Aktualitet

Mbi 2 mijë të punësuar në një muaj nga ndërmjetësimi i Zyrave të Punës

Ndërmjetësimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit ka rritur numrin e punësimeve, ku vetëm gjatë një muaji janë punësuar 2626 persona.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj sjell një tjetër rast punësimi nëpërmjet ndërmjetësimit të Zyrave të Punës.

I tillë është shembulli i Albinës e cila pasi kreu praktikën profesionale të mundësuar nga Zyra e Punës në Elbasan, aplikoi për punë pranë një sipërmarrje tekstilesh.

Në përfundim të periudhës së provës, sot ajo është e punësuar me kohë të plotë, pranë kësaj kompanie./atsh

Mbi 2 mijë të punësuar në një muaj nga ndërmjetësimi i Zyrave të Punës Read More »

Tetori rozë/ Tarifa: Asgjë nuk kushton të bësh ekzaminimet periodike

Doktoreshë Dhurata Tarifa, e cila prej 37 vitesh me përkushtim në spitalin Onkologjik në QSUT, ka një apel për të gjitha gratë, në mbyllje të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, në kuadër të “Tetorit rozë”.

“Gjithmonë insistoj tek kujdesi i gruas ndaj vetes së saj. Asgjë nuk kushton të bësh vetë ekzaminimin e gjirit çdo muaj. Përsëri, asgjë nuk kushton të bësh ekzaminimet imazherike, sidomos ekon, që është një ekzaminim pa rrezatim dhe pa kosto”, – thotë doktoreshë Tarifa.

Sipas MSHMS, sot financohen 3 herë më shumë se 6 vite më parë trajtimi i sëmundjeve tumorale duke siguruar akses universal, terapi cilësore dhe shpenzime me të ulta nga qytetarët. Muaji Tetor në gjithë botën “merr” ngjyrën rozë për të ndërgjegjësuar gratë që të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre. /atsh

Tetori rozë/ Tarifa: Asgjë nuk kushton të bësh ekzaminimet periodike Read More »

Takim me historianin dhe arkeologun Jani Koçillari

Aktivitetet e organizuara nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës në kuadrin e Tetorit të Librit u mbyllën dje në Muzeun Arkeologjik me një takim, prezantim dhe diskutim rreth librave të historianit dhe arkeologut nga Durrësi Jani Koçillari. Takimi nxiti një diskutim me mjaft interes, që lidhte përfundimet e studimeve me nevojën për një rishikim të interpretimit të pasurisë sonë arkeologjike, veçanërisht asaj të periudhës ilire.

Koçillari prezantoi librat e tij “Epiri dhe Aleksandër Molosi”, si dhe “Qeramikat me figura të kuqe”. Duke marrë shkas nga këto dy studime, u prekën shumë çështje kritike të arkeologjisë, trashëgimisë kulturore, interpretimit të saj dhe turizmit kulturor me aktorë të ndryshëm të qytetit. /atsh

Takim me historianin dhe arkeologun Jani Koçillari Read More »

Zyrtarizohet lançimi i rrjetit 5G në qytetet më të mëdha

Kompanitë kineze të telekomunikacionit bënë të ditur se nga nesër në shumë qytete të mëdha në këtë vend do të vendoset shërbimi i telefonisë celulare 5G, duke bërë hapin kyç në ambiciet e Pekinit që të bëhet superfuqi teknologjike.
Në njoftimin e kompanive shtetërore të telekomunikacionit “China Telecom”, “China Unicom” dhe “China Mobile” thuhet se shërbimi i telefonisë celulare 5G do të vendoset në Pekin, Shanghaij, Hangzhou, Guangzhou dhe në qytetet tjera të mëdha kineze.

Më tej thuhet se shërbimet 5G, me çmimet që sillen prej vetëm 128 juanë në muaj, do t’u mundësojnë konsumatorëve kinezë në mbarë vendin që të përdorin shërbime ultra të shpeja të internetit në celular.

Autoritetet kineze njoftuan se planifikojnë që të instalojnë mbi 50 000 stacione bazike të 5G-së në mbi 50 qytete kineze deri në fund të vitit.

Po ashtu planifikohet që shërbimi 5G vitet në vazhdim të jetë i arritshëm në mbarë Kinën./atsh

Zyrtarizohet lançimi i rrjetit 5G në qytetet më të mëdha Read More »

Rama në Itali: Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse bashkimit të plotë me Europën

Kryeministri Rama ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në shtetin fqinj, Itali ku ka pasur dhe një takim të rëndësishëm me homologun e tij italian, Giuseppe Conte.

