Aktualitet

Miriam Cani dhe Alban Skënderaj, ndihmë 200 personave të prekur nga tërmeti

Artistë të shumtë janë solidarizuar për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Çifti i artistëve Alban Skënderaj dhe Miriam Cani janë një ndër artistët e shumtë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për këtë situatë të vështirë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Miriam Cani është shprehur se bashkë me Albanin kanë ndihmuar më shumë se 200 persona, por për dallim nga të tjerët, këtë e kanë bërë në heshtje.

“Jam e lumtur që kemi arritur t’ju vijmë sado pak në ndihme rreth 200 personave të prekur nga tërmeti të cilët janë strehuar në kompleksin e kishës ortodokse “Shën Vlashi” në Durrës.

Në këto ditë të vështira si shumë të tjerë, ata kanë nevoje për çdo lloj mbështetje materiale apo financiare.

Çdokush që dëshiron të kontribuojë në vazhdim për ato familje mund t’i drejtohet direkt Kishës apo këtij numër kontakti: +355 67 201 4591”, shprehet këngëtarja Cani.

Ajo shprehet se përveç ndihmave bazike dhe jetësore duhet të ndihmohet edhe shpirtërisht.

“Ashtu siç ushqehet dhe ngrohet trupi, ashtu dhe shpirti ka nevojë për ushqim e ngrohtësi. Ndoshta prej natyrës unë dhe Albani jemi pak më diskretë e të rezervuar, por në heshtje dhe me dashuri e zemër jemi munduar të ndihmojmë ku kemi mundur”, tha Cani.

“Faleminderit të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Diasporë që edhe njëherë dëshmuan që kur bashkohemi në emër të dashurisë mund të marrim në dorë fatet e kombit e të bëjmë diferencën. Është dëshmia se ende ka shpresë. Paqe e dashuri për të gjithë ju”, ka shkruar në këtë postim këngëtarja. /atsh

Miriam Cani dhe Alban Skënderaj, ndihmë 200 personave të prekur nga tërmeti Read More »

Tirana përgatitet për festat e fundvitit

Tirana po bëhet gati për festat e fundvitit.

Kryeqyteti i është kthyer normalitetit, duke iu përshtatur edhe muajit të fundit të 2019-ës, ku atmosfera e Krishtlindjes dhe ndërrimit të viteve i sjell më pranë njerëzit me njëri-tjetrin.

Kështu, bashkia e Tiranës ka nisur të zbukurojë qytetin në periudhën më të veçantë të vitit, atë të festave të dhjetorit. Qytetarë të shumtë kanë nisur blerjet për dekorimin e bredhit të Krishtlindjes. Ndërkaq, në sheshin “Skënderbej” shihen turistë të shumtë të cilët vizitojnë pikat më tërheqëse të qytetit të Tiranës.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ju sjell një galeri me foto nga Tirana në këto ditë të para dhjetori./atsh

Tirana përgatitet për festat e fundvitit Read More »

Turqia sjell të tjera ndihma për Shqipërinë

Turqia vijon të sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Pas ekipeve turke të kërkim shpëtimit që iu bashkëngjitën specialistëve nga shumë vende të botës për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja, tashmë shteti turk ka dërguar edhe ndihma materiale për të gjithë ata që kanë mbetur pa strehë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka falenderuar vendin mik, Turqinë për ndihmën e pakursyer në drejtim të Shqipërisë, e cila sikurse është bërë e ditur tashmë do të pasohet nga një ndihmë akoma më e madhe, ajo e ndërtimit të 500 banesave të familjeve që nuk kanë më një çati të sigurtë.

“Faleminderit qeverisë dhe popullit turk për ndihmën e vazhdueshme për banorët e zonave të prekura nga tërmeti që në momentet e para. Ndihmat e sotme materiale vijnë pas ekipeve të kërkim – shpëtimit dhe do pasohen nga bujaria e pazëvendësueshme për ndërtimin e 500 banesave,” shprehet Xhaçka.

