Aktualitet

Sarandë, rreth 10 mijë turistë me kroçera vetëm në shtator

Saranda në çdo stinë të vitit është një kërshëri që të tërheq, për plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta natyrore.

Edhe pse prag vjeshte gjatë muajit shtator në portin e Sarandës, pati një fluks të shtuar të udhëtarëve vendas e të huaj.

Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “vetëm nga katër kroçera të ardhura nga Greqia në portin e Sarandës kanë mbërritur rreth 10 mijë turistë të huaj”.

Sipas portit, kroçerat kanë pasur në bord turistë nga Austia, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj.
“Turistët e huaj kanë vizituar pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamil, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj”, shprehet porti.

Qëndrimi për 6 deri 8 orë në qytetin e Sarandës u ka dhënë mundësinë vizitorëve të jenë në kontakte me vendasit, ku sipërmarrësit privatë përpiqen të ofrojnë më të mirën e shërbimit.

Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike. Vetëm gjatë këtij viti në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.

Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik ka një fluks të shtuar./atsh

Sarandë, rreth 10 mijë turistë me kroçera vetëm në shtator Read More »

10 arsyet pse Shqipëria u zgjodh nga më shumë se 5 milionë turistë

Çfarë dini për Shqipërinë? Sa nga miqtë tuaj kanë udhëtuar atje, këtë verë? Shifrat flasin qartë, më shumë se 5 milionë turistë e kanë zgjedhur Shqipërinë, këtë verë, duke e konfirmuar atë si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në zhvillim, në Mesdhe, shkruan Enrico Porfido për faqen e njohur turistike Todosobre.Travel.

”Shqipëria, që do të thotë “vendi i shqiponjave”, është një vend sa i kërkuar, po aq edhe i panjohur. I ndodhur në Gadishullin Ballkanik, midis dy destinacioneve të njohura turistike, Malit të Zi dhe Greqisë, ky vend do t’ju habisë me peizazhet e tij të virgjëra, traditat shekullore, mikpritjen dhe sidomos me gatimet shumë të shijshme.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria po shndërrohen në një destinacion turistik gjithnjë e më të vlerësuar në Mesdhe.

Po përse? Le ta zbulojmë së bashku!

Pasi kam jetuar në këtë vend fantastik për tre vjet, mund t’ju them me plot siguri se do të jetë një nga udhëtimet më autentike të jetës tuaj. Dhe, për më tepër, është shumë pranë shtëpisë! Brenda pak orësh do të zbrisni në një vend krejtësisht ndryshe dhe magjepsës.

Mos u mundoni të merrni me mend se cilin vend tjetër ju sjell ndërmend, sepse do të çmendeshit! Nëpër rrugë do të dëgjoni të flitet italisht e anglisht, kafenetë plot njerëz do t’ju bëjnë të mendoni për Turqinë, gatimet tipike mesdhetare, karakterizuar nga djathi i freskët, ullinjtë e frutat ”do t’ju dërgojnë” në Greqi, Tunizi ose Marok.

Por, cilat janë 10 arsyet për të udhëtuar në Shqipëri?

1. Pëlqeni detin apo malin, kjo nuk ka rëndësi, peizazhet e virgjëra shqiptare do t’ju mahnitin! Ujërat e kristalta të bregdetit shqiptar, ashtu sikurse edhe shtigjet në Alpet veriore, do t’iu zhysin thellë në natyrë. A nuk do t’iu pëlqente të zgjoheshit nga zhurma e valëve të detit?

2. Shqipëria është pika e takimit midis kulturës romake dhe asaj osmane, kufiri gjeografik midis dy perandorive shekullore. Mund të vizitoni qytetet e Gjirokastër dhe Beratit, që bëjnë pjesë në UNESCO, kështjellat e Shkodrës dhe Porto Palermos, qendrën piktoreske të Korçës dhe rrënojat e Butrintit e Apolonisë. Bëjini thirrje shpirtit tuaj aventuresk dhe futeni në modalitetin arkeolog, do të shihni që nuk do të pendoheni!

