Aktualitet

Manastirliu: 10 qytetarë të prekur nga COVID-19, rezultojnë negativë në dy testet

10 qytetarë që ishin prekur nga COVID-19, tashmë kanë rezultuar negativë në dy testet e njëpasnjëshme.

Lajmin e ka ndarë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ka thënë se ata ndodhen në shtëpitë e tyre, ku do të vazhdojnë të jenë të vetizoluar për 14 ditë.

‘Lajm i mire. 10 qytetarë që ishin prekur nga COVID-19, tashmë kanë rezultuar negativë në dy testet e njëpasnjëshme. Të gjithë ndodhen në shtëpitë tyre, ku do të vazhdojnë të jenë të vetëizoluar për një periudhë 14 ditore. Faleminderit mjekëve për shërbimin”, -thotë Manastirliu.
Ajo i ka bërë apel qytetarëve që ndërsa jemi ende në fillimet e luftës, duhet të bëjmë durim.

‘ Një lutje për të gjithë qytetarët: Jemi ende në fillimet e kësaj lufte, prandaj durim.
Ju ndihmoni mjekët tanë duke zbatuar rigorozisht masat e higjenës dhe distancimit social.
Dhe ata, mjekët, infermierët, sanitarët, punonjësit e shërbimeve mbështetëse, do t’u shërbejnë me të gjithë forcën dhe profesionalizmin, atyre që do të kenë nevojë.
Kështu fitohet kjo luftë. Me durim dhe bashkëpunim’, -thotë ndër të tjera, Manastirliu. /atsh

Manastirliu: 10 qytetarë të prekur nga COVID-19, rezultojnë negativë në dy testet Read More »

Temperatura të ulëta dhe reshje dëbore/ ARRSH: Në të gjitha akset qarkullimi i mjeteve vijon normalisht

Vendi ynë u përfshi nga temperatura të ulëta në 24 orët e fundit, ndërsa reshje dëbore pati kryesisht në veri dhe juglindje, ku trashësia arriti në 20 cm.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa apeloi drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Në rajonin verior, sipas ARRSH-së, ka pasur reshje dëbore dhe është punuar në akset Kuben Vasije, Qafë Bualli-Krastë, Qafe Mali-Fierzë, Koplik-Bogë-Dedaj-Razëm, Qafë Çelë-Pukë, Qafë Dush-Peshkopi, në akset e Tropojës, në akset e Kukësit.

Në të gjitha këto segmente qarkullimi kryhet pa problem. Në Fushë-Bulqizë bora është shoqëruar edhe me erë të fortë.

Lëvizet me zinxhirë në Ura e Cerenecit-Stebleve dhe Trebisht-Doganë, ku trashësia e borës ka arritur në 20 cm.

Në rajonin jugor, vetëm në qarkun e Korçës ka pasur reshje bore, ku është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës, qarkullimi, njoftoi ARRSH-ja, kryhet pa problem.

“Mjetet edhe punëtorët e mirëmbajtjes janë në gatishmëri dhe kanë marrë masat e duhura edhe për ditët në vijim në rast përkeqësimi të motit”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së. /atsh

Temperatura të ulëta dhe reshje dëbore/ ARRSH: Në të gjitha akset qarkullimi i mjeteve vijon normalisht Read More »

Konfirmohen 12 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se në vend janë regjistruar 12 raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i të prekurve me COVID-19 të arrijë në 148.

Në njoftimin e publikuar nga ministria thuhet se rastet e reja janë konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit.

Ato janë regjistruar, në Shkup dhe Kumanovë.

Më parë raste me COVID-19 u regjistruan edhe në qytetet Dibër, Shtip, Kavadar, Ohër dhe Gostivar. /atsh

Konfirmohen 12 raste të reja me COVID-19 Read More »

Kryemadhi: Çelja e negociatave, lajm shprese për Shqipërinë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha sot se çelja e negociatave të Shqipërisë me BE është një lajm shprese.