Ndihmat e qeverisë dhe Gjysmëhënës së Kuqe turke kanë mbërritur tashmë në vendin tonë dhe do të shpërndahen në zonat e prekura nga tërmeti. /atsh

Turqia sjell të tjera ndihma për Shqipërinë Read More »

Inxhinierja e ndërtimit: Studim gjeologjik dhe sizmik për çdo objekt

Inxhinierja e ndërtimit prof. dr. Luljeta Bozo duke folur mbi sigurinë e ndërtesave në vendin tonë dhe kërcënimin nga tërmete shkatërrimtarë si ai i 26 nëntorit ka nxjerrë në pah nevojën e studimit gjeologjik dhe sizmik për çdo objekt që në nisje të tij, por edhe supervizionin gjatë zbatimit të rregullave. Duke analizuar në një studio televizive pasojat e këtij tërmeti që la pas 51 viktima dhe plagosi qindra të tjerë inxhinierja Bozo tha se në ndërtesat e shembura ku mbetën njerëz nën rrënoja janë shkelur këto rregulla.

“Sigurisht që çdo tërmet që bie do të bëjë dëme, por jo dëme të asaj natyre që të bëjë kolaps objekti që t’i zërë brenda. Diçka nuk ka shkuar. Janë shumë shkelje që janë bërë gjatë gjithë procesit të ndërtimit,” shprehet ajo.

Sipas saj, nuk mund të bëhet kompromis me sigurinë e objektit e cila duhet të vijë e para edhe nga vetë ndërtuesi.

“Më parë ka funksionuar kështu, të marrësh lejen e ndërtimit dhe të kesh të drejtën të projektosh, duhet të kesh studimin gjeologjik të parin dhe studimin sizmik të dytin. Pa këto nuk mund të fillosh. Nuk mund të kursesh në dëm të sigurisë së objektit që mund të zërë brenda njerëzit,” deklaroi Bozo.

Ajo shtoi se të njëjtën vëmendje duhet të ketë edhe kontrollori i cili ndjek gjithë ecurinë e zbatimit të rregullave të ndërtimit si dhe materialeve që përdoren.

“Projekti duhet të kontrollohet. Duhet të ketë një instancë që kontrollon projektin dhe projekti duhet të jetë i plotë, jo me copa letrash. Duhet ndjekur rregulli që në çdo hap të zbatimit të kontrollohet cilësia e materialit dhe mënyra se si është zbatuar projekti. Këtë e bën supervizori. Por kush e ka supervizorin? Atë mund ta ketë investitori. Atij i intereson. Ai që nuk është serioz, ta kalojë shpejt e shpejt që të mbarojë objektin. Heq hekura, shkel në cilësinë e betonit. Këtu nuk janë zbatuar rregullat teknike, asnjë rregull teknik”, u shpreh inxhinierja. /atsh

Inxhinierja e ndërtimit: Studim gjeologjik dhe sizmik për çdo objekt Read More »

Dua Lipa solidarizohet sërish me Shqipërinë, krijon bluza të personalizuara “Pray for Albania”

Pas deklarimit se të ardhurat e kompanisë do t’i jepte për të prekurit nga tërmeti, Dua Lipa ka bërë një gjest tjetër human për vendin e saj.

Ajo tashmë është fokusuar në krijimin e disa bluzave të personalizuara, të ardhurat nga shitja e të cilave do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Tek bluzat shkruhet “Pray for Albania”, “Dua Lipa” dhe do të kushtojë 45 dollarë.

Përmes postimit të saj në rrjetet sociale ajo u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve që duhet ndihmë e madhe për Shqipërinë në këto momente , të marrin bluzat, pasi të ardhurat do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i datën 26 nëntor për të ndërtuar një shtëpi apo ndihmuar. /atsh

Dua Lipa solidarizohet sërish me Shqipërinë, krijon bluza të personalizuara “Pray for Albania” Read More »

Vitin e ardhshëm asnjë blerje për makina e dollapë, kryebashkiakët të lëvizin me kalë

Në vitin e ardhshëm do të bllokohen të gjitha blerjet e makinave, dollapeve, kolltuqeve, tavolinave, televizorëve dhe pajisjeve të tjera në të gjitha bashkitë e vendit.