3. Nëse kërkoni të udhëtoni shtruar, ky është destinacioni i përsosur. Duke qenë një vend mjaft i vogël, ju mund të vizitoni gjithçka në pak ditë, duke marrë kohën që ju duhet dhe duke përfituar nga çdo sekondë e udhëtimit tuaj. Logoja turistike e Shqipërisë është shumë e qartë “Ndiqni rrugën tuaj”. Çfarë tjetër prisni që të udhëtoni sipas mënyrës suaj?

4.Duke qenë se është një destinacion në zbulim e sipër, çmimet e strehimit, të makinave me qira dhe të ushqimit do t’iu mundësojnë të kaloni pushime me kosto të ulët. Dhe ofertat vazhdojnë, me hotelet super luksoze dhe bujtinat tërësisht të izoluara. Pra, cilado qoftë tipologjia juaj e udhëtimit, do të gjeni zgjidhjen e parapëlqyer.

5. Nga rajoni në rajon, kuzhina shqiptare është e shijshme dhe e larmishme. Lëndët e para janë të pabesueshme, perime e fruta sezoni shumë të shijshme, mish i freskët e peshk, djathëra të shumëllojshëm e shumë më tepër. Mund ta nisni ditën tuaj me një byrek fantastik dhe kos të bërë në shtëpi dhe ta përfundoni me një gosti të vërtetë me mish ose peshk, e denjë për një mbret. Dhe mos u shqetësoni se mos rëndoni stomakun, një gotë me raki, pija tradicionale e vendit, do t’ju ndihmojë të tresni çdo gatim.

6. Kryeqyteti i saj, Tirana, është nën një shndërrim të vazhdueshëm. Lërini veten ”të infektoheni” me energjinë e saj dhe të zbuloni klubet e saj të natës, mes lokaleve të koktejit dhe të tjerëve më tradicionalë, do të udhëtoni vazhdimisht në realitete paralele. Gjatë verës, rrugët janë plot me njerëz dhe ju duhet vetëm të kërkoni qoshen tuaj të preferuar, për të vëzhguar gjithë këtë dinamizëm. Dëshironi t’ju zbulojmë një sekret të vogël? Ngrini kokën lart dhe kërkoni nëpër tarraca, duke ndjekur muzikën dhe dritat.

7.Nëse ju pëlqen sporti, mos humbisni mijëra aktivitetet e organizuara, si fluturimet me deltaplan mbi bregdet, udhëtimet me kajak nëpër kanionet e lumit Osum, alpinizëm e shumë të tjera. Shkoni dhe shikoni Festivalin e Jugut në ambient të hapur dhe zgjidhni aktivitetet tuaja të parapëlqyera. Mos harroni t’i rezervoni, sepse vendet janë të kufizuara.

8.Je më shumë tip që të pëlqejnë festivalet dhe muzika? Epo, e përsosur! Gjatë viteve të fundit, në vend po organizohen gjithnjë e më shumë festivale në mjedise mbresëlënëse, si Festivali i Breshkave në Drimadhë ose Festivali i Varkave në liqenin e Komanit, në malet e veriut. Për të mos folur pastaj për Festivalin Ndërkombëtar “Jazz in Albania” dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që çdo vit mbledh mijëra vizitorë. E çfarë mund të dëshironi më tepër se të vallëzoni nën ritmet e një muzike të këndshme, në vende magjepsëse dhe me një kokteil të mirë në dorë?

9.Ju pëlqejnë gjërat e veçanta? Epo, edhe këtu, Shqipëria nuk do t’ju zhgënjejë. Duhet të dini se në të gjithë vendin ka mijëra bunkerë të ndërtuar gjatë regjimit komunist, për t’u mbrojtur ndaj një sulmi të mundshëm, që nuk ndodhi kurrë. Do t’i shihni nëpër plazhe, ndanë çdo rruge, në mes të qyteteve dhe në të gjitha qoshet më të fshehta të vendit. Dhe, nëse dëshironi të dini më shumë, në Tiranë do të gjeni tre muze, që përpiqen ta shpjegojnë këtë fenomen. Tani, mos më thoni se nuk u bëtë kuriozë!

