Aktualitet

Sot, Dita Europiane e kujtimit të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ka përkujtuar ditën Europiane të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit.

23 Gushti është Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të 20-të që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të komunizmit dhe nazizmit.

“Është një ditë e cila shënohet në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ndërkohë që njihet edhe si “Dita e Shiritit të Zi”. Parlamenti Evropian ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe nazizmit në vitin 2008 dhe që prej atëherë shënohet zyrtarisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo ditë përkujtimore mbështetet gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, -thonë specialistët e muzeut “Shtëpia me gjethe”.

Dita e 23 gushtit është zgjedhur si ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe të nazizmit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, pikërisht më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakord për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore./atsh

Sot, Dita Europiane e kujtimit të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit Read More »

Braçe: Stadiumi kombëtar e ka emrin

Zv.kryeministri Erion Braçe reagoi sërish sot për debatin e krijuar lidhur me emrin e stadiumit kombëtar.

“Si ka mundësi që në FSHF, askush, edhe ky më i dituri drejtor, nuk ndan dot atë që është
“kombëtare” nga ajo që është “lokale”, nuk ndan dot atë që është “publike” nga ajo që është “private”? As që dua përgjigje nga të tillë, por patjetër që kam përgjigje për “argumentat” e drejtorit”, tha Braçe.

Braçe theksoi se “e para, stadiumi “Qemal Stafa” e ka emrin dhe nuk ka asnjë akt t’i ketë hequr këtë emër”.

E dyta, sipas Braçes, “stadiumi ‘Qemal Stafa’ është kombëtar, në kryeqytet, nuk është stadium në Brighton”. “Për këtë arsye ju solla si shembull stadiume të tillë historike në Londër, Berlin, Paris, Romë, Madrid. Në asnjë prej tyre emri nuk është tregtuar! Ju nuk flisni për to e për këtë fakt! Se ja bën ‘muuuu’ që nuk shitet as tek bankat, as tek nafta, as tek telefonia, as tek sigurimet ajo që është kombëtare historike”, shtoi ai.

Braçe tha se “Wembley u ribë nga e para, por emri nuk u tregtua”. “Sa për argumentin tregtar se shet emri ekzistues më shumë se emri i një kompanie, më vlen të të kujtoj se çdo gjë e bukur, e madhe dhe historike në futbollin tonë, lidhet me “Qemal Stafën”! Nuk ja hiqni dot njeriu nga mendje këtë”, shtoi ai.

Po ashtu, Braçe tha se “stadiumi ‘Qemal Stafa’, do të jetë një aset i një institucioni publik, asfare privat, siç FSHF”. “Të paktën, juridikisht është kështu, paçka se si administrohet është e tillë, publike. Vënia në të njëjtin kandar të asetit të një institucioni publik me asetin e një klubi privat futbolli, kudo në dynja, është qesharake deri në dhimbje! Juventus zotni është një klub privat futbolli, sovran për të vendosur nga pikëpamja tregtare për stemën (ju nuk ndryshoni dot stemën e Shqipërisë), për fanellën, sponsorin në të (ju nuk mund të vendosni sponsor në fanellën e kombëtares), asetin, stadiumin, emrin e tij (ju nuk mund të tregtoni atë që është, “Qemal Stafën” dhe atë që është kombëtare)”, tha ai.

“Së katërti, drejtor e të gjithë sa jeni… Shisni garën tuaj! E bëni dot? Nuk besoj; ua thonë kompanitë e marketingut. Nuk shesin dot as edhe një ndeshje tuajën, finale, jo më garën!
Edhe Kosova e shet garën, ju jo! Bëjeni garë, bëjeni të drejtë, të ndershme, cilësore dhe shiteni! Aty keni të drejta ju! Emri i kompanisë në stadium, shet produktin e saj, jo futbollin tuaj”, shtoi ai./atsh

Braçe: Stadiumi kombëtar e ka emrin Read More »

Rritet me 9,7% numri i të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar e punuar

Mbi 14 mijë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi “Të huajt dhe azilkërkuesit në Shqipëri, 2018”. Sipas INSTAT numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 14.162 banorë, duke shënuar rritje me 9,7 %, krahasuar me 2017.

Numri i të huajve rezidentë, në vitin 2018, përbëhej nga 9.203 meshkuj, duke shënuar rritje me 9,9 % krahasuar me 2017, 4.959 ishin femra duke shënuar rritje me 9,6 % në vitin 2018.

