Aktualitet

Cakaj në Golem: Familjet e prekura nga tërmeti së shpejti do kenë strehë të reja dhe më të sigurta

“Procesi i rindërtimit të shtëpive të dëmtuara tashmë ka filluar dhe shumë shpejt këto familje do të jenë me strehë të reja e më të sigurta”, tha sot ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij ku festoi festat e Fundvitit me familjet e akomoduara nga tërmeti i 26 nëntor në hotel “Dolce Vita”, Golem.

Cakaj u shpreh se në këtë prag festash jemi pranë familjeve që kanë mbetur pa strehë për të ndarë së bashku me to atmosferën festive të fundvitit.

“Pranë familjeve që kanë mbetur pa strehë mbi kokë nga tërmeti i 26 nëntorit për të ndarë atmosferën e festave të fundvitit”, tha Cakaj.

Ministri në Detyrë Cakaj shprehu mirënjohjen për vullnetarët që ndihmuan në shpërndarjen e dhuratave për fëmijët në hotele.

“Mirënjohje e pafundme edhe për vullnetarët që sot na ndihmuan të shpërndajmë dhurata e dhurojmë dashuri për fëmijët që janë strehuar nëpër hotele”, u shpreh Cakaj. /a/atsh

Cakaj në Golem: Familjet e prekura nga tërmeti së shpejti do kenë strehë të reja dhe më të sigurta Read More »

Rama: Do kisha dashur edhe më shumë ulje dënimi për gratë, kushte më të mira për ato që mbeten në burg

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kemi 56 gra që vuajnë dënimet e tyre në sistemin penitenciar shqiptar dhe ne dëshironim që të gjitha të përfitonin nga amnistia, në një mënyrë ose një mënyrë tjetër. Duke i parë të gjitha rastet një nga një duke parë edhe të gjithë kornizën e amnistisë më vjen mirë që gjysma do lirohen menjëherë dhe gjysma tjetër do përfitojë ulje të 1/3 të dënimit”.

Në një takim me gratë e burgosura, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Kryeministri Rama tha se më vjen shumë mirë që ne bëjmë këtë amnisti për 56 gratë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar shqiptar, ku lirohen menjëherë 28 prej tyre dhe për 28 të tjera, ulet në 1/3 dënimi”.

“Mbase kjo nuk është shumë korrekte për t’u thënë publikisht por unë kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë, sepse do kisha dashur të kishte edhe me shumë ulje për disa prej jush që kanë kryer krime shumë të rënda, jo për të justifikuar krimet, vrasjet e burrave, por për një arsye tjetër, për arsyen se unë besoj shumë fort një grua arrin në atë ekstrem përtej faktit që kryen një krim të rëndë dhe të dënueshëm ka me siguri një mijë e një arsye, një mijë e një plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura në trup që e çojnë në atë pikë”, -nënvizoi Rama duke shtuar se megjithatë përtej kësaj duhet të them që predispozita e ministres Gjonaj ka qenë maksimale, por edhe kufizimi në këtë pikë i ka të gjitha arsyetimet ligjore dhe morale.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e çmoj Etildën në këtë drejtim se vjen nga një rrugë në karrierën e saj ku e ka nisur punën në anën e të drejtave të njeriut duke qenë një person aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të grave edhe pranë komunitetit të Helsinkit, por edhe me organizata të tjera me të cilat ka bashkëpunuar dhe është jo vetëm e ndjeshme në këtë pikë, por edhe shumë e dedikuar në përditshmërinë e punës”.

“Besoj shumë që edhe çfarë është nisur jo bitisur akoma për ta kthyer këtë institucion në një vend më të mirë, do të bëjë të mundur që edhe ato që do të qëndrojnë për të kryer dënimin deri në fund mund të ndjehen më mirë. Kam pasur një bisedë të gjatë me drejtoren tuaj kur ka nisur këtë punë, kemi biseduar me Etildën për të krijuar kushte që ju pavarësisht se jetoni brenda rrethimit të telave me gjemba mund të keni një jetë të përditshme dhe një aktivizim që ta bëjë më të lehtë dënimin”.

Kryeministri tha se “është fatkeqësi e madhe se kur shikon gjithë historinë e sistemit tonë gjyqësor shikon se në kapitullin e gjyqeve mes burrave dhe grave, raporti i vendimeve që shkojnë në favor të burrave, me atë që shkon në favor të grave është skandaloz. Këtu kam parasysh gjyqe që të rrënqethin mishin kur lexon dosjet për gra të dhunuara, të përdhunuara me protagonistë që shpëtojnë ose si të pafajshëm fare ose me dënime qesharake dhe edhe me përsëritës burra të dënuar për akte dhune ndaj grave që ribëjnë akte dhune pasi lirohen në sallën e gjyqit dhe dalin të lirë duke e bërë faktikisht edhe shtetin bashkëfajtor në krim në këtë rast”.

