Aktualitet

Çelet edicioni i 26-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës

Çeli siparin sot në Tiranë edicioni i 26 i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës Klik Ekspo Group në mjediset e Pallatit të Koncerteve ku Klik Ekspo Group është pozicionuar dhe do të qëndrojë i hapur nga datat 23-26 nëntor.

Stendat të pasura me produktet e sipërmarrjeve dhe informacionet për shërbimet nga agjencitë dhe institucionet publike e private u vizituan me kërshëri nga delegacionet e huaja të ftuara në këtë panair, të cilët pas vizitës në biznese dhe bisedave të shkurtra, morën pjesë në konferencën e hapjes.

Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi dha për biznesin lajmin e gëzueshëm se Tirana do të ketë Qendrën e Vetë të Panaireve.

“Panairet janë moment i mirë për të bërë një rezyme për punën e gjithë vitit. Çdo vit panairi zhvillohet, Tirana pasurohet dhe transformohet. Shqipëria po bëhet dita-ditës tërheqëse për investimet e huaja. Megjithë vështirësitë, ne jemi shumë të vendosur për të përmirësuar klimën e biznesit përmes reformave dhe kuadrit ligjor për të zhvilluar sipërmarrjen e shëndetshme, sepse besojmë tek ai”- u shpreh ministri Shalsi.

Ai gjithashtu bëri me dije për biznesin se sapo është krijuar një rrjet koordinatorësh për bizneset për të shmangur burokracirat e panevojshme që pengojnë bizneset në punën e tyre.

Edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anisa Ruseti kishte një lajm për të shtuar dozat festive të kësaj dite. Ajo njoftoi të ftuarit se Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitet 2020-2020 pas çmimit të fituar duke thënë se “Tirana është shtëpia e 1 mln banorëve dhe një mjedis që lejon të gjitha sipërmarrjet e vendit dhe të huaja për të shpalosur avantazhet e tyre konkurruese për tu rritur e zhvilluar më tej”.

Në këtë edicion të 26 të panairit marrin pjesë edhe 20 sipërmarrje kineze. Ky 23 nëntor shënon një ditë të veçantë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës, atë të 70-vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marrëdhëniet tregtare sipas INSTAT mes Kinës dhe Shqipërisë për 2018-ën rezultojnë të jenë 551 mln dollarë amerikanë duke e renditur Kinën partnerin e katërt tregtar.

Megjithatë, u shpreh ambasadori kinez në Tiranë, Zhon Ding, “Kina është shumë e interesuar për të rritur marrëdhëniet tregtare. Ambasada e Kinës ka patur shumë kërkesa që Shqipëria të eksportojë në Kinë prodhime bujqësore. Panairi është qasja më e mirë për njohje dhe thellim të bashkëpunimit. Jam i bindur që sipërmarrjet kineze do të marrin përvoja të reja dhe të veçanta nga ky panair”. Ambasadori vërejti gjithashtu se në këtë 1 vit e gjysmë në Shqipëri ka vërejtur se Tirana gjallëron nga aktivitetet dhe duket se dëshiron ta mbushë shpirtin dhe ta materializojë duke treguar edhe eksperiencën e disa ditëve në Panairin e Librit.

Përshëndeti edicionin e 26 të Klik Ekspo Group edhe Presidenti i Dhomës Serbe të Tregtisë Mihailo Vezoviç i cili falenderoi për eksperiencën 16 vjeçare në këtë panair.

Një nga partnerët e nderit të këtij panairi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Stambollit, me eksperiencë 130 vjeçare dhe me 430 mijë biznese anëtare, përfaqësohej në Klik Ekspo Group nga zëvendës presidenti i saj Izrafill Kurullai.

“Kemi organizuar pesë panaire të prodhimeve turke në Shqipëri. Jemi të nderuar të marrim pjesë edhe në këtë panair kaq të madh e të rëndësishëm për sipërmmarjen. 300 biznese turke janë prezantuar në tregun shqiptar.Këto iniciativa kanë sjellë 3-fishim ose 1 mld dollar në vit shkëmbime tregtare. Pozita gjeografike e Shqipërisë me Turqinë, marrëdhëniet politike të deritanishme janë një ogur për thellimin e të gjitha marrëdhënieve tona”, tha ai. /atsh

Çelet edicioni i 26-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës Read More »

1575 jahte turistike vizituan Sarandën në 10 muaj

Plazhet mahnitëse, uji i kristaltë dhe monumentet e shumta kulturore kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj që kanë vizituar Sarandën.

