Aktualitet

Rama takon në Riad Princin e Kurorës, në fokus investimet në turizëm dhe infrastrukturë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Riad të Arabisë Saudite, ku është takuar me Princin e Kurorës, Muhammed Bin Salman.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kryeministri i cili ka ndarë edhe disa fotografi nga takimi.

“Në Riad, me Princin e Kurorës, Muhammed Bin Salman, për të diskutuar mbi ecurinë e përgatitjeve të disa investimeve të rëndësishme në turizëm, infrastrukturë dhe kulturë”, – tha Kryeministri Rama.//atsh

Rama takon në Riad Princin e Kurorës, në fokus investimet në turizëm dhe infrastrukturë Read More »

Shkarkimi i Muçit/ Meta shpall dekretin për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti i Republikës Ilir Meta shpalli dekretin për plotësimin e vakancës së parakohshme të krijuar, për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese pas shkarkimit një ditë më parë të anëtarit të kësaj Gjykate Besnik Muçi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Më herët ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka hequr emrin e Besnik Muçit nga anëtarët e kësaj gjykate duke e lënë atë me vetëm 4 anëtarë.

Meta e konsideron këtë vakancë të parakohshme, të krijuar për shkak të përfundimit para kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, ndërkohë që dekreti i Metës hyn në fuqi menjëherë.

Vetëm një ditë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra Besnik Muçin, Gjykata Kushtetuese ka hequr emrin e tij nga faqja zyrtare.

Gjithashtu, Gjykata kushtetuese mësohet se ka njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar pas hapësirës së krijuar nga largimi i Muçit.

Tashmë, procedura për zgjedhjen e anëtarit të ri që do të zëvendësojë Muçin nis sërish duke parë se Gjykata aktualisht është me 4 anëtarë. /atsh

Shkarkimi i Muçit/ Meta shpall dekretin për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese Read More »

Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022/ Përgëzime nga personalitetet ndërkombëtare

Zgjedhja e Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022 është përshëndetur edhe nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme europiane dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë. I pari ka qenë vetë ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Luigi Soreca i cili ka përgëzuar Tiranën për këtë arritje, ndërsa ka vlerësuar energjinë e të rinjve.

Urime ka dërguar edhe Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Luca Jahier. Në mesazhin e tij, Jahier thekson se Tirana ka një program ambicioz që synon të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane. “Lajm i mirë. Tirana është fituesi i EYC2022 dhe ka një program ambicioz që synon të lidh qytetin dhe rininë e tij me vlerat europiane.

Në të vërtetë, të rinjtë nga Ballkani Perëndimor kanë pritshmëri të lartë nga Bashkimi Europian dhe duan të formojnë të ardhmen e tyre duke mbrojtur lirinë dhe demokracinë”, shprehet Presidenti Luca Jahier.

Edhe ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në vendin tonë, Guusje Korthals Altes ka përgëzuar për këtë arritje tepër të rëndësishme për vendin tonë: “Punë e paqme Tirana. Urime”.

Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri, Mohamed Khalil shprehet se Tirana dhe Shqipëria e meritonin një fitore të tillë. “Urime Tirana, Kryeqyteti Europian për Rininë 2022. Një fitore e merituar për Shqipërinë”, thekson ambasadori Khalil./atsh

Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022/ Përgëzime nga personalitetet ndërkombëtare Read More »

Qeveria gjermane, paketë me ndihma për Policinë Shqiptare në raste katastrofash natyrore

Qeveria gjermane dhe Policia Federale i kanë dhuruar sot një paketë ndihmash Policisë Shqiptare, për të ndërhyrë dhe dhënë ndihmën e parë në raste katastrofash natyrore.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj falënderoi shtetin gjerman dhe diplomatët e Ambasadës gjermane për ndihmën e ofruar në rastet e emergjencave civile, dhuruar për FNSH, në Policinë e Shtetit.

Kjo paketë ndihmash përbëhet prej gjeneratorësh elektrikë, pompa uji, sendesh e pajisje të tjera, që janë të nevojshme në raste akute të emergjencës, përmbytje, tërmete ose katastrofa të tjera natyrore. Në ceremoninë e zhvilluar për dorëzimin e donacioneve ishte i pranishëm ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, zyrtarë të lartë të Policisë, diplomatë e forca policore.

Ministri Lleshaj vlerëson kontributin e qeverisë gjermane për ndihmën që i jep Policisë shqiptare.

