Aktualitet

Pakti për Universitetin/ Përfundon rikonstruksioni i 11 konvikteve, drejt përfundimit 6 të tjerë

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishin sot në konviktet 24 dhe 25 të Qytetit Studenti, aty ku puna po vijon në infrastrukturën e brendshme.

Gjatë inspektimit të punimeve Kryeministri Rama u informua se në Qytetin Studenti ka përfunduar rikonstruksioni 11 konvikteve dhe janë drejt përfundimit edhe 6 godina të tjera, ndërsa 3 të fundit nisin javën e ardhshme.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se edhe në qytete të tjera ku ka rezidenca studentore puna po vijon brenda parashikimeve.

“Ne jemi në kohë për t’i akomoduar pjesën më të madhe si duhet. Tani kanë mbetur disa këtu. Plus, Korça ka filluar, Shkodra po ashtu është në proces për të filluar, fillon këto ditë, sepse gjithçka është bërë gati. Po ashtu për Elbasanin, Vlorën dhe Gjirokastrën”, tha Kryeministri Rama.

Drejtoresha e Rezidencave Studentore, Anila Shehu tha se “konvikti 24 ka 88 dhoma, ka një kapacitet prej 240 studentësh. Po punohet në ambientet e përbashkëta. Është duke u ndërtuar një bateri e re dushesh, pastaj do të vazhdohet me rrjetin hidraulik dhe elektrik”.

Ndërsa nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj tha se kanë mbetur dhe tre konviktet e fundit që fillojnë punë javën tjetër.

“Kemi mbaruar 11 totalisht, kemi aktualisht nja 5-6 kantiere të hapura”, – tha kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili theksoi se sfida e radhës është mirëmbajtja e tyre, për të cilën ideja e punësimit të studentëve si administratorë mbetet zgjidhja më e mirë.

Po ashtu Veliaj shtoi se në Qytetin “Studenti” , ne punësojmë shumë staf, recepsionistë, administratorë, etj.. Çdo gjë ka nevojë për t’u mirëmbajtur.

“Menduam që ideja më e mirë, meqë specialistët janë me paga minimale, është që ne mund të punësojmë studentë. Pra, do të hapim disa vende pune dhe do t’u themi që kemi disa vende pune si administratorë. Po u prishën dushet, po ndodhi diçka, apo ndonjë problem tjetër kemi një administrator që është një prej studentëve”, – tha ai.

Ndërsa Anila Shehu shtoi se përfaqësimi studentor e ka lehtësuar së tepërmi komunikimin me studentët.

“Kemi gjithashtu një përfaqësues student për çdo konvikt, kemi një përfaqësues për kat, i cili gjatë gjithë kohës zgjidh edhe problemet e mirëmbajtjes, edhe problemet e bashkëjetesës, por edhe probleme të ndryshme që mund të kenë studentët. Kur kemi nga një përfaqësues për konvikt është më e thjeshtë për të komunikuar me të gjithë studentët”, – tha ajo.

Veliaj shtoi se Karta e Studentit pritet të fuqizohet nga 1 tetori dhe se skema e saj do të implementohet edhe në qytete të tjera.

“Një gjë e cila na ka shkuar shumë mirë dhe që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë nga data 1 tetor është Karta e Studentit. Presim të lidhim një marrëveshje me një bankë tjetër që i bën interesat zero për studentët, pra, për të hapur një kartë, për të bërë një transaksion, një kredi të butë. Kështu që me Kartën realisht jemi në gjendje që ta implementojmë dhe në qytete të tjera. E kemi skemën gati,” – u shpreh Veliaj.

Kryetari i bashkisë, Veliaj e vlerësoi të suksesshëm bashkëpunimin me sektorin privat, pa ndihmën e të cilët, shumë projekte për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë do të ishin të pamundura.

“Nëse i shikojmë gjërat, pavarësisht nga debatet, – flas për Tiranën, – shkollat, inceneratorët, kjo historia me spitalet, janë disa nga projektet ku bashkëpunimi me privatin ka qenë histori suksesi. Inceneratori i Tiranës nuk do ishte bërë kurrë me forcat tona. Po ashtu me shkollat e Tiranës, ku sot kemi 16 kantiere të hapura.”

Në fund, Kryeministri Rama pohoi se bashkëpunimi me sektorin privat ka qenë zgjidhja e duhur për shumë vepra të rëndësishme në vend.

