Aktualitet

Ruçi: Partizanët, këta kalorës të çlirimit e të lirisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar një letër përshëndetëse ish partizanëve të Brigadës XX Sulmuese, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj Brigade, ku shprehet se sot është shpirtërisht në Protopapë, Maliq, Korçë, Pogradec, Elbasan, Librazhd, Zvezdë, Qafë-Thanë, Përrenjas, Domozdovë, në grykat e Xhyrës dhe kudo ku kanë luftuar e fituar partizanët e Brigadës XX Sulmuese.

“Brigada XX u formua në Protopapë, më 9 shtator 1944, prej bashkimit të batalionit të famshëm “Tomorri”, me batalionet e tjera që vepronin në këto krahina, si “Reshit Çollaku”, “Hakmarrja” , “Fuat Babani” dhe “Skënder Çaçi”. Asaj iu bashkuan qindra vajza e djem të rinj nga Korça, Skrapari dhe Elbasani, të cilët formuan sëbashku këtë formacion partizan, të njohur për vitalitetin, trimërinë dhe heroizmin e pashoq. 1200 partizanët e Brigadës XX, siç shkruan historia e Luftës, nuk kanë në bilancin e tyre asnjë betejë të humbur”, është shprehur Ruçi.

“Vetëm një ditë pas krijimit, më 10 nëntor 1944, partizanët e Brigadës XX hynë në Librazhdin e çliruar dhe një javë më vonë, më 17 nëntor, në Elbasanin e çliruar. Populli i Elbasanit, Librazhdit dhe gjithë krahinave të tyre do tu jetë mirënjohës përjetë vajzave e djemve të kësaj Brigade, të cilët i çliruan ato nga okupatori nazi-fashist dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas”, ka theksuar Ruçi.

“Brigada XX ishte pjesë e uraganit të fuqishëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, e cila çliroi Shqipërinë nga pushtuesit nazi-fashistë dhe tradhtarët vendas. Ushtria e partizanëve shqiptarë luftoi denjësisht në krah të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ushtrisë së Kuqe, Ushtrisë së Britanisë së Madhe, të Francës dhe vendeve të tjera të koalicionit antifashist. Ishin partizanët shqiptarë, këta kalorës të çlirimit e të lirisë, që e vendosën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë, në krah të forcave antifashiste e çlirimtare”, ka shtuar ai.

“Në këtë ditë të shënuar, është dita të kujtojmë se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vlerat antifashiste nuk vjetërohen kurrë. Ato qëndrojnë në themel të lirisë, të përparimit, të kontributit tonë në NATO, për paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon e në botë, në themel të rrugëtimit europian të Shqipërisë”, shkruhet në letrën e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, drejtuar përshëndetëse ish partizanëve të Brigadës XX./atsh

Ruçi: Partizanët, këta kalorës të çlirimit e të lirisë Read More »

Komisioni Hetimor për shkarkimin, Meta: Zgjedhjet i anulova pasi do të digjej Kuvendi

Komisioni Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka nisur sot me dëshminë e Presidentit Meta në lidhje me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimin e datës së re më 13 tetor.

Në nisje të seancës, kreu i Komisionit, Ulsi Manja u shpreh se “Komisioni duhet të shohë përtej rastit konkret. Respektimi i parimeve vihet shpesh herë në provë duke u mbështetur në parime”.

“E vetmja mënyrë që debatet politike të kenë aq vend sa duhet është sistemi që kemi zgjedhur duke hequr dorë nga vendimet e çastit. Kushtetuta nuk përcakton detaje për ushtrimin e kompetencave, por janë udhëheqësit e shtetit që i nxisin. Sot presidenti dëshmon si presoni ndaj të cilit ka nisur një procedurë për shkarkim. Kjo mbledhje do të incizohet për t’u zbardhur autentikisht”, – u shpreh Manja.

Presidenti Meta në fjalën e tij tha se, “të gjithë aktet e mia janë publike lidhur me dekretet për shfuqizimin e datës 30 qershor si datë për zgjedhje vendore dhe dekretimi i datës 13 tetor si datë zgjedhjesh të përgjithshme. Unë kam dhënë një përgjigje për Kryeparlamentarin Ruçi e cila është bërë publike. Kam një bindje të plotë që çdo politikan duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve. Jam i bindur që Kuvendi e ka bërë gjykimin para se të nisë këtë proces”.