“Është e disata herë gjatë një viti që po bëj në këtë detyrë, që së bashku me ambasadorin, respektivisht ambasadoren gjermane, tashmë me Ambasadorin e ri, jemi mbledhur për të nënshkruar dokumente, të cilat plotësohen në vijim të ndihmave që Republika Federale Gjermane i jep Policisë Shqiptare dhe sot është rasti prapë për këtë”, tha ai.

Në vijim ministri Lleshaj tha se para disa muajsh ne patëm një tërmet të rëndë në Shqipëri, i cili na vuri në provë të gjithëve.

“Në radhë të parë Policinë e Shtetit, e cila ishte struktura e parë, që u angazhua në ndihmë të qytetarëve të prekur nga tërmeti. Pastaj dhe shumë struktura të tjera të funksioneve shtetërore. Menjëherë pas tërmetit patëm dhe një situatë përmbytje në zonën e Ishmit, të Laçit, pra në pjesën perëndimore të vendit. Edhe në këtë situatë, edhe pse megjithëse ishte e rëndë, megjithëse mobilizimi i të gjithë strukturave ishte i lartë, ne pamë një angazhim të madh edhe të partnerëve tanë, në këtë rast të Gjermanisë, e cila përmes oficerëve të kontaktit, u angazhua shpejt për të mobilizuar një paketë ndihmash për Policinë e Shtetit, me qëllim që të rrisim kapacitetet për të reaguar”, tha ai.

Lleshaj shtoi se “paketa që ne sot marrim në dorëzim është një paketë, e cila i adresohet Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat tradicionalisht janë angazhuar edhe në përballimin e situatave të emergjencës civile. Si rregull nuk është detyra e Policisë të merret me emergjencat civile, por si rregull Policia merret përherë me emergjencat civile dhe përherë do të vazhdojë të merret me to. Në këtë aspekt, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë krahas shumë detyrave të tjera që plotësojnë në dobi të rendit dhe të sigurisë publike, janë ato që angazhohen edhe për të përballuar emergjencat civile, detyrë të cilën e kanë kryer me mjaft profesionalizëm dhe angazhim. Kemi parë sidomos forcat e Shkodrës, të cilat janë të pajisura me kapacitete për të përballuar përmbytjet, janë angazhuar edhe për përmbytjet e fundit. Ndërkohë që ne, me paketën e sotme të ndihmës zgjerojmë kapacitetet dhe mundësitë që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të mund të angazhohen në përballimin e emergjencave civile. E di që është një detyrë shtesë, por e di që ju e pranoni këtë detyrë me vullnet dhe me angazhim të plotë, për arsye se përmes angazhimit të emergjencave civile, ne lehtësojmë shumë dhimbje, shumë probleme, që natyra u shkakton qytetarëve tanë”.

Po ashtu Lleshaj tha se “Besoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet, për arsye se ne dimë fort mirë që Gjermania është një partner i dorës së parë, i cili e ka mbështetur, e mbështet dhe do ta mbështesë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat europiane. Kjo është arsyeja që na bën optimist, që e ardhmja e këtij bashkëpunimi do të thellohet. Nuk dua t’iu them detaje të tjera për arsye se do të vijojnë. Kjo e sotmja është thjesht një hap i radhës në morinë e shumë hapave të tjerë që do të pasojnë. Edhe njëherë shumë faleminderit të gjithëve”.

Nga ana e tij, ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf tha se “në fakt situata e tërmetit tregoi që ne duhet të jemi të përgatitur për çfarëdolloj rrethane, unë personalisht nuk e përjetova, sepse ndodhesha në atë moment në jug të vendit. Mund t’ju them vetëm që kam përjetuar një situatë të ngjashme, ndoshta dhe disi më të rrezikshme sesa kjo, në vitin 1992, në një situatë tërmeti. Në Gjermani rrallë ka tërmete, por ekzistojnë. Ndaj solla ndërmend menjëherë gjithë ato ndjesitë e mia, që pata aso kohe, kur ra tërmeti në Gjermani dhe menjëherë isha i vetëdijshëm që rreth të tilla situatave do të duhet të jemi mjaft mirë të përgatitur për të reaguar”.