“Pa diskutim që ky është i vetmi mekanizëm. Sot pashë videon e re nga Rruga e Arbrit, ajo është bërë spektakël, ka shkuar deri në gjysmë të rrugës. Është një fond që qeveria nuk e kishte, se po ta kishte do ta kishte bërë 30 vjet. Nga ana tjetër, këto nuk shikohen të veçuara. Sepse dikush mund të pyesë, pse nuk i keni ju 300 milionë? Por nuk janë vetëm këto që duhen, sepse janë dhe 1500 gjëra të tjera. Qeveria nuk i mbledh të gjitha në një vend. Ndërkohë që Rruga e Arbrit mbaron brenda 2021 dhe ne shlyejmë deri në 2031, që do të thotë njerëzit 10 vjet e gëzojnë, ndërkohë që me atë lloj ritmi do të ishin dashur 13 vjet ta bënim. Këtu krijohet ideja se, kur këtu fton privatin, ai merr lekët e shtetit dhe ikën. Ai hedh lekët e veta për një periudhë kohe, sa të garantohet ai shërbim apo ajo vepër dhe publiku e përfiton pa asnjë shpenzim ekstra, ndërkohë që qeveria paguan pastaj me këste deri kur ta shlyejë dhe i kthehet në pronën e vet”, – tha Kryeministri. /?atsh

Pakti për Universitetin/ Përfundon rikonstruksioni i 11 konvikteve, drejt përfundimit 6 të tjerë Read More »

Spiropali: Fushata e pastrimit e nevojshme, në disa bashki gjendja ishte alarmante

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherësh Zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se fushata e pastrimit në të gjithë Shqipërinë ishte e nevojshme, pasi situata ishte alarmante në disa bashki.

Spiropali apelon, “mbaje pastër Shqipërinë, ashtu siç mban shtëpinë”.

“Fushata e pastrimit në të gjithë territorin e vendit ishte e nevojshme, sidomos në disa prej bashkive të vendit ku gjendja ishte alarmante, pasi kryetarët endeshin rrugëve me protesta e ngè për punë s’kishin”, tha ajo.

Po ashtu Spiropali tha se “kjo fushatë pastrimi ishte edhe fushatë ndërgjegjësimi, për ta mbajtur pastër ambientin përditë, jo një herë në vit!”?atsh

Spiropali: Fushata e pastrimit e nevojshme, në disa bashki gjendja ishte alarmante Read More »

Sekrete mjeshtërie/ Koralda Prifti, “gardiania” e garderobës historike të Teatrit Kombëtar

Teksa përpiqet të ndreqë dantellat e një fustani rozë, të grirë nga koha, asaj i duket sikur dëgjon zërin e ëmbël të Drita Pelinkut, teksa e mbulonte me ledhe: “E ëmbla ime, e vogla ime”! Koralda Priftit i rrëmbushen sytë me lot. U bënë 27 vjet që punon në Teatrin Kombëtar. Ka kaq shumë kujtime, e megjithatë pasionin për punën e ruan si të ishte dita e parë.

Kur kalonte përpara Teatrit Kombëtar dhe shihte aktorët tek bisedonin me pasion për shfaqjet apo një ngjarje dite, ajo thoshte me vete: O Zot, a do të mundem një ditë të punoj me këta njerëz?! Ajo u rrit me dashurinë për teatrin. Daja i saj, Vangjush Furxhi, nuk reshte së foluri për teatrin dhe imagjinata e saj lëvizte mes skenës dhe veshjeve farfuritëse të aktorëve. Ajo nuk e fsheh se ishte daja i saj, asokohe zëvendësministër i Kulturës, që hodhi një fjalë tek drejtori i Teatrit, Robert Ndrenika. Por edhe për mbesën e mikut, ky i fundit nuk bënte lëshime: Do të ishte në provë për 6 muaj, si garderobiere. Ishte viti 1992.