Kreu i Shtetit tha se veç Kushtetutës së Shqipërisë, është bazuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, dhe në marrëveshjen e stabilizimin asociimit për vendimet e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Para komisionit hetimor për dekretet e tij, Presidenti tha se detyra e tij është të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë. Duke thënë se në themel të Kushtetutës është pluralizmi politik, ai tha se qytetarëve u duhej bërë e qartë dallimi mes votimeve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Për të dhënë edhe disa të dhëna për të qartësuar. Po e nis me çështjen e parë të mbrojtjes apo shkeljes së Kushtetutës që i takon qytetarit shqiptar sa i takon të zgjedhurit. Nuk ka nevojë për shumë interpretime për të përcaktuar se çdo të thotë të zgjedhësh. Konventat e përcaktojnë shumë mirë dallimin mes votimit dhe zgjedhjes. Gjykata Ndërkombëtare në vitin 2015 ka marrë një vendim të ngjashëm ndaj Bullgarisë për një shkelje të vitit 2009. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se e drejta e votës e garantuar nga neni 3 e protokollit nuk është e limituar në zgjedhjen e një kandidatit. Vota duhet të garantojë të drejtën e zgjedhjes në të kundërt zgjedhësit do i mungonte e drejta e tij. Presidenti me dekretin e tij ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë. Nëse presidenti e ka respektuar apo e ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes”, – u shpreh Meta.

“Presidenti e ka për detyrë më shumë sesa vetë qeveria që të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, për këtë arsye mandati i presidentit është 5-vjeçar, ndërsa i qeverisë 4-vjeçar, që të garantojë vazhdimësinë e detyrimeve ndërkombëtare. Përpara këtij parimi kushtetues çdo lloj afati është tërësisht sekondar, ndërsa parësore është mbrojtja e të drejtës për zgjedhjeve. Askush më shumë se gjykata europiane e të drejtave të njeriut, nuk mund ta sqarojë më qartë këtë të drejtë të zgjedhjes”, – tha Meta.

Presidenti Meta u shpreh gjithashtu se një nga arsyet që e shtyu të anulojë zgjedhjet ishte fakti se kishte pasur një informacion sekret që thoshte se në protestën e 8 qershorit do i vihej flaka Kuvendit të Shqipërisë.

“Një arsye themelore është siguria e vendit. Presidenti ka pasur informacione të mjaftueshme për përpjekjet për të organizuar akte destabilizimi në vend. Një ditë para se presidenti të bënte paralajmërimin e tij për anulimin e datës 30 qershor kam marrë një informacion sekret dhe të klasifikuar i cili bënte të qartë që persona të caktuar do shfrytëzonin mitingun e opozitës për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Ky ishte një informacion tërësisht i besueshëm. Po të kemi parasysh pasojat dhe konfrontimet në protesta me shumë policë të plagosur, duke i kombinuar këto rrethana pa dyshim që presidenti nuk mund të pranonte një situatë të tillë, një ngjarje që mund të prodhonte edhe pasoja për jetën e qytetarëve dhe shkatërrim të imazhit tonë. Do të ishte goditje shumë e fortë jo thjesht për zgjedhjet, por kthim i madh pas për vendin dhe të dy palët kishin dhënë shembuj të shkëlqyer të vendosmërisë për të ecur drejt konfrontimit dhe për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi mbi pasojat”, – u shpreh Meta.

I pyetur nga deputetja Klotilda Ferhati nëse anulimi i datës së zgjedhjeve rrezikon një precedent, Meta u përgjigj se, “Presidenti nuk ka pasur shqetësim të plotësojë tekat e opozitës, por të garantojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës sa më shumë të ishte e mundur, por në çdo rast për të shmangur shndërrimin e zgjedhjeve në votime. Kjo ka qenë një përpjekje e sinqertë. Duhet të keni parasysh se qëndrimi im ka qenë forcimi i institucioneve, qëndrimi im ndaj opozitës ka qenë mjaft kritik për lënien e mandateve”.

Ndërsa deputetja e PS, Vasilika Hysi e pyeti Presidentin nëse ka cenuar Kushtetutën me vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve, lidhur me argumentimin e tij se shtyrja e procesit do të sillte zgjedhje të lira dhe çfarë masash ka marrë Presidenti lidhur me informacionet se cenohej siguria kombëtare.

Meta tha se autoritetin për të anuluar zgjedhjet nuk ia përcakton Kushtetuta, por nga ana tjetër as nuk ia ndalon. “E kam në bazë të praktikës së presidentëve. Nuk ma jep asnjë nen, por as nuk ma ndalon. Pyetja nuk është shumë e gjetur. Të gjithë presidentët e mëparshëm kanë bërë të njëjtën gjë për të shmangur kriza dhe gjakderdhje. Presidenti nuk mund të priste që të ndodhte një gjakderdhje për të ndërmarrë atë akt. Kodi Zgjedhor nuk parashikon ndeshje me një kandidat”, – tha Meta.