“Bashkëpunimi mjaft i ngushtë ndërmjet Policisë Federale gjermane dhe asaj shqiptare, të cilin e ceku edhe Ministër në fjalën e tij, ka dhënë frutet e veta edhe në këtë kontekst. Pikërisht duke u nisur nga një kërkesë e Ministrit të Brendshëm drejtuar strukturave të Policisë Federale në Gjermani për mbështetje në raste të tilla katastrofash, u aktivizua kjo paketë e ndihmave të sotme, e cila do t’i japë mundësi Policisë Shqiptare të mund të reagojë në të tilla raste katastrofash apo tërmetesh dhe fenomenesh të tilla natyrore në mënyrë më efecientë dhe më të përshtatshme”, – tha ai.

Po ashtu, ambasadori Gjermanisë Peter Zingraf tha në vijim se “ndaj në këtë pikë dëshiroj të falënderoj edhe kolegët e mi të ambasadës, të cilët me angazhimin e tyre mundësuan këtë aktivizim të kësaj pakete ndihmash, e cila konsiston më së shumti në gjeneratorë të energjisë elektrike, në pompa të ndryshme, në shtretër apo dyshekë, të cilët janë vërtet objekte të një rëndësie thelbësore në raste katastrofash. Sigurisht dëshiroj të falënderoj përzemërsisht edhe partnerët tanë shqiptarë, Policinë Shqiptare, Ministrinë e Brendshme, që mundësuan zhvillimin e të gjitha procedurave në mënyrë optimale, lidhur me këtë paketë ndihmash, çka hedh një dritë të mirë edhe në marrëdhënien tonë të shkëlqyer të bashkëpunimit”.

“Gjermania dhe Policia Federale gjermane do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë sikurse deri më tani në rrugën e vet drejt integrimit europian”, theksoi/atsh

Qeveria gjermane, paketë me ndihma për Policinë Shqiptare në raste katastrofash natyrore Read More »

Meta: Kushtetuta shkelet hapur, zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm

“Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve”, tha sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediet, Presidenti i Republikës Ilir Meta ndërsa solli në vëmendje 22 Nëntorin që përmes referendumit popullor solli Kushtetutën e re.

Në 21-vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti Meta e konsideron Kushtetutën e miratuar në vitin 1998 si Kushtetuta më demokratike që ka parë vendi.

“Kushtetuta mbetet e para dhe e fundit vijë e kuqe, e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron prej popullit. 22 Nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët. Për herë të parë populli shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejt miratoi përmes referendumit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë postkomuniste. Falë urtësisë politike dhe një procesi gjithëpërfshirës të udhëhequr nga i ndjeri Sabri Godo dhe zoti Arben Imami, si dhe në bashkëpunim të shkëlqyer me Komisionin e Venecias, u zhvillua një debat dinjitoz kushtetues dhe një referendum shembullor, duke na dhuruar Kushtetutën më demokratike që ka patur Shqipëria deri më sot.

Meta tha se Kushtetuta e ‘98-ës mundësoi rivendosjen e paqes sociale dhe rotacionin normal politik në vend.

“Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive. Ndryshimet thelbësore që u bënë në Kushtetutë në vitin 2016 kanë nxjerrë sot në pah dhe tri probleme të tjera akute, të cilat, për të qenë të vërtetë, u paralajmëruan se do të ndodhnin. Së pari, Kushtetuta, nga dokumenti themeltar i shtetit që lartëson parimet, u kthye në një rregullore me data dhe afate, të cilat për fat të keq janë shkelur që të gjitha. Ky tejkalim afatesh ka shkaktuar një kaos kushtetues dhe ligjor që po çon në paralizimin dhe destabilizimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend. Së dyti, siç Komisioni i Venecias pati paralajmëruar, zbatimi i këtij procesi drastik dhe të pashembullt, do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke patur parasysh burimet njerëzore në dispozicion”, tha ai.

Meta tha se zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe jo trasparent.

“Qëllimi i reformës nuk ishte falimentimi i sistemit gjyqësor, por reformimi i thellë i tij dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve te drejtësia shqiptare. Organet e reja të gjyqësorit do të duhet të kenë në radhët e tyre një trupë profesionistësh me integritet dhe jo thjesht disa emra që duhet të mbushin vakancat që po kolapsojnë të gjithë sistemin e drejtësisë. Së treti, përsëri paralajmëruar nga Komisioni i Venecias, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella kushtetuese do të duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet. Ndryshe nga çfarë këshilloi Komisioni i Venecias, zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe larg transparencës”.