Pas takimit, dy Kryeministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp ku kryeministri Rama shprehu dhe njëherë mirënjohjen e tij për vullnetin e palëkundur të Italisë në mbështetje të rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Duke folur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kryeministri Rama tha se, “fatkeqësisht, Këshilli Europian nuk arriti dot të marri vendimin e duhur, duke i mohuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, atë që meritonin dhe natyrisht duke dhënë një mesazh dobësie dhe e thënë deri në fund, një mesazh pafuqie për të mbajtur premtimet nga ana e BE. Por, siç e ndava dhe me kryeministrin, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse asaj që është rruga e projektuar nga rilindasit tanë dhe e ndjekur vijimësisht nga populli ynë, rruga e të bashkimit të plotë me Europën. E në këtë rrugë, ne jemi besimplotë edhe për faktin se kemi miq të mëdhenj dhe partnerë të palëkundur si Italia”.

Ndërkohë, duke folur edhe për situatën në vend, kryeministri shprehu vullnetin e palëkundur të maxhorancës për të çuar deri në fund reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Këtë rrugë ne do të vijojmë po njësoj, gjë për të cilën informova Kryeministrin edhe lidhur me përshpejtimin e procesit të reformës zgjedhore të cilën dëshirojmë padiskutim ta kryejmë, në marrëveshje me të gjitha forcat politike, por do ta përmbushnim në parlamentin e Shqipërisë, sipas të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR. E nga ana tjetër, me kënaqësi mora nga kryeministri, mbështetjen e plotë për paketën e re antikrim dhe antikorrupsion që ne po përgatisim, ku njohuritë, dija, eksperienca e Italisë mike dhe njerëzve që do të na vihen në dispozicion janë me një vlerë të paçmueshme”, theksoi Rama.

Në fund të kësaj konference të përbashkët, duke folur për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, kreu i qeverisë shqiptare thotë se “Italia është faktori kryesor i huaj në tregun shqiptar. Të gjitha shifrat flasin për këtë. Numri i italianëve që vizitojnë Shqipërinë vjen në rritje. Shifrat e vetë shtetit italian për rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, çdo vit, flasin vetë. Kompanitë italiane janë të mirëpritura. Disa investime strategjike për të cilat ne kemi diskutuar janë në proces dhe ne mirëpresim padyshim kompanitë e mëdha italiane që të përfshihen në këto investime. E sigurisht që vlerësojmë pa masë edhe aspektin e dijes dhe të eksperiencës që këto kompani sjellin”. /atsh

Rama në Itali: Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse bashkimit të plotë me Europën Read More »

Rritja e Sigurisë, 105 të proceduar gjatë 24 orëve të fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 34 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, në qarkun Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Fier; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në qarkun Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 në Elbasan, 2 në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën. Janë evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier. Janë evidentuar dhe proceduar 15 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 6 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 2 në Elbasan dhe 3 në Berat. Janë proceduar 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit./atsh

Rritja e Sigurisë, 105 të proceduar gjatë 24 orëve të fundit Read More »

Sistemime dhe remonte në rrjetin e kanalizimeve në Vlorë

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë prej disa ditësh po punon në stacionet dhe remontet përkatëse të kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit bregdetar.

Drejtori i UK, Vlorë, Dorian Xhelili, thekson se se “po vazhdojmë paralelisht me mirëmbajtjen , pastrimin e sistemimin që mund të kenë nevojë në stacionet e pompimit të ujërave të zeza. Ka përfunduar puna në tre prej këtyre stacioneve që janë edhe më të mëdha dhe kanë peshën e të gjithë këtij rrjeti, ndërsa po vazhdojmë edhe me stacione të tjera”.

Sipas tij, paralelisht po ecim edhe me mirëmbajtjen e sistemin e rrjetit në të gjithë qytetin, ndërsa vëmendja kryesore është në pikat më problematike.

Duke u ndalur tek puna që është bërë në zonën pranë shkollës “24 maji”, Xhelili tha se “po bëjmë pastrimin pas një inspektimi të bërë me sistemin e kamerave dhe monitorimin me sistemin robot”.

Një problem i ngritur prej Xhelilit, është edhe hedhja e mbeturinave në rrjetin e kanalizimeve.