E kujtoj fare mirë shfaqjen e parë, për të cilën duhet të punoja. Ishte ‘Rikardi III’, me regjisor Agim Qirjaqin, një shfaqje e madhe me rreth 50 aktorë. Isha fare e re dhe nuk ia dija sekretet punës. Kisha parë vetëm se çfarë ndodhte në skenë, por jo pas kuintash. Më mbajti shumë pranë shefja e Financës, Ludmilla, që më mësoi radhën e punës, se si funksiononte kur vinin dhe kërkonin rroba nga garderoba. Por i jam shumë mirënjohës edhe Ndrenikës për mundësinë që më dha. Në atë 6 mujor do të varej e ardhmja ime. Ishte një periudhë e vrullshme, gjatë së cilës duhet të tregoja se çfarë mund të bëja. Mund ta quaj fat, edhe pse me shumë lodhje, faktin që kolegia ime mori lejen e lindjes, që zgjaste plot 6 muaj. Puna fliste vetë… Kështu nisa punë në Teatrin Kombëtar”, tregon Koralda Prifti, që sot është njeriu më i dashur për çdo aktor. Në fund të fundit, shkëlqimi i tyre në skenë, varet pikërisht nga duart e Koraldës. Është ajo që merret me veshjet e tyre, që të jenë të pastra, të hekurosura, që të mos u mungojë asnjë kopsë, që të jenë në vendin e duhur, në kohën e duhur.

“Puna ime është e lidhur ngushtë me kostumografin. Sa herë që vihet një premierë, kostumografi kontakton me mua, për të mësuar se çfarë disponon garderoba nga veshjet që atij i duhet. Sigurisht varet nga periudha, së cilës i përket vepra, por edhe koncepti i regjisorit dhe kostumografit. Mund t’i duhen pelerina, cilindra, këmisha… Më herët, kur në Teatër punonin Agim Zajmi e Shaban Hysa, garderoba është shfrytëzuar mjaft, por rrobat konsumohen me kalimin e kohës, përpos faktit që kohërat kanë ndryshuar dhe ka nevojë të qepen gjëra të reja. Kohëve të fundit kam bashkëpunuar me kostumografet Berina Kokona dhe Laedja Hajdari, që realizojnë kostume shumë të bukura, duke pasuruar garderobën. Pasi janë përcaktuar veshjet e aktorëve unë ua vendos nëpër kabinat e zhveshjeve. Pas shfaqjeve marr të gjitha rrobat dhe çoj për pastrim ato që kanë nevojë. Një proces që unë e bëj pa dallim si për aktorët kryesorë ashtu edhe për figurantët. Dua që aktorët të shndrisin të gjithë, që nga koka, deri te këmbët dhe shpesh ata qeshin me mua, sepse u dukem si ‘nënë me shumë fëmijë’, -tregon ajo duke qeshur.

Puna e saj nuk ka orar. Ditëve të shfaqjeve, i ndodh që mesnata ta zërë pas kuintash, duke sistemuar dhe përgatitur garderobën për të nesërmen. Ajo duhet të ketë gjithçka nën kontroll. Ndoshta askush nuk e di se çfarë rëndësie ka puna e saj gjatë shfaqjeve, dhe çfarë tensioni mbart ajo. Ajo i është falenderuese aktorëve për bashkëpunimin, por edhe familjes së saj, që nga prindërit që i ushqyen dëshirën për punë, tek bashkëshorti dhe vajza, që janë mbështetës dhe mirëkuptues për orët e saj të gjata në punë.

“Është një punë që kërkon shpejtësi dhe vëmendje. Ndodh që aktorët të kenë disa ndërrime veshjesh gjatë shfaqjes, ndaj duhet të jesh sa më e shpejtë, përndryshe atij do t’i ikë batuta. Para se të fillojë shfaqja kontrolloj të gjitha veshjet, nëse kanë ndonjë problem, pasi nuk dua që të ndodhë, që në momentin e fundit aktori të zbulojë se e ka zinxhirin e prishur apo i mungon një kopsë. Por na kanë ndodhur edhe incidente ndaj shfaqjeve. Aktorit Bes Bitraku i janë shqepur pantallonat gjatë shfaqjes ‘Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë’, mu desh t’ia kapja me paramanda. Por të nesërmen i kishte të qepura, të lara, të hekurosura”.

Koralda nuk e ka llogaritur asnjëherë lodhjen. Për të ka qenë kënaqësi të punonte mes njerëzish të shquar, t’i njihte nga afër, të mësonte prej tyre, të ndante momente gëzimi e trishtimi, edhe pse në kushte shumë të vështira. Ambientet e vjetra të Teatrit Kombëtar, nuk i jepnin shumë mundësi t’i ruante rrobat si ajo do të donte, megjithatë ajo përpiqej të bënte maksimumin. “zotësi është të dish të mbash një kasolle, se vilën, dinë të gjithë”, thotë ajo, pa e fshehur krenarinë për punën e bërë në gati 3 dekada.