Në vijim Presidenti tha se kushtetuta shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e kryeministrit aktual.

“Në fakt, Komisioni i Venecias i ka thënë të gjitha, për ata që kanë veshë për ta dëgjuar dhe vullnet për ta zbatuar! Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual. Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë; Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ; Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës; Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh; Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore”, – tha ai.

Meta thekson se vendi është lënë qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë

“Ku vendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta; Ku vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot; pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon. Ku Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë; Ku dhunohen të drejtat e qytetarëve në mënyrë arbitrare, duke u rrëmbyer pronën, shtëpitë e bizneset në mes të ditës;Ku kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë hapur interesin publik; Ku qeveria për të pasuruar një kastë oligarkësh, që i shërben asaj verbërisht, ka krijuar një borxh që qytetarët shqiptarë do të duhet ta shlyejnë në 20 vitet e ardhshme; Ku fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura në shërbim të propagandës; Ku Shqipëria zhytet poshtë e më poshtë në të gjithë treguesit politikë, ekonomikë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut; Ku vendi po shpopullohet pa ndalim; Ku si rezultat i sukseseve imagjinare në Shqipëri nuk ka më asnjë investim serioz as nga SHBA, as nga Gjermania, as nga Franca, as nga Italia, e as nga Britania”, – tha ai.

Gjithashtu Meta apelon, është koha për t’i thënë ndal këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë!

“Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është përbetuar kombëtarisht në Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, se kurrë më Diktatura nuk do të përsëritet, as de Facto dhe as de Jure!”Unë, si President i Republikës, do të qëndroj si krye garant i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia, përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare. Shqipëria nuk mund të drejtohet me Rezolutë, por vetëm me Kushtetutë!Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre!” – shprehet Meta.

Po ashtu Meta tha se Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtpërdrejt të Lirive dhe të drejtave themelore të popullit shqiptar.

“Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën. Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore. Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm, është mbi të gjithë. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë. Kjo është Detyra ime, për të cilën jam betuar solemnisht dhe me gjithë zemër me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe do ta mbroj, ashtu sikundër dhe jam betuar, deri në fund! Të mbrojmë sot Kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë! Shqipëria e Para!” – tha ai. //atsh

Meta: Kushtetuta shkelet hapur, zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm Read More »

BE mbështet raportin e OSBE-së për Shqipërinë: Themelimi i institucioneve të reja të Drejtësisë, moment historik

Bashkimi Europian në përgjigje të raportit të shefit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Bernd Borchardt paraqitur në Vjenë, tha se e mirëpret ngrohtësisht ngrohtësisht ambasadorin Bernd Borchardt, dhe e falënderon për paraqitjen e raportit përpara Këshillit të Përhershëm.

Në deklaratën përshëndetëse, thuhet se gjatë dy dekadave të fundit, Prania e OSBE-së ka kontribuar në zhvillimin pozitiv të Shqipërisë në partneritet me institucionet e vendit.

“Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar me Prezencën e OSBE-së dhe inkurajojmë qeverinë që të vazhdojë këtë punë në të tre dimensionet. Ne e vlerësojmë faktin që Prezenca kontribuoi për të mbështetur vazhdimin e reformave në drejtësi, administratë dhe zgjedhje, në përputhje me kërkesat specifike të parashtruara nga bashkëbiseduesit përkatës dhe nevojat institucionale të identifikuara”, thuhet në deklaratën e BE-së.

“BE njeh rolin e rëndësishëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në të gjitha fushat kryesore të reformave, përfshirë reformën në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne e vlerësojmë kontributin e Prezencës në përmirësimin e praktikës demokratike në Shqipëri duke vazhduar mbështetjen e saj për dekada të tëra për Kuvendin, si ndihma në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative dhe në organizimin e konsultave publike, promovimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e komunikimit dhe transparencës”, vijon deklarata.

“Ne e vlerësojmë ndihmën e vazhdueshme të Prezencës në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht mbështetjen që i është dhënë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit (NCAC) në kryerjen e një vlerësimi të jashtëm afatmesëm të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit”, thuhet në raport.

“Bashkimi Europian vlerëson vëmendjen e vazhdueshme të Prezencës në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare. Ne gjithashtu vlerësojmë asistencën e vazhdueshme legjislative ofruar organeve vendimmarrëse për të siguruar një proces të ligjshëm, transparent, gjithëpërfshirës dhe të mirë-koordinuar në Shqipëri”, vijon raporti.

“Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga Prezenca për Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, selia e së cilës ndodhet në Tiranë. Ne e lavdërojmë OSBE-në dhe RYCO-n për bashkimin e forcave për të promovuar frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon dhe presim me padurim të shohim bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ne mirëpresim punën intensive të bërë në Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore dhe i bëjmë thirrje opozitës jashtë parlamentare të kontribuojë me propozime në këtë përpjekje vendimtare për reformën”, theksohet në raport.

“Për më tepër, ne inkurajojmë Prezencën të vazhdojë të punojë për një zgjidhje konsensuale që ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve të përfshira. Ne mirëpresim përpjekjet e Prezencës për të mbështetur Shqipërinë për të vazhduar partneritetet e saj me palët e interesuara ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të kufijve dhe luftën kundër kërcënimeve ndërkufitare”, thuhet në raport.

“BE inkurajon Shqipërinë që të angazhohet plotësisht në luftën kundër të gjitha formave të trafikimit të qenieve njerëzore dhe mirëpret Planin Kombëtar të Veprimit, procedurat ligjore për të identifikuar fëmijët e përfshirë në shfrytëzim ekonomik dhe udhëzimet për inspektorët e punës për të zbuluar punën e fëmijëve, të gjitha të hartuara me mbështetjen teknike të Prezencës.

Ne e vlerësojmë trajnimin e 60 gjyqtarëve dhe prokurorëve për legjislacionin e ri antitrafik, dhe gjithashtu hartimin e procedurave të reja nga Prezenca dhe UNHCR për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm. Ne mbështesim plotësisht luftën e Shqipërisë kundër krimit mjedisor, vlerësojmë ndryshimet e bëra në Kodin Penal për kriminalizimin e veprimeve të paligjshme kundër shëndetit të njeriut dhe mjedisit, dhe përpjekjet për hartimin e ligjit mjedisor.

Bashkimi Europian vlerëson qasjen e përforcuar të Shqipërisë në adresimin e kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe kundërpërgjigjen ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Takimet në terren që synojnë krijimin e mekanizmave të referimit për të ndihmuar individët që janë më prekshëm nga radikalizimi, të mbajtura nga Qendra Kombëtare e Koordinimit për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm me mbështetjen e Prezencës, janë mirëpritur ngrohtësisht nga BE.

Ne mirëpresim udhëheqjen dhe partneritetin e OSBE-së për lirinë e mediave dhe vlerësojmë kontribution e Prezencës në hartimin e dy projektligjeve për median dhe kundër shpifjes, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Zyrën e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.

Kjo mbështetje për të përafruar legjislacionin e mediave me standardet ndërkombëtare është për t’u vlerësuar. Një legjislacioni i mirë për median mund të bëhet një model për të gjithë rajonin dhe më gjerë – dhe një sukses për Kryesinë që Shipëria pritet t’a marrë së shpejti. Reforma e sistemit të drejtësisë shqiptare mbetet thelbësore si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të përmbushur angazhimet e saj ndaj OSBE-së dhe gjithashtu për të përafruar vendin me standardet europiane. Rezultatet që kemi parë këtë vit në procesin e vettingut janë inkurajuese. Themelimi i institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë në fund të vitit 2018 është një moment historik.

Kjo mund të kontribuojë në rifillimin e punës së Gjykatës Kushtetuese e cila mbetet pa kuorumin e nevojshëm, si dhe në funksionimin e Gjykatës së Lartë e cila ende duhet të mbushet me një numër të caktuar të gjyqtarësh të cilët kanë kaluar vetingun.

Ne jemi të bindur që reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë transformuese edhe për fushat e tjera, përfshirë antikorrupsionin dhe luftën kundër kontrabandës dhe kultivimit të drogës, duke rritur besimin e shoqërisë në demokraci dhe praktikën demokratike. Ne e vlerësojmë kontributin e Prezencës së OSBE-së në procesin e një reforme thelbësore të sektorit të drejtësisë dhe do të mirëpresim emërimin e shpejtë të gjyqtarëve të rinj.

BE inkurajon Shqipërinë të vazhdojë bashkëpunimin e saj të mirë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe të mbështesë përparimin e arritur deri tani.

