Aktualitet

Foshnja me diagnozën e rrallë në zemër niset drejt Italisë, Rama: Pranë prindërve që ditën e parë

Kryeministri Edi Rama publikoi sot rastin e një foshnje 13-ditëshe i diagnostikuar me një sëmundje të rrallë në zemër, i cili falë ndërhyrjes së autoriteteve shtetërore është nisur për kurim në Itali.

“Vogëlushi Elio ka lindur 13 ditë më parë, i mezi pritur nga mami e babi, që prej 12 vjetësh. Por gëzimi i madh erdhi me dhimbjen e madhe të një problemi tejet të rëndë në zemrën e bebit”, shprehet Kryeministri.

Rama tha se ai ka “një diagnozë shumë të rrallë, e cila trajtohet vetëm në pak spitale të specializuara në Europë”.

“Por prindërit e Elios, nuk janë vetëm në këtë hall të madh. Ne ishim pranë tyre qysh ditën e parë dhe tanimë, bebi është në duart e specialistëve të duhur në Itali. Me gjithë zemër uroj, që zemra e vogël të shpëtojë nga rreziku i madh që i kanoset dhe Elio të jetë për shumë e shumë vite, burim gëzimi për mamin e babin”, tha Rama./atsh

Foshnja me diagnozën e rrallë në zemër niset drejt Italisë, Rama: Pranë prindërve që ditën e parë Read More »

Basha: Shqiptarët më të varfër, po paguajnë më shtrenjtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një video-mesazhi tha se shqiptarët sot janë më të varfër dhe po paguajnë më shtrenjtë.

Sipas, Bashës, pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshte
“Varfëria, papunësia, mungesa e mundësive vijnë nga grabitja që po i bëhet Shqipërisë nga një grusht klientësh. Pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur”, shprehet ai.

Po ashtu Basha shton se “miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar në këto 6 vjet. “Shqiptarët janë pa punë, sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët e qeverisë”, tha Basha.

“Që të çlirojmë ekonominë dhe të hapim vende pune e mundësi për çdo shqiptar, duhet të largojmë Edi Ramën”, shprehet ai. /atsh

Basha: Shqiptarët më të varfër, po paguajnë më shtrenjtë Read More »

Kuvendi, sesioni i ri parlamentar nis më 2 shtator

Kuvendi do të zhvillojë të hënën 2 shtator në orën 18:00 seancën plenare për hapjen e Sesionit të V-të të Legjislaturës së IX–të.

Në njoftimin e publikuar nga Kuvendi thuhet se, “Bazuar në nenin 74, pika 1 të Kushtetutës, në nenin 42, pika 1 të Rregullores së Ruvendit dhe në Urdhrin nr. 26, datë 29.8.2019 të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të hënën e parë të shtatorit, më datë 2.9.2019, në orën 18.00 do të fillojnë në seancë plenare punimet e Kuvendit në sesionin e V-të”.

Në rendin e ditës së seancës plenare është parashikuar miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.7.2019. Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend. Njoftimi/Miratimi i Programit të Punës së Kuvendit për periudhën 2 shtator – 18 tetor 2019. Si dhe njoftimi/miratimi i Kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 2 -20 shtator 2019./atsh

Kuvendi, sesioni i ri parlamentar nis më 2 shtator Read More »

Titulli i lartë “Për Merita të Veçanta Civile” familjeve Petrela dhe Topulli

Presidenti i Republikës, Meta vlerësoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Forcë, me titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” vëllezërit Bujar, Ylber, Halit dhe Seit Petrela, si dhe Shqipjon Topullin (pas vdekjes).

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në institucionin e kreut të shtetit, ku merrnin pjesë kryetarja e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit, Gentjana Sula, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika, ish-të persekutuar e përfaqësues të familjeve, Petrela e Topulli, u dorëzuan titujt.

Në fjalën e tij, Meta tha se është gjithmonë e dhimbshme kur kujtojmë historitë dhe ngjarjet që bota jonë ka kaluar, jo vetëm gjatë luftërave, por edhe gjatë kohës së regjimeve totalitare.