“Kam pasur fatin të punoj me të gjitha brezat, me Kadri Roshin te “Inspektori”, e Sulejman Pitarkën te “Pjata prej druri”, me Drita Pelinkun, Margarita Xhepën, Violeta Manushin, për të vijuar me Bujar Lakon, Ndriçim Xhepën, Bujar Asqeriun, Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin etj., për të arritur deri te studentët, të cilët i kam ndihmuar me sa kam mundur dhe kam marrë pas edhe kënaqësi. Në fund, ajo çka mbetet është mirënjohja”, thotë ajo.

Prej 27 vitesh ajo është kthyer në gardianen e thesarit të Teatrit Kombëtar. Kështu e quan ajo garderobën, ku thotë se ruhen veshje që nga “Cuca e maleve”. Ka kaq shumë veshje, që duket sikur ruajnë brenda tyre shpirtrat e personazheve, që i kanë veshur. Dhe ajo kujdeset që t’i ruajë, të luftojë me kohën. Të gjitha mbartin në vetvete histori. Por siç thotë ajo, pak naftalinë në xhep mund të bëjë mrekullira, të mbajë gjallë veshje që në vitet ’50-’60.

“Kemi veshje ushtarake, veshje priftërinjsh, veshje stofi, të cilat mund t’i grijë mola. Veshje që nga koha kur Drita Pelinku ishte 18 vjeç, deri te shfaqjet më të fundit. Janë veshje pafund, të cilat sot janë paketuar për t’u zhvendosur nga ambientet e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar. I kam vendosur në kuti së bashku me varëset, së bashku me etiketat përkatëse, që të kem mundësi, që atje ku të vendosen, t’i hap sipas shfaqjeve”, shton ajo, me shpresën se do të gjejë ambientet e duhura për garderobën historike të Teatrit Kombëtar.

(Ky profil është marrë nga rubrika e ministrisë së Kulturës që mban emrin “Sekretet e Mjeshtërisë”)./atsh

Sekrete mjeshtërie/ Koralda Prifti, “gardiania” e garderobës historike të Teatrit Kombëtar Read More »

“Stop Informalitetit”, mbi 11 mijë qytetarë shkarkojnë aplikacionin

Aplikacionin “Stop Informalitetit” deri tani e kanë shkarkuar 11109 qytetarë, ndërsa vijon bllokimi i bizneseve të paligjshme që janë denoncuar.

Kryeministri Edi Rama falënderoi të gjithë ata persona që i janë bashkuar aksionit kundër informalitetit duke shkarkuar këtë aplikacion dhe duke denoncuar rastet.

“Aplikacioni që të mundëson të mos heshtësh përballë abuzimit, gjendet në App Store https://apps.apple.com/…/a…/stop-informalitetit/id1476196781 ose në Play Store https://play.google.com/store/apps/details… Shkarkoje dhe ti”, tha Rama.

Ai theksoi se “denoncimi është i fshehtë dhe konfidencialiteti i të dhënave 100% i garantuar”.

“Faleminderit kujtdo që bëhet pjesë e kësaj përpjekje sa të vështirë, aq të domosdoshme për Shqipërinë që duam”, shtoi Kryeministri./atsh

“Stop Informalitetit”, mbi 11 mijë qytetarë shkarkojnë aplikacionin Read More »

Qytetari kalon rrezikun për jetën pas kurimit në Turqi, Rama: I lumtur që gjithçka shkoi mirë

Kryeministri Edi Rama mori sot një tjetër mesazh falënderimi nga një qytetar, i cili i shpreh mirënjohjen sepse pas ndërhyrjes së tij, “Ramazan Rama që ishte në rrezik për jetën u kurua me sukses në Turqi”.

Kryeministri Rama publikoi mesazhin e mirënjohjes, një tjetër rast ku qytetarit iu shpëtua jeta, pas ndërhyrjes për kurim më të specializuar.

“Përshëndetje zoti Kryeministër! Ky është Ramazan Rama që i shpëtuat jetën me kurimin në Turqi falë ndërhyrjes suaj dhe me sugjerimin tim për t’ju drejtuar juve. Të rroni dhe jetë të gjatë dhe Zahos së vogël”, shkruan qytetari.

