Aktualitet

“Fake news” për tërmet, kryeprokurorja Marku kërkon vlerësim ligjor për përhapjen e informatave të rreme

Në një njoftim të shpërndarë për media, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku kërkon nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë “vlerësimin e menjëhershëm ligjor në lidhje me dyshime për përhapjen në publik të informatave të rreme që ngjallin panik dhe pasiguri tek qytetarët”.

Kjo kërkesë e Prokurores së Përgjithshme lidhet me lajmin e shpërndarë dje nga disa portale online për një tjetër tërmet rreth orës 23:30, lajm i cili shkaktoi daljen e mijëra qytetarëve në rrugë, disa prej të cilëve morën edhe rrugën për në Elbasan.

Gjithashtu, Marku në mbështetje të ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, kërkon informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit, pa cenuar sekretin hetimor.

Theksojmë se sipas sizmiologëve, parashikimi i tërmeteve nuk është i mundur dhe se lëkundjet do të vijojnë edhe për disa ditë, por do të jenë të një intensiteti më të ulët. /atsh

“Fake news” për tërmet, kryeprokurorja Marku kërkon vlerësim ligjor për përhapjen e informatave të rreme Read More »

INSTAT: Numri i aksidenteve rrugore u ul me 12% krahasuar me një vit më parë

Instituti i Statistikave bën të ditur se këtë vit numri i aksidenteve rrugore këtë vit ka qenë më i ulët, përfshi sezonin veror, që është edhe periudha e vitit me rrezik më të lartë për ngjarje të tilla. Në tetë muaj, në Shqipëri u regjistruan rreth një mijë aksidente, 12% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmirësimi i infrastrukturës dhe zbatimi i investimeve në mirëmbajtjen e akseve kryesore kombëtare rrugore duke shtuar sinjalistikën e nevojshme apo rehabilitimin e segmenteve asfaltikë të dëmtuar, ka ulur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

INSTAT bën të ditur se, në 8-mujorin e këtij viti numri i personave që humbën jetën në aksidentet rrugore ishte 137, me një rënie 4,1 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë./atsh

INSTAT: Numri i aksidenteve rrugore u ul me 12% krahasuar me një vit më parë Read More »

Sot pushim edhe për nxënësit e shkollave profesionale, në Tiranë, Durrës, Elbasan

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njofton se ndonëse infrastruktura shkollore është plotësisht gati për të vazhduar normalisht mësimin, për nxënësit e zonave të prekura nga tërmeti i dy ditëve më parë, në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, sikurse u komunikua edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, 23 shtatori është ditë pushimi edhe për nxënësit e shkollave profesionale.

“Duke marrë në konsideratë efektet psikologjike është vendosur që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre, të cilët punojnë në administratën publike, të jenë të lirë për të qëndruar pranë njëri-tjetrit”- citon njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë/atsh

Sot pushim edhe për nxënësit e shkollave profesionale, në Tiranë, Durrës, Elbasan Read More »

Sizmologu Duni apel qytetarëve: Ruani qetësinë e kthehuni në shtëpi, askush nuk mund të parashikojë rënien e tërmetit

Askush nuk mund të parashikojë vendin, madhësinë dhe kohën e saktë se kur do të bjeri tërmet”, deklaron sizmologu Llambro Duni.

Gjatë një konferece të përbashkët për shtyp me ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka lidhur me lajmin e publikuar nga disa portale dhe në rrjetet sociale për një tjetër tërmet, Duni tha se “nuk ka ende nëj parametër, një metodologji shkencërisht të bazuar e cila të jetë në gjendje që të na japë me saktësi kohën dhe vendin se kur do të ndodhë ky tërmet”.

“Kështu që i ftoj banorët e Tiranës dhe të gjithë ata që na dëgjojnë, që të ruajnë qetësinë të kthehen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe të kalojnë natën pranë familjeve të tyre”, apeloi ai/atsh

Sizmologu Duni apel qytetarëve: Ruani qetësinë e kthehuni në shtëpi, askush nuk mund të parashikojë rënien e tërmetit Read More »

Lajmi i rremë për tërmetin, Lleshaj: Ata që nxitën panik tinëzisht, përballje me ligjin

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një reagim në orët e vona të mbrëmjes së djeshme lidhur me lajmin e rremë të shpërndarë në disa media, ka garantuar se do ndëshkohen të gjithë ata që zgjodhën të nxisin tinëzisht dhe djallëzisht panikun.

“Ata që në vend të solidaritetit njerëzor zgjodhën të nxisin tinëzisht dhe djallëzisht panikun, duke kontribuar kështu për të favorizuar gjithë llojet e krimit, do të përballen me ligjin. Policia ka kryer ndërkohë veprimet e para”, tha Lleshaj.

Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net“, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.

Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët.

Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët./atsh

Lajmi i rremë për tërmetin, Lleshaj: Ata që nxitën panik tinëzisht, përballje me ligjin Read More »

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë: Mendimet tona tek gjithë shqiptarët e lënduar nga tërmeti

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë shprehu solidaritet me të gjithë shqiptarët pas tërmetit të rënë dy ditë më parë në Durrës dhe Tiranë.

“Tërmetet e fundjavës na tronditën gjithashtu ne dhe ambasadën tonë. Mendimet tona shkojnë tek gjithë shqiptaret dhe shqiptarët, të cilët janë lënduar ose shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar rëndë”, thekson ambasada gjermane në një deklaratë.

Ambasada gjermane tha se “shpresojmë që të gjithë ta kalojnë shpejt këtë tronditje dhe pasojat e tij”./atsh

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë: Mendimet tona tek gjithë shqiptarët e lënduar nga tërmeti Read More »

Rama niset drejt Nju Jork ku do të takohet me Trump: I revoltuar nga Fakenews-i kriminal për tërmetin

Kryeministri Edi Rama u nis sot për në Nju Jork, ku do të takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Para nisjes, Kryeministri Rama u shpreh thellësisht i revoltuar, për Fakenews-in kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues, që kalli mbrëmë panikun te qytetarët.

Rama u shpreh po ashtu i keqardhur, që shumë prej qytetarëve, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë e kaos.

Më poshtë mesazhi i plotë i Kryeministrit Rama:

“Miqtë e mi, jam thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej jush! Po njëkohësisht, jam thellësisht i keqardhur, që shumë prej jush, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë, kaos mundësisht, për arsyet e panjerëzishme të Mosarsyes.

Tërmeti që ra mbi Shqipërinë, tronditi qindramijëra familje, por fatlumësisht nuk mori asnjë jetë dhe dëmet e tij, që krahasuar me të tjera vende përreth, për të njëjtën shkallë Rihter e të njëjtat ballë në epiqendrën fare pranë Durrësit, mund të kishin qenë katastrofike, ishin të thuash pak, minimale. Lekundjet e mëpastajme, me të cilat u arrit deri në spekullimin çnjerëzor të mbrëmjes së djeshme, ishin sipas të gjithë ekspertëve, krejt brenda normës së procesit të stabilizimit të pllakave tektonike.

Si asnjëherë më parë, strukturat e shtetit reaguan menjëherë edhe falë riorganizimeve të qenësishme të bëra vitet e fundit; që nga sistemi i ri i Urgjencës Kombëtare, deri tek sistemi ende në reformim e sipër i Emergjencave Civile. Protokollet spitalore të gjendjes së emergjencës u aktivizuan në çast dhe përgjigja e krejt stafit të bluzave të bardha, megjithëse në një ditë pushimi të fundjavës, ishte mbresëlënëse. Skenarët e ndryshëm të financimit të krizës së mundshme, ishin gati vetëm pak orë pas goditjes së fortë sizmike dhe kontaktet me partnerët ndërkombëtarë u morën në kohë rekord, në nivelet më të larta e si asnjëherë më parë.

Ministrat, deputetët, kryebashkiakët e të gjithë vendit, prefektët në krye të shtabeve të emergjencave, u vunë në lëvizje si kurrë ndonjëherë më parë, për të bërë më të mirën nga ana njerëzore në radhë të parë, për familjet e prekura më shumë. E përsëris, dëmet janë minimale dhe pa lidhje me panikun maksimal që krijoi goditja dhe ushqeu më pas, papërgjegjshmëria haluçinante e një sërë burimesh (diz)informacioni.

Gjithçka ka kaluar si s’ka më mirë, në krahasim me ç’mund të kishte qenë dhe jeta vazhdon po njësoj; askush s’e di çfarë na rezervon fati apo natyra, sepse siç nuk ka mundur të parashikojë dot tërmetet, dija njerëzore s’ka mundur ende të parashikojë kohëzgjatjen e jetës sonë. Por ne çohemi çdo mëngjes e vazhdojmë rrugën e jetës, pa menduar se atë ditë mund të na ndalë zemra dhe biem të flemë çdo natë, pa menduar se mund të mos e shohim ditën tjetër. E pra, po aq absurde sa mund të duket të jetosh nga mëngjesi në mbrëmje me idenë e fundit të jetës, është edhe frika se nga momenti në moment, mund të bjerë tërmet.

Padiskutim, s’ka asgjë jonjerëzore në absurdin e frikës që pason përvojën traumatike të një goditjeje sizmike, prandaj edhe pjesa më e rëndësishme e rekuperimit të dëmeve, nis pikërisht nga solidariteti njerëzor me ata që janë prekur më shumë jo thjesht materialisht, po në radhë të parë psikologjikisht; pikërisht ky aspekt e ka bërë njerëzimin që ta kthejë globalisht në ndëshkim penal, kafshërinë e përhapjes së panikut në popull.