Ajo tha se “çelja e negociatave në parim është një lajm shprese për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

“Tashmë puna duhet të vazhdojë me plotësimin e kushteve, paralelisht me punën për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë në këto kohë të vështira”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi: Çelja e negociatave, lajm shprese për Shqipërinë Read More »

“Shqipëria është Europë”/ Lleshaj: Sot një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari

“Sot është një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari”, tha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj lidhur me vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Ministri Lleshaj, në një njoftim të publikuar prej tij, thekson se ka zhvilluar një videokonferencë me disa nga ambasadorët e BE, duke folur për luftën ndaj krimit të organizuar.

“Gjatë një videokonference me ambasadorët e BE, SHBA, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Holandës, ku diskutuam për çështje të luftës kundër krimit të organizuar dhe për ecurinë e deritanishme të Operacionit Forca e Ligjit, pata kënaqësinë e madhe të pres edhe urimet e tyre për vendimin historik të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, njofton Lleshaj.

“Sot është një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari, shpresë, por më së shumti me përgjegjësi të reja. Shqipëria është Europë!” – nënvizon ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj./atsh

“Shqipëria është Europë”/ Lleshaj: Sot një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari Read More »

Me kontributin e secilit, Shqipëria do të dalë kryelartë nga lufta me COVID-19

Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se “se me kontributin e secilit Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë me COVID-19”.

Në një mesazh drejtuar shqiptarëve pas çeljes së negociatave, Rama tha se “nuk do të bënim festë, edhe sikur kjo ‘PO’ e shumëpritur dhe e plotësisht e merituar të na gjente në kohë paqeje”.

Rama tha se “sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht”.

“Sot unë jetoj çdo ditë për atë ditë, si një ditë e madhe çlirimi kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte, duke i ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjet e saj të mëdha, falë rezistencës sonë popullore! E dua atë ditë, si një ditë lotësh dhimbjeje për ata që nuk u mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra e mijëra jetëve, falë solidaritetit të madh kombëtar e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare! E dua atë ditë, si një ditë të madhe vetëdijeje kombëtare e qytetare për forcën e për mirësinë e shpirtit shqiptar, që po sprovohet rëndë në këtë luftë, e cila jam përditë e më i bindur, do të na forcojë e bëjë më të mirë si njerëz e si vend”, tha Rama.

Kryeministri u kërkoi shqiptarëve që të binden e të kenë besim e bëjnë durim. “Motra e vëllezër dhe le të shohim bashkërisht jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë, po edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë; dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj, pa dallim feje, krahine, ideje e statusi shoqëror; jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe, për sa kohë do të kemi frymë e nuk kemi se si jemi tjetër, përveçse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare, që sot, kur jemi të ndaluar të jetojmë siç jemi mësuar përditë, na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë e se sa kot qahemi në të përditshmen tonë”, tha ai.

Rama kërkoi që “ta shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e shkurtër dhe e çmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njëri-tjetrit, e se sa shumë kohë dhe energji na marrin kotësitë në jetën tonë të përditshme”.

Le ta shohim në këtë errësirë, vijoi ai, “se sa e çmuar është drita e familjes dhe jeta e përbashkët në shtëpitë tona, që aq pak e vlerësojmë si dhuratë te paçmueshme në të përditshmen tonë dhe aq shumë e marrim të mirëqenë duke harruar t’i gëzohemi e të kujdesemi pa pushim për ushqimin e saj me energji”.

“Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na ndihmon të shohim fare qartë se sa i madh mund të jetë durimi ynë, i shqiptarëve të paduruar, për të përballuar vështirësi të jashtëzakonshme; se sa i madh mund të jetë vullneti ynë, i shqiptarëve që nuk bëhen dot bashkë, për t’ia dalë në një qëllim të përbashkët; se sa e madhe është rezerva e energjive dhe solidaritetit tonë si njerëz e si popull i Shqipërisë, që medemek, nuk bëhet”, tha ai.