Ndërsa lidhur me argumentin për garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme Meta u shpreh se edhe nëse nuk do merrte pjesë në zgjedhje opozita, do i jepej më shumë kohë opozitës se re parlamentare që të gjente kandidatë”./atsh

Komisioni Hetimor për shkarkimin, Meta: Zgjedhjet i anulova pasi do të digjej Kuvendi Read More »

Historia e Fatjonit/ Pasioni për vreshtat dhe dashuria për natyrën e kthyen në Shqipëri

Dashuria për natyrën dhe pasioni i tij për vreshtat e kthyen Fatjonin nga Italia, për të punuar në fshatin Qinam, të komunës së Zallherit, 12 km larg Tiranës.

“Babai im ka punuar agronom. Dëshira ime për vreshtat më solli në këtë vend. Duke parë që babai im skishte më forca për të ndjekur më tokat’, ndoqa unë hapat e tij”, shprehet Fatjoni për rubrikën “Njerëz të padukshëm” në ERTV.

Fatjoni thotë se i pëlqen natyra, pasi sipas tij, ajo të kupton më shumë se njerëzit.

“Jam rritur në Tiranë tek 21 dhjetori, për arsye ekonomike kam emigruar në Greqi dhe Itali. Me kalimin e viteve mendova të bëj diçka në vendin tim 100% shqiptare, me sforcat e mia mora këtë tokë , e cila ka qenë e pyllëzuar e gjitha, e shpyllëzova dhe e sistemova me ndihmën e Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), që subvencionoi një pjesë të mbjelljes, pasi ishte e pamundur te realizohej ndryshe”, nënvizon Fatjoni.

Për mbarëvajtjen e vreshtave janë katër persona që punojnë sistematikisht.

“Në periudhën e vaditjes qëndrojmë edhe gati 20 orë. Gjatë natës flemë në kamper”, shton ai.

Nga vreshtat e tij, Fatjoni, nxjerr rrush për prodhimin e tre llojeve më të mira të verërave, Merlot, Kabernet dhe Shiraz.

“Ky rrush nga matjet e fundit që kam bërë ka qënë 20% sheqer që i bie 17% alkool, është cilësi shumë e mirë, pjekuri optimale. Fitimet dalin të kënaqshme, ky është një investim që do të jetë për 150 vjet, pasi çdo vit që kalon rritet bima dhe jep cilësinë më të mirë”, shprehet Fatjoni.

Sipas, tij kjo punë është e lodhshme, por të jep kënaqësi./atsh

Historia e Fatjonit/ Pasioni për vreshtat dhe dashuria për natyrën e kthyen në Shqipëri Read More »

Stop Informalitetit/ 13.888 qytetarë shkarkojnë aplikacionin

Kryeministri Edi Rama njoftoi se deri tani 13.888 qytetarë kanë shkarkuar aplikacionin Stop Informalitetit.

“Nëse s’e ke shkarkuar ende, bëje edhe ti, sepse të jep mundësinë që në 1 minutë të gjesh mbështetjen e nevojshme, kundër çdo abuzimi me kuponin tënd, me rrogën tënde, me sigurimin tënd shëndetësor e shoqëror apo me konkurencën e pandershme ndaj biznesit tënd. Aplikacioni që të mundëson të mos heshtësh përballë abuzimit, gjendet në App Store https://apps.apple.com/…/a…/stop-informalitetit/id1476196781 ose në Play Store https://play.google.com/store/apps/details…”, shprehet Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se “denoncimi është i fshehtë dhe konfidencialiteti i të dhënave të tua 100% i garantuar”. /atsh

Stop Informalitetit/ 13.888 qytetarë shkarkojnë aplikacionin Read More »

Sera në Divjakë, më e madhja në Ballkanin Perëndimor, prodhon çdo vit mbi 15 milionë fidanë

Në Divjakë në një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh ndodhet sera më e madhe për kultivimin e fidanëve në Ballkanin Perëndimor është në Shqipëri, ku prodhohen 15 milionë fidanë çdo vit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi “Lisar Seedlings” në Divjakë, një serë me teknologji moderne holandeze furnizon me fidanë jo vetëm tregun vendas, por edhe eksporton.

Për zgjerimin e saj, “Lisar Seedlings” është mbështetur nga programi IPARD.

Ministri Çuçi tha se “kombinimi i mbështetjes për zgjerimin e serrave dhe pikave të grumbullimit është një garanci për të zhvilluar më tej sektorin bujqësor dhe për të patur produkte më cilësore”.

“Modele të tilla duhet të na udhëheqin më tej për zhvillimin e bujqësisë. Kjo serë është një garanci për gjithë fermerët që të marrin fidanë cilësorë. Garancia për cilësinë e produkteve bujqësore fillon që tek fidanët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim zgjerimin e serrave në Shqipëri, për të krijuar avantazh jo vetëm në tregun vendas por edhe për eksport”, u shpreh ministri Çuçi.

