Aktualitet

The Independent: Shqipëria, mes destinacioneve origjinale për t’u vizituar

Portali nga Singapori “The Independent” ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve origjinale që duhen vizituar si Bolivia, Haiti apo Madagaskari.

Malet e thepisura, rrënoja historike mbresëlënëse dhe ujëra blu janë vetëm disa prej gjërave që Shqipëria mund të ofrojë.

Ndërkohë që Europa është një destinacion turistik popullor, Shqipëria vetëm kohët e fundit i është hapur vizitorëve të huaj. Nëse ju shijon të ngjisni majat, pamjet panoramike që të lënë pa frymë, kështjella të vjetar dhe zona arkitekturore, ia vlen të vizitohet ky vend relativisht me pak turistë.

Madje shumë nuk e dinë që Shqipëria është shtëpia e një zone të shpallur trashëgimi të UNESCO, qyteti i mrekullueshëm i Butrintit, ku gjenden rrënoja greke dhe romake.

Disa prej zonave më të mrekullueshme që mund të bëni në Shqipëri është një udhëtim nëpër Alpe, të cilët mbajnë edhe emërtimin e mistershëm Bjeshkët e Namuna.

Vizitoni fshatrat e Valbonës dhe të Thethit, ku banorët e zonës mund t’ju lejojnë të qëndroni dhe të hani me ata.

Për të shijuar flladin e detit dhe ujëra blu, vizitoni brigjet shqiptare të Adriatikut si dhe shëtisni nëpër plazhet fantastike të Sarandës dhe Vlorës. /atsh

The Independent: Shqipëria, mes destinacioneve origjinale për t’u vizituar Read More »

Çuçi: Asnjë tolerim ndaj kujtdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore në vend

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi, deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj kujtdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore në vend.

Duke iu referuar të dhënave të fundit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për kthimin mbrapsht nga Durrësi në vendet e origjinës të disa ngarkesave me mish, që nuk përmbushnin standardet për konsum, ministri Çuçi tha se “po monitorojmë të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, sidomos ato në zonat turistike, për të garantuar produkte të sigurta”.

AKU njoftoi të premten se ka kthyer mbrapsht në vendin e origjinës tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, pasi nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton “Mish derri” me origjinë nga Brazili.

Ndërsa gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces verifikimi përfundimtar për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim./atsh

Çuçi: Asnjë tolerim ndaj kujtdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore në vend Read More »

Të ardhurat nga pushteti vendor u rritën me 200 milionë lekë në korrik

Të ardhurat nga pushteti vendor, në buxhetin e shtetit u rritën me 200 milionë lekë në muajin korrik 2019 krahasur me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Sipas të dhënave fiskale nga Ministria e Financave, në muajin korrik 2019 të ardhurat nga pushti vendor arritën në shifrën 1.8 miliardë lekë.

Ndërsa si 7-mujor u mblodhën në total rreth 15, 2 miliardë lekë, nga 12.5 miliardë lekë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të një vitit më parë, apo rreth 2.7 miliardë lekë më shumë.

Peshën më të rëndësishme në të ardhura e zënë taksat lokale, me rreth 11.4 miliardë lekë dhe më pas renditet taksa e pasurisë me rreth 3.5 miliardë lekë, dhe taksa mbi biznesin e vogël ka të ardhurat më të ulëta me vetëm 311 milionë lekë./atsh

Të ardhurat nga pushteti vendor u rritën me 200 milionë lekë në korrik Read More »

Rafting në kanalin e Çukës, destinacioni i ri për turizëm aventure

Pushuesit dhe turistët, që zgjedhin Sarandën për të kaluar pushimet, do të kenë një mundësi më shumë për turizëm.

Në kanalin e çukës në Sarandë, Federata Shqiptare e Rafting ka krijuar infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për të zhvilluar rafting, duke i hapur rrugë zhvillimit të turizmit të aventurës në një destinacion të ri turistik.