Kryeministri tha se ka marrë shumë përgëzime nga kolegë e miq të huaj për masat shtrënguese që kemi marrë, për shpejtësinë me të cilën kemi vepruar dhe për mënyrën se si po e zhvillojmë këtë luftë.

Kam shumë besim, tha Rama, “se me kontributin e secilit prej jush, Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë dhe respekti për këtë vend e për shtetin tonë do të rritet më tej”.

“Por kjo do të jetë thjesht rrjedhojë e qëllimit të luftës që ne po bëjmë e do të bëjmë përditë, jo për botën, po për veten, jo për BE-në po për Shqipërinë, jo për të fituar respektin e të huajve, po për të merituar në radhë të parë respektin e fëmijëve tanë për mënyrën se si e zhvilluam edhe këtë luftë”, tha Rama.

“M’i bëni hallall përsëritjet e vazhdueshme të apeleve të mia; m’i bëni hallall mesazhet e mia ku shpesh fjalët e mia kanë tone të forta; m’i bëni hallall kujtesat e mia të përsëritura pa pushim, për të këqijat e mëdha që na rrezikojnë nëse nuk jemi të kujdesshëm! Nuk dua t’ju mërzis, nuk dua t’ju lodh, nuk dua aspak t’ju frikësoj, por jam i detyruar të këmbëngul deri në bezdi me komunikime të shpeshta me ju, sepse dua t’jua përcjell sa më shumë shqetësimin e madh që kam për secilin prej jush, e për ju të gjithë! Më shumë se asnjëherë ju jeni familja ime dhe asgjë që do të bëja për familjen time në një hall të madh, nuk do ta lë kurrsesi pa bërë për ju”, tha Rama./atsh

Me kontributin e secilit, Shqipëria do të dalë kryelartë nga lufta me COVID-19 Read More »

“Fasoneritë dhe call center-at janë bombë me sahat”/ Basha: Pronarët dhe punëtorët mbështesin unanimisht mbylljen

Kryetari i Partisë Demokratike, deklaroi sot se ka një mendim krejt ndryshe për fasonët dhe call centers nga ajo që ka shprehur kryeministri sot.

“Nuk është thjesht mendim vetëm i imi, është mendimi i ekspertëve tanë, është mendimi i përfaqësuesve të këtyre degëve të ekonomisë. Gjatë gjithë ditës së sotme kam qenë në kontakt me përfaqësues të shoqatave të fasonerisë, me pronarë dhe administratorë të call centers, të cilët pas mesazhit tim të paradites, në mënyrë unanime pa asnjë përjashtim, e kanë mbështëtur dhe kanë përshëndetur kërkesën time”, tha Basha.

“Mendoj se kryeministri duhet t’i dëgjojë ata. Gjithashtu duhet të dëgjojë çdo propozim që vjen, qoftë nga opozita sepse qëllimi im, qëllimi i Partisë Demokratike, i opozitës nuk është as t’i bëjë hije, as t’i bëjë karshillëk kryeministrit, por të ndihmojë sa është e mundur përmes propozimeve konstruktive për marrjen e masave të domosdoshme në këtë gjendje lufte, siç e ka quajtur, në këtë gjendje të veshtirësisë së jashtëzakonshme për njerëzit dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë diskutim”, theksoi Basha.

E para, shtoi Basha, “këto biznese jane vatra të rrezikshme, të cilat zhvlerësojnë çdo përpjekje tjetër që bëhet për distancimin social, hedhin poshtë çdo përpjekje tjetër që bëhet nëpër shtëpitë duke i mbajtur të izoluar njerëzit, në qoftë se kryefamiljarët, kryefamiljaret në rastin e fasonerisë, i mbledhim në ambiente të mbyllura në një afërsi të tillë fizike me shumë pak mjete mbrojtëse, krejtësisht të pamenaxhueshme. Pra, është qartësisht një bombë me sahat”.

