin e Shën Markut në Venecia, Akropolin e Athinës, xhamitë e Stambollit, Murin e Berlinit, apo kanalet e Amsterdamit.

Europ’Raid gjithashtu do të thotë më tepër kontakte mes popujve. Çdo natë, me dëshirën për të ndarë kulturën e tyre, pjesëmarrësit zbulojnë kultura lokale të vendeve ku kalojnë.

Me makina Peugeot 205, ata duhet të udhëtojnë më shumë se 10.000 kilometra, gati 450 kilometra në ditë, duke e bërë Europ’Raid një nga turet sportive më të gjata në botë.

Turizmi shqiptar është futur tashmë në rrjetin e vendeve turistike europiane dhe botërore./atsh

900 të rinj francezë promovojnë Vlorën si destinacion europian të turizmit Read More »

Betohet kryebashkiaku i Selenicës, Gjiknuri: Rruga e Lumit të Vlorës, konfirmon fuqinë transformuese të PS

Gjatë ditës së sotme është konstituuar Këshilli Bashkiak i Selenicës dhe u betua kryetari i bashkisë, Pëllumb Binaj.

Ish-kryetari i Bashkisë Selenicë, Përparim Shametaj (njëkohësisht edhe kryetar i PD-së) është larguar duke i lënë zyrën kryebashkiakut të zgjedhur në 30 qershor.

Pas marrjes së detyrës së kryetarit të ri, Damian Gjiknuri, koordinator politik i PS-së në qarkun e Vlorës vlerësoi ish-kryetarin.

“Ka qenë një proces politik i rëndësishëm me vështirësitë e tij. Në Selenicë patëm disa kandidatë dhe këtu u bë një garë e vërtetë, reale dhe ku doli përfaqësuesi i zgjedhur nga populli. Tani i takon Kryetarit të Bashkisë për të krijuar urat e komunikimit, për të qenë pranë dhe atyre qytetarëve që votuan kundër apo që nuk morën pjesë në votim”, tha Gjiknuri.

“Rikthimi i kësaj njësie vendore në drejtimin e Partisë Socialiste është garancia më e mirë për të ecur në drejtimin e duhur për Selenicën që duam. Rruga e Lumit të Vlorës si një premtim që po realizohet e konfirmon më së miri fuqinë transformuese të PS në qeverisje”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Binaj i falënderoi të gjithë për këtë kurorëzim të suksesshëm të këtij aksioni politik për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Unë që nesër nis punën për të përballuar sfidat që janë në këtë bashki. Bashkë me Këshillin Bashkiak, bashkë me të gjithë përfaqësuesit e forcës që unë përfaqësojë, do të nisim punën për të përballuar katërcipërisht punët e mëdha që na presin përpara”, tha Binaj në fjalën e tij./atsh

Betohet kryebashkiaku i Selenicës, Gjiknuri: Rruga e Lumit të Vlorës, konfirmon fuqinë transformuese të PS Read More »

Vlorë, fluks i lartë udhëtarësh vendas e të huaj, 3050 në fundjavën e parë të gushtit

Sezoni turistik i këtij viti vijon të ketë një fluks të lartë udhëtarësh dhe turistësh të huaj, në portin Vlorës, i dyti më i madh në vendin tonë.

“Gjatë kësaj fundjave në portin e Vlorës kanë ardhur rreth 3050 pasagjerë dhe 440 automjete”, bën të ditur porti i Vlorës.

Autoritetet portuale kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve dhe turistëve që hyjnë apo dalin përmes portit detar të Vlorës, duke hapur sportele shtesë.

Gjatë sezonit të verës në port po punohet me 6 sportele në terminal për përballimin e fluksit të udhëtarëve dhe 3 për makinat.

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit./atsh

Vlorë, fluks i lartë udhëtarësh vendas e të huaj, 3050 në fundjavën e parë të gushtit Read More »

Të enjten 8 Gusht ora 19:00 në Parkun Arkeologjik të Orikut organizohet “Tregime jete” me artistë të sukseshëm vlonjatë!