Të huajt me origjinë nga Europa, gjatë vitit 2018, ishin 8.212 dhe përbënin 58,0 % të të huajve gjithsej kundrejt 59,2 % që përbënin në 2017.

Në vitin 2018, arsyet kryesore të lejeve të qëndrimit ishin arsyet për punësim dhe bashkim familjar, të cilat së bashku zinin 72,4 % të arsyeve të të huajve rezidentë gjithsej.

Janë evidentuar 6.893 të huaj të parregullt, ku pjesën më të madhe të tyre, 44,8 % e zinin të huajt me origjinë nga Siria.

Gjatë 2018, rezultuan 4.386 azilkërkues në Shqipëri, ku pjesën më të madhe të tyre, 49,0 % e zinin të huajt me origjinë nga Siria.

Në 2018, rezultuan 345 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 9,2 %, krahasuar me vitin 2017.

Personat të cilët e humbën shtetësinë shqiptare gjatë vitit 2018, qenë 640, duke pësuar rënie me 1,7 %, krahasuar me vitin 2017./atsh

Rritet me 9,7% numri i të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar e punuar Read More »

Ndarja nga jeta e aktorit Shpëtim Zani, Margariti: La pas një portret të pazëvendësueshëm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur ngushëllimet familjarëve të aktorit Shpëtim Zani, i cili u nda sot nga jeta.

Ministrja thotë se Zanit iu desh vetëm një rol për të hyrë në historinë e kinematografisë shqiptare. “Shpëtim Zanit iu desh vetëm një rol që të hynte në historinë e kinematografisë shqiptare. Ai u nda nga jeta heshtur, por duke lënë pas një portret të pazëvendësueshëm, atë të Colit, në filmin “Debatik”. Lamtumirë djaloshi i përjetshëm!” – thotë Margariti.

Ishte viti i largët 1960 kur regjisori i mirënjohur Hysen Hakani e përzgjodhi atë për rolin kryesor në filmin “Debatik” (1961), një djalë i shkathët, që binte në sy për lojën e bukur, krejt natyrshëm, dhe që fitoi admirimin dhe dashurinë e publikut për vite e vite me radhë.

Shpëtim Zani, i njohur për rolin e Colit në filmin “Debatik”, është ndarë nga jeta ditën e sotme, si pasojë e një ataku kardiak. /atsh

Ndarja nga jeta e aktorit Shpëtim Zani, Margariti: La pas një portret të pazëvendësueshëm Read More »

Pelegrinazh në malin e Tomorit, vizitorë e turistë firmosin peticionin për shpalljen Park Kombëtar

Jo vetëm festë, urime për më shumë shpresë dhe harmoni, por edhe ftesë për çdo vizitorë, turist e pelegrin për të firmosur peticionin kundër shkatërrimit të malit të Tomorit, pro mbrojtjes dhe shpalljes së tij Park Kombëtar ishin pjesë e Pelegrinazhit në malin e shenjtë të Tomorit në Berat.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm presidenti Ilir Meta, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, besimtarë bektashinj, qytetarë nga Berati dhe qytete të ndryshme të vendit.

“Pasuria e malit të Tomorit i përket të gjithëve dhe duhet mbrojtur pa kushte. Të rinjtë e Smile Albania në Berat vijuan mbledhjen e firmave edhe në ditët e pelegrinazhit në malin e Tomorit duke dëshmuar ditë pas dite interesin dhe këmbënguljen e banorëve dhe turistëve për të mbështetur mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore”-, theksoi ministri Klosi.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, presidenti Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë festive në Tomor gjithashtu firmosi peticionin e drejtuar nga të rinjtë e Smile për shpalljen e malit të Tomorit, Park Kombëtar, duke u renditur kështu publikisht tek zërat kundër shkatërrimit të Tomorit nga bizneset e guroreve, për rrjedhojë edhe kundër vendimit abuziv të gjykatës Administrative të Tiranës.

Mbledhja e firmave do të vijojë edhe në ditët në vijim, në Tomor dhe në atraksione të tjera turistike të Beratit, për t’iu drejtuar më pastaj organeve të drejtësisë, si argument i padiskutueshëm për rrëzimin e vendimit të Administratives.