“Është një biznes i ri, është një udhëtim i qetë dhe shumë i bukur të cilin të rinjtë e Smile do ta shijojnë sot për ta promovuar si një destinacion të ri për Sarandën. Është shumë e rëndësishme që qendra të vërteta të zhvillimit të turizmit në Shqipëri e të qytetit të Sarandës të ketë shumë më tepër oferta ditore si kjo e kanalit të Cukës apo e gjithë zonës për t’u bërë me djemtë e rafting dhe të kemi mundësinë që po ashtu të zhvillojmë edhe oferta të tjera në Sarandë që kanë të bëjnë me bukuritë natyrore, me vizitat e parqeve arkeologjike dhe bukuritë e tjera shqiptare”, tha ministri Klosi, i cili bëri edhe guidën e parë me kajak duke përshkuar të gjithë lumin Bistrica, në një atraksionet më të mrekullueshme natyrore të Sarandës.

Sipas tij, çdo përpjekje për të krijuar mundësi të reja në turizëm është një arsye më shumë për të zhvilluar turizmin dhe për të pritur turistët me më shumë shërbime dhe alternativa për të kaluar pushimet jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit.

Për presidentin e federatës shqiptare të Rafting, Zamir Spathara, mbështetja e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është një motiv më shumë për të zhvilluar turizmin në një nga potencialet e forta të Sarandës që do të shërbejë gjatë gjithë sezonit turistik.

“Këtu jemi shumë afër Sarandës, pozicioni është shumë i bukur, Bistrica është një lumë që të jep mundësinë që të lundrosh e të jesh i qetë. Ne gjatë rrugës do të shohim një xhungël të vogël, ka qenë problematike se ka qenë e papastër, një vit më parë kur kemi bërë turizëm kemi patur shumë probleme, por këtë sezon ne arritëm që të bëhet pastrimi dhe të bëjmë një tur të denjë për turistët. Mbase jemi vonë për këtë sezon por unë shpresoj që sezonin tjetër ne do të jemi shumë fort me struktura më të ngritura. Kryesorja për ne është që sot kemi arritur të sjellim ministrin që do ta bëjë vetë këtë tur”, tha presidenti i federatës shqiptare të Rafting Sathara./atsh

Rafting në kanalin e Çukës, destinacioni i ri për turizëm aventure Read More »

Braçe: Zjarri në Shëngjin, kriminal

Zv.kryeministri Erion Braçe u shpreh sot se “zjarri në Shëngjin është i përsëritur në të njëjtën kurorë, i qëllimtë e për këtë arsye, kriminal”.

“Pylli me pisha e shkurre të tjera nuk është më. Për 32 orë zjarrfikës, ushtarë e punonjës të emergjencës, bën gjithçka për të mbrojtur banesat nga zjarri pranë tyre, njëherësh për të shpëtuar pyllin. Me banesat ia dolën, i mbrojtën, me pyllin jo, s’arritën. Ai që pronën e vjedhur se gëzon dot më sepse njerëzit kanë kurajo të flasin, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, mos e gëzoj kurrkush!! Ai që pronë do të grabisë, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, të ndërtojë aty ku zjarri e ka kthyer pyllin në truall”, tha Braçe.

Sipas tij, “kurora e Shëngjinit është shkatërruar fiks kështu, nga interesa kriminale horrash që urrejnë pyllin e se paratë i bëjnë nga betoni”.

“Për të mos folur edhe për piromanë edhe më banalë që përfitojnë kullota, më keq dru nga pemët, qymyr nga shkrumbimi për të fituar edhe kështu. E di që e qara për Amazonën është trendy, por Shëngjini dhemb edhe më shumë”, u shpreh ai.

Për shumë kohë, sipas Braçes, “në Shëngjin, detin, erën që vjen prej tij, e ndanë me pyllin, malin, me një mur 8-10-12 kate betoni”.

“Fituan para pa hesap, pa pyetur për shkatërrimin! Tek interesa të tilla nis, me këto interesa duhet luftuar, të mëdha apo banale qofshin”, tha Braçe.

Sipas tij, “nuk i duhen kërrkujt dëngla të politikanëve hipokritë që flasin për zjarrin kur për luks i kanë vënë betonin pyllit, mu në mes të tij”.

