Aktualitet

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, mesazhe urimi nga liderët politikë

5 shtatori, dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është uruar edhe nga liderët politikë.

Me një foto të veçantë, Kryeministri Edi Rama ka uruar ditën e Shenjtërimit të humanistes së madhe shqiptare.

“Gëzuar Ditën E Shenjtërimit Të Nënë Terezës”, shkruan Rama.

Meta: Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës, ditë feste për mbarë kombin shqiptar

Në mesazhin e urimit, Presidenti Ilir Meta e quan 5 shtatorin si një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, por edhe për të gjithë njerëzimin.

“Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin. Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale. Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve. Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë: “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”, shprehet ai.

Meta ka qenë i pranishëm në meshën e mbajtur në Bizë (Ishëm) nga Padre Serxhio, për Shën Nënë Terezën. “I lumtur ta nisja ditën me pjesëmarrjen në meshën e mbajtur në Bizë (Ishëm) nga Padre Serxhio, për Shën Nënë Terezën”, njoftoi ai.

Ruçi: Shën Tereza, heroina e dhimbjes, apostullja e të varfërve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përkujtoi sot Shën Terezën në 22 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta.

“Më 5 shtator 1997 kombi shqiptar dhe gjithë bota, të varfërit, të sëmurët dhe të pambrojturit anembanë Globit humbën Nënë Terezën. Rreth dy dekada më vonë Papa Françesku do të na e “kthente” të gjithëve, tanimë Shenjtoren Tereza, e cila do të vazhdojë përjetësisht tu japë dritë, buzëqeshje, besim e shpresë miliarda njerëzve, adhuruesve e besimtarëve”, shprehet Ruçi.

“Shën Tereza ishte heroina e dhimbjes dhe e dashurisë njerëzore, apostullja e të varfërve, e të dobtëve dhe e të pambrojturve.Shën Tereza ishte dhe do të jetë përjetësisht inspirim sipëror i humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë”, vijon Kreu i Kuvendit.

“Ne, shqiptarët, kemi një arsye më shumë për ta kujtuar e për tu krenuar me këtë grua, nobeliste, Nënë dhe Shenjtore, me margaritarin më të çmuar të kombit tonë. Është detyra dhe nderi ynë që t’i bëjmë pjesë të jetës, pasurisë sonë shpirtërore kombëtare dhe sjelljes e veprimeve tona të përditshme mësimet e saj”, shton Ruçi.

“Të udhëhiqemi e ndriçohemi nga dashuria e toleranca dhe të mos na errësohen gjykimet nga mëritë dhe urrejtja”, thekson Ruçi.

Shenjtërimi i Nënë Terezës/ Basha: Sot një ditë reflektimi

Kryetari i PD, Lulzim Basha në mesazhin e tij për 3 vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës shprehet se “sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare”.

“U mbushën 3 vjet nga ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës, 4 shtatorin e 2016-s. Vatikani caktoi si ditë të së Shenjtes më të re të katolikëve 5 shtatorin, ditën kur ajo më 1997-n, shkoi në amëshim. Emocionet e shenjtërimit të Nënë Terezës, i kam të gjalla. Atje, në Selinë e Shenjtë pashë krenarinë shqiptare që shfaqej kudo, në rrugë, me flamuj, me besim dhe me energji, një krenari shqiptare për dhuratën që i kishim bërë njerëzimit. Një bijë shqiptare, një gjak prej gjakut tonë ishte bërë shenjtore, frymëzimi ynë dhe i mbarë qytetërimit për t’ju përkushtuar ndihmës dhe shërbimit ndaj të varfërve, të pamundurve, të sëmurëve”, shprehet Basha.

Më tej, ai thekson se “edhe atë ditë, edhe sot, nuk mund të mos kujtoj vlerësimin e Shenjtit Gjon Pali II për Nënë Terezën. Ishte pikërisht ai, që vetëm dy vjet pas largimit në amëshim, shpalli kundër çdo tradite të Selisë së Shenjtë nisjen e procedurave për lumturimin e Misionares së Dashurisë dhe këto procedura gjithashtu u mbyllën në kohë rekord në vitin 2002, vetëm 5 vjet nga 1997-a. Kur ishte Papa Gjon Pali II në Shkodër, më 1993-in, ai u tha të gjithë shqiptarëve: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë… Ju falenderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falenderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…”.

“Sot pas 3 vitesh ndihemi njësoj krenarë si atë ditë, veçse më në vështirësi, më në borxh me trashëgiminë e Nënë Terezës. Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare. Sepse kur nuk të bëhet më vonë për fatin e një njeriu, nuk të bëhet më vonë për fatin e të gjithëve. Këto vështirësi shoqëria shqiptare nuk i meriton, megjithatë, ne jemi populli i Nënë Terezës, e cila na ka lënë si testament edhe letrat e saj, ku na rrëfen se si duhet të përballojmë dyshimin dhe mungesën e shpresës”, shprehet Basha.