Tashmë është kthyer në traditë çdo vit që në datat 20 deri në 25 gusht të zhvillohet pelegrinazhi në malin e Tomorit, për kremtimin e festës bektashiane të Abaz Aliut.

Pelegrinë të shumtë nga rrethe te ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova, Maqedonia e vende të tjera vizitojnë malin e Tomorit në festën rituale të përvitshme. Në majën e 2379 metrave të malit të Tomorit, në Berat, gjendet një teqeja e Kulmakut, e rregulluar vitet e fundit ku besimtarët e vizitorët ndezin qirinj e bëjnë ritualet e këtij sekti fetar, për fat e mbarësi./atsh

Pelegrinazh në malin e Tomorit, vizitorë e turistë firmosin peticionin për shpalljen Park Kombëtar Read More »

Tomor, Meta: Abaz Aliu të na japë forcë për një Shqipëri më të drejtë, të bashkuar dhe europiane

“Abaz Aliu të na japë forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, deklaroi Presidenti Ilir Meta i cili mori pjesë sot paradite në pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorit, ku përshëndeti Festën e Shenjtë Bektashiane të Abaz Aliut.

Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe mijëra besimtarëve, Presidenti Meta u shpreh: “Kënaqësi të shoh sot më shumë besimtarë dhe mysafirë të nderuar, të cilët janë bashkuar me ne në këtë Festë të Shenjtë, këtu në malin e Tomorit. Kjo është shenjë e mirë që punët në vitin që vjen do të shkojnë më mirë për vendin tonë dhe në të gjitha hapësirat tona, me ndihmën e Abaz Aliut”.

“Ndaj edhe ne mblidhemi çdo vit këtu në malin e Tomorit për të nderuar jo vetëm këtë figurë të shenjtë, por për të nderuar të gjithë ato legjenda, personalitete dhe baballarë, të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë dhe për çështjen tonë kombëtare”, shtoi ai. /atsh

Tomor, Meta: Abaz Aliu të na japë forcë për një Shqipëri më të drejtë, të bashkuar dhe europiane Read More »

Mbyllet restoranti në Fier, konstatohet intoksikacion nga uji i pijshëm

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka mbyllur sot një restorant në fshatin Kallm të Fierit pas konstatimit të intoksikacionit me origjinë hidrike.

Gjatë inspektimit në terren, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Fier, ka bllokuar aktivitetin e subjektit restorant, me person fizik D. V, NIPT: L92728401K në fshatin Kallm, Mbrostar Ura, Fier, si dhe është marrë masë administrative në vlerën 500 000 lekë, ndaj subjektit për ndotje të ujit të pijshëm.

Po ashtu, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor deklaron se do të vazhdojë inspektimet dhe do të penalizoj çdo subjekt që do të cenojë shëndetin e popullatës.

“Trupa inspektuese e ISHSH po kryejnë inspektime të vazhdueshme me qëllim garantimin e një turizmi të sigurt dhe të shëndetshëm”, shprehet ISHSH. /atsh

Mbyllet restoranti në Fier, konstatohet intoksikacion nga uji i pijshëm Read More »

Përgatitje për sezonin e dimrit, pastrohet kanali te “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë prej kohësh ka nisur përgatitjet për sezonin e dimrit.

Ndërsa janë realizuar dhe po realizohen disa ndërhyrje të rëndësishme në rrjetin e kanalizimeve, gjatë ditës së sotme është duke u kryer një punë voluminoze për pastrimin e kanalit te “Bishti i Kalldrëmit”.

“Ky kanal që vjen nga zona e “Kuzum Babasë” dhe shkarkon te kanali i “Siavit”, cilësohet si ndër të rëndësishmit e grumbullimit të ujërave të bardha apo thënë ndryshe të shiut”, bën të ditur UK, Vlorë.

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, do ta vijojë punën edhe në zona të tjera të qytetit, me qëllim garantimin e funksionimit normal gjatë sezonit të dimrit, të kanaleve, por edhe të rrjetit të kanalizimeve në tërësi.

Ditët e fundit UK Vlorë po i kushton një vëmendje të veçantë edhe riparimit të avarive në rrjetin e furnizimit me ujë pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit, si dhe në Stacionin e Pompave të Ujit në Llakatund për vendosjen në punë të tij, duke riparuar defektin. /atsh

Përgatitje për sezonin e dimrit, pastrohet kanali te “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë Read More »