Edhe pse ende në stinën e vjeshtës, gjatë muajve janar-tetor në në portin e Sarandës, pati një fluks të shtuar të turistëve të huaj, që kanë ardhur me kroçera apo jahte.

Drejtoresha e portit të Sarandës, Kozeta Statha bën të ditur për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-tetor në Sarandë kanë ardhur 1575 jahte turistike 1575, ndërsa kanë prekur portin 288 tragete nga këto 42 kanë qenë tragete Cruiz”.

“Sidomos gjatë periudhës së verës ka pasur një numër të lartë të jahteve luksoze që kanë vizituar Sarandën”, tha Statha.

Sipas drejtoreshës Statha, kroçerat kanë pasur në bord turistë nga Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj..

Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./atsh

1575 jahte turistike vizituan Sarandën në 10 muaj Read More »

Tirana dhe Fieri, qarqet ku u regjistruan shpenzimet më të larta për konsum

Fieri dhe Tirana janë dy qarqet ku u regjistruan shpenzimet më të larta për konsum nga familjet.

Instituti i Statistikave publikoi vjetarin statistikor, i cili paraqet një vështrim gjithëpërfshirës të treguesve statistikorë më të rëndësishëm të vendit, në nivel qarku dhe bashkie.

Për sa i përket shpenzimeve në nivel qarku sipas nivelit të arsimit të kryefamiljarit vihet re që shpenzimet më të larta janë regjistruar në kategorinë e kryefamiljarëve me arsim të lartë apo pasuniversitar ndjekur nga kategoria e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale.

Vlerat më të larta të shpenzimeve për vitin 2018 në kategorinë e arsimit të lartë/pas universitar janë regjistruar në qarqet Fier dhe Tiranë, ndërsa vlerat më të larta për kategorinë e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale janë regjistruar në qarqet Tiranë dhe Korçë.

Qarqet Berat, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë kanë regjistruar rritje të shpenzimeve për konsum në vitin 2018 për të tre kategoritë e arsimit të përfunduar të kryefamiljarit, ndërkohë për të njëjtat kategori në qarqet Dibër dhe Durrës shpenzimet kanë shënuar ulje, krahasuar me vitin 2016./atsh

Tirana dhe Fieri, qarqet ku u regjistruan shpenzimet më të larta për konsum Read More »

“Nderi i Kombit” për Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Presidenti Ilir Meta në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit ka nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit” Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Kreu i shtetit thotë se gjaku për Çlirimin e Atdheut nuk mund të bëhet ujë.

“Kam kënaqësinë të ndaj me ju vendimin tim për të nderuar, në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Gjaku për Çlirimin e Atdheut nuk mund të bëhet ujë”, shprehet Meta. /atsh

“Nderi i Kombit” për Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Read More »

Veliaj jep lajmin e mirë: Shtohet një tjetër linjë e re e fluturimeve direkte me Tiranën

Pas shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë vjen një tjetër lajm i mirë për qytetin.

Kompania më e madhe polake e fluturimeve ajrore LOT Airlines Polish (Star Alliance) ka njoftuar se nga qershori i vitit të ardhshëm do të kryejë fluturime direkte nga Varshava drejt Tiranës dhe anasjelltas.

Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku, Erion Veliaj.

“Lajm fanstatik. LOT Polish Airlines (StarAlliance) ka njoftuar hapjen e një linje të re Varshavë-Tiranë që prej verës 2020, teksa Tirana mbush 100 vjet si kryeqyteti i Shqipërisë! Tirana 100”, tha Veliaj.

Katër vitet e fundit, numri i turistëve të cilët vizitojnë kryeqytetin ka ardhur gjithnjë në rritje.

Transformimi me ritme të shpejta, si sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, Bulevardi i ri dhe përmirësimi i infrastrukturës edhe në fshatrat rreth Tiranës, ka bërë që mijëra turistë jo vetëm nga Europa, të vendosin në hartën e tyre të udhëtimeve edhe kryeqytetin shqiptar si një prej destinacioneve që nuk duhet humbur./atsh

Veliaj jep lajmin e mirë: Shtohet një tjetër linjë e re e fluturimeve direkte me Tiranën Read More »

Ruçi përuron bustin e Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të shtetarit, diplomatit e poetit Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës, vendlindjen e këtij personaliteti të shquar. Busti i Ali Asllanit është realizuar nga Skulptori i Popullit Muntaz Dhrami.

“Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë. Por, rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e virtyte. Ali Asllani është njeri prej tyre. Ali Asllani ishte një personalitet poliedrik, poet, artist, shtetar, administrator dhe diplomat i shquar. Ai ishte një “dhuratë” e Vajzës, Labërisë dhe Vlorës për Shqipërinë”, – u shpreh kryetari i Kuvendit.

