Aktualitet

Milva Ekonomi zgjidhet Kryetare e Komisionit të Ekonomisë

Deputetja socialiste Milva Ekonomi u zgjodh sot në postin e Kryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financat, duke zëvendësuar në këtë post ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Ndërsa në vend të Ekonomit si nën/kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është zgjedhur Mirela Kumbaro.

Kuvendi gjithashtu ka miratuar programin e punës së Kuvendit për periudhën 20 janar – 7 mars 2020.

Gjithashtu është miratuar kalendari 3- javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 20 janar -7 shkurt 2020./atsh

Milva Ekonomi zgjidhet Kryetare e Komisionit të Ekonomisë Read More »

Rezultatet në “PISA 2018”/ Shqiptarët i japin vlerë shkollës më shumë se vendet e rajonit

Sipas përfundimeve që demonstroi Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2018”, 87% e nxënësve shqiptarë “ndjejnë se i përkasin shkollës” – shifër kjo krahasimisht më e lartë se vendet e tjera të rajonit.

Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka publikuar disa të dhëna sipas gjetjeve të “PISA 2018” ku thuhet se 65% e nxënësve në Shqipëri presin të përfundojnë një diplomë shkencore, ndërkohë që 75% e nxënësve që janë ekselentë të paktën në një fushë të “PISA”, aspirojnë të përfundojnë “Master Shkencor” ose “Doktoraturë”.

MASR nënvizon gjithashtu se nxënësit me ndjenjë të lartë përkatësie ndaj shkollës janë mbi 1 vit shkollor më të avancuar sesa nxënësit me ndjenjë më të ulët përkatësie.

“Nga mënyra se si vlerësohet nxënësi në këtë lloj testimi përmes pikëve (60 pikë=2 vite shkollore), rezulton se nxënësit me ndjenjë më të lartë përkatësie ndaj shkollës, në lexim, matematikë dhe shkencë kanë marrë mbi 30 pikë më shumë sesa nxënësit që ndjenjën e përkatësisë ndaj shkollës e kanë më të ulët”, thekson MASR.

“Kjo do të thotë se në aplikimin e njohurive të marra, ata nxënës që “shkojnë me qejf” në shkollë janë mbi 1 vit shkollor më përpara. Fatmirësisht, 87% e nxënësve shqiptarë ndjejnë se i përkasin shkollës”, përfundon MASR./atsh

Rezultatet në “PISA 2018”/ Shqiptarët i japin vlerë shkollës më shumë se vendet e rajonit Read More »

Kontingjenti shqiptar në Letoni vazhdon kontributin në grup-batalionin e NATO-s

“Kontingjenti shqiptar në Letoni vazhdon kontributin në grup-batalionin e NATO-s, për sigurinë e aleatëve në verilindje të Aleancës”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndërsa publikoi foto të kontingjentit shqiptar në Letoni, i cili është angazhuar në grup-batalionin e NATO-s.

Kontingjenti shqiptar i Forcave të Armatosura mori detyrën në kampin “Adazi” në Letoni në 18 dhjetor 2019 dhe do të shërbejë atje për rreth 6 muaj si pjesë e grup-batalionit të NATO-s./atsh

Kontingjenti shqiptar në Letoni vazhdon kontributin në grup-batalionin e NATO-s Read More »

Të rinjtë njihen me të kaluarën komuniste përmes aktivitetit “Kujtojmë për të mos harruar”

Disa të rinj të shkollës “Harry Fultz” kanë zhvilluar sot një bashkëbisedim me Uran Kostreci, poet e shkrimtar, i dënuar me 20 vjet burg dhe 5 vite internim gjatë regjimit komunist.

Ky bashkëbisedim vjen në kuadër të projektit të Ministrisë së Kulturës, “Edukimi përmes Kulturës”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është shprehur se, “Edukimi përmes Kulturës, vijon me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”, nën titullin “Kujtojmë për të mos harruar”. Të rinjtë e shkollës “Harry Fultz” patën një bashkëbisedim me z.Uran Kostreci, poet e shkrimtar, i dënuar me 20 vjet burg dhe 5 vite internim gjatë regjimit komunist”.

Uran Kostreci Lindi më 1938, në Sarandë. Ai u arrestuar më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit”, dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg.

Kostreci kreu gjithsej 20 vjet në burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave” 2013.

Të rinjtë njihen me të kaluarën komuniste përmes aktivitetit “Kujtojmë për të mos harruar” Read More »

Inflacioni u rrit në 1,4% në fund të vitit 2019

INSTAT bën të ditur se, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në fund të vitit të kaluar rezultoi 1,4%, ndërsa mesatarja në BE ishte 1,6%.

Sipas INSTAT, rritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve, për dhjetorin dhe për gjithë vitin 2019 në përgjithësi, ka ardhur kryesisht nga grupi i ushqimeve. Për dhjetorin, ky grup kontribuoi me 1,2 %.