“Këmbëngulja dhe besimi se e mira ja del, triumfon mbi të keqen sado me propagandë e maskë tregtari të shitet ajo, gjendet në çdonjërën nga letrat sekrete të Nënë Terezës, të cilat Vatikani, në vendimin e tij për shenjtërim, i dëshmoi si “botëkuptimi i ri, dritarja e re për botën e saj të brendshme, një dritare që tregoi se sa heroike kishte qenë qëndresa e Nënë Terezës në besim dhe në Misionin e saj të Dashurisë”. “Si vjen paqja? Nëpërmjet punës që e bëjmë me dashuri”, rrëfente Nënë Tereza para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në vitin 1985, në momentin kur përfaqësuesit e Shqipërisë komuniste e braktisën sallën në shenjë proteste. Dhe puna me dashuri na solli krenarinë për Shenjtëreshën që i dhamë botës. Me dashuri do të përmbushim edhe detyrimin për të dalë nga kohët e vështirësisë ku gjendemi. Me dashuri dhe me frymëzimin që na jep Nënë Tereza. Tek Ajo gjejmë kombin, tek Ajo gjejmë historinë, tek revolucioni i dashurisë që kreu Nënë Tereza në botën tonë gjejmë besimin se ditëve të vështirësisë së pamerituar po u vjen fundi”, thekson ai.

vijon…/atsh

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, mesazhe urimi nga liderët politikë Read More »

Publikohen rezultatet e testimit me shkrim për Patrullë Policie në 4 qarqe

Policia e Shtetit ka publikuar rezultatet e testimit me shkrim për Patrullë Policie për katër qarqe. Testimi që mbajt një ditë më parë u zhvillua në dy faza.

Në fazën e parë në provim, u futen aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier. Në fazën e dytë morën pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër.

Drejtori i Kolegjit Policor, Drejtues Ylli Vasili pohoi se çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve.

Testimi me shkrim është 70% e vlerësimit total, pas kësaj të kualifikuarit kalojnë testet fizike, atletike, për të kuptuar se dikush është i aftë fizikisht për ta përballuar punën. Kjo vlen 20%, e vlerësimit total dhe në fund janë intervistat, test psikologjik, kjo është 10% e vlerësimit total.

Kujtojmë se në datën 3 korrik u hapën aplikimet 500 vende, për Patrullë të Përgjithshme. Thirrjes së Policisë për t’u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. Thirrja e cila duhet të ishte mbyllur me 3 gusht, u shty deri më datën 15 gusht për t’u ardhur në ndihmë atyre që nuk i përmbushnin dot të gjitha kriteret.

Më poshtë, janë rezultatet për aplikantët nga Tirana, Durrësit, Fieri dhe Berati. Maksimumi i pikëve të testimit për Patrullën e Përgjithshme është 100.

Rezultatet_e_Testit_me_Shkrim_Gr.I_4_.9.2019

Publikohen rezultatet e testimit me shkrim për Patrullë Policie në 4 qarqe Read More »

Shtatë kadetë shqiptarë të diplomuar në akademitë turke, i shtohen Forcave të Armatosura

Shtatë kadetë shqiptarë të diplomuar në akademitë turke i shtohen Forcave të Armatosura.

Lajmi bëhet me dije nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Sipas saj, Forcat e Armatosura shqiptare vijojnë të shtohen me të rinj të arsimuar në akademitë prestigjioze botërore.

“Forcat e Armatosura vijojnë të shtohen me të rinj të arsimuar në akademitë ushtarake më prestigjioze botërore”, thekson Xhaçka.

“7 kadetë shqiptarë sapo u diplomuan në akademitë turke, përkrah 325 kolegëve të tyre nga 17 vende të botës. Kadetët shqiptarë përfunduan studimet bachelor dhe ato të përgatitjes ushtarake në akademitë e Forcës Tokësore, Ajrore dhe Detare dhe do të kthehen të shërbejnë në FA shqiptare“, deklaron ministrja Xhaçka./atsh

Shtatë kadetë shqiptarë të diplomuar në akademitë turke, i shtohen Forcave të Armatosura Read More »

Raporti i OSBE/ODIHR-it, Rama: Përpjekja për të ngritur furtunë në gotë e kotë, bashkëpunim për reformën zgjedhore

“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit, Rama tha se “raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”.

“Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogu dhe bashkëpunimi, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, tha Rama.

Çdo vonesë e kotë sot, sipas Kryeministrit, “e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve”.

“Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”, shtoi ai.//atsh

Raporti i OSBE/ODIHR-it, Rama: Përpjekja për të ngritur furtunë në gotë e kotë, bashkëpunim për reformën zgjedhore Read More »

“Festivali i Rinisë 2019″/ Qindra të rinj, bashkë kundër dhunës ndaj fëmijëve

Raporti mbi Situatën e Mirëqenies së Fëmijëve në Shqipëri nga World Vision tregoi se, gjatë vitit të fundit 70% e fëmijëve të moshës 8 deri në 18 vjeç kanë përjetuar një formë dhune.

Në ditën e dytë të Festivalit të Rinisë, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, të rinjtë do të sjellin për diskutim problemin e dhunës tek fëmijët; mungesën e shërbimeve që mbështesin fëmijët e dhunuar, por nga ana tjetër edhe arsyet kryesore të mosraportimit të dhunës.