Kryeministri e falënderon për mesazhin dhe u shpreh i lumtur që gjithçka shkoi mirë për të. “Falë teje së pari që më alarmove për jetën e tij në rrezik. T’ia kaloni mirë e të keni veç të mira”, tha Rama./atsh

Qytetari kalon rrezikun për jetën pas kurimit në Turqi, Rama: I lumtur që gjithçka shkoi mirë Read More »

Me banorët e Floqit/ Rama, bashkëbisedim i lirshëm për hallet dhe për ngjyrat

Kryeministri Rama bashkëbisedoi me banorët e Floqit, gjatë vizitës në fshatin e prekur nga tërmeti, ku nuk kanë munguar batutat.

Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në Floq, për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, Kryeministri Rama takoi banorët me të cilët ndau shqetësimet e përditshmërisë.

Ndërsa takon një gjyshe të moshuar, Rama e pyet si është me shëndet.

Nëna e pyet: Ti mirë je?

Rama: Ja, shiko, si të dukem?

Kryeministri Rama i i drejtohet nënës 80-vjeçare, të cilën e vizitoi në shtëpinë e rindërtuar. “Mos lëviz, mos u ço më. Mos lëviz më të lutem se u lodhe për të më pritur, tani rrugën e mësova, iki vetë”.

Kryeministri zhvilloi edhe një bashkëbisedim për ngjyrat me një banore të Floqit.

“Zoti kryeministër, unë kam një fjalë. Unë kam ato shtëpitë blu. Më thonë që nuk t’a bëjnë se i ke me ngjyrë blu”, – tha banorja.

Kryeministri Rama: Jo moj jo, s’e ka fajin ngjyra. Ngjyra blu është e bukur.

Një tjetër banore i drejtohet Kryeministrit nga sipër një ndërtese duke e parë me dylbi ndërsa Rama ia kthen: “Më shiko pak mua me dylbi, mua”.

Më tej, ajo vazhdon “Unë jam nga qyteti” dhe Kryeministri i thotë “Unë jam djali nga fshati”./atsh

Me banorët e Floqit/ Rama, bashkëbisedim i lirshëm për hallet dhe për ngjyrat Read More »

Grante për bizneset që operojnë në Qendrën Historike të Vlorës, hapet thirrja e dytë

Hapet thirrja e dytë për mbështetje financiare me grante për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në Qendrën Historike të Vlorës.

Qendra Historike në Vlorë, po shkon drejt restaurimit përfundimtar ndërsa Shoqata TID Vlora (Zona për Zhvillimin e Turizmit) ka hapur thirrjen e dytë për aplikim të bizneseve për grante.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit është deri më datë 30 tetor 2019.

Të gjitha bizneset që operojnë në Qendrën Historike të Vlorës apo biznese të reja që duan të hapen në zonë dhe janë të interesuara për aplikim, duhet të paraqiten në zyrën e shoqatës.

Në zonën TID ka një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore. Secili prej tyre paraqet fakte dhe histori interesante që mund të marrin interesin e vizitorëve të shumtë vendas e të huaj. Stili i përdorur në shumë godina krijon njëfarë uniformiteti në zonë, por që e dallon lehtësisht nga zonat e tjera nga pikëpamja arkitektonike.

Ndaj dhe përzgjedhja e biznesit që do të zhvillojë aktivitet në këtë zonë është sipas disa karakteristikave tipike që i shërbejnë zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm me atraksion të veçantë. /atsh

Grante për bizneset që operojnë në Qendrën Historike të Vlorës, hapet thirrja e dytë Read More »

Dëmtohet memoriali turk te parku i Liqenit

Një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar memorialin turk te zona e Liqenit Artificial.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, teksa është ngritur një grup hetimor për të identifikuar autorin. “Në orët e para të mëngjesit, tek parku i Liqenit të Thatë, një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar me sende të forta një pjesë të një memoriali. Grupi hetimor po kryen veprimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Memoriali u vendos në Kodrat e Liqenit në datë 15 Korrik për viktimat e atij që u cilësua si grusht shteti i 15 korrikut 2016 në Turqi. /atsh

Dëmtohet memoriali turk te parku i Liqenit Read More »