Aktualitet

Braçe: Puna vlen, fjalët i merr Luli

Shtatori ka nisur me hedhjen e themeleve të kopshtit me drekë. “Puna vlen, fjalët i merr Luli, ndërsa ne muajin shtator e nisim me punë në bashkinë Divjakë duke hapur themelet e kopshtit me drekë në Çermë Sektor”, njoftoi zv.kryeministri Erjon Braçe, njëherazi deputet i qarkut.

Zv.kryeministri Braçe shprehet se: “Muaj i ri, punë e re! Në punë. Nisëm mbarë muajin; hapëm themelet e kopshtit me drekë për fëmijët e një prej komuniteteve më të mëdha në bashkinë Divjakë; komunitetin e madh të Çermë Sektorit në njësinë Tërbuf!”, shprehet ai.

Po ashtu Braçe shtoi se: “Të gjithë ua kishin premtuar, askush nuk ua bëri! Ne mbajmë fjalën; Ja ku janë themelet, tani nuk ndalet më derisa fëmijët të jenë brenda e me kushte që kurrë nuk i kanë pasur”.

“Avni, Dash, Ilir, Elda e secili ndër ju; Punë të mbarë e fëmijë plot tani! Puna vlen, fjalët i merr Luli! Bashkia Divjakë në punë”, theksoi ai. /atsh

Braçe: Puna vlen, fjalët i merr Luli Read More »

Salianji: Prokuroria në vend të fletarrestit për Kajmakun, kërkon prova nga PD

“Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS” u shpreh sot në një deklaratë e për mediat, ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji.

Duke akuzuar prokurorinë për moszbatim të ligjit, Salianji shton se “Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit. Agim Kajmaku duhet të largohet nga zyra e zaptuar paligjshmërisht në bashkinë e Vorës”.

Po ashtu Salianji shton se Partia Demokratike “prej më shumë se një javë, me prova të pakundërshtueshme ka denoncuar kandidatin e PS-së për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku apo siç njihet dhe kërkohet nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto”.

“Dokumente nga gjykata dhe prokuroria e Athinës të publikuara provojnë se Agim Kajmaku është i inkriminuari. Të dhënat e sistemit TIMS rrëzuan çdo alibi apo përpjekje për të gënjyer, duke provuar se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara. Partia Demokratike provoi gjithashtu se foto e pasaportës me të cilën është arrestuar në Greqi, Jorgo Toto, është e njëjtë me foton e pasaportës Agim Kajmaku. Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku fshihet pas heshtjes së prokurorisë”, argumenton ai.

Gjithashtu Salianji tha se “zgjedhjet e lira e të ndershme parlamentare dhe lokale njëkohësisht me një qeveri tranzitore janë e vetmja rrugë shpëtimi”. /atsh

Salianji: Prokuroria në vend të fletarrestit për Kajmakun, kërkon prova nga PD Read More »

Nis regjistrimi në universitete

Ditën e sotme ka nisur procesi i regjistrimit në universitete për fituesit e raundit të parë, proces ky që vijon me shtatë faza 48-orëshe.

Kështu, ditën që fillon faza e regjistrimit, pra që sot, maturantëve u vihet në dispozicion një ditë kohë për programin e studimit që duan të ndjekin. Në përfundim të 14 ditëve mbyllen edhe regjistrimet e raundit të parë.

Në datat 19 dhe 21 shtator rihapet formulari A3 dhe maturantët që nuk kanë arritur të regjistrohen në asnjë degë në raundin e parë, kanë të drejtë të aplikojnë me formularin A3 në këto 3 ditë në dispozicion.

Pasi përfundon procesi i formularit A3 rifillon përsëri e njëjta procedurë, të dhënat u dërgohen universiteteve dhe në 30 shtator fillon raundi i dytë i regjistrimeve që është që tashmë është jo me 7, por me 5 faza, duke qenë se numri i studentëve është i reduktuar.

Për maturantët që ngelin pa u regjistruar si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin, u është lënë një hapësirë në fund të shtatorit e fillim të tetorit./atsh

Nis regjistrimi në universitete Read More »

Policia Kufitare shpëton 4 të rinj në Karaburun

Policia Kufitare u vjen në ndihmë 4 të rinjve nga Vlora, të cilët rrezikuan jetën në det, me një mjet lundrues.

Katër të rinjtë kishin dalë në Karaburun, me një mjet lundrues me qëllim për ta testuar nga ana mekanike, por gomonia ka pësuar defekt në motor, duke rrezikuar jetën e tyre. Dy prej tyre kanë mundur të dalin me not në breg të gadishullit dhe kanë kërkuar ndihmë për dy shokët e tjerë, që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Gjiri i Varkave”, kanë gjetur mjetin lundrues tip gomone, së bashku me shtetasit, R.M. dhe E.A, të cilët ndodheshin në bordin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare kontaktuan edhe me dy shtetasit e tjerë K.M dhe A.M, të cilët telefonuan për ndihmën e shokëve.