Një aktor i sukseshëm italian i lindur në Vlorë, një balerin i sukseshëm që jeton në Greqi i lindur në Vlorë, disa muzikantë dhe artistë të sukseshëm të fushave të ndryshme të lindur në Vlorë dhe të larguar, se bashku me miq artistë të ftuar , të cilët mbajnë lart emrin e vendlindjes me sukseset e tyre në vendet ku jetojnë, kur rikthehen I bashkon diçka tëpër e fortë: një dritare ….pas të cilës fshihen tregimet e jetës, pas të cilës për shumë prej tyre ndodhet njeriu më i shtrenjtë në botë: Nëna, por ndonjeherë pas dritares gjenden thjesht kujtime aromash të mbrojtura nga muret e akullt.

Tregime jete!

me:
Aleksandros Memetaj – teksti dhe interpretimi
Errik Nour – koreografia dhe interpretimi
Ardita Bufaj – piano
Elton Balla – fizarmonikë
Solen Alla – bariton
Mirjan Sulovari – perkusion
Dejon Bendaj – violinë I
Vilson Guri – violinë II
Albana Kola – violë
Enea Nushi – violonçel

Skenografia – Realda Malo
Regjia – Neritan Mehmetaj
Muzika dhe drejtimi artistik: Aulon Naçi

E ENJTE O8 Gusht Ora 19:00
në Parkun Arkeologjik të Orikut

Të enjten 8 Gusht ora 19:00 në Parkun Arkeologjik të Orikut organizohet “Tregime jete” me artistë të sukseshëm vlonjatë! Read More »

Bllokohen tre hotele në Shëngjin/Rama: Kështu është kur, “për një viç t’xen nata jasht”

Kryeministri Edi Rama reagoi për bllokimin e tre hoteleve të mëdha në Shëngjin, në kuadër të aksionit të anti-informalitetit.

Kreu i qeverisë Edi Rama ka postuar foto nga ky aksion ku janë mbyllur tre hotelet.

“Stop informalitetit. Eh, kështu është kur, “për një viç t’xen nata jasht”, shprehet Rama.

Strukturat e Monitorimit në Terren, në bashkëpunim me DPD, Inspektoriatin e Punës, ISHTI, gjatë periudhës 01-31 Korrik, kanë kontrolluar 1,933 subjekte, ndërsa janë konstatuar 803 shkelje të legjislacionit tatimor. Hetimi tatimor ka identifikuar dhe po vazhdon të monitorojmë, regjistrimin e njësive akomoduese, deklarimin e punonjësve dhe respektimin e detyrimeve të tjera ligjore, për të vendosur rregullat e konkurencës së ndershme për të gjithë.

Hetimi Tatimor, gjatë muajit Korrik ka referuar mbi 30 dosje në prokurori, kryesisht me subjekte të mëdha, që operojnë në fushën e ndërtimit dhe të hidrokarbureve./atsh

Bllokohen tre hotele në Shëngjin/Rama: Kështu është kur, “për një viç t’xen nata jasht” Read More »

Rikthimi në Sazan për të festuar 50-vjetorin e martesës,Xhaçka sjell historinë e veçantë të çiftit Shtylla

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i ka shprehur mirënjohje ish-oficerit të marinës që ka shërbyer 50 vite më parë në ishullin e Sazanit në Forcat e Armatosura.

Ministrja Xhaçka sjellë historinë e një çifti të dashuruar në këtë ishull, që rikthehen për të kujtuar 50 vjetorin e lidhjes së tyre.

“Ishulli i Sazanit ka një rëndësi të veçantë për çiftin Shtylla. Emnori, ish-oficeri i marinës dhe bashkëshortja e tij Pavlina kanë punuar dhe celebruar dashurinë e tyre në këtë ishull. Gjysmë shekulli më pas i mundësuam të rikthehen aty për të festuar 50-vjetorin e martesës. Mirënjohje çdo burri e gruaje që kanë shërbyer e shërbejnë në FA!”, shprehet ajo.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artileria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe, ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë, të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti më i vështirë për ushtrinë shqiptare.

Ishulli i Sazanit sot vizitohet nga eksploratorë amatorë nënujorë, speleologë, admirues të natyrës, por së fundmi është kthyer në një destinacion dhe atraksion për turizmin e lirë./atsh

Rikthimi në Sazan për të festuar 50-vjetorin e martesës,Xhaçka sjell historinë e veçantë të çiftit Shtylla Read More »