Po ashtu, shtoi ai, përtej shumë përmirësimeve që i janë bërë vite legjislacionit kundër dhunës ndaj grave në zbatim është shumë e qartë që përsëri gratë janë viktima në masën më të madhe.

“Viktima jo më të fajit të tyre, por të një sistemi që gjithmonë priret prej vitesh që fajësinë ta lërë tek pjesa më e dobët, tek gratë, më të varfrit tek ata që nuk kanë mundësinë ta blejnë të drejtën. Përkundër palësh përballë që janë më të fortë , jam më “të shkathët , më të pasur”, – tha Rama.

“Kini besim qe ne do bëjmë edhe më shumë për ju sepse të vazhdojmë të jemi pranë jush qoftë për ato që do lënë këtë institucion, pasi parlamenti të votojë amnistinë menjëherë pas Vitit të Ri qoftë për ato që do mbeten këtu”, tha Rama. Rama shtoi se “do ndjekim siç e tha edhe ministrja Gjonaj rehabilitimin në jetë të të gjithë grave që do dalin, do të kujdesemi që secilës t’i jepet një mundësi për punë, do kujdesemi që të kuptojmë çfarë nevojash të tjera kanë që ne mund t’i plotësojmë dhe çfarë kanë nevojë familjet tuaja”./atsh

Rama: Do kisha dashur edhe më shumë ulje dënimi për gratë, kushte më të mira për ato që mbeten në burg Read More »

Pamje të mrekullueshme nën dëborë, majat e maleve të Kukësit ftesë për alpinistët (foto)

Majat e maleve më të larta të rrethit të Kukësit si Gjallica, Pikëllima, Kallabaku, Maja e Kolesianit Guri i Mëngjesit të japin pamje të mrekullueshme, sidomos në stinën e dimrit kur i mbulon dëbora.

Ecja në këmbë në natyrë është shndërruar në një sport tepër të aplikuar, pasi natyra dhe territoret me shtigje të ngushta ofrojnë një kënaqësi të veçantë.

Vendet më të preferuara nga turistët janë ato me terren malor, pasi janë të përshtatshme për të bërë turizëm eksplorimi dhe ngjitje, ku oferta në Shqipëri është e larmishme.
Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, tha për ATSH-në se “ditët e fundit shoqërova një grup alpinistësh prej 14 personash nga Kosova dhe Kukësi në Majën e Kallabakut, 2174 m mbi nivelin e detit”.

“Udhëtimi zgjati 7 orë në dy drejtimet dhe nisja u bë nga liqeni i Kallabakut. Ngjitja kishte pak vështirësi për shkak edhe të pranisë së dëborës”, tha Hallaçi.

Guida turistike e qytetit të Kukësit u shpreh se “Kallabaku është pjesë e Parkut Korab-Koritnik, ndërsa ka disa shtigje të cilat të çojnë në majë. Pamja është mahnitese ku syri nuk ngel pa parë vargmalet e alpeve të Sharrit që nga kjo majë i shikon dhe i identifikon pothuajse çdo majë gjithashtu Korabin që duket tamam si një kurorë mbretërore”, – theksoi Hallaçi.

Në stinën e dimrit është pikërisht momenti i përshtatshëm për shfrytëzimin e kohës ideale me borë dhe diell për ngjitje në mal.

Parku Natyror Korab-Koritnik është nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë. Ai shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme./atsh

Pamje të mrekullueshme nën dëborë, majat e maleve të Kukësit ftesë për alpinistët (foto) Read More »

Reforma në Drejtësi, Rama: Pastrim atyre që kanë dhënë vendime që e kanë stërshkelur të drejtën e njerëzve të zakonshëm

“Me reformën në drejtësi kam besim se shumë gjëra do të ndryshojnë, natyrisht që është e vështirë për njerëzit e lodhur dhe të neveritur për shumë vite nga sistemi i drejtësisë që të kuptojnë që ky është një proces që kërkon durim shumë të madh”.

Më këto fjalë iu drejtua sot Kryeministri Rama grave që vuajnë dënimin tek burgu i grave në Tiranë.