10. Ende nuk jeni të kënaqur? Epo, e kam lënë më të mirën për në fund! Në Shqipëri do t’ju duket sikur jeni në shtëpinë tuaj. Lejoni t’ju drejtojnë dhe përfitoni nga të gjitha këshillat e vendasve, mirësia e tyre do t’ju mrekullojë. Në kulturën shqiptare, mysafiri është i shenjtë dhe brenda një kohe të shkurtër do të ndiheni sikur po vizitoni miq të vjetër dhe jo sikur jeni me pushime. E do të ktheheni në shtëpinë tuaj me disa miq më shumë!”, përfundon Enrico Porfido për faqen e njohur turistike Todosobre.Travel./ atsh

10 arsyet pse Shqipëria u zgjodh nga më shumë se 5 milionë turistë Read More »

Haradinaj: Zgjedhjet, proces i rëndësishëm për vendin

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj deklaroi se qytetarët e Kosovës sot e kanë mundësinë të vendosin për fatin e vendit me votën e tyre.

Pasi votoi, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Haradinaj theksoi rëndësinë e kësaj dite qe sipas tij ata që nuk votojnë sot, për ta vendosin të tjerët.

Haradinaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës që sot të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“I lus krejt qytetarët e vendit, të gjithë, pa marrë parasysh bindjet politike ose cilësdo përkatësi të votojnë, vetëm me votë vendosim vetë, pra ata qe nuk votojnë të tjerët vendosin për ta pra i ftoj të gjithë të votojnë, është sukses për Kosovën një demokraci kaq e mirë pra çdo gjë ka shkuar si duhet deri tash, edhe sot procesi i votimit po shkon me rregull në te gjithë vendin pra në të gjitha pjesët e Kosovës”, tha Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj tha se zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm për vendin.

“Jemi në proces të rëndësishëm për vendin. Besoj vetëdija jonë sot do të vjen në shprehje. Të gjithë do të vendosim ashtu siç është e drejta e vendit tonë”, shtoi ai.KosovaPress/

Haradinaj: Zgjedhjet, proces i rëndësishëm për vendin Read More »

Veseli pas votimit: Ditë e jashtëzakonshme për Kosovën e shenjtë

Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli në ditën e zgjedhjeve ka votuar në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Me këtë rast, ai tha se përmes këtyre zgjedhjeve duhet t’i japin perspektivë të ardhmes dhe Kosovës siç tha perëndimore.

Veseli i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, pas votimit, para mediave u shpreh se kjo ditë është e jashtëzakonshme për vendin tonë.

“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj gjithë qytetarët e vendit tim , i japim perspektiv vetvetes, Kosovës sonë perëndimore. I japim perspektivë të ardhmes sonë më shumti”, tha Veseli.

Ndryshe në këtë qendër të votimit në orët në vazhdim pritët të votojnë dhe liderë të tjerë partiak dhe presidenti Hashim Thaçi./KosovaPress/

Veseli pas votimit: Ditë e jashtëzakonshme për Kosovën e shenjtë Read More »

Kurti: Shfrytëzojeni këtë shans unik për nga karakteri, e historik për nga pesha

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka votuar në Qendrën e Votimit në Fakultetin Juridik.

Kurti i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza e tij e vogël, pasi votoi tha se sot është ditë e veçantë për tu dhënë përgjigje sovrani gjitha partive politike.

Ai ftoi qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë duke e konsideruar si shans unik me karakter historik.

“Dita sot është fortë e veçantë të gjitha përgjigjeve të gjitha partive e politikanëve në fushatë përgjigjet populli si burim i sovranitetit të Republikës sonë. Në ditën e sotme nuk ka rëndësi se a je i pasur apo i varfër, a je grua apo burrë, i ri apo i moshuar a vjen nga fshati a nga qyteti a ke mbaruar shkollim të lartë apo jo të gjithë jemi të barabartë sistemi politik është hapur për të gjithë dhe secilin prej nesh. Unë u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë shans unik për nga karakteri, e historik për nga pesha”, tha Kurti.