Kështu deklaroi kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të së martës ndërsa nuk kurseu batutat për kryetarët dhe administratorët e bashkive.

“Përsa i përket fondit, ne do të kalojmë si moment të parë, si faze të parë nga buxhetit 2020, 0,4% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar duke garantuar dhe siguruar që deficiti primar pozitiv të mbetet pozitiv. Asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e të gjithë sistemit makro-ekonomik dhe pasi deficiti primar pozitiv do të na mundësojë atë që është domosdoshmëri, një likujditet të domosdoshëm për operimin në vitin 2020. Njëkohësisht po studiohen edhe cilat fonde mund të transferohen për vitin e ardhshëm nga viti 2019. Ka një zë në projektbuxhet që lidhet më të gjithë shpenzimet. Në vitin e ardhshëm nuk do blihet asnjë makinë, nuk do të pajiset asnjë zyrë, nuk do të bëhet asgjë nga ato që kanë qenë rutina e përvitshme dhe do të bllokohen të gjitha blerjet e makinave, dollapeve, kolltuqeve, tavolinave, televizorëve dhe të gjithë me radhë në të gjitha bashkitë e vendit. Asnjë shpenzim për këtë punë. Kush do të jetë keq për një makinë, të gjejë një kalë edhe nuk ka problem. Kryetar bashkish me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik dhe sidomos kryetar njësish administrative me kuaj, do të ishin të mirëse ardhur në komunitet që të shkonin shtëpi më shtëpi me kalë dhe të mos vinin vërdallë me vetura në qendrën e qytetit. Përtej metaforës, kjo është në fakt e vërteta”, -tha Rama.

Kryeministri informoi po ashtu se “donacionet në llogarinë e posaçme janë pjesë e fondit. Ndihma dhe financimet specifike për programin nga institucionet ndërkombëtare dhe ndihma për financimet specifike në marrëdhëniet dy palëshe. Portofoli do të jetë i hapur, ne do të dëgjojmë shumë, do të përgatitemi për të dëgjuar shumë dhe duhet të bëjmë ç’mos që purifikojmë sa të mundemi kanalet e komunikimit nga toksinat dhe nga kontaminimi sepse do të ketë shumë mbetje toksike të mendjeve të zymta që do të rrjedhin nëpër kanalet e komunikimit për të vazhduar çoroditjen shkatërrimin e nervave të këtij mileti. Çfarë nuk do të dëgjojmë”. /atsh

Vitin e ardhshëm asnjë blerje për makina e dollapë, kryebashkiakët të lëvizin me kalë Read More »

Tirana dhe Durrësi të ndriçohen për festa, Rama: Të kthehet jeta plotësisht

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë që Tirana dhe Durrësi të zbukurohen për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se “Tirana, Durrësi duhet të ndriçohen për Vitin e Ri dhe Krishtlindjet, njësoj si qytetet e tjera të vendit”.

Kreu i qeverisë tha se “duhet të jenë qytete ku kthehet jeta plotësisht dhe ku atmosfera e Vitit të Ri do të jetë edhe më e bukur seç ka qenë vitet e tjetra, mundësisht”./atsh

Tirana dhe Durrësi të ndriçohen për festa, Rama: Të kthehet jeta plotësisht Read More »

Rama mesazh përmes fjalëve të shenjta: “Ju është dhënë falas, dhuroni falas”

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sërish sot fjalët e shenjta, për të përcjellë një tjetër mesazh kurajoje për përballimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri citoi fjalët e shenjta të Ungjillit sipas Mateut, ku ndër të tjera thuhet: …ju është dhënë falas, dhuroni falas.

“Në ato kohëra, pasi mblodhi të dymbëdhjetët, u tha atyre: “Shëroni të sëmurët, ringjallni të vdekurit, purifikoni lebrozët, shpartalloni demonët: Ju është dhënë falas, dhuroni falas”. (Ungjilli sipas Mateut, 10:1,8)”, tha Rama./atsh

Rama mesazh përmes fjalëve të shenjta: “Ju është dhënë falas, dhuroni falas” Read More »