“Të ndërtosh një shtëpi me duart e tua, me të ardhurat e tua, me tulla e llaç e kërkon një vit ose dy vjet. Jo më të ndërtosh një sistem që ka kaq shumë ndërveprime, njerëz, duar, sy, mendje e kështu me radhë që kërkon kohën e vet. Ndërkohë që ajo që është bërë këtë periudhë nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku në raport me kundërvënien ndaj të korruptuarve në sistemin e drejtësisë dhe atyre që do e kishin merituar një mijë herë më shumë se edhe ajo që këtu ka bërë krimin të rëndë që të ishin ata në burg që dhe në fakt me kostum e me kravatë kanë dhënë vendime që e kanë shkelur, rishkelur dhe stërshkelur të drejtën e njerëzve të zakonshëm”, – nënvizoi Rama.

Kundërvënia ndaj tyre, vijoi Rama, pastrimi i i tyre nga sistemi i drejtësisë është një gur themelor që ndryshon rrugën e historisë.

“Por natyrisht kjo është një rrugë më e gjatë sesa durimi i njerëzve dhe është një rrugë që shtrohet me mundim të madh që shtrohet hap pas hapi vit pas viti, dhe në fund të ditës ajo që është e rëndësishme është që të gjithë mendojmë se vajzat tuaja, djemtë tuaj, fëmijët tuaj, nesër të jetojnë në një vend që ka një sistem drejtësie nuk i bën më krimet e fajet dhe gabimet e bëra në gjithë këto 30 vjet”, – theksoi Rama./atsh

Reforma në Drejtësi, Rama: Pastrim atyre që kanë dhënë vendime që e kanë stërshkelur të drejtën e njerëzve të zakonshëm Read More »

Pensionet e minierave, industrisë së naftës dhe metalurgjisë, ISSH publikon emrat e 676 përfituesve të rinj

676 persona për periudhën 20 – 27 dhjetor 2019 i shtohen listës të përfituesve, subjekt i ligjit “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industries së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado bëri të ditur se deri më datë 27 dhjetor 2019, ka arritur në 4 753 në total numri i personave përfitues nga ky ligj. “Vazhdon puna për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij proces”, -tha Hado.

Kjo është lista e shtatë me përfitues që ISSH publikon, ndërsa me shqyrtimin një pas një të dosjeve që dorëzohen lista shtohet.

Pensionin për shkak të profesionit (llojit të punës) e përfitojnë ish-punonjësit,të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit. ish-punonjësit dhe në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.

Deri tani janë depozituar mbi 17 mijë kërkesa për përfitim nga ky ligj, të cilat do të marrin përgjigje brenda një kohe të shkurtër. Por, ISSH apelon qytetarët të vijojnë të dorëzojnë aplikimet pranë degëve rajonale të sigurimeve shoqërore./atsh
http://www.issh.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/LISTA_20_27_DHJETOR_2019.pdf?fbclid=IwAR2tr0QLsxgOhNlg09piFhi_K3jEfjU7vld6pHD_vjrHqRIJ-L8BPcpTcmQ

Pensionet e minierave, industrisë së naftës dhe metalurgjisë, ISSH publikon emrat e 676 përfituesve të rinj Read More »

Fëmijët e ushtarakëve festojnë me bashkëmoshatarët e prekur nga tërmeti

Fëmijët e ushtarakëve, të cilët ndjekin kurset e artit dhe të sportit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, sollën buzëqeshje në fytyrat e fëmijëve të prekur nga tërmeti, një pjesë e të cilëve janë strehuar në një nga hotelet e zonës së Golemit.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka theksoi se procesi për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara ka nisur e së afërmi fëmijët dhe familjet e tyre do të kenë një strehë të re.

“Artistët e vegjël kishin përgatitur një program festiv për bashkëmoshatarët e tyre, ndërsa djemtë e futbollit i dhuruan topa shumë prej fëmijëve. Faleminderit edhe nxënësve të “Edith Durham”, të cilët na u bashkuan sërish për të shpërndarë pako me dhurata dhe materiale shkollore”, – theksoi Xhaçka./atsh

Fëmijët e ushtarakëve festojnë me bashkëmoshatarët e prekur nga tërmeti Read More »

“Shtëpive tona i mungon drita”/ Gratë e dënuara rrëfejnë historitë

Gruaja është drita e shtëpisë, shtëpive tona i mungon drita. Me këtë mesazh, tre nga femrat që vuajnë dënimin në burgun e grave në Tiranë kanë shprehur pendesë për veprën që kanë kryer. Ato kanë theksuar se kanë pritur me lot në sy, lot gëzimi, lajmin e amnistisë, por janë ankth për të zbuluar se kush do përfitojë

Yllka tha se “gruaja është drita e shtëpisë dhe shtëpive tona u mungon drita”.