Meta shtoi se Kujtimi i së kaluarës, sado e hidhur qoftë ajo, është detyrë e secilit prej nesh.

“Kjo për faktin se kemi detyrimin t’i kujtojmë dhe respektojmë të gjitha viktimat dhe të zhdukurit e regjimeve totalitare, dhe po ashtu, për të mos lejuar që ato të përsëriten, dhe të ndodhë ajo që, siç e ka thënë filozofi Edmund Burke: “Ata që nuk e njohin historinë, janë të dënuar ta përsërisin atë”, shtoi ai.

Po ashtu, Meta tha se Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë ne nderojmë djemtë e një familjeje që kanë kaluar kalvarin e tmerrshëm të vdekjes dhe varrosjes së prindërve të tyre, nga regjimi komunist, në fshehtësi dhe pa asnjë shenjë identifikimi.

“Historia e djemve të familjes Petrela: Bujarit, Ylberit, Halilit dhe Seitit mbart tragjedinë e qindra familjeve të deklaruara armike të popullit nga regjimi komunist: burgosje, internim, vdekje, varre pa emër e pa vendndodhje, familje të ndara që nuk dinin fatin e të afërmve të tyre. Është e dhimbshme të mendosh 4 fëmijë të vegjël nga 1 deri në 11 vjeç, siç kanë qenë vëllezërit Petrela, të gjendur jetim dhe të internuar në kampin famëkeq të Tepelenës. Fatkeqësisht, prindërit e tyre, Fadil dhe Xhuma vdiqën rrugës për në kampin e Tepelenës në aksident automobilistik, duke u varrosur pa një varr e pa një emër mbi të. Ndërkohë që halla e tyre 24-vjeçare u traumatizua nga tragjedia, dhe gjyshja e tyre u dëmtua rëndë në shtyllën kurrizore”, tha ai.

Në vijim, Meta tha se kalvari i tyre ka qenë i gjatë edhe pas kthimit në kryeqytet, ku me damkën e “armiqve të popullit” nuk mund të qëndronin në shtëpinë e tyre, por u duhej të rriteshin në dyert e familjarëve që ndjenin dhembshuri për këta 4 jetimë, duke jetuar edhe 13 veta në një dhomë.

“Por dhimbja më e madhe ka qenë për ta, fakti që nuk mund t’u ofronin një vend prehjeje të përjetshëm e të denjë prindërve të tyre të vdekur. Edhe pse dinin me afërsi vendin e varrosjes së tyre, për regjimin, prindërit e tyre ishin të zhdukur dhe armiq të popullit, e si të tillë nuk e meritonin një vend prehjeje”, shtoi ai.

Gjithashtu Meta theksoi se “Por dinjiteti njerëzor, humanizmi, dashuria janë elementët thelbësor në këtë histori njerëzore të dhimbshme. Sot, ne nderojmë jo vetëm vëllezërit Petrela, për humanizmin dhe vendosmërinë e tyre për të nderuar prindërit, duke i marrë në fshehtësi eshtrat e tyre dhe duke i ruajtur për shumë kohë në shtëpi. Njëkohësisht, ne nderojmë e përulemi përpara aktit fisnik të një fshatari të panjohur ende edhe sot, që përmbushi një amanet dhe njoftoi vëllezërit Petrela, në mes të natës, se vendi ku prindërit e tyre ishin varrosur do të shpyllëzohej dhe ata nuk do të kishin më kurrë mundësi t’i gjenin eshtrat e tyre. Ne përulemi dhe nderojmë aktet fisnike të miqve të vëllezërve Petrela, që i ndihmuan ata, së pari, duke ruajtur në shtëpitë e tyre eshtrat e prindërve e më pas duke i ndihmuar t’i varrosnin pa bujë e zhurmë”.

