Aktualitet

Muzeu Historik Kombëtar/ Numri i vizitorëve është rritur me 20,33%

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve për periudhën 1 maj – 15 tetor, periudhë kjo që përkon me sezonin turistik. Vizitorët vendas e të huaj nuk ngurruan të vizitonin pavijonet, ku ruhen thesare të trashëgimisë sonë kulturore.

Sipas asaj që njoftoi Muzeu, numri i vizitorëve në total për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 20,33 %. Ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 36,75 %.

Sakaq, sipas këtyre të dhënave, raportohet se totali i të ardhurave për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 17,91 %.

Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj të cilët janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. /atsh

Muzeu Historik Kombëtar/ Numri i vizitorëve është rritur me 20,33% Read More »

Shqipëria, destinacion i turistëve gjermanë edhe në tetor

Ditët me diell të muajit tetor dhe ardhja e stinës së vjeshtës ka bërë që vendi ynë të ketë një fluks turistësh të huaj të cilët po shijojnë gjatë këtyre ditëve bukuritë e peizazheve tona natyrore.

Mali i Dajtit është vizituar dje nga një grup i madh turistësh nga Gjermania të cilët kanë shijuar këtë vend. Gjithashtu ata kanë vizituar dhe qendrën e vizitorëve ku janë njohur nga afër me larminë e biodiversitetit që Mali i Dajtit ofron.

Turistët gjerman gjithashtu shijuan dhe ecjen në këmbë në shtigjet dhe bukuritë natyrore që kjo zonë ofron tani në stinën e vjeshtës.

Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

Gjithashtu ky vend i përcjell turistëve një pamje spektakolare ku në perëndim ata shijojnë ngjyrat e qiellit që mbi 1000 metër lartësi, ofrojnë një spektakël të mahnitshëm.

Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë. /atsh

Shqipëria, destinacion i turistëve gjermanë edhe në tetor Read More »

Greva në Itali, pasagjerët të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre

Të gjithë pasagjerët që fluturojnë drejt Italisë dhe anasjelltas duhet të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre, për shkak të një greve kombëtare nga disa operatorë të transportit në shtetin fqinj.

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) apeloi sot të gjithë pasagjerët që fluturojnë drejt Italisë dhe anasjelltas, të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre, për shkak të një greve kombëtare nga disa operatorë të transportit në shtetin fqinj.

Për të shmangur pritjet e gjata, AAC këshillon të gjithë personat që kanë parashikuar të udhëtojnë nga dhe drejt Italisë të kontrollojnë dhe të komunikojmë me kompanitë ku kanë rezervuar biletat e udhëtimit.//atsh

Greva në Itali, pasagjerët të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre Read More »

Ruçi: Ballkani Perëndimor nuk është “delja e zezë” e BE

“Ballkani Perëndimor nuk është “delja e zezë” e BE”, deklaroi : Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në Konferencën e kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, Strasbourg.

“Si përfaqësues i një vendi të vogël dhe periferik të Europës së sotme, kam arsye më shumë të përfytyroj realizimin e ëndrrave të vendeve të vegjël si Shqipëria. Të vendeve që edhe pse jetojnë nën çatinë e shtëpisë së përbashkët me 47 anëtarë që quhet Këshilli i Europës, janë ende, disa jashtë dhe disa në prag, të familjes me 27-28 anëtarë që quhet Bashkimi Europian”, tha Ruçi.

“Europa është sot vendi më i bukur në botë. Programet dhe skenarët e zhvillimit të 70 vjetëve të fundit e kanë bërë kontinentin më pak konfliktual dhe më shumë solidar. Por megjithatë, Europa jonë mbetet kontinenti i asimetrive. Besoj se në dekadat që pasojnë, Europa do t’i ketë zbutur mjaft prej tyre, theksoi kreu i Kuvendit.

“Bindja ime e parë është se dy-tre dekadat e ardhshme, familja europiane do të jetë e gjitha brenda shtëpisë europiane. Europa do të vuajë më pak nga pasojat e asimetrive midis Veriut super të zhvilluar dhe Jugut, në zhvillim e përpjekje për të arritur Veriun”, u shpreh ai.

