Aktualitet

Armela Krasniqi zgjidhet në bordin drejtues të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi u zgjodh anëtare e bordit drejtues të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve, (EANA) ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

EANA zhvilloi në datat 18-20 shtator në Pragë Asamblenë e Përgjithshme për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit drejtues.

Në votimin e zhvilluar për anëtarët e rinj të bordit, kishin të drejtë vote vetëm drejtorët e përgjithshëm ose presidentët e agjencive të përfaqësuara në këtë asamble.

Në Aleancën Europiane të Agjencive të Lajmeve bëjnë pjesë agjenci prestigjioze lajmesh të vendeve të Bashkimit Europian si AFP Francë, ANSA Itali, Keystone Zvicër apo DPA Gjermani, EFE Spanjë, PAP Poloni etj.

Zgjedhja e drejtoreshës së Përgjithshme të ATSH-së në bordin drejtues të EANA-s është ndër rastet e pakta kur në këtë bord janë zgjedhur përfaqësues nga vende jo anëtare të Bashkimit Europian.

Anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të EANA-s kishin përpara për dy vendet vakante të bordit drejtues, drejtoreshën e përgjithshme të ATSH-së, Armela Krasniqi, shefin ekzekutiv të agjencisë britanike të lajmeve, Press Assotiation, Clive Marshall, si dhe Branka Gjukiç, drejtoreshë e agjencisë serbe të lajmeve TANJUG.

Asambleja zgjodhi me 20 vota pro Armela Krasniqin dhe 20 vota pro Clive Marshall si anëtarë të bordit për tre vitet në vazhdim, ndërkohë që Gjukiç mori vetëm 4 të tilla.
Së bashku me Jiri Majstr, drejtor i përgjithshëm agjencisë çeke të lajmeve CTK, Krasniqi dhe Marshall përbëjnë bordin drejtues të EANA-s, në të cilin President është Peter Kropsh i DPA-së gjermane.

Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve ishte grupi që propozoi dhe shtroi të drejtën e autorësisë si një problem në Parlamentin Europian legjislaturën e kaluar. Këmbëngulja dhe argumentet e Aleancës bënë që ligji për të Drejtën e Autorit përballë Facebook apo Google të miratohej me shumicë votash. Bordi i Aleancës kryesoi dhe mbështeti këtë proces.Implementimi i ligjit ka nisur tashmë në vendet e BE-së.

EANA, e themeluar më 21 gusht të vitit 1956, është platformë profesionale që shërben për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve midis agjencive europiane të lajmeve duke organizuar çdo vit konferenca për të diskutuar problemet dhe perspektivat e ardhshme. /atsh

Armela Krasniqi zgjidhet në bordin drejtues të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve Read More »

Shqipëria, parajsa e re fiskale ku bizneset paguajnë vetëm 15% të tatimit mbi fitimin

Jo vetëm e bukur dhe e zhvilluar, Shqipëria është gjithashtu parajsa e re fiskale, shkruan gazeta italiane, “Il Libero Quotidiano”.

“Këtu sipërmarrësit mund të investojnë pa u mbingarkuar nga taksat dhe burokracia”, shpjegon Edvin Kristaq Rama, Kryeministri i Shqipërisë, për gazetën e përditshme italiane “Giorno”.

“Çdo gjë që Italia ëndërroi të kishte në kohën e Berluskonit tani mund ta gjejë në Shqipëri. Ata që investojnë tek ne në turizëm me pesë yje do të kenë dhjetë vjet pa taksa dhe TVSH 6 %. Nga këndvështrimi ne jemi praktikisht një parajsë tokësore ”, shprehet Rama.

Regjimi tatimor nuk bën asnjë dallim midis investitorëve shqiptarë apo të huaj. Bizneset duhet të paguajnë vetëm 15% të taksës mbi fitimet dhe njerëzit nga 0 deri në 23%, ndërsa paga mesatare është rreth 250 euro. Një shifër që shkon krah për krah me koston e jetës. /atsh

Shqipëria, parajsa e re fiskale ku bizneset paguajnë vetëm 15% të tatimit mbi fitimin Read More »

Anija shqiptare Oriku shpëton 111 emigrantë në detin Egje

Anija shqiptare “Oriku” ka shpëtuar mbrëmjen e djeshme 111 emigrantë në detin “Egje”.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mëngjesin e të shtunës, bëri të ditur se mbrëmje e djeshme ka qenë tejet intensive për ekuipazhin e anijes shqiptare “Oriku”.