E dyta, theksoi ai, “nuk janë biznese jetike, në veçanti fasoneria, e cila e ka mbi 90% biznesin e lidhur me Italinë apo Francën, apo Spanjën, në komunikimin e përditshëm që kam operatorët ekonomikë në Shqipëri, ka më shumë se dy javë që kjo degë e ekonomisë si dhe degë të tjera kanë stapuar praktikisht. Sepse e tërë Italia është futur prej më shumë se një muaji në një situatë ndalimi të çdo aktiviteti jo esencial ekonomik, po kështu edhe vendet e tjera”.

Pra, tha ai, “nuk bëhet fjalë këtu për aktivitetet jetike për ekonominë. Aktivitetet jetike për ekonominë janë ato që mbështesin zinxhirin e përditshëm të furnizimit me mallra ushqimore, farmaceutike, ujin, energjinë”./atsh

“Fasoneritë dhe call center-at janë bombë me sahat”/ Basha: Pronarët dhe punëtorët mbështesin unanimisht mbylljen Read More »

Masat mund të jenë edhe më drastike, qytetarët nuk duhet të ankohen/ Meta: Pas dy ditësh thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se pas dy ditësh do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku do të ftojë edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

Në një intervistë televizive, Presidenti Meta nënvizoi se si pasojë e koronavirusit, duhet të ketë unitet dhe se nuk është koha për përfitime politike.

“Unitet përballë pandemisë ka qenë qasja ime që me fillimin e kësaj pandemie. Pas dy ditësh do të thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ku do t’i bëj ftesë edhe z. Basha që të shprehë aty disa nga pikëpamjet e tij dhe të njihet me masat që janë marrë nga qeveria. Qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Nuk është koha për të nxjerrë përfitime politike nga askush”, u shpreh Meta.

I pyetur për një tryezë të përbashkët me të gjithë aktorët politikë në vend për të dhënë një mesazh për qytetarët në këtë periudhë të vështirë si pasojë e pandemisë së koronavirusit, Meta tha se, këto mesazhe janë dhënë. “Angazhimi ka qenë maksimal i të gjithë aktorëve. Pa dyshim mund të jetë e nevojshme dhe do të ketë besoj edhe zhvillime të tilla në interes jo thjesht të dhënies së një mesazhi vizual, por për të bërë një vlerësim të situatës ku jemi dhe për të pasur një perspektivë më të qartë sipas të gjithë skenarëve qoftë pandemia, qoftë edhe situata ekonomike që ka pasojat e saj”, tha Meta.

I pyetur mbi masat e marra në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit COVID-19 në Shqipëri, Meta u shpreh se, “masat mund të jenë edhe më drastike në kuptimin e kufizimeve. Pra njerëzit nuk duhet të ankohen pse po merren këto masa, pasi këto masa po merren për të mirën e tyre. Po merren dhe në vende të tjera të botës. Nuk bëhet fjalë për kufizimin e tyre, por për të mos lejuar përhapjen e virusit”.

Meta kërkoi që “masat të jenë sa më efikase, në mënyrë që efektet e këtij izolimi të jenë maksimale”.

Meta u ndal edhe tek plani ekonomik i qeverisë dhe opozitës për zgjidhjes e kësaj situate. Meta tha se këto plane i shikon si një interes të përbashkët për të mbrojtur të gjithë qytetarët.

“Në radhë të parë është e rëndësishme që qeveria ka reaguar dhe së dyti është e rëndësishme që të detajohet ky plan dhe kjo gjë po bëhet. Ky është reagimi i parë në varësi të zhvillimit të mëtejshëm, pasi ka disa skenarë për të përballuar këtë pandemi”.

I pyetur se cili plan është më i mirë i opozitës apo i qeverisë, Meta tha se, “nuk është një pyetje për mua se unë nuk jam gjykatës, për mua është e rëndësishme që ka një ndjenjë angazhimi dhe nga opozita dhe ka kërkuar masa. Por dhe qeveria disa nga propozimet e opozitës i ka marrë në konsideratë. Unë shikoj një interes të përbashkët për të mbrojtur të gjithë qytetarët”.

