Aktualitet

Hajdari takon ambasadorin Soreca: Nevojë për një sistem të ri zgjedhor

Reforma Zgjedhore ka qenë sot fokusi i takimit të kryetares së grupit parlamentar të opozitës, Rudina Hajdari me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ku diskutuam mbi rëndësinë e Reformës Zgjedhore në muajt në vijim, si dhe për hapjen e negociatave për Shqipërinë në tetor”, shprehet Hajdari.

Deputetja Hajdari i ka kërkuar Luigi Soreca-s mbështetje për një sistem të ri zgjedhor.

“Falenderova ambasadorin Soreca për mbështetjen e tij për Reformën Zgjedhore dhe shpreha nevojën për një sistem të ri zgjedhor, më gjithëpërfshirës dhe më demokratik”, shprehet ajo.

Gjithashtu, Hajdari shton se në takim me ambasadorin e BE-së Soreca, “diskutuam edhe mbi organizimin e “Shkollës Europiane” që organizohet nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, aktivitet që çdo vit është mbështetur edhe nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri”. /atsh

Hajdari takon ambasadorin Soreca: Nevojë për një sistem të ri zgjedhor Read More »

Nis rikonstruksioni i Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Në ndërtesën emblematike të historisë së arsimit shqip, Mësonjëtorja në Korçë kanë nisur punimet për rikonstruksionin e saj. Rikonstruksioni i kësaj ndërtese pritet të përfundojë para fundit të vitit.

Ky rikonstruksion do t’i shtojë një tjetër vlerë qytetit të serenatave duke e shndërruar në një destinacion kulturor dhe historik të denjë për turistë vendas dhe të huaj.

“Ndërtesa emblematike e historisë së arsimit shqip, Muzeu ABC në Korçë po i nënshtrohet rikonstruksionit. Kishte ardhur koha që Mësonjëtorja, ky objekt-dëshmi i arsimdashjes dhe kurajës, t’i kthehej jo vetëm korçarëve, por gjithë Shqipërisë, sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë, por duke ruajtur karakterin e saj monumental”, u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Pas sondazheve, do të fillojnë punimet në të gjithë strukturën, mure, çati, dyer e dritare të amortizuara nga koha, për të vijuar me rrjetin elektrik, sistemin e ngrohjes, të mbrojtjes nga zjarri. Para fundit të vitit, gjithçka do të jetë gati”, tha ministrja Margariti. /atsh

Nis rikonstruksioni i Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë Read More »

Çelja e negociatave/ Kodheli: Mbështetja gjermane, premisë edhe për vende të tjera

“Vendimmarrja gjermane është domethënëse në Europë, njëkohësisht është dhe një premisë, që edhe Franca edhe Holanda do t’i rrinë në krah kësaj premise të hapur tashmë për një përgjigje pozitive për Shqipërinë”, tha sot ish-ministrja e Mbrojtjes, njëherësh kryetarja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Mimi Kodheli e ftuar në një emision televiziv.

Duke folur për vizitën e kryeministrit në Gjermani, Kodheli tha se “Ky është një lajm i mirë. vizita e kryeministri Edi Rama në Gjermani ishte e suksesshme dhe mbështetja e një mikeje të madhe të vërtetë siç është kancelarja Angela Merkel, do të jetë një mbështetje reale, diçka që ajo ka ditur ta japë dhe ta bëjë këtë mbështetje dhe ta tregojë këtë gjë dhe vitet e mëparshme”, tha ajo.

Kodheli shtoi se qëndrimi i kancelares Merkel ka qenë konsistent, pozitiv dhe mbështetës në raport me Shqipërinë dhe rajonin në tërësi.

“Kushtëzimet do ta ndihmojnë procesin, kushtëzimet nuk janë pengesë. Përkundrazi, kushtëzimet thjeshtësojnë procesin siç janë ngeciet tona, siç mund të jetë ulja e palëve politike dhe bërja e reformës zgjedhore, vazhdimi i reformës së thellë në drejtësi”, tha ajo

Në lidhje me qëndrimin e BE-së për zgjerimin, Kodheli shtoi se vendet e BE-së kanë qenë skeptike për zgjerim nga mungesa e thellimit të reformave në Bullgari, Rumani. Janë totalisht të pakënaqur nga thellimi i reformave edhe për disa vende që kanë hyrë më parë në BE. “Ato bënë disa detyra shtëpie me nxitim siç duhet dhe pastaj mbetën, sepse ideja se ishin futur brenda nuk ka më nevojë për reforma. Pra, kushtëzimi për ne dhe duhet të jetë në ndihmë të procesit, por sigurisht hapja e negociatave është një fitore politike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, -tha ajo.