“Natë intensive për anijen shqiptare “Oriku” dhe ekuipazhin e saj me mision në detin Egje.
111 emigrantë sirianë, irakenë e palestinezë u shpëtuan në 3 operacione të ndryshme brenda pak orësh, gjatë mbrëmjes së djeshme në ujërat mes Turqisë dhe Greqisë.
Emigrantët të cilët lundronin në 2 gomone dhe 1 skaf, iu dorëzuan Rojës Bregdetare turke”, thekson Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. /atsh

Anija shqiptare Oriku shpëton 111 emigrantë në detin Egje Read More »

Fermerët interes për kultivimin e boronicës, produkt i regjistruar “markë” shqiptare

Boronica konsiderohet një produkt i rëndësishëm për vlerat ushqyese dhe tregtare që përmban.
Regjistrimi i saj si markë shihet si një nga komponentët kryesorë të rritjes së konkurrencës dhe zhvillimit të biznesit përmes rritjes së eksporteve.
Sot fermerët po rrisin interesin për kultivimin e saj, duke parë këtë produkt me mjaft interes për rritjen e të ardhurave në familjet e tyre, angazhimin në punë dhe rritjen e sipërfaqeve të mbjellë me boronicë.
Sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, potenciali i kultivimit të kësaj bime në Shqipëri është shumë i lartë, veçanërisht në zonën e Tropojës, Kukësit, Dibrës dhe Pukës.

Rreth lumit të Gashit, një nga atraksionet natyrore më të bukura të Shqipërisë (pjesë e trekëndëshit ballkanik/zonë e mbrojtur e kategorisë së parë) ndodhet sipërfaqja më e madhe e boronicës së egër në vend.
Në zonën e studimit (Qerem-Dobërdol) është përllogaritur një sipërfaqe me boronicë prej 700-800 hektarësh, e cila shfrytëzohet nga fermerë që merren me grumbullimin e këtij fruti të mrekullueshëm.
Kërkesa për produkte natyrale dhe specifikisht boronicën, është rritur gjatë viteve të fundit duke patur ndikim pozitiv në shëndetin e njerëzve. Konsumi i boronicës ndihmon sistemin kardiovaskular dhe konsiderohet si frut me përmbajtje të lartë antioksidantësh dhe ndikon kundër qelizave kancerogjene.
Përmbajtja e antocianinës totale në frutat e boronicës, në zonën e Lumit të Gashit, është më e lartë krahasuar me zonat e tjera të Shqipërisë, gjithashtu krahasuar edhe me vendet e rajonit që prodhojnë këtë frut. /atsh

Fermerët interes për kultivimin e boronicës, produkt i regjistruar “markë” shqiptare Read More »

Pensionet, Balla: Gjetëm një skemë të falimentuar, ndryshuam tërësisht situatën

“Edhe pse gjetëm një skemë pensionesh tërësisht të falimentuar kjo qeveri arriti ta ndryshojë tërësisht situatën”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Balla zhvilloi sot një takim me banorët në Rrajcë, ku premtoi më tepër mbështetje për ta.

“Në Rrajcë, një kafe me banorët. Ka ende shumë për të bërë për të moshuarit, por mos harroni se gjashtë vite më parë e gjetëm Skemën e Pensioneve tërësisht të falimentuar”, tha Balla.

Ai theksoi se “qeveria arriti ta ndryshojë tërësisht situatën, duke garantuar mbështetje për kategori të veçanta”. /atsh

Pensionet, Balla: Gjetëm një skemë të falimentuar, ndryshuam tërësisht situatën Read More »

12 vende të lira në Shërbimin e Jashtëm për ekselentët

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, ka shpallur 12 pozicione të lira pune në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbetet e përkushtuar për të përqafuar të gjithë ekselentët e Shqipërisë dhe për t’u dhënë mundësi atyre që të përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre nëpër botë”, thekson ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, duke e konsideruar “edhe një lajm tjetër i mirë për diplomacinë shqiptare”.