Meta tha se ka pasur komunikim me qeverinë për të gjithë hapat e ndërmarrë për frenimin e përhapjes së COVID-19.

“Rëndësi ka që qeveria doli me një plan masash për ekonominë. Edhe opozita është treguar e përgjegjshme. Qeveria ka implementuar disa propozime të opozitës. Unë shoh se po punohet për një interes të përbashkët”, tha Meta.

Presidenti foli edhe për takimin që pati sot me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.

“Është një takim normal në kuadër të takimeve të vazhdueshme që bëjmë. Ndihma e tyre nuk na ka munguar, në çdo kohë. Biseduam edhe për koronavirusin. Është momenti që të ndihmojmë më shumë veten”, tha Meta.

Meta tha se Shqipëria i ka përgjegjësitë dhe kapacitetet për të përballuar koronavirusin.

“Shqipëria i ka përgjegjësitë dhe kapacitetet për të përballuar koronavirusin. Të bëhen më shumë testime, për kontaktet e të konfirmuarve pozitiv. Të mos nënvlerësohet”, tha Meta.

Meta u ndal edhe tek shtetasit shqiptarë që kanë mbetur jashtë territorit.

Meta tha se shqiptarët duhet të presin një moment më të favorshëm për t’u kthyer në Shqipëri.

“Të rrinë në kontakt me ambasadat në çdo moment. Ne do të gjejmë momentin e duhur për të bërë një organizim që ato të kthehen. Ambasada në Romë për shembull ka bërë një punë shumë të mirë”, tha Meta.

I pyetur në lidhje me debatin mes Presidentit dhe mazhorancës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Meta tha se, “nuk ka pasur asnjëherë debat të Presidentit me askënd për Gjykatën Kushtetuese, sepse Presidenti ka zbatuar pikë për pikë Kushtetutën për këtë gjë”.

Në lidhje me shtyrjen për në qershor të vendimit të Komisonit të Venecias, Meta tha se, “nuk kam arsye të flas për këtë çështje. Është e qartë që Kushtetuën e Republikës së Shqipërisë dhe sidomos pjesën e Gjykatës Kushtetuese e ka shkruajtur vetë Komisioni i Venecias dhe presidenti ka zbatuar atë që ka shkruar gërmë për gërmë Komisioni i Venecias”.

Meta nënvizoi se, “edhe për situatën aktuale Kushtetuta i ka parashikuar të gjithë mënyrat sesi duhet menaxhuar në interes të popullit shqiptar”.

Presidenti Meta foli edhe për karantinën e tij, pasi rezultoi negativ në një test që iu bë për koronavirusin, duke qenë se një person në palestrën që frekuentonte presidenti rezultoi pozitiv me COVID-19.

‘Këto ditë i kam kaluar mes zyrës dhe banesës që po jetoj këto ditë. Pak në zyrë dhe pak në banesë. Kam reduktuar sa më shumë kontaktet. Nuk ka më dhënie dore, dhe për këtë m’u desh kohë ta pranoja. Fëmijët janë këtu. Po qëndrojnë në karantinë. Po bëjnë studimet online. Nuk ka shumë përkëdhelje dhe ata e kanë mirëkuptuar këtë, tha Meta.

I pyetur për testin që bëri, Meta tha se, “jam shumë i lumtur që e bëra testin për koronavirus. Mora një informacion që kisha qenë në palestër, ku një frekuentues kishte rezultuar pozitiv. Prandaj e bëra testin për koronavirusin”.

I pyetur nëse kishte ndonjë shqetësim, Meta tha se, “kisha vetëm një shqetësim. Dy ditë më parë kisha takuar ministren e Shëndetësisë dhe taskforcën, pasi u kisha dhënë dorën”.

I pyetur nëse duhen kryer më shumë teste Meta tha se, “patjetër që duhen të bëhen me shumë, sidomos ata që dyshojnë”./atsh

Masat mund të jenë edhe më drastike, qytetarët nuk duhet të ankohen/ Meta: Pas dy ditësh thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare Read More »