Prandaj edhe ne, u përpoqëm me gjithsej për të bërë më të mirën në planin njerëzor, si qeveri e si shumicë qeverisëse, duke vënë zemrën në funksion të familjeve më të prekura, përtej angazhimit të makinerisë shtetërore.

Prandaj edhe vendosëm që sot, prindërit e fëmijëve më të vegjël dhe nxënësve të nëntëvjeçares në zonat më të prekura nga goditja sizmike, t’i çlirojmë nga detyrimi për të ardhur në zyra e në vendet e tyre të punës në administratën shtetërore, në mënyrë që ata të rrinë edhe një ditë të plotë me fëmijët e tyre, për të cilët dita e çerdhes, kopshtit e shkollës u bë ditë pushimi.

Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Duke e ndërprerë udhëtimin dy ditë më parë dhe duke u kthyer me urgjencë në Tiranë, unë as do të parandaloja ndonjë tërmet e as do të bëja ndonjë çudi që pa mua nuk bëhej dot. Por plotësova boshllëkun e një mungese, e cila në planin njerëzor do të ishte e pajustifikueshme në raportin e zemrës me njerëzit që më kanë besuar detyrën e lartë. Tanimë është momenti, që secili të jetë aty ku është më i vlefshëm gjatë ditës së saponisur dhe teknologjia, vërtetë s’na ka dhënë ende asnjë shans të parashikojmë tërmetet, por na ka dhënë mundësinë fantastike që edhe mijëra kilometra lart në ajër apo matanë oqeanit, të jemi vetëm një klik larg zyrave ku drejtohen punët e vendit.

Kështu që nga zyra ime online në mrrokllën e zezë, për momentin në aeroportin e Stambollit, ku sapo po nisem për Nju Jork pasi erdha mbrëmë vonë me Air Albania-n, po ju le këtu këtë shënim përpara “Mirëmëngjesit” tradicional të orës 08.00”./atsh

Rama niset drejt Nju Jork ku do të takohet me Trump: I revoltuar nga Fakenews-i kriminal për tërmetin Read More »

Nesër ditë pushimi për shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Dita e nesërme për nxënësit e shkollave të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit do të jetë ditë pushimi.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një konferencë për shtyp.

Pushim do ta kenë po ashtu edhe “prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjeçare të cilët punojnë në administratë shtetërore. Situata në terren paraqitet drejt normalizimit, por në mënyrë që familjet e prekura të kalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të prekura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratën publike, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë dhe të qëndrojnë me njëri-tjetrin”, – nënvizoi Shahini.

Ministrja Shahini u shpreh se “nga takimet e shumta që kemi patur me qytetarë të prekur, jo vetëm ne stafi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por edhe kolegët e mi ministra, deputetët, stafet e bashkive, duket se qytetarët nuk janë plotësisht gati emocionalisht që të vijojnë ditën e zakonshme të punës dhe të shkollës nesër”.

Sipas saj, është plotësisht e mirëkuptueshme që një fatkeqësi natyrore si ajo e djeshmja të shkaktojë ankth dhe stres tek familjet e prekura.

“Duke marrë këtë parasysh dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e disa psikologëve që na kanë shkruar edhe dje edhe sot kemi vendosur që dita e nesërme për të gjithë nxënësit e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit të jetë ditë pushimi”, – sqaroi Shahini.

Ministrja u shpreh se “ne si ministri e Arsimit na takon më shumë se të gjitha institucionet e tjera mirinformimi i nxënësve mbi fatkeqësitë natyrore, si dhe përgatitjet që duhet të bëjmë për tu shmangur lëndimeve që mund të vijnë nga fatkeqësitë tona”.

“Ne në kurrikulat tona i trajtojmë këto tema, por duhet ti mëshojmë më fort kësaj pike, sepse nga ajo që pamë pjesa kryesore e lëndimeve trupore që kanë pësuar qytetarët dje ishin lëndime të shkaktuara nga paniku”, – tha Shahini.

Shahini theksoi se vetëm në 2 shkolla kanë pësuar dëmtime serioze, e ndërsa në 98 të tjera ka pasur plasaritje të fasadave, por tashmë gjithçka është në kontroll.

“Kam qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me të gjithë drejtuesit e të gjithë shkollave dhe që dje nuk kemi nxënës dhe mësues të lënduar. E përqendruam inspektimin në zonat më të prekura nga tërmeti, sot kemi vetëm 2 shkolla që janë raportuar në gjendje jo të sigurta, një në Qendër Bërxull që do sillen në shkollën Qendër, një tjetër në periferi të Tiranës. Në total janë 98 shkolla që kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, pjesa më e madhe është pastruar”, – tha Shahini./atsh

Nesër ditë pushimi për shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan Read More »