Aktualitet

Ministria e Shëndetësisë: 333 të infektuar me COVID-19, 29 raste të reja në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përditësuar shifrat e të prekurve nga infeksioni COVID-19, ku të shtunën e 4 prillit raportohen 333 të infektuar, prej të cilave brenda 24 orëve janë