Aktualitet

Ditë zie kombëtare në Shqipëri, Basha anulon vizitën në Athinë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, anuloi vizitën në Athinë, ku kishte planifikuar të festonte, bashkë me shqiptarët në Greqi, Ditën e Flamurit.

Basha ishte i ftuar të merrte pjesë në Kongresin e Nea Demokracisë. Lajmin e anulimit të kreut të PD-së e njoftoi kryetari i degës së PD në Athinë, Fatmir Gjoçi.

“Pas situatës së vështirë që po kalon vendi ynë, për shkak të fatkeqësisë natyrore që shkaktoi humbje jetësh, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, e anulloi vizitën e tij në Athinë.”- shprehet kreu i degës së PD-së së Athinës.

Basha kishte planifikuar një sërë takimesh, me kryeministrin e Greqisë Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtme Nikos Dendias dhe një sërë personalitetesh të larta të shtetit grek, si dhe personalitete ndërkombëtare diplomatike, që ishin të ftuar në Kongres. /atsh

Ditë zie kombëtare në Shqipëri, Basha anulon vizitën në Athinë Read More »

Rama: Do të rindërtojmë të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti

Familjeve të dëmtuara nga tërmeti duhet t’u rindërtojmë banesat, por familjeve në Thumanë duhet t’u garantojmë ato pallate që kishin dhe duhet të jenë natyrisht shumë të forta dhe më të mira.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë.

“Është një sfidë shumë e madhe duhet të bazohemi tek buxheti i qeverisë, do të bazohemi tek buxheti i bashkive sikur imponon ligji për gjendjen e jashtëzakonshme dhe për këtë po punojmë për një skemë financimi që të na mundësojë një mbulim tërësor, pa u kufizuar apo pa u mbuluar thjesht me anën tjetër që është mekanizimi i financimit të jashtëm. Me kolegët europianë kam folur dhe para se të hyja këtu, po komunikoja me kryeministren e Danimarkës , e cila më kish shkruar një mesazh të gjatë dhe po kështu me të gjithë.
Nëse Zoti nuk ka bërë ndonjë plan tjetër do të jemi për pak ditë në samitin e NATO-s dhe aty me të gjithë kemi rënë dakord , jashtë tryezës së Samitit të bëjmë një diskutim do të adresohet kjo plagë e hapur në Shqipëri dhe si ndihmohen shoqëria, shteti, njerëzit në nevojë në këtë proces rindërtimi”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “me Presidentin e Turqisë kemi rënë dakord të organizojmë një tryezë me vendet e rajonit lindor, kështu që janë dy mekanizma, mekanizimi i BE që është një mekanizëm i afirmuar dhe konfirmuar për të mbështetur dhe kemi një komponent të tretë që janë SHBA që kanë ofruar të gjithë gatishmërinë e tyre për të mbështetur”.

“Ajo që duhet të bëjmë është të fillojmë të bëjmë listat dhe të hartojmë hartën e shpërndarjes së familjeve duke garantuar transportin e tyre drejt këtyre strukturave akomoduese, ku do kujdesemi në mënyrë të vazhdueshme. Por, kjo ama kjo nuk do të zgjasë disa ditë ditë, muaj, mund të zgjasë me vite, kjo është një fazë e ndërmjetme prej disa muajsh dhe ndërkohë sfida e madhe është programi i rindërtimit”,- tha Rama./atsh

Rama: Do të rindërtojmë të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti Read More »

Marrëveshje me strukturën hoteliere, asnjë familje e prekur nga tërmeti nuk do qëndrojë në infrastruktura të rrezikshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo është barra jonë prandaj kemi filluar që dje me ministrin e Turizmit, të punojmë për një marrëveshje me të gjithë strukturën hoteliere të Durërsit dhe Kavajës për ti akomoduar të gjitha familjet pa çati”.

Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Rama theksoi se “gatishmëria ka qenë shumë e madhe, kjo nuk është çështje e një jave apo një muaji, këto familje nuk kanë nevojë për një javë apo një muaj, kanë nevojë për shumë më tepër prandaj nuk mund ta mendosh jo më ta provojmë që sipërmarrësve të hotelerisë tu kërkojmë që me shpenzimet e tyre individuale të mbajnë infrastrukturën hoteliere me muaj të tërë në dispozicion pa pasur asnjë mbështetje financiare”.

“Nga ana tjetër ne nuk mund te pranojmë që familje, të moshuar, fëmijë, gra të kalojnë dimrin në tenda është e pakonceptueshme, apo t’ua lëmë si barrë familjeve të tjera, që kanë shprehur solidaritet mund ta bëjnë këtë gjë nuk mund të kalojnë një periudhë, relativisht të gjatë me një barrë të tillë”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “këtë herë dua të them shumë qartë nuk do të lëmë asnjë familje që do të kërkojë të qëndrojë në infrastrukturën e rrezikshme dhe teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk dal nga oborri nuk do funksionojë”.