“Kjo shpallje është pjesë e përpjekjes së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të përfshirë ekselentët në trupën diplomatike shqiptare. Një prej angazhimeve kryesore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet zhvillimi i një strukture diplomatike që mbështetet në energjitë rinore dhe cilësitë profesionale. Ndër të tjera, kjo shpallje vjen edhe si rrjedhojë e reformave të ndërmarra për të konsoliduar sistemin diplomatik të karrierës. Ndryshimet e ndërmarra deri më tani, kanë krijuar një hapësirë shumë më të madhe për ekselentët, profesionistët dhe personat me aftësi cilësisht të dalluara në përgjithësi”, deklaron Cakaj.

Kjo gjeneratë e re diplomatësh, thekson ai, do të ushtrohet në trajnime të veçanta e do të trajtohet me një kujdes të posaçëm për t’u bërë një gjeneratë elitë e diplomacisë shqiptare në perspektivë afatgjatë.

Ministri në Detyrë nënvizon se “procesi i përzgjedhjes së diplomatëve të ardhshëm dhe shërbyesve civilë të rinj do të jetë i mbështetur tërësisht mbi merita profesionale dhe vlerësime objektive. Shumë shpejt Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të shpallë edhe më tepër vende të lira për diplomatët e ardhshëm për të ndërtuar një shërbim të shkëlqyer diplomatik”.

“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbetet e përkushtuar për të përqafuar të gjithë ekselentët e Shqipërisë dhe për t’u dhënë mundësi atyre që të përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre nëpër botë”, deklaron Cakaj./atsh

12 vende të lira në Shërbimin e Jashtëm për ekselentët Read More »

Zgjedhjet e brendshme në PS, Balla: Hapje reale e partisë në të gjitha nivelet

“Zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste nuk po i ngjajnë zgjedhjeve të viteve të shkuara, por një procesi hapje shumë reale të PS në të gjitha nivelet”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Balla tha se “zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste po zhvillohen në formën e një debati konstruktiv në çdo organizatë”.

Ai tha se debati po zhvillohet me simpatizantët dhe me çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në bashkëbisedim, pavarësisht bindjeve të veta dhe përkatësisë së vet, debat në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo njësi administrative dhe bashki.

“Zgjedhjet tona të brendshme nuk po i ngjajnë zgjedhjeve të viteve të shkuara, por një procesi hapje shumë reale të Partisë Socialiste në të gjitha nivelet tona të organizimit e në të gjitha nivelet e administrimit të punëve të këtij vendi ndaj njerëzve të zotë, të gatshëm të japin kontributin e tyre për Shqipërinë”, tha Balla./atsh

Zgjedhjet e brendshme në PS, Balla: Hapje reale e partisë në të gjitha nivelet Read More »

Nafta dhe gazi në Shqipëri, mundësi për investime nga kompanitë e huaja

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mori pjesë në punimet e Kongresit të Kërkimit dhe Prodhimit të naftës në det (EPOCH 2019), që u mbajt në Selanik të Greqisë.

Në kongres merrnin pjesë rreth 80 kompani, kryesisht nga rajoni i Mesdheut si dhe i Afrikës Perëndimore, të cilat shpalosën arritjet e tyre në fusha të ndryshme të kërkimit në det, si në gjeologji, gjeofizikë, mjedis, etj.

Përfaqësuesit e AKBN-së, informuan lidhur me gjendjen aktuale të aktivitetit të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës në Shqipëri dhe mundësitë që ofron për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës dhe gazit.

Po kështu, pjesëmarrësit e AKBN-së në këtë Kongres patën takime të ndryshme me përfaqësues të shumë kompanive pjesëmarrëse. Gjithashtu, ata zhvilluan takim me Shefin Ekzekutiv të kompanisë kombëtare greke, Helenic Petroleum, Yannis Grigoriou dhe Presidentin dhe Shefin Ekzekutiv të Agjensisë së Burimeve Hidrokarbure të Greqisë, Yannis Bassias.

Ky aktivitet është një oportunitet mjaft i mirë për AKBN për të kontaktuar me përfaqësues të kompanive të ndryshme që operojnë në rajonin tonë për të promovuar mundësitë që ofron Shqipëria për tërheqjen e investitorëve si dhe për t’u informuar me zhvillimet më të fundit në rajonin e Mesdheut.​atsh

Nafta dhe gazi në Shqipëri, mundësi për investime nga kompanitë e huaja Read More »