Kodheli theksoi se SHBA, partner strategjik janë më prezent se kurrë në Shqipëri, amerikanët janë më prezent se kurrë në Shqipëri dhe nuk janë larguar asnjëherë.

Në lidhje me rolin e ri të zv.ndihmëssekretarit të Shtetit dhe njëherazi përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, Kodheli shprehet se nuk ka pasur largim apo afrim të amerikanëve, pasi amerikanët kanë qenë më aktivët.

“Le te shikojmë ambasadorin e fundit në Shqipëri se çfarë protagonizmi pati dhe çfarë rëndësie pati puna dhe bashkëpunimi i tij me ambasadoren e BE-së në miratim dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Pra se më prezent se kaq nuk ka. Nuk po flas këtu për sa i përket bashkëpunimit në fushën e sigurisë sepse në mënyrë absolute është në të njëjtin nivel dhe nuk ka munguar asnjëherë as si mbështetje dhe as si partneritet, por caktimi i Palmer, padyshim që i jep një shtytje tjetër, ka një hap cilësor lidhur me vëmendjen tashmë të SHBA-së drejtuar rreth Ballkanit”, tha ajo.

Në vijim të argumentit të saj Kodheli shtoi se “Sigurisht me ndryshimet e administratës nga Obama te Trump ka ndryshim dhe të disa politikave dhe gjeopolitikave. Ballkanit i vjen radha pak më vonë se SHBA-Kinë apo SHBA-BE, por nga ana tjetër një sy është mbajtur gjithmonë në këtë rajon, sepse ndikimi i tyre dhe në dakordësimi i emrit të Maqedonisë së Veriut ishte i padiskutueshëm. Zgjerimi NATO-s me Maqedoninë, zgjerimi i NATO-s me Malin e Zi, do të thotë që ata janë gjithmonë aty. Ulja në bisedime Kosovë Shqipëri. Megjithatë kjo tregon se ata do ta kishin dashur dhe janë duke luftuar fort në drejtim të negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por kjo nuk mjafton, sepse ne kemi Kosovë-Serbi për të diskutuar, kemi thellimin e reformave të sistemit gjyqësor apo në tërësi për reformën në drejtësi, pra shumëçka për të cilat ata janë investuar më shumë sesa do ishte investuar një përfaqësues i lartë ambasador i një vendi tjetër. ”.

Gjithashtu Kodheli tha se “SHBA ka politika të qarta ata dinë qartësisht se si duhet zhvilluar një demokraci reale e vërtet dhe ku duhet shkuar, duke qenë partneri ynë strategjik më i madh dhe duke qenë se investimi që ata kanë bërë në këtë zonë që nga çlirimi i Kosovës, nuk mund dot as të dështojnë dhe sa të zhgënjehen nga puna që kanë derdhur”.

“Ndaj unë besoj fort se prezenca e ambasadorit Palmer dhe rikthimi i përfaqësimit me një ambasadori të ri në ambasadën e SHBA, do të ndihmojë këtë proces, ashtu siç shpresoj shumë dhe besoj fort që do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit Kosovë Serbi”, tha ajo./atsh

Çelja e negociatave/ Kodheli: Mbështetja gjermane, premisë edhe për vende të tjera Read More »

Inspektorati Teknik Industrial bllokon dy pika karburanti

Inspektorati Shtetëror Teknik e Industrial ka bllokuar dy pika karburantesh në Tiranë e Kamzë për shkak të cilësisë së karburantit që tregtonin, ndërkohë që ndaj tyre është vendosur edhe masa administrative në masën e 1.5 milionë lekë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se, kontrollet do të jenë të vazhdueshme, ndërsa iu kërkoi të gjithë subjekteve të zbatojnë rregullat dhe legjislacionin në fuqi, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim.

Balluku tha se nafta e bllokuar pak kohë më parë në rafinerinë e Ballshit, është rikthyer në përpunim dhe përpara se të hidhet në treg ajo do t’i nënshtrohet edhe një kontrolli tjetër në laboratorët e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial./atsh

Inspektorati Teknik Industrial bllokon dy pika karburanti Read More »

Kancelarja Merkel pas takimit me Ramën: Gjermania mbështet Shqipërinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel priti të premten Kryeministrin shqiptar, Edi Rama në Kancelarinë Federale.

“Bisedimet u përqendruan në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në çështjet e politikës europiane dhe çështjet rajonale”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga zyra e Kancelares Merkel.