Katër të rinjtë janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë për në Triport, së bashku me mjetin e tyre lundrues. Katër shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore. /atsh

Policia Kufitare shpëton 4 të rinj në Karaburun Read More »

1.5 milion turistë gjatë gushtit, Klosi: Nevojë për rregulla të reja në turizmin shqiptar

“Viti 2019 në 8-mujorin deri më 31 gusht ka shënuar plot 4 milionë e 850 mijë turistë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë e që janë 10% më shumë së i njëjti 8-mujor i vitit 2018”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë një interviste televizive për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Klosi tha se, “gushti cilësohet si muaj i suksesshëm turistik pasi 1.5 milionë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë, pra 8% më shumë se gushti i 2018. Në datat 5-25 gusht i gjithë kapaciteti në bregdet ka qenë i ezauruar”.

“Tashmë në turizmin shqiptar ka ardhur koha për rregulla të reja dhe nëse ne nuk kuptojmë që sot që kemi nevojë për një strukturim tjetër të turizmit shqiptar vitin tjetër do kemi problem më të mëdha”, vijoi Klosi.

“Ne ndjehem pozitiv për sa i përket shërbimeve në turizëm si mikpritja dhe gjithashtu po ecim shumë në strukturat akomoduese, Ka një moment të fortë zhvillimi përsa i përket hotelerisë në gjithë zonën e bregdetit, pasi ka me mijëra shtretër të shtuar të rinj në gjithë strukturën turistike të vendit”, shtoi ai.

“Ky vit gjithashtu shënoi progres përsa i përket rregullave përsa i përket hapësirave publike, menaxhimit të plazheve dhe hapësirave të mbrojtura”, përfundoi ministri Klosi. /atsh

1.5 milion turistë gjatë gushtit, Klosi: Nevojë për rregulla të reja në turizmin shqiptar Read More »

Prioritetet e Kuvendit, Balla: Përmbyllja e reformës zgjedhore dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi

“Garantimi i votës së emigrantëve për zgjedhjet e vitit 2021 dhe depolitizimi i administratës zgjedhore mbeten prioritete të Partisë Socialiste, që do të adresohen me reformën zgjedhore”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “detyrimi ynë është që duhet t’i japim Shqipërisë një kod të ri zgjedhor brenda këtij sesioni parlamentar”.

“Jam shpresëplotë, pasi edhe në konferencën e kryetarëve sot, bashkë me grupet parlamentare të opozitës kemi dakordësuar rëndësinë që ka përmbyllja e kësaj reforme brenda këtij afati. Në tetor do të kemi në dispozicion edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit por edhe për zgjedhjet e 2015-2017”, – tha Balla.

Opozita parlamentare, sipas tij, kërkon hulumtimin e sistemeve zgjedhore, por këto nuk bëjnë pjesë në detyrimet që lindin nga adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ai uroi që opozita jashtëparlamentare të zërë vendin e saj në komisionin për reformën zgjedhore dhe të marrë përgjegjësitë që i takon në mënyrë që të kemi një Kod Zgjedhor të plotë që të garantojmë zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2021.

Balla tha se në pushtet vihet vetëm me votë dhe opozita e di këtë gjë.

Sa i takon infrastrukturës zgjedhore, Balla tha se “duhet të bëjmë hapa të rëndësishëm drejt teknologjive për kalkulimin e votave që edhe në Shqipëri rezultati zgjedhjeve të dali brenda natës të së dielës”.

Po ashtu, Balla tha se “Kuvendi do të vijojë punën për zbatimin e Reformës në Drejtësi”. “Shumë shpejt Kuvendi do të vihet në lëvizje për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, pasi 3 anëtarë përzgjidhen nga Kuvendi. Kuvendi ka shpallur edhe vakancën e e re pas konstatimit të mosplotësimit të numrit të nevojshëm të kandidatëve. Janë disa reforma të rëndësishme që do të adresohen”, tha Balla.

Sa i takon zgjedhjeve të pjesshme në bashkinë e Shkodrës, Balla tha se “kjo nuk është hera e parë që zhvillohen zgjedhje të pjesshme, pasi vetëm në periudhën 2015-2019 ka pasur zgjedhje në 2 bashki, në Dibër dhe Kolonjë”.

“Partitë politike kanë detyrimin të marrin pjesë në garë, ndërsa janë institucionet e Presidentit dhe KQZ-së që garantojnë këto zgjedhje. Presidenti duke dekretuar datën dhe KQZ duke organizuar procesin”, – tha ai.

Lidhur me rastin e Valdrin Pjetrit, Balla tha se “përgjegjësia është individuale dhe standardi që ka vendosur PS është që ka hequr dorë nga çdo lloj mburoje politike për të zgjedhurit e saj”.

