Aktualitet

Lleshaj me Ambasadorët e Paqes: Secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen, edhe luftën

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar një takim me Ambasadorët e Paqes që prej vitesh janë aktivë në Shqipëri. Ministri Lleshaj gjatë këtij takimi të zhvilluar në Lezhë, ka vlerësuar punën e përditshme të Ambasadorëve të Paqes me komunitetin që prej vitit 1997 në Shqipëri.

“Me shumë vlerë takimi dhe biseda me Ambasadorët e Paqes, të cilët kanë vite që janë aktivë në Shqipëri dhe kanë lënë gjurmë, në Tiranë e mjedise të tjera. Njoh rolin dhe kontributin e madh të themeluesit, Dom Antonio Sciarra-s, si dhe të tjerëve, që u bënë iniciatorë të kësaj nisme në vitin e mbrapshtë 1997!” shprehet Lleshaj.

“Ambasadorët e Paqes kanë lindur si përgjigje ndaj luftës, ndaj konfliktit, ndaj dhunës, – theksoi ministri i Brendshëm, sipas të cilit, secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen edhe luftën; edhe konfliktin, edhe mirëkuptimin; edhe të keqen, edhe të mirën. “Puna është se si dhe çfarë duhet të bëjmë ne që t’i japim rrugë të mirës”, theksoi ai.

Ministri shprehet gjithashtu se veprat e ambasadorëve të paqes kanë lënë gjurmë te komuniteti në nevojë.

“Edhe në botë, siç ka vende që jetojnë në paqe prej shumë e shumë shekujsh, ka vende që po ashtu jetojnë në luftë prej shumë e shumë kohësh. Njerëz janë të dyja palët, thjesht njëra palë ka qenë në gjendje t’i hapë rrugë të mirës dhe të ndërtojë paqen, të tjerët nuk kanë mundur”, nënvizoi Lleshaj.

“Krejt arti është si ta ndërtojmë paqen në një situatë, në një vend ku njerëzit janë të prirur në fakt për të bërë dhe luftën. Si ta transmetojmë vlerën?! Nuk na mjafton vetëm fjala, që sigurisht është e rëndësishme. Nganjëherë është më e rëndësishme modeli që jep, sesa fjala që thua. E gjeta këtë frymëzim tek puna dhe veprat e ambasadorëve të paqes dhe gjithçka ata bëjnë, përditë, me komunitetin në nevojë në zonën e Lezhës dhe rrethinat,” shprehet ministri Lleshaj. /atsh

Lleshaj me Ambasadorët e Paqes: Secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen, edhe luftën Read More »

Vetingu në polici/ Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit nis këtë javë seancat e para

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të zhvillojë këtë javë seancat e parë të procesit të vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Të martën, më datë 5 nëntor 2019, në orën 12:00 do të zhvillohet seanca për subjektin e vlerësimit kalimtar, Oltion Shehu, shef i Sektorit të Ankesave, SHÇBA.

Trupa e vlerësimit për këtë subjekt do të përbëhet nga Marjeta Gjelaj, Ela Kerka dhe Ana Kapaj.

Ndërkohë më datë 8 nëntor, ditën e premte, në orën 12:00 do të zhvillohet seanca dëgjimore për subjektin e vlerësimit kalimtar, Adriatik Ago, zv/drejtor i Përgjithshëm, SHÇBA.

Trupa e vlerësimit për këtë subjekt do të përbëhet nga Ana Kapaj, Elvira Daberdaku dhe Elida Liko. /atsh

Vetingu në polici/ Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit nis këtë javë seancat e para Read More »

Rreth 387 mijë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë tetorit

Shqipëria dhe gjatë muajit tetor ka mirëpritur një numër të madh turistësh të huaj të cilët kanë vizituar pikat më interesante turistike, pasi vendi ynë po shndërrohet në një vend me turizëm gjithëvjetor, për shkak të ditëve të shumta me diell.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shprehet se, “gjatë muajit tetor Shqipëria është vizituar nga 387, 152 vizitorë të huaj, 14.7% më shumë se në tetor të 2018”.

Gjatë stinës së verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. /atsh

Rreth 387 mijë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë tetorit Read More »

Riatdhesohen 36 shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë

Policia e Shtetit bën të ditur vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen.

Në njoftimin për shtyp, policia pohon se janë riatdhesuar 36 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë.

Operacioni i radhës u zhvillua ditën e djeshme dhe ishte i organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex-in, dhe me mbështetjen e eskortës së Policisë Kufitare shqiptare.

Gjatë këtij operacioni janë riatdhesuar 36 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, apo u është refuzuar dhënia e azilit, nga këta: 31 nga Franca dhe 5 nga Belgjika.

Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.