“Është një fakt që të gjitha shtëpitë, për shembull që në qarkun e Tiranës kanë rezultuar të dëmtuara por të riparueshme nga tërmeti i parë sot janë jashtë funksionit nuk janë më të riparueshme, por duhen rindërtuar. Që do të thotë që numri i familjeve që kanë nevojë për strehë nuk është i vogël. Natyrisht kjo do të kërkojë një angazhim ekstra për të cilin kemi filluar punë me ministren e Infrastrukturës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor që të kemi një organizim të transportit për fëmijët që duhet të shkojnë në shkollë dhe nga ana tjetër me Ministren e Arsimit për të ofruar një asistencë për këta fëmijë në periudhën jashtë shkollës apo për të krijuar klasat në vijën akomoduese të bregdetit të Durrësit, Kavajës duke iu dhënë mundësi këtyre familjeve që të jetojnë në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale dhe ti kalojën festat e fundvitit në kushte më optimale”, – nënvizioi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se mos harrojmë që pjesa më e madhe e këtyre familjeve janë familje të varfra.

“Kjo fatkeqësi, e kemi parë në terren gjerë e gjatë sepse çdo minutë ka qenë një orë, ka goditur pjesën më të dobët , hallkën më të dobët familjet më të varfra shtëpitë e vjetra apo të ndërtuara thjesht për të futur kokën pa standarde sigurie të mjaftueshme”, – tha Rama./atsh

Marrëveshje me strukturën hoteliere, asnjë familje e prekur nga tërmeti nuk do qëndrojë në infrastruktura të rrezikshme Read More »

Zjarrfikësi hero nga Vlora, Luan Kapaj: “Jam betuar që do të jem zjarrfikës dhe do t’i shërbej popullit tim, në çdo moment të vështirë të jetës që do të dal dhe do rrezikoj jetën time për të shpëtuar jetën e tjerëve”

“Jam betuar që do të jem zjarrfikës dhe do t’i shërbej popullit tim, në çdo moment të vështirë të jetës që do të dal dhe do rrezikoj jetën time për të shpëtuar jetën e tjerëve. Ishin momente të vështira, por jemi betuar që do të bëjmë detyrën dhe ia dolëm të shpëtojmë jetë njerëzish nën rrënoja”.

Kështu u shpreh sot zjarrfikësi nga Vlora, Luan Kapaj, i cili ditën e djeshme së bashku me kolegët e tij nuk reshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë gjallë nga rrënojat e tërmetit, personat nën gërmadha.

“Ishte një moment i vështirë, pasi pallati ishte rrafshuar dhe kur njerëzit atje kërkojnë ndihmë ishte e pamundur mos t’i ndihmoje”, tha për mediet Kapaj.

Duke treguar për punën e tij dhe te kolegëve, Kapaj shprehet se “ishte një tunel që mezi u futëm për t’i shpëtuar, nxorëm të gjallë një grua dhe një burrë. Ishte e pamundur të mos rrezikoje jetën tënde për të shpëtuar jetën e tyre”, – theksoi ai.

“Ishte fati i tyre, por edhe detyra jonë”, – tha Kapaj.

Me keqardhje ai tregon se “shpëtuam dy jetë njerëzish, por fatkeqësisht lamë edhe dy jetë atje”.

“Sot do të vazhdojmë prapë mbase i nxjerrim të gjallë”, shpreson Kapaj.

I pyetur se çfarë ndjesie pati, Kapaj shprehet se “ne jemi mësuar me ngjarje tragjike kur tjetri të kërkon ndihme dhe ti je i detyruar ta nxjerrësh nga ai moment. Por në situatë të tillë për ti shpëtuar jetën një personi nën rrënojat e tërmetit nuk e kemi hasur”.

“Ishin momente të vështira, por ne jemi betuar dhe po bëjmë detyrën”-, tha Kapaj.

Bashkia e Vlorës e nderoi sot zjarrfikësin Luan Kapaj me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, për sakrificën e jetës së tij për shpëtimin e njerëzve që ishin nën rrënoja.

Ditën e djeshme kur fuqitë e tij u duk se shterën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, Luan Kapaj refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim./atsh

Zjarrfikësi hero nga Vlora, Luan Kapaj: “Jam betuar që do të jem zjarrfikës dhe do t’i shërbej popullit tim, në çdo moment të vështirë të jetës që do të dal dhe do rrezikoj jetën time për të shpëtuar jetën e tjerëve” Read More »

Solidariteti, Ambasada e Gjermanisë ul flamujt në gjysmështizë

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë në shenjë solidariteti me qytetarët shqiptarë ka ulur flamujt në gjysmështizë.

“Bashkohemi me zinë kombëtare për viktimat e tërmetit të djeshëm dhe u shprehim të gjithë të afërmve ngushëllimet tona”, shprehet Ambasada.

Qeveria e shpalli ditë zie kombëtare 27 nëntorin nisur nga tërmeti i fuqishëm që preku vendin tonë këtë të martë duke shënuar dhjetëra viktima.