“Unë jam Yllka, unë kam 8 vjet këtu e kjo që ka ndodhur këtë herë s’ka ndodhur më parë. Të gjitha kanë qarë nga gëzimi kur morëm vesh lajmin për amnistinë, të gjitha rrinë me zemrën e ngrirë kush do i bjerë fati të dalë. Gruaja është drita e shtëpisë, shtëpive tona i mungon drita”.

Redona e arrestuar për trafik të lëndëve narkotike thotë se është penduar për veprimin e bërë.

“Unë jam Redona 24 vjeçe, jam arrestuar para 3 vite e gjysëm në doganë pasi supozohej se isha duke trafikuar lëndë narkotike. Kam 3 vjet e gjysëm që vuaj dënimin e mund të them që jam penduar shumë, ishte gabim që unë bëra dhe mendoj se ishte më shumë mosha ime e vogël që më detyroi të bëj atë lloj gabimi.

Duke ardhur këtu e duke arritur të njoh e njerëz e histori të tjera kam arritur të kuptoj që gratë këtu s’duhen paragjykuar për asnjë vepër që kanë bërë se ka qenë një moment i gabuar ose për shkak të faktorëve ekonomikë dhe vështirësive familjare që kanë pasur. S’duhen gjykuar aq rëndë nga gjykata për veprime që kanë ndodhur për faktorë të ndryshëm”-, tha Redona.

“Doja t’ju kërkoja edhe që kur gratë plotësojnë afatet para kohe të tregoheshin pak më të lehta për gratë që janë nëna e bija e i mungojnë një familje, një shtëpi ka nevojë për një grua për të qëndruar shtëpi e fortë”-, tha Redona.

Një histori tjetër është ajo e Ermirës, nënë e tre fëmijëve dhe e divorcuar nga bashkëshorti.

“Unë jam Ermira, jam dënuar për trafik ndërkombëtar droge, të hashashit. Nuk jam krenare e më vjen shumë turp në radhë të parë nga vetja e fëmijët, kam 3 fëmijë, por isha e detyruar nga gjendja ekonomike, isha e ndarë me 3 fëmijë që i rrisja vetëm, me detyroi të bëj disa vepra që s’ndihem aspak krenare. Kam 5 jet që vuaj dënimin duke lënë 3 fëmijë vetëm që më presin dita me ditë. E kur më pyet ai i vogli mama kur do vish e nuk di përgjigjen është një ndjenjë që s’mund tua shpjegoj me fjalë. Të jesh këtu brenda është shumë e vështirë. Gjithçka mund të kalohet në jetë por kufizimi i lirisë duhet ta provojë dikush që ta kuptojë. Një nënë në burg do të thotë një familje e shkatërruar, sidomos për fëmijët që s’kanë një nënë pranë ti kontrollojë e ti mbledhë”-, tha ajo.

Kryeministri Edi Rama ishte sot së bashku me ministren Etilda Gjonaj në Burgun e Grave ku do të jepet amnistia për 56 gratë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar shqiptar, ku 28 do të lirohen menjëherë, ndërsa 28-të të tjera do përfitojnë ulje dënimi deri në 1/3-at. /atsh

“Shtëpive tona i mungon drita”/ Gratë e dënuara rrëfejnë historitë Read More »

Spiropali feston dhe shpërndan dhurata për fëmijët e prekur nga tërmeti

Në këto ditë festash, kur të gjithë gjenden pranë familjeve duke festuar, disa prej banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit janë duke i kaluar këto festa në ambientet e hoteleve ku janë akomoduar prej 1 muaji deri në ndërtimin e banesave të reja brenda vitit 2020, të cilat do të ngrihen përmes planit të rindërtimit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi kryetare e PS Tiranë, Elisa Spiropali, vizitoi familjet e prekura nga tërmeti, të akomoduar në hotel “Pishat e Buta”, të Golemit.

Spiropali kaloi disa momente të veçanta më ta, ku pas drekës së kaluar me fëmijët, kanë shijuar tok së bashku disa momente festive organizuar nga talentet e shkollës Gustav Mayer, e më pas bashkë me Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, Luneda Sufali kanë shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët.

Ministrja theksoi se viti 2020 do t’i gjejë këto familje me banesa të reja e të sigurta./atsh

Spiropali feston dhe shpërndan dhurata për fëmijët e prekur nga tërmeti Read More »