Ndërkohë Policia Kufitare ka forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka shtuar patrullat në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero. /atsh

Riatdhesohen 36 shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë Read More »

Tetori rozë/ 26.8% më shumë mamografi se tetorin e kaluar

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit të gjirit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për gjatë muajit Tetor ndërmori një fushatë sensibilizimi për t’u dhënë mundësinë të gjitha grave të kryejnë kontrollin falas për kancerin e gjirit.

Sipas statistikave të bëra publike, në muajin tetor 2019 janë kryer 7081 mamografi në shërbimin publik ku krahasuar me muajin tetor të 2018, rezultojnë 26.8% më shumë.

Përveç 12 mamografive në spitale, shërbimi gjatë muaji tetor u ofrua falas përmes mamografive të lëvizshëm edhe në zonat e thella të vendit. Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe ka ardhur në rritje vit pas viti. /atsh

Tetori rozë/ 26.8% më shumë mamografi se tetorin e kaluar Read More »

Muzetë e Krujës me mbi 100 mijë vizitorë në 10 muaj

Mbi 100 mijë vizitorë kanë zgedhur të vizitojnë Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti.

Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha sot për ATSH-në se “gjatë muajve janar-tetor ka pasur një fluks të shtuar të turistëve vendas e të huaj në qytetin e Krujës”.

“Krahasuar me vitin e kaluar gjatë 2019 ka pasur rreth 5 mijë vizitorë më shumë”, – tha Masha.

Masha u shpreh se “shumica e vizitorëve janë nga Italia , Polonia, Zvicra, Italia, Spanja, por nuk kanë munguar dhe turistë nga vendet e tjera të Europës si Gjermania, Franca apo Belgjika, si edhe nga kontinenti aziatik, si nga Japonia, Malajzia dhe deri nga Hong Kongu”.
Muzetë janë frekuentuar gjithashtu edhe nga shumë familjarë shqiptarë nga Tirana dhe Prishtina, por nuk kanë munguar edhe nxënësit e shkollave”.

“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”-, thekson Masha.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Më 1 nëntor Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe shënoi edhe 37 vjetorin e përurimit të tij. Ai u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavione trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./atsh

Muzetë e Krujës me mbi 100 mijë vizitorë në 10 muaj Read More »

Laroshja e kuqërremtë, shpendi më i ri në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë

Lista e shpendëve të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë pasurohet me një lloj të ri, për të dytën herë brenda muajit tetor. Këtë radhë bëhet fjalë për laroshen e kuqërremtë (Tadorna ferruginea).

Vrojtimi pararendës për këtë lloj shpendi në vendin tonë është raportuar nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare në vitin 2017, ku një individ është fotografuar në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Në këtë raportim përmendet se edhe në vitin 2014 është gjetur një individ i vrarë i këtij lloji. Raportime të mëhershme, për këtë lloj në vendin tonë pothuajse mungojnë tërësisht edhe pse lloji është i përfshirë në pak lista apo publikime mbi shpendët e Shqipërisë. Kësisoj, ky vrojtim mund të përfaqësojë të tretin në vend për këtë lloj.

Greqia dhe Bullgaria janë vendet më në perëndim të Europës ku ky lloj është raportuar si folezues.

Laroshja e kuqërremtë ka një shtrirje shumë të gjerë folezimi në të gjithë Azinë, në Lindjen e Mesme si dhe në disa vende bregdetare të Afrikës mbi-Ekuatoriale./atsh

Laroshja e kuqërremtë, shpendi më i ri në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë Read More »

“Nusja dhe shtetrrethimi” mirëpritet në VIENNALE të Austrisë

Në Vjenë, në kuadër të ciklit “O Partigiano” që po transmetohet gjatë festivalit të filmit VIENNALE, u shfaq filmi shqiptar “Nusja dhe shtetrrethimi”.

Një interes tejet i madh i publikut vjenez u vu re akoma pa filluar filmi. Regjisorë, aktorë, njerëz të artit, kulturës e letrave vjeneze mbushën sallën ku të pranishmit u përshëndetën nga vetë krijuesit e filmit, skenaristja Helena Kadare, regjisori Kristaq Mitro si dhe nga Drejtoresha e Arkivit të filmit shqiptar, Iris Elezi.

“Nusja dhe shtetrrethimi” prodhim i vitit 1978, ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e programit të filmave europianë, që trajtojnë Luftën e Dytë Botërore.

Me muzikë të muzika Kujtim Laros, në role janë Rajmonda Bulku, Llazi Serbo, Thimi Filipi, Sotiraq Bratko, Kastriot Çaushi, Gjergj Lala, Marta Burda, për të vijuar dhe me aktoret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti, Vitore Nino, etj./atsh

“Nusja dhe shtetrrethimi” mirëpritet në VIENNALE të Austrisë Read More »