“E kundërta ndodh. Marrëdhënia me ligjin është marrëdhënie juridike individuale dhe përgjegjësinë nuk mund ta marri forca politike. Ne jemi vënë në dijeni të një certifikate, ajo që lëshon Ministria e Drejtësisë, që ka të bëjë me të mosqenit i dënuar. Nëse nuk e deklaron, ligji e ka të qartë edhe dënimin”, – tha ai. /atsh

Prioritetet e Kuvendit, Balla: Përmbyllja e reformës zgjedhore dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi Read More »

Nis sesioni i ri parlamentar, Ruçi: Kuvendi funksional dhe me kuorum kushtetues

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi sot se, “Kuvendi mbylli sesionin e kaluar dhe fillon këtë sesion parlamentar si një institucion funksional me një kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor”.

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Ruçi tha se “sesioni që mbyllëm nuk ishte i lehtë, por me gjithë vështirësitë që u shkaktuan nga lënia e mandateve të deputetëve të opozitës, kjo nuk cenoi funksionimin e sistemit tonë politik, produktivitetin dhe rezultatet e Kuvendit”.

“Rreth 70% e mandateve, ose 40 nga 58 mandate u zëvendësuan nga deputetët e rinj të opozitës. Kjo ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi ushtroi me intensitet funksionin kryesor, atë legjislativ”, – tha Ruçi.

Sipas tij, “gjatë sesionit të kaluar u depozituan 64 projektligje dhe u miratuan 57 gjithsej, ose 2 më shumë sesa në të njëjtin sesion të vitit të kaluar”.

“U miratuan 76 vendime, u miratuan 5 ligje me 3/5, ndërkohë që vitin e shkuar me 3/5 nuk u votua asnjë projektligj; u miratuan 28 ligje me konsensusin e opozitës, ose 21 ligje më shumë sesa periudha janar-korrik 2018. Deputetët morën 19 nisma ligjore ose 8 më shumë se viti i kaluar, njëra prej të cilave kishte të bënte me ndryshimet në Kodin Penal, deputetët e opozitës kërkuan 6 interpelanca, ose 2 më shumë se viti i kaluar prej të cilave u zhvilluan 5”, – tha Ruçi.

Ai tha se, “Kuvendi përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike dhe demokracia liberale u provua si demokraci kushtetuese si asnjëherë në historinë e pluralizmit dhe Kushtetuta u rezistoi aventurave”.

Po ashtu, Ruçi vlerësoi Reformën në Drejtësi si meritë ekskluzive të Kuvendit të Shqipërisë.

Ruçi shpalli edhe objektivat për sesionin e ri parlamentar duke theksuar se të gjithë presin negociatat, ndërsa dora e shumicës është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

“Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve, në mbledhjen e këshillit në tetor shkojmë me sigurinë e plotësimit të këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar”, – tha ai.

Ruçi theksoi se “prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore”. “Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtëparlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në Drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja. Gjykata Kushtetuese dhe ILD do të bëhen funksionale shumë shpejt”, – tha Ruçi. /atsh

Nis sesioni i ri parlamentar, Ruçi: Kuvendi funksional dhe me kuorum kushtetues Read More »

Rriten eksportet e perimeve, 22% e totalit të prodhimit vjen nga serrat

Gjashtëqind e dyzet e tre projekte për rritjen e prodhimit në serra janë mbështetur nga qeveria, ku përmes modeleve biznesi të standardizuara investimi kap vlerën e 377 milionë lekëve.

Shifrat janë bërë publike nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e cila thotë se kjo e fundit ka mbështetur 643 projekte ndër vite për rritjen e prodhimit në serra përmes subvencioneve shtetërore.

Përqendrimi më i lartë rajonal i serrave është në qarkun e Beratit, ku AZHBR ka financuar 240 projekte, ndjekur nga qarku i Fierit me 179 projekte të financuara.

Më tej në Durrës, Shkodër dhe Tiranë ku kultivohen sipërfaqe të konsiderueshme me domate dhe kastravec në serra. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit kanë qenë të financuara kanë qenë serra me ngrohje teknike dhe qendrore për zëvendësimin e plastmasit termik, ndërtimin e serrave të reja me ngrohje diellore si dhe prodhimin e bastanorëve në tunele.

Sipas statistikave zyrtare, 22% e totalit të prodhimit të perimeve vjen nga serrat.

Sipas AZHBR-së, rritja e konsiderueshme e prodhimit në serra ka përafruar prodhimin me kërkesat e tregut, si dhe ka shtuar nivelin e eksporteve. Po kështu, masat mbështetëse në formë granti nga buxheti i shtetit ka orientuar fermerët që të investojnë dhe të mbjellin kultivarë që kërkon tregu, bazuar në kriterin minimal për sipërfaqe jo më pak se 0,2 hektarë.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural informon se ky sektor ka dhënë impakt në rritjen e ekonomisë familjare për zonat rurale, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe ka rritur konsiderueshëm eksportet./atsh

Rriten eksportet e perimeve, 22% e totalit të prodhimit vjen nga serrat Read More »