“Vëllezërit Petrela, ashtu si miqtë e të panjohurit që i kanë ndihmuar, kanë treguar me veprimet e tyre se fisnikëria, humanizmi, dinjiteti janë vënë përballë dhe në fund kanë sfiduar e fituar mbi shfytyrimin e depersonalizimin që, fatkeqësisht, sjellin sistemet totalitare. Për merita të veçanta civile, ata janë e do të vazhdojnë të mbeten shembuj frymëzues për brezat e ardhshëm të vendit. Nderim përjetë të gjithë viktimave të zhdukur me forcë, të gjithë disidentëve dhe të gjithë ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë!”, tha ai. /atsh

Titulli i lartë “Për Merita të Veçanta Civile” familjeve Petrela dhe Topulli Read More »

Vatër zjarri në ishullin e Sazanit, në terren efektivë të Forcës Detare

Ministria e Mbrojtjes, njofton se një vatër zjarri është konstatuar në ishullin e Sazanit.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, “16 efektivë të Forcës Detare janë në terren e po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërkohë që 17 efektivë të tjerë janë nisur nga baza detare e Pashalimanit. Anija e shërbimit e FD është në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme”./atsh

Vatër zjarri në ishullin e Sazanit, në terren efektivë të Forcës Detare Read More »

Rindërtohen shtëpitë e rrënuara nga tërmeti në Floq, Rama takon banorët

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot familjet e prekura nga tërmeti i 1 qershorit në fshatin Floq të Korçës.

Ai ndoqi nga afër ecurinë e punimeve për rindërtimin e shtëpive të rrënuara.

“Në fshatin Floq të Korçës, ku po rindërtohen shtëpitë e rrënuara nga tërmeti i qershorit”, tha Rama, ndërsa postoi edhe dy foto me banorët e fshatit.

Në 1 qershor zona e Korçës u prek nga disa tërmete, që shkaktuan dëmtimin e shumë banesave. Tërmeti më i fortë e kishte epiqendrën në fshatin Floq, të bashkisë Korçë ku mbetën të dëmtuara rreth 184 shtëpi./atsh

Rindërtohen shtëpitë e rrënuara nga tërmeti në Floq, Rama takon banorët Read More »

“Stop Informalitetit”/ 10 mijë shkarkime të aplikacionit, 982 denoncime në dhjetë ditët e para

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje se numri i qytetarëve që kanë shkarkuar aplikacionin “STOP INFORMALITETIT” e kaloi numrin 10 mijë, duke inkurajuar bashkimin me luftën kundër informalitetit.

Kryeministri shprehet se “kalon në 10.458 numri i qytetarëve që kanë shkarkuar aplikacionin STOP INFORMALITETIT.

“Shumë faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar me 982 denoncimet e tyre, në këto 10 ditë të para të aplikacionit dhe të gjithë të tjerëve, që duke e shkarkuar aplikacionin janë përfshirë në këtë luftë për të afruar të ardhmen”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama fton qytetarët t’i bashkohen kësaj lufte kundër informalitetit, duke i garantuar ata se denoncimi është i fshehtë dhe konfidencialiteti i të dhënave është 100% i sigurtë. /atsh

“Stop Informalitetit”/ 10 mijë shkarkime të aplikacionit, 982 denoncime në dhjetë ditët e para Read More »

Vijon vendosja e matësave të ujit në Vlorë, investime në rrjet

Në kuadër të reformës së ujit, në Vlorë vazhdon puna për vendosjen e matësave të ujit te abonentët familjarë si dhe privatë në qytet.

Inspektorë të Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë kanë kryer sot inspektime te bizneset në lagjet “28 Nëntori” dhe “Lef Sallata”.

UK Vlorë kreu po ashtu një ndërhyrje për eliminimin e një avarie në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Sadik Zotaj”, në lagjen “24 Maj”, pranë Qendrës Shëndetësore”.

Një tjetër ndërhyrje u krye edhe në Stacionin e Pompimit te “4-katëshet”, në “Kume”, ku përfundoi puna për vendosjen e pompës së re me kapacitet 50 litër/s.

Gjithçka për t’i paraprirë sezonit me reshje shiu, në kuadër të mirëfunksionimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha./atsh

Vijon vendosja e matësave të ujit në Vlorë, investime në rrjet Read More »