Kurti kur u pyet se përse nuk votoi bashkëshortja e tij, tha se gruaja dhe vajza e tij nuk kanë nënshtetësi të Kosovës.Ndryshe në qendrën e votimit në Fakultetit Juridik të drejt votë kanë mbi 6 mijë qytetar. /KosovaPress/

Kurti: Shfrytëzojeni këtë shans unik për nga karakteri, e historik për nga pesha Read More »

Voton Thaçi, fton qytetarët të votojnë për një të ardhme më të mirë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e zgjedhjeve ka votuar në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, teksa ka ftuar gjithë qytetarët të votojnë për një të ardhme më të mirë për shtetin.

I pari i shtetit i shoqëruar nga bashkëshortja, para mediave u shpreh i sigurt se ky votim do të jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Dëshiroj që t’i uroj qytetarët e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme, por të njëjtën kohë t’i ftoj të dalin të votojnë për të drejtën e tyre për të mirën e tyre. Do të jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për një jetë më të mire për qytetarët, për zhvillim ekonomik, për vende të punës dhe gjitha të mirat”, tha Thaçi. /KosovaPress/

Voton Thaçi, fton qytetarët të votojnë për një të ardhme më të mirë Read More »

KQZ: 25 mijë votues më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara deri në orën 11:00

Deri në orën 11:00, 174 mijë e 69 persona me të drejtë vote ose 9.64 përqind e votuesve. Këto të dhëna u thanë në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se në zgjedhjet e vitit 2017 deri në orën e njëjtë patën votuar 150 mijë e 244 votues ose 8 përqind.

Kryetarja e KQZ-së tha se këto të dhëna vijnë nga 94 përqind e vendvotimeve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas saj, procesi i votimit deri më tani është duke shkuar në rregull. “Përveç disa incidenteve të izoluara ,sipas të dhënave që vinë nga dhoma operative, procesi i votimit është duke shkuar në rregull”, tha Daka.

Ndër tjera ajo tha se krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare numri i votueseve të cilët e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar është më i madh./KosovaPress/

KQZ: 25 mijë votues më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara deri në orën 11:00 Read More »

Kosovë/ ​Vëzhguesja e BE-së: Procesi i votimit po shkon pa probleme

Kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian, Viola von Cramon-Taubadel, ka vizituar paraditen e sotme disa qendra të votimit në Prishtinë, prej ku ka thënë se procedurat e hapjes së vendvotimeve kanë shkuar pa problem.

Ajo ka theksuar disa incidente të vogla, por sipas saj, në përgjithësi, procedurat në orët e para të votimit kanë rrjedhur pa problem.

Nga Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës, ku janë të vendosura disa qendra të votimit, kryesuesja e misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga BE, ka thënë se gjatë ditës do të ketë më shumë vëzhgim dhe se procesin e votimit do ta mbrojnë gjatë tërë ditës së zgjedhjeve.

“I kemi disa incidente të vogla, por në përgjithësi të gjitha procedurat, prej asaj se çfarë kemi vëzhguar kanë shkuar mirë, nuk ka pasur ndonjë problem…. Unë mendoj se një ose dy votues nuk ishin në vendvotimet e duhura, ose ndonjë gjë e tillë, mirëpo nga ajo se çfarë kemi vëzhguar rreth 98 përqind është duke shkuar mirë dhe pa probleme . I kishim 30 ekipe për hapjen e vendvotimeve dhe do t’i kemi 58 ekipe në teren për tërë ditën”, tha Cramon-Taubadel.

Ajo ka thënë se procesi duket i qetë, por që sipas saj është herët të flitet meqë kanë kaluar vetëm pak orë që kur janë hapur qendrat e votimit.Megjithatë, vëzhguesja e Bashkimit Europian theksoi se nuk ka ndonjë indikacion që mund t’i shqetësojë./KosovaPress/

Kosovë/ ​Vëzhguesja e BE-së: Procesi i votimit po shkon pa probleme Read More »