“Nuk duhet të harrojmë se reshjet e shiut sjellin mbetje nga më të ndryshmet. Ne vazhdojmë me pastrimin, mirëmbajtjen dhe kryesorja është bashkëpunimi me qytetarët , që të mos hidhen më mbetje në rrjetin e kanalizimeve”, – shtoi Xhelili.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve do të vijojë të punojë me intensitet që rrjeti të përballojë me sukses stinën e vjeshtës dhe të dimrit./atsh

Sistemime dhe remonte në rrjetin e kanalizimeve në Vlorë Read More »

Halloween, festa e “ringjalljes së shpirtrave” festohet dhe në Tiranë

Kunguj të mëdhenj bosh, por të ndriçuar nga brenda, skeletë të çuditshëm, figura hije, kostume të shumëllojshme, këto gjëra na vijnë në mendje për festën e Halloween.

E kjo atmosferë ndihet edhe në rrugët e kryeqytetit duke u kthyer edhe në një garë se kush veshë kostumin më të frikshëm.

Kjo festë e ka prejardhjen në kremtimin e ndërrimit të viteve të kalendarit të keltëve, natën midis 31 tetorit dhe 1 nëntorit. 600 vjet para Krishtit populli kelt mirëpriste në këtë mënyrë muajt e errët të dimrit duke u ndarë në të njëjtën kohë nga periudha e lulëzuar e verës.

Halloween ka marrë një dimension argëtues dhe thuajse kulturor edhe në vendin tonë, ku njerëzit organizohen dhe duke veshur kostume të frikshme, maska, apo duke pikturuar fytyrat për të ngjarë sa më të vdekur, ekspozohen rrugëve e festojnë deri në orët e vona festën e “frikshme”.

Druidët (lloj besimi) ja përkushtonin këtë natë Zotit të tyre të vdekjes, Samhain. Gojëdhëna thotë se ai i mblodhi shpirtrat e të vdekurve të 12 muajve të vitit të shkuar, pasi ata i kishin larë mëkatet e tyre dhe i dërgoi në parajsën e keltëve.
Njerëzit mblidheshin në kodrat mbi tokat e tyre dhe duke ndezur zjarre të mëdhenj, përzenin shpirtrat e këqinj të vitit që shkoi. Më pas, shuanin përkohësisht zjarrin në shtëpitë e tyre dhe pak më vonë e ndiznin përsëri.

Kështu emri Halloween i ka rrënjët në Europë. Kisha ua mori keltëve këtë zakon gjatë përhapjes së Krishtërimit. Ishte At Gjergji IV, i cili në vitin 837 e ringjalli 1 Nëntorin duke e quajtur Dita e të gjithë Shpirtrave.

Për të mos shtrembëruar besimin tek Samhai, kjo ditë është menduar të jetë edhe dita e të vdekurve. Vetëm në shek. XIX Halloween arriti të kalojë Atlantikun për në Amerikën Veriore së bashku me pasardhësit e keltëve, irlandezët, të cilët shtegtuan atje për shkak të kushteve të këqija të jetesës. Atje, ky zakon u përhap shpejt në të gjithë vendin, por gjatë përhapjes pësoi edhe ndryshime të dukshme. Kështu tashmë Halloween më tepër përngjan me karnevalet sesa me zakonet e mëhershme.

Shenja dalluese e Halloween-it është kungulli, e cila e ka prejardhjen nga SHBA. Por ama arsyeja e përdorimit të kungullit me vrima me pamje të jashtme të frikshme dhe njëkohësisht të bukur rrjedh gjithashtu nga koha e keltëve.

Një njeri me emrin Jack O’Lanten duhej të shkonte në ferr pas vdekjes së tij. Por Djalli e ktheu mbrapsht duke i dhënë një copë qymyri (thëngjill) që digjej që ta kishte gjatë gjithë rrugës.

Jack-u e vendosi qymyrin në një rrepë të madhe dhe u nis drejt drejt një udhëtimi të pafund meqë nuk e lejuan të futej në asnjë mbretëri të vdekurish. Për njerëzit ishte më se e qartë që rrepa me qymyrin u shtinte tmerrin para së gjithash shpirtrave të këqinj. Meqenëse amerikanët përdorën kungullin në vend të rrepës, ai mbeti shenja dalluese e Halloween./atsh

Halloween, festa e “ringjalljes së shpirtrave” festohet dhe në Tiranë Read More »