“Lisar Seedlings” eksporton një pjesë të madhe të fidanëve në Perëndim. Numri i të punësuarve në këtë serë është rreth 50 vetë.

Pritet që kjo sipërmarrje të zgjerohet edhe më tej falë skemave mbështetëse të qeverisë shqiptare për bujqësinë dhe fondeve të programit IPARD./atsh

Sera në Divjakë, më e madhja në Ballkanin Perëndimor, prodhon çdo vit mbi 15 milionë fidanë Read More »

Bashkëqeverisja, 33030 ankesa të zgjidhura në nivel qendror e vendor në një javë

Numri ankesave të zgjidhura gjatë kësaj jave nga platforma e bashkëqeverisjes në nivel qendror është 29428 nga 43053 ankesa të regjistruara.

Sipas shifrave të publikuara këtë javë, rezulton po ashtu se janë 3602 ankesa të zgjidhura nga 7614 raste të regjistruara në nivel vendor.

Ndërkaq, janë spikatur 18 raste suksesi për këtë javë prej të cilave 7 vijnë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ndjekur nga ministria e Financave dhe Ekonomisë me 5 raste, 2 nga bashkia e Durrësit, 2 nga bashkia e Vlorës, 1 nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe një nga ministria e Mbrojtjes.

Numri total që ka hyrë përmes një llogarie në në platformën e bashkëqeveriesjes është 111856 ndërsa numri total i regjistrimeve të reja kap shifrat e 18873.

“Shqiperiaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, ku përmes një mesazhi shumë shpejt mund të gjendet zgjidhje për problemet dhe ankesat e tyre./atsh

Bashkëqeverisja, 33030 ankesa të zgjidhura në nivel qendror e vendor në një javë Read More »

Ndëshkohen 256 drejtues të çiklomotorëve për qarkullim në korsitë e biçikletave

256 drejtues të mjeteve me dy rrota janë ndëshkuar nga policia e Tiranës kryesisht, për qarkullim në korsitë e rezervuara për biçikleta dhe pa vendosur kaskën mbrojtëse.

Policia e Shtetit njofton se duke e vlerësuar si burim rreziku për ngjarje rrugore, sjelljen e çiklomotorëve dhe motomjeteve që qarkullojnë në korsitë e rezervuara për biçikleta, policia rrugore e Tiranës ka organizuar kontrolle dhe monitorime në disa rrugë kryesore, siç janë rruga e Kavajës, bulevardi “Zogu i Parë”, rruga e Dibrës, rruga “Ibrahim Rugova” etj.

Përgjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar 256 drejtues të mjeteve me dy rrota, kryesisht për qarkullim në korsitë e rezervuara për biçikleta dhe pa vendosur kaskën mbrojtëse, si dhe janë verifikuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 11 shtetas, pasi janë konstatuar duke drejtuar çiklomotorët dhe motomjetet në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe të papajisur me leje drejtimi. /atsh

Ndëshkohen 256 drejtues të çiklomotorëve për qarkullim në korsitë e biçikletave Read More »

Ndërhyrje rrënjësore për pastrimin e lumit Gjanica

Lumi Gjanica në Fier po pastrohet në të gjithë gjatësinë e tij për të shmangur rrezikun e përmbytjeve gjatë muajve të dimrit, kur shtohen ndjeshëm prurjet.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, bën të ditur detaje nga ndërhyrja që po bëhet në gjithë gjatësinë e shtratit të lumit, që në stinën e dimrit kthehet në një rrezik serioz për banorët e Fierit.

Sipas tij, paralel me investimin në qendër të qytetit po vijohet me pastrimin e lumit Gjanica.

“Paralel me investimin në qendër të qytetit nisëm punën për pastrimin e lumit Gjanica dhe mirëmbajtjen e tij. Një punë e përvitshme që i rikthehemi sa herë është e nevojshme për të eleminuar çdo rrezik të mundshëm të vërshimit të lumit gjatë stinës së dimrit”, -thotë Subashi.

Ndërhyrja e bashkisë synon të shmangë rrezikun e përmbytjeve në Fier, fenomen problematik ndër vite. Është një sasi e konsiderueshme mbetjesh dhe mbeturinash që hiqet çdo vit për të evituar rastet e përmbytjeve.

Po ashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet pastrimit poshtë urave ku grumbullohen mbetjet, por edhe pikave ku lumi ka tendencë të ngushtojë shtratin e tij./atsh

Ndërhyrje rrënjësore për pastrimin e lumit Gjanica Read More »