Në ceremoni ishin të pranishëm banorë të krahinës, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë, intelektualë dhe personalitete të njohur të artit, kulturës dhe politikës.

“Me veprimtarinë e tij si kryebashkiak e administrator Ali Asllani krijoi një model të shkëlqyer të funksionarit publik në shërbim të qytetarëve. Me veprimtarinë diplomatike Ali Asllani krijoi modelin e diplomatit patriot në shërbim të interesave të larta të atdheut. Me artin dhe poezinë e tij krijoi një udhë-hartë për të ndërtuar një shoqëri me drejtësi sociale dhe një “Manual” për të bashkëpunuar me qytetarët, fisnikët dhe bujarët e këtij vendi, kundër zuzarëve, maskarenjve dhe shushunjav/atshe të korrupsionit. Mesazhet e veprës së Ali Asllanit janë sot tepër aktuale.”, theksoi në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./atsh

Ruçi përuron bustin e Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës Read More »

Hysi: Ligji i për turizmin, mundësi për investime në Shqipëri

“Ligji për turizmin, i cili është miratuar pak kohë më parë, jep një mundësi të mirë për të investuar për turizmin në Shqipëri”, – tha nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila mori pjesë sot në konferencën e titulluar “Media & Tourism – Ideas & Solutions” organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në Tiranë.

Hysi tha se jam e nderuar që marr pjesë në një auditor ku ka profesionistë të medias dhe e dyta, se keni përzgjedhur një temë shumë interesante, promovimin e turizmit dhe rolin e agjencive të lajmeve.

Në vijim, Hysi vlerësoi rolin e medieve në promovimin e turizmit.

“Agjencitë e huaja kanë qenë ambasadorë shumë të mirë për Shqipërinë duke promovuar artin, kulturën, historinë, traditën, mikpritjen shqiptare dhe unë jam ndier shpesh krenare. Në reportazhe mediet kanë publikuar pjesët më të shëmtuara që nuk është realiteti në vend, dhe këtë e kanë bërë jo vetëm media të huaja, por edhe shqiptare dhe kanë lënë në një anë atë çfarë është e mirë dhe e bukur në këtë vend. Unë e kuptoj mirë se sa i rëndësishëm është roli i medias, por dhe sa gabime bëjmë ne në politikë që ju japim shpesh informacion medieve me gabimet tona për të bërë të kundërtën e promovimit të një vendi”, – tha ajo.

Po ashtu Hysi tha se do të doja të theksoja atë çfarë ka bërë Kuvendi në lidhje me turizmin, jo vetëm në vend, por dhe në rajon.

“E para, ligji për Turizmin i cili është miratuar pak kohë më parë i jep një mundi të mirë për të investuar në turizëm në Shqipëri. Klima është liberale dhe e favorshme, çfarë do të thotë se ka një treg atraktiv në rritje dhe njerëzit kërkojnë të eksplorojnë dhe ta vizitojnë Shqipërinë. E dyta, janë kostot konkurruese të punës në Shqipëri. Paga mesatare në Shqipëri është favorizuese për të investuar në turizëm në Shqipëri, por njëkohësisht dhe për të regjistruar një biznes i cili është One Stop Shop, më pak se një euro, brenda 24 orëve. Kjo është një lehtësi që e kemi krijuar fal një pakete ligjore që e kemi miratuar në Kuvend disa vite më parë. Një element tjetër është popullsia, pasi kemi një popullsi të re pas 57% e popullsisë janë nën 37 vjeç, gati 100 mijë të rinj e të reja regjistrohen në fakultetet e universitetet shqiptare”, – tha ajo.

Në vijim Hysi “unë jam vetë pedagoge ku shumë studentë zotërojnë gjuhë të huaja, anglisht, greqisht, italisht, por dhe frëngjisht dhe gjermanisht. Investimet në turizëm kanë dhe burimet njerëzore të mjaftueshme dhe të përgatitura dhe besoj se nëpërmjet misionit tuaj fisnik do të arrini të përcillni këtë mesazh për të inkurajuar të rinjtë e rajonit të Ballkanit dhe në Shqipëri që të qëndrojnë në Shqipëri dhe të kontribuojnë, pasi kanë mundësi nëse do të kemi investime më të madhe jo vetëm vendase, por dhe të huaja”.