“Gadishujt e Europës, Skandinavia, Gadishulli Iberik, Apeninet dhe Ballkani nuk do të jenë më kaq të ndryshëm për nga ritmet e zhvillimit, aftësitë konkurruese, niveli i mirëqenies dhe kontributi për paqen. Ballkanasit nuk do të kenë më nevojë për negociatorë skandinavë për tú qetësuar midis tyre”, tha Ruçi.

“Europa Jug-Lindore si koncept ndoshta nuk do të ekzistojë më sepse diferencat që e lindën këtë nocion do të jenë zhdukur, të paktën zbutur shumë. Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më “delja e zezë” për udhëheqësit europianë, por një vlerë e shtuar për familjen europiane”, theksoi Ruçi.

“Konstruktivizmi dhe jo obstruksionizmi do te jene filozofia e marrëdhënieve midis rajoneve të kontinentit tonë. Kufijtë kulturorë dhe politikë të Europës do të bëhen më pak të përfillshëm dhe do të përputhen, ndoshta, me kufijtë gjeografikë të saj. Për ata që do të mblidhen në këtë Pallat pas 70 vjetësh, arsyet që mbajnë gjallë konfliktet fetare do të jenë zbutur. Mjafton që shtetarët dhe politikanët europianë të ndjekin modelin e bashkëjetesës që ofron Shqipëria ime”, u shpreh Ruçi./atsh

Ruçi: Ballkani Perëndimor nuk është “delja e zezë” e BE Read More »

KESH plan për menaxhimin e rrezikut ndaj ndryshimeve klimatike

Sektori i hidroenergjisë është veçanërisht i ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike për shkak të varësisë së tij nga reshjet dhe prurjet si dhe ekspozimit të tij ndaj riskut natyror.

Për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, e cila menaxhon kaskadën në lumin Drin, përmirësimi i aftësive ripërtëritëse nga klima e aseteve dhe aktiviteteve është një objektiv strategjik.

Në përgjigje të ndikimeve në ndryshimet klimatike, KESH si prodhues dhe furnizues i energjisë elektrike ka miratuar Planin e Menaxhimit të Rrezikut ndaj ndryshimeve klimatike, duke ofruar një qasje të formalizuar dhe analitike drejt menaxhimit të kapaciteteve për të përballuar ndryshimet klimatike.

Në këtë plan, janë identifikuar një numër masash strukturore dhe jostrukturore. Disa nga këto masa janë në proces zbatimi, të tjerat janë masa potenciale që kërkojnë zhvillim të mëtejshëm dhe mobilizim të burimeve.

Masat e identifikuara janë zhvillimi i mëtejshëm i sistemit të monitorimit hidrologjik dhe ngritjen e qendrës, rehabilitimi i plotë i shkarkuesve në Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës, krijimi i një njësie tregtare dhe një strategjie tregtare, zhvillimi i një strategjie prodhimi, trajnimet e vazhdueshme dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve në të gjitha fushat përkatëse./atsh

KESH plan për menaxhimin e rrezikut ndaj ndryshimeve klimatike Read More »

Basha: Asnjë kompleks për t’u ulur në dialog për kapërcimin e krizës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë televizive se, “nuk ka asnjë kompleks për t’u ulur dhe për të diskutuar për kapërcimin e krizës politike”.

“Nuk kam asnjë kompleks as të ulem, as të diskutoj. Ka një problem. Për të paktën tre herët e fundit, kryeministri aktual e ka abuzuar vullnetin e opozitës dhe timin personal, për të zgjidhur problemet me dialog. Pra, është e qartë që kemi të bëjmë me mungesë vullneti, dëshire, do të thoja edhe kapacitetesh, nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër”, u shpreh Basha.

I pyetur mbi kërkesën e vazhdueshme të PD-së për zgjedhje të parakohshme dhe sesi do të arrihet kjo me Ramën kryeministër apo me qeveri tranzitore, Basha tha se “nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë”.

“E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu, problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët?! Avdylajt?”, tha Basha.

I pyetur mbi takimin e opozitës së bashkuar për Reformën Zgjedhore, Basha tha se “janë vendosur piketat për çështje kryesore që kanë të bëjnë me reformimin e partive politike, ligji për partitë politike”.