46% e fëmijëve janë indiferentë dhe nuk duan të përfshihen në raportimin e rasteve të dhunës dhe 34% e tyre nuk e raportojnë për shkak të mungesës së besimit që institucionet do ta zgjidhin situatën.

Dhuna është një prej faktorëve kryesorë që pengon zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve si dhe cenon arritjen e rezultateve në ndërhyrjet socio-ekonomike, që çojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri.

“World Vision Albania prej më shumë se 10 vitesh punon ngushtë me fëmijët, komunitetet
dhe institucionet shtetërore për identifikimin, raportimin dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve të dhunuar. Përkushtimi i institucioneve shtetërore, donatorëve, korporatave, organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve të integruara vazhdon të jetë thelbësor për eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri. Në mbështetje të nevojës për shërbime, World Vision hartoi standardet dhe po piloton në bashkitë Durrës dhe Dibër Shërbimin e Emergjencës për Fëmijët në rrezik të lartë”, – shprehet Artina Morava, drejtoresha e programit të World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën. /atsh

“Festivali i Rinisë 2019″/ Qindra të rinj, bashkë kundër dhunës ndaj fëmijëve Read More »

Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik

Turizmi speleologjik në mbarë botën është kthyer në një dukuri mjaft tërheqëse për vizitorët kuriozë të natyrës dhe historisë.

Shqipëria është e pasur me një larmi të madhe shpellash, ku një grup turistësh gjatë këtyre ditëve të para të shtatorit kanë zgjedhur të eksplorojnë “Shpellën e Pëllumbasit”, apo siç quhet ndryshe edhe “Shpella e Zezë”.

Kjo shpellë tashmë e kthyer në një atraksion turistik mjaft të veçantë gjendet në juglindje të Tiranës mbi grykën panoramike të Skorranës e krijuar nga lumi Erzen. Pamja në këtë vend është mjaft interesante, pasi ndërthuren bukuritë e peizazhit përreth dhe pamja mistike e shpellës. Turistët aventurier kanë bërë një itinerar në këtë vend duke eksploruar bukuritë dhe misteret e kësaj shpelle.

Gjithashtu turistët kanë shijuar dhe rrugëtimin drejt shpellës përmes shtegut i cili është i mbrojtur nga parmakë druri të ndërtuara vitet e fundit përmes një pylli të dendur shkozash. Ata gjithashtu shijuan në stolat prej druri një soditje të madhështisë së maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës) dhe Dajtit përbri.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo të shfaqet befas dhe vjen duke u zgjeruar përherë dhe më shumë kur i afrohesh. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me formën e saj, por edhe me ndërtimin e brendshëm, si në thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere.

Tavani shkëmbor është i mbushur me stalagmite gjithfarë formash dhe dyshemeja e saj me stalaktite. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me struktura nga më të çuditshmet.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë./atsh

Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik Read More »

Si asnjëherë më parë, zgjidhje 1 mijë halleve njerëzish të zakonshëm në muaj

Kryeministri Edi Rama solli mbrëmjen e sotme në vëmendje rezultatet e arritura nga platforma e bashkëqeverisjes, duke theksuar se janë zgjidhur 1 mijë halle njerëzish të zakonshëm në muaj.

Kurrë asnjë qeveri dhe asnjë kryeministër më parë nuk kanë ndjekur e zgjidhur, mesatarisht 1000 halle e probleme konkrete njerëzish të zakonshëm në muaj”, theksoi kryeministri Rama.

Ai solli në kujtesë të publikut se deri dje, ankesat e tyre me letra e me mesazhe, përfundonin në koshin e mbeturinave të institucioneve apo të telefonit.

Gjatë paradites së sotme, në takimin me koordinatorët e Bashkëqeverisjes, kryeministri Rama theksoi se janë rreth 788 zyrtarë që nga drejtor, e deri tek specialistë që janë ndëshkuar pasi nuk u janë përgjigjur si duhet qytetarëve.

Janë mbi 50 mijë adresime në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe rreth 115 mijë përdorues që janë shumë për një periudhë të shkurtër kohe. /atsh

Si asnjëherë më parë, zgjidhje 1 mijë halleve njerëzish të zakonshëm në muaj Read More »

2 120 aplikantë konkurojnë për 500 vende për Patrullë e Përgjithshme

Zhvillohet testimi me shkrim për aplikantët që do të konkurojnë për të nisur shkollën e Policisë për Patrullë të Përgjithshme.

Kujtojmë se në datën 3 korrik u hapën aplikimet 500 vende, për Patrullë të Përgjithshme. Thirrjes së Policisë për t’u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2 120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. Thirrja e cila duhet të ishte mbyllur me 3 gusht, u shty deri më datën 15 gusht për t’u ardhur në ndihmë atyre që nuk i përmbushnin dot të gjitha kriteret,

Testimi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë në provim do të futen aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër.

Drejtori i Kolegjit Policor, Drejtues Ylli Vasili pohoi se çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve./atsh

2 120 aplikantë konkurojnë për 500 vende për Patrullë e Përgjithshme Read More »