“Gjithashtu për turizmin kanë rëndësi dhe taksat dhe ligji, paketa fiskale që kemi kaluar në Kuvend vjet ka mundësuar taksa konkurruese. Ne nuk kemi diferencime mes investitorëve të huaj dhe shqiptarë. Ne këtë pabarazi nuk e kemi, madje atë që themi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH në hoteleri turizëm e kemi 6% ndërkohë që TVSH për shërbime të tjera e kemi 20%.

Hysi tha se pozicioni gjeografik e favorizon Shqipërinë për sa i përket turizmit.

“Po ashtu një arsye tjetër që e favorizon turizmin në Shqipëri është pozita gjeografike. Kemi një pozitë gjeografike shumë të favorshme. Lidhemi me Italinë nëpërmjet porteve të Adriatikut dhe Jonit, lidhemi me fqinjët siç është Greqia nëpërmjet kufirit të gjelbër me shumë pika kalimi dhe së fundi ne investojmë dhe një pikë tjetër kalimi në Qafë- Botë, por njëkohësisht kemi dhe shumë mundësi të tjera komunikimi me Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi dhe nëpërmjet investimeve nëpërmjet rrjetit hekurudhor dhe transportin me Serbinë, Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën”.

Po ashtu Hysi tha se Shqipëria është vendi i dytë në Mesdhe për nga veprat historike kulturore.

“Por ajo që është më e bukura është se Shqipëria është vendi i dytë në Mesdhe për nga veprat historike kulturore. 4000 vepra, 10% e tyre vizitohen dhe shumë i kam mësuar nga reportazhet tuaja dhe ne shqiptarët nuk i njohim ato dhe më shumë i bëjnë promovim turistët e huaj Shqipërisë sesa flasim vetë ne, sidomos në politikë, ne që shpeshherë me pamjet dhe zhvillimet e seancave plenare krijojmë një imazh që u japim shumë ushqim agjencive të huaja për të thënë se kush është Shqipëria. Në fakt nuk është e vërtetë, ne jemi një pakicë para të gjitha këtyre bukurive që ka ky vend, por dhe të potencialeve që ka”, – tha ajo.

Në fund Hysi tha se “do të doja të besoja se si parlamentarë të japim një kontribut të rëndësishëm, pasi ne kemi grupet e miqësisë me vendet tuaja dhe mund të bashkëpunojmë me njëri-tjetri për të krijuar paketa dhe lehtësi fiskale. Shpresojë se kur të largoheni nga ky takim të kemi reportazhe të bukura dhe promovuese për ne”./atsh

Hysi: Ligji i për turizmin, mundësi për investime në Shqipëri Read More »

“Syri i Qiellit”/ Memorial për viktimat e aksidentit të 30 viteve më parë në Himarë

Në kodrat e Liqenit Artificial, Tiranë u inaugurua sot Pavilioni “Syri i Qiellit”, në nder të 23 viktimave të aksidentit tragjik të 22 nëntorit 1989 në Himarë.

Bashkë me ta u largua nga kjo jetë studentja Elida Hyseni, motra e deputetit socialist, Alket Hyseni, familja e së cilës kontribuoi për këtë pavilion kujtese, por jo vetëm kujtese, por vend ku mund të zhvillohen veprimtari të ndryshme.

“Është syri i shpirtit tonë, është syri yt, është syri i nënave, motrave, baballarëve, fëmijëve dhe njerëzve të dashur të atyre 22 vajza dhe djem, burra dhe gra, që bashkë me ty u larguan tragjikisht nga kjo botë, për të mbetur përjetë në zemrat tona. Lotët janë kthyer në kristal dhe kristalet janë kthyer në pasqyrë, ku reflektohet dhimbja dhe malli ynë. Tashmë motër do kemi si të shihemi edhe pse nga shumë larg,” u shpreh deputeti Hyseni.

Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, e pranishme në ceremoninë e inaugurimit të këtij memoriali shprehet se shoqëria duhet të përkujtojë njerëzit të cilët humbën jetën edhe në krye të detyrës.

“Shoqëria jonë ka modele që duhen kujtuar dhe promovuar për shërbimet e tyre në raste të emergjencave dhe fatkeqësive natyrore. U inaugurua sot Pavilioni “Syri i Qiellit” në kodrat e Liqenit Artificial, Tiranë. Është syri i shpirtit i nënave, motrave, baballarëve, fëmijëve dhe njerëzve të dashur të 23 viktimave: vajza dhe djem studentë, pedagogë, pilotë, teknikë, mjekë dhe infermierë dhe drejtuesi i mjetit që u larguan tragjikisht nga kjo botë 30 vite më parë,” shprehet Hysi. /atsh

“Syri i Qiellit”/ Memorial për viktimat e aksidentit të 30 viteve më parë në Himarë Read More »