“Zjarri nuk shuhet as me hipokrizi e as me pështyma! Zjarri nuk shuhet me koordinim zjarrfikësish, kur benzina e interesave të betonit dhe çdo interesi tjetër përfitues,
e ndez dhe e përhap flakën kudo! Duhet të merremi tani me këtë “benzinë”, posaçërisht aty në vend, ndryshe as shiu që na ndihmoi dje në Shëngjin, nuk do jetë më me ne! Gjithnjë nis tek politika, vendimet e saj, që të mos arrijë më tek pylli”, tha ai./atsh

Braçe: Zjarri në Shëngjin, kriminal Read More »

Shëngjin, vijon shuarja e zjarrit, asnjë banesë e rrezikuar

Në kurorën e gjelbër të Shëngjinit vijon puna për për mbajtjen nën kontroll të zjarrit të rënë prej dy ditësh.

Për shuarjen e tij po punojnë trupat dhe mjetet e Misionit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi (MZSH), pushteti vendor, Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “asnjë banesë nuk është e rrezikuar, ndërkohë që, prej dy ditësh e netësh, FA me mjete e trupa nga Tirana e Shkodra dhe bashkia Lezhë janë në terren dhe do të jenë aty deri në shuarjen e flakëve”.

Sipas Ministrisë, aktualisht janë 200 efektivë nga strukturat e mësipërme të angazhuar për shuarjen e zjarrit në Shëngjin./atsh

Shëngjin, vijon shuarja e zjarrit, asnjë banesë e rrezikuar Read More »

Tushemishti destinacioni i fundjavës, organizohet për herë të dytë Festa e Teto Ollgës

Teto Ollga, personazhi i njohur dhe shumë i dashur i filmit shqiptar “Zonja nga qyteti”, xhiruar në Tushemisht të Pogradecit, i dha jo vetëm famën fshatit turistik, por tashmë i dha edhe emrin e festës lokale që po zhvillohet për të dytin vit radhazi.

Kjo festë nisi sonte në fshatin e bukur turistik të Tushemishtit, ku qytetarë nga Pogradeci, vizitorë dhe turistë po shijojnë bukurinë e fshatit, mikpritjen e banorëve, gatimet tradicionale etj.

Të pranishëm në festë kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, jo vetëm shprehën mbështetje maksimale për këtë festë, por tashmë çdo vit e më tepër ajo do të organizohet me risi edhe më të veçanta.

Pjesë e festës është edhe panairi me punimet e grave duararta të Tushemishtit.

Shumë breza shqiptarësh janë rritur me figurën e teto Ollgës dhe mitin e atij fshati shumë të bukur, që ofron mikpritje, traditë, festë, dashuri, pastërti. /atsh

Tushemishti destinacioni i fundjavës, organizohet për herë të dytë Festa e Teto Ollgës Read More »

Bashkia e Sarandës apel qytetarëve: T’u ofrojmë pushuesve qytet të pastër

Qyteti bregdetar i Sarandës çdo ditë e më shumë po ofron një mjedis të pastër për qytetarët dhe pushuesit e shumtë vendas e të huaj, falë punës së përditshme të bashkisë.

Punonjësit e bashkisë po punojnë për të mos lejuar as ndotjen më të vogël, në të gjithë territorin, megjithëse situata të pakëndshme dhe të padëshiruara e të shoqëruara me krijim të vatrave të ndotura, vënë re hera-herës gjatë këtyre ditëve që vazhdojnë të jenë të ngarkuara me pushues në Sarandë.

“Një vatër e tillë u krijua sot në një mjedis të qytetit. Fotografitë e marra në vend në dy momente, tregojnë qartazi se si vendi ishte i ngarkuar me mbetje urbane të hedhura jashtë koshave dhe si u pastrua brenda pak kohe kjo vatër e ndotur, për shkak të mospërdorimit të koshave, edhe pse ata ishin aq afër dhe bosh”, bën të ditur Bashkia, e cila ka publikuar edhe foto para dhe pas pastrimit të zonës.

Sipas Bashkisë, pushuesit që kanë zgjedhur të pushojnë në Sarandë, kanë ardhur jo vetëm për detin dhe rërën, por edhe se presin që t’u ofrojmë qytet të pastër dhe shërbime të standardit turistik, për të cilat, shprehet ajo ne mundemi t’i krijojmë.

Bashkia i bën apel çdo qytetari që të jetë më bashkëpunues, më qortues e korrigjues për këdo që shikon të sjellë ndotje me shkujdesjen e tij. /atsh

Bashkia e Sarandës apel qytetarëve: T’u ofrojmë pushuesve qytet të pastër Read More »