Ecuria e indeksit të harmonizuar vitin e kaluar ka qenë në linjë me indeksin kombëtar të çmimeve të konsumit, që përfaqëson edhe normën zyrtare të inflacionit. Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit./atsh

Inflacioni u rrit në 1,4% në fund të vitit 2019 Read More »

Rama citon Kuranin: Mos e godisni ndokënd pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë

“O ju që keni besuar nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju ka sjellë një lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e godisni ndokënd pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”, solli sot në vëmendje kryeministri Edi Rama fjalët e Kuranit të shenjtë.

Duke zgjedhur të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, kryeministri Rama citoi Kuranin përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

Duke cituar librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë prej muajsh apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit. /ATSH

Rama citon Kuranin: Mos e godisni ndokënd pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë Read More »

“675 mijë euro kundër integrimit të Shqipërisë”/ Fuga: Siç thotë Basha “kur e shkruan Bild është e vërtetë”

“Në 2019, Lulzim Basha tentoi të digjte Shqipërinë duke u justifikuar me artikujt e Bild. Por 2020 filloi me faktet e Bild që bien mbi Lulin dhe PD-në, të cilët paguan mbi gjysmë milionë euro kundër integrimit të Shqipërisë”, deklaroi drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.

Fuga iu referua artikujve të publikuar nga prestigjozet “Bild” dhe “Times”, në lidhje me lobimin e PD-së në SHBA.

“Jo për gjë, por siç thotë Lulzim Basha ‘kur e shkruan Bild është e vërtetë”. Dhe tani Bild thotë se Basha përdori 675 mijë euro kundër integrimit të Shqipërisë’”, tha Fuga.

Ai tha se “ndryshe nga Lulzim Basha që përdori artikullin e Bild për të tentuar rrëzimin me dhunë të qeverisë legjitime, PD do e rrëzonte me votë liderin që fle, po t’i jepej mundësia e zgjedhjes”. “Sidomos pas artikujve të Bild e Times që thanë haptas të vërtetën qe Luli tenton të fshehë”, shtoi Fuga./atsh

“675 mijë euro kundër integrimit të Shqipërisë”/ Fuga: Siç thotë Basha “kur e shkruan Bild është e vërtetë” Read More »

Meta vlerëson aktorin Petrit Malaj me titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e njohur Petrit Malaj, i cili ka interpretuar në mbi 20 filma artistikë, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij.

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në institucionin e kreut të shtetit, ku merrnin pjesë aktorë, regjisorë, profesorë e pedagogë të Universitetit të Arteve dhe personalitete të artit, Presidenti Meta i dorëzoi aktorit Malaj titullin me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe profesionalizmin në realizimin e shumë roleve artistike si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit; për kontributin e dhënë në organizimin dhe drejtimin e strukturave akademike të artit skenik”.

Duke i dorëzuar aktorit Malaj vlerësimin e lartë, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar dhe një pedagog me 35 vite eksperiencë pedagogjike në Universitetin e Arteve.

“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë e tij aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve. Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistik, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë. Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si: “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker” e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha”, – theksoi Meta.

Kreu i shtetit tha se “Malaj ka luajtur krah figurave më të mëdha të filmit shqiptar. Figura ikonike të ekranit dhe teatrit, të cilët janë krenaria e artit shqiptar si: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Ndrek Luca, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, e shumë artistë të tjerë dhe regjizorë të talentuar”.

“Interpretimi pranë këtyre figurave të skenës dhe filmit shqiptar, fillimisht si student i disave prej tyre, e më pas si profesionist, bëri që, me eksperiencën e tij të krijonte një profil të spikatur si aktor”, – nënvizoi Presidenti i Republikës.

Sipas tij, e larmishme sigurisht është edhe karriera e tij pranë institucionit të vetëm publik të arsimit të lartë artistik në Shqipëri, si udhëheqës artistik i teatrit të Akademisë së Arteve, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe Rektor i Universitetit të Arteve.

“Me krijimtarinë e tij, punën pedagogjike dhe drejtuese në Universitetin e Arteve, Petrit Malaj është pjesë e kontributit shumëvjeçar të brezave të shumtë të aktorëve, pedagogëve e studentëve për artin shqiptar. Shkolla e artit shqiptar ka patur dhe ka personalitete të spikatura e të shquara, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer për ta çuar atë në nivele të larta. Petrit Malaj është njëri prej tyre”-, tha Meta.

Presidenti Meta u shpreh se “nisur nga ajo çfarë Petrit Malaj na ka afruar me figurat e interpretuara në skenë dhe ekran, si dhe me punën e tij pedagogjike, ai ka krijuar një portret tejet të veçantë dhe interesant, i cili përherë ka ardhur tek ne duke promovuar energji pozitive e duke na dhënë sidomos në ekran, figura plot emocion”.

Meta i uroi aktorit Malaj suksese të mëtejshme në karrierën e tij artistike, i bindur se ai dhe brezi i artistëve të cilit i përket, janë shembull për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë ekranin dhe skenat shqiptare e ndërkombëtare./atsh

Meta vlerëson aktorin Petrit Malaj me titullin “Mjeshtër i Madh” Read More »