Më tej zyra e Kancelares shprehet se “Kryeministri shqiptar nuk është vetëm një politikan aktiv, por punon edhe si artist. Ai i dhuroi sot Kancelares gjermane botimin tij më të fundit. Rama, 55 vjeç shërben si Kryeministër i Shqipërisë që nga 10 shtatori 2013 dhe u prit sot nga Kancelarja gjermane Angela Merkel me nderime ushtarake”.

Bisedimet e pranimit në BE

Në fund të shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse Kancelarja Merkel do të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në samitin e Unionit në mes të tetorit.

Forcimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri

Gjermania mbështeti pranimin e Shqipërisë në NATO në 2009 dhe mbështet pranimin e shtetit ballkanik në Bashkimin Europian.

Gjatë Konferencës së Ballkanit Perëndimor në Posen, më 5 korrik 2019, Kancelarja gjermane Merkel pranoi se pavarësisht vështirësive politike të vazhdueshme, në të gjithë rajonin ka patur një progres domethënës. Shqipëria ka qenë vendi që ka mbështetur shtetin gjerman në fushën e bashkëpunimit për zhvillimin për shumë vite. Gjermania ka treguar një interes të madh duke kontribuar në kushte të qëndrueshme, demokratike dhe kushtetuese në Shqipëri duke mbështetur procesin e transformimit.

Kryeministri Rama ka vizituar edhe më herët Kancelarinë Federale në prill 2018, për të diskutuar me Kancelaren Merkel, ndër të tjera, nivelin e përafrimit të Shqipërisë në BE.

Gjithashtu gjatë një takimi për Ballkanin Perëndimor në prill 2019 në Kancelarinë Federale u zhvillua një diskutim dypalësh midis dy krerëve të qeverive./atsh

Kancelarja Merkel pas takimit me Ramën: Gjermania mbështet Shqipërinë Read More »

Rriten investimet e huaja direkte, Rama: Shifër pozitive dhe tejet inkurajuese

Vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 535 milionë euro, apo 10,1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar shifrën pozitive dhe tejet inkurajuese.

“Mirëmëngjes dhe me shifrën pozitive e tejet inkurajuese, të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë për investimet e huaja, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Investimi më i madh i viteve të fundit, është gazsjellësi Trans-Adriatik. Rreth 1.5 miliardë euro është investimi për ndërtimin e seksionit tokësor të tubacionit në Shqipëri, përfshirë këtu koston e tubave, kompresorëve dhe pajisjeve dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit.

Ndërsa investimi tjetër i madh, është ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania “Statkraft”. Për të vijuar me investimet e rëndësishme në industrinë e naftës dhe atë minerare.

Fitimet e riinvestuara nga investitorët e huaj për gjysmën e parë të këtij viti arritën në 183 milionë euro, 68% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Sipas origjinës së kapitalit, në vitet e fundit investimet e huaja janë dominuar nga Zvicra dhe Holanda.

Në Zvicër është e regjistruar ndërmarrja që po ndërton gazsjellësin TAP, ndërsa në Holandë është e regjistruar “Statkraft Markets”, kompania përmes të cilës norvegjezët e “Statkraft” zotërojnë “Devoll Hydropower”./atsh

Rriten investimet e huaja direkte, Rama: Shifër pozitive dhe tejet inkurajuese Read More »

Rama pas takimit me Merkel: I inkurajuar nga vlerësimet pozitive ndaj Shqipërisë

Pas takimit të zhvilluar sot me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, Kryeministri Edi Rama shprehet se ndihet i vlerësuar nga predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares.

Kreu i qeverisë thekson pas përfundimit të takimit me kancelaren Merkel “shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel”.

Kryeministri Edi Rama u prit sot në takim nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ndërsa më herët zhvilloi një takim me Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut, ku pati një bashkëbisedim të hapur dhe pozitiv./atsh

Rama pas takimit me Merkel: I inkurajuar nga vlerësimet pozitive ndaj Shqipërisë Read More »

Flota e peshkimit, 73 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë

Në flotën e peshkimit, janë 73 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë, ndërsa të dhënat nga regjistri i flotës tregojnë se deri në fund të vitit të kaluar, janë 632 subjekte të licencuara për aktivitet peshkimi.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2018, porti me numrin më të madh të anijeve të licencuara është Durrësi, me 37,0% të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka 31,0% të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga Porti i Sarandës me 16,0%. Portet e peshkimit të Himarës dhe Lushnjë-Fier janë ato me përqindjet më të vogla të subjekteve të licencuara për peshkim, përkatësisht me nga 2.0%.

Flota detare, shqiptare nisur nga qëllimi i anijes, ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica (67,0 %) si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike), me 27,0%, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.

Flota vepron pothuajse plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut)./atsh

Flota e peshkimit, 73 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë Read More »