Solidariteti, Ambasada e Gjermanisë ul flamujt në gjysmështizë Read More »

Ministria e Mbrojtjes: Të dhënat e fundit, 26 persona kanë humbur jetën nga tërmeti

Numri i personave që kanë humbur jetën pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e djeshëm me magnitudë 6.3 Rihter është 26.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur sot se “pas verifikimit të të dhënave të fundit, numri i personave që kane humbur jetën është 26, nga të cilët 12 nga Durrësi, 13 nga Kruja dhe 1 nga Lezha”.

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë raportohet se 658 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim mjekësor në spitale, si pasojë e tërmetit dhe aktualisht po trajtohen 65 të lënduar, nga të cilët 8 janë në gjendje më të rënduar, nën kujdesin e mjekëve që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga vendi dhe ato ndërkombëtare po vazhdojnë të punojnë me kujdes për nxjerrjen e personave të mbijetuar nën rrënojat e hotelit dhe të pallatit që u shemb në lagjen “18 shtatori” të qytetit të Durrësit, si dhe në pallatin e shembur në Thumanë, Krujë pas tërmetit të fortë me magnitudë 6.3 Rihter që goditi vendin tonë mëngjesin e së martës./atsh

Ministria e Mbrojtjes: Të dhënat e fundit, 26 persona kanë humbur jetën nga tërmeti Read More »

Mbërrijnë në Kosovë familjet e para nga zonat e prekura nga tërmeti

Vazhdon solidariteti vëllazëror i qytetarëve nga Kosova.

Të angazhuar që në orët e para pas rënies së tërmetit për mbledhjen e ndihmave në ushqime e veshmbathje dhe kontribute në shuma financiare, ka filluar edhe marrja e banorëve nga zonat e dëmtuara për t’u akomoduar në Kosovë.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm 30 banorë të Durrësit kanë arritur në Prishtinë, njofton KosovaPress.

Kështu kanë bërë të ditur përfaqësues të Plisave, të cilët kanë njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme do të mbledhin ndihma në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Para pak minutash ekipi ynë ka arritur nga Durrësi në Prishtinë. Për momentin jemi te Hotel ‘Ora’ dhe të gjithë janë sistemuar shëndoshë e mirë. Shihemi sot prej orës 10:00 tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kushtrim Ramadani, përfaqësues i “Plisave”, tha për KosovaPress se aksioni për mbledhjen e ndihmave do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.

“Lusim të gjithë ata që duan të ndihmojnë, të sjellin më shumë gjëra ushqimore sesa veshmbathje. Gjatë ditës do të shkojmë tri-katër herë në Shqipëri t’i dërgojmë këto ndihma. Për sot nuk kemi ende ndonjë çmim sesa mjete financiare janë mbledhur, mbrëmë kanë qenë 4 mijë euro”, tha ai.

Po kështu edhe në komunën e Pejës kanë mbërritur mëngjesin e sotëm familjet e para, me rreth 60 persona të cilat janë strehuar në familje të kësaj komune.

Ndërkohë vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për personat të cilët ndodhen ende nën gërmadha, si pasojë e tërmetit që ndodhi një ditë më parë. /KosovaPress//

Mbërrijnë në Kosovë familjet e para nga zonat e prekura nga tërmeti Read More »

Institucionet vendore, ndihma e ushqime për të prekurit nga tërmeti

Institucionet e qeverisjes vendore, janë angazhuar dhe kanë nisur të mbledhin ndihma në ushqime, veshmbathje dhe pajisje të ndryshme për t’i ardhur në ndihmë zonave më të prekura nga tërmeti, që goditi të martën Shqipërinë.

Bashkia e Korçës ka nisur drejt zonave të prekura nga tërmeti mjete, grupe të emergjencave për t’u ardhur në ndihmë të gjithë të dëmtuarve. Ndërsa punonjës të Shërbimit Zjarrfikës dhe Shpëtimit nga Zjarri, pranë Bashkisë Maliq, janë nisur mëngjesin e së martës drejt qytetit të Durrësit, për të ndihmuar banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore që goditi më rëndë Durrësin dhe Tiranën.

Solidaritetit me të prekurit nga tërmeti i janë bashkuar edhe Bashkitë Tiranë, Ura Vajgurore, Vlorë, Fier, Lezhë etj.

Përveç ndihmës me mjete dhe forca në njerëz të dërguara në zonat e prekura në operacionet e shpëtimit në terren, Bashkia Tiranë ka miratuar një fond ndihme financiare prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës dhe në mënyrë të posaçme për Thumanën.

Ndërsa në Bashkitë Ura Vajgurore, Fier qindra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së bashkive, për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti. Ndihmat kanë qenë të shumta, në ushqime, veshmbathje dhe vlera monetare dhe fluksi i qytetarëve vijon të shtohet.

Ndërkohë që janë aktivizuar disa llogari bankare në bankat e nivelit të dytë, për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar popullin e prekur nga tërmeti./atsh

Institucionet vendore, ndihma e ushqime për të prekurit nga tërmeti Read More »