BE mirëpret përpjekjet për krijimin e një bilanci të qëndrueshëm të hetimeve pro-aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve të formës së prerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke marrë parasysh se çmontimi i grupeve të krimit të organizuar mbetet një sfidë e rëndësishme dhe një objektiv thelbësor afatgjatë.

Theksojmë rëndësinë e angazhimit actual dhe pozitiv të Shqipërisë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, me qëllim sigurimin e rezultateve të prekshme në këtë fushë specifike.

BE rithekson nevojën për masa efektive legjislative dhe politike për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikave antidiskriminuese, përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave dhe mundësinë e përdorimit të të drejtave për personat që u përkasin atyre në të gjithë Shqipërinë, dhe për të siguruar zbatimin e vazhdueshëm të ligji kornizë duke adresuar me akte nënligjore të gjitha çështjet e pazgjidhura, përfshirë të drejtën e vetëidentifikimit të lirë, si dhe nevojën për zbatim efikas të të drejtave pronësore.

BE vlerëson përafrimin e plotë të Shqipërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. BE mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, ndërsa vëren se dialogu i intensifikuar me vendet fqinje për të adresuar çështje të rëndësishme dypalëshe dhe për të siguruar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbetet thelbësor. Si përfundim, dëshirojmë të falënderojmë Ambasadorin Borchardt dhe stafin e tij për punën e tyre me cilësi të lartë dhe bashkëpunimin e tyre aktiv politik dhe operacional dhe u urojmë suksese në aktivitetet e tyre”, thuhet në deklaratën e BE-së, në përgjigje të raportit të paraqitur nga ambasadori Borchardt përpara Këshillit të Përhershëm. /atsh

BE mbështet raportin e OSBE-së për Shqipërinë: Themelimi i institucioneve të reja të Drejtësisë, moment historik Read More »

Balla: Meta të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në emër të Kuvendit i ka bërë sërish thirrje presidentit për reflektim duke kthyer institucionin që ai drejton në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

“Prioriteti i Shqipërisë për vitin 2020 mbetet fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kuvendi vijon normalisht diskutimin e buxhetit 2020, i cili mbështet fuqimisht reformat e ndërmarra që promovojnë rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Buxheti 2020 garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për thellimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë. Reforma në drejtësi, e cila do të vijojë të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, së bashku me reformën në administratën publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike do të jenë instrumente të rëndësishëm të realizimit të prioriteteve të programit të Qeverisë në përputhje me interesat e qytetarëve për përmirësimin e nivelit të jetesës së tyre.

Në Buxhetin 2020 është parashikuar edhe kostoja shtesë për mbështetjen e institucioneve të krijuara në zbatim të reformës në drejtësi. Në planifikimin e investimeve publike për vitin 2020 janë mbajtur gjithashtu në konsideratë prioritetet e integrimit europian”, -thuhet në reagimin e Ballës.

Më tej, Balla thotë se “në Rezolutën e miratuar 7 ditë më parë “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”. /atsh

Balla: Meta të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës Read More »

Ujësjellës Kanalizime Vlorë përmirësim të furnizimit me ujë për njësitë administrative

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë po vijon me rimte të larta punën për përmirësimin e furnizimit me ujë të banorëve të qytetit bregdetar dhe njësive administrative të tij.

UK Vlorë bën të ditur se ditët e fundit zëvendësuam linjën e ujësjellësit në fshatin Panaja të njësisë Qendër, me qëllim furnizimin sa më cilësor me ujë të pijshëm.

Sipas UK, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe realizimit të lidhjes me tubacionin e ujësjellësit “FI 200”, të banorëve nga zona e Pyjores deri pranë hekurudhës.

Po ashtu, në fokus të punës së kësaj ndërmarrje është edhe zbatimi me ritme i reformës së ujit, ku punonjësit e UK Vlorë kanë kryer kontrolle tek abonentët, për identifikimin dhe marrjen e masave për debitorët në zona të ndryshme të qytetit dhe në njësitë administrative, si dhe për vendosjen e matësave.

Punonjësit e UK Vlorë po punojnë edhe për riparimin e defekteve, ku është ndërhyrë në rrjetin e furnizimit me ujë, duke rehabilituar një defekt në rrugën “Pelivan Leskaj”./atsh

Ujësjellës Kanalizime Vlorë përmirësim të furnizimit me ujë për njësitë administrative Read More »