“Së dyti, problem shumë kryesor do të thoja më kryesori i reformës, ndarja e politikës nga krimi. Hapi tjetër ka të bëjë me garantimin e votës së lirë. Dhe këtu, natyrisht do të ketë propozim, një propozim prej vitit 2016 që Edi Rama e zvarrit që është ai për votimin elektronik dhe numërimin elektronik si edhe identifikimin me shenjat e gishtërinjve të zgjedhësve për të, në mos zhdukur, për të zvogëluar mundësinë për abuzime”, tha ai.

Basha komentoi edhe deputetët e rinj të ardhur nga opozita në Kuvend, Për të cilët tha se “është një shans për reflektim dhe për ndryshim që kjo të mos përsëritet më kurrë”.

“Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament, pavarësisht nëse partia e tij është në qeveri apo jo, dhe të mos shohin faktin që, kur partia është në qeveri, deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën çfarë t’u thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe, shpeshherë, me interesa korruptive, që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit”, tha Basha./atsh

Basha: Asnjë kompleks për t’u ulur në dialog për kapërcimin e krizës Read More »

I mituri shqiptar në kampin në Siri/ Rama: Përpjekje të vazhdueshme

“Për çështjen e 11-vjeçarit që ndodhet në kampet e ISIS në Siri, ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme dhe shpresojmë shumë që të ditët e ardhshme të ketë një moment stabilizimi të situatës dhe të mundohemi të ecim më tej me autoritet turke”, tha sot në mbrëmje kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “prej disa kohësh për këtë çështje kemi çdo javë një takim informues dhe kemi shumë përpjekje dhe kontakte të vazhdueshme”.

Rama tha se është tërësisht i pavërtetë lajmi se kjo varet nga ambasadori ynë në Turqi.

“Nuk mjafton asnjë lloj përfaqësuesi. Kemi një urdhër të klasifikuar sensitiv të bazuar në informacione të mbledhura bashkë me partnerët për numrin e shqiptarëve”, tha Rama.

Sipas tij, “ka një plan evakuiimi dhe informacioni është se ka rreth 70 persona, gra dhe fëmijë dhe një numër i caktuar burrash nga Shqipëria”.

“Nëna e djalit të vogël, person i radikalizuar e ka marrë me vete dhe ka qenë pjesë e forcave dhe ajo. Ne kemi punuar ngushtë me aleatët amerikanë që kishin një plan me vende të ndryshme për të organizuar evakuimin por ata nuk janë më aty”, tha Rama.

Sipas tij, “ky burg nuk është në një zonë të aksesueshme”. “Gazetarët kanë metodat e tyre. Problemi është se nuk ke me kë flet dhe ndërmarrja e një operacioni me forca civile apo ushtarakë të veshur civilë, pasi nuk ka autoritet me kë të flasësh. Kam folur personalisht me koordinatorin amerikan të procesit. Ambasada amerikane është shumë e interesuar por e vetmja mënyrë teorike është të shkohej me forca. Nëse shkojnë si autoritete civile nuk mund të hysh në atë zonë”, tha Rama.

Rama tha se “ky kamp është pak matanë kufirit të zonës së paqes”. “Nuk është në atë 30 km. Në këto kushte nuk ka shanse të zgjidhet gjë, është matanë zonës. Duhet të futesh në një zonë ku nuk dihet çfarë është dhe me kë do merresh. Janë 72 mijë veta në total ku ne kërkojmë 70 veta. Nuk mund të nisesh qorrazi”, tha Rama, duke shtuar se deri tani nuk i ka tërhequr asnjë shtet. /atsh

I mituri shqiptar në kampin në Siri/ Rama: Përpjekje të vazhdueshme Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira të pakëta. Në bregdet vranësira deri në mesatare.

Mjegulla e dendur do të jetë prezente deri në orët e para të ditës kryesisht përgjatë luginave.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Veriperëndim 1-4m/s, në bregdet deri 8m/sek.

Valëzimi në det do të jetë i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 13/26 diell
Kukës 9/22 diell
Lezhë 12/25 diell
Dibër 9/21 diell
Durrës 13/26 diell pak re
Tiranë 13/28 diell
Elbasan 12/29 diell pak re
Berat 11/29 diell
Vlorë 13/26 diell re
Korçë 8/23 diell pak re
Gjirokastër 7/28 diell
Sarandë 15/27 diell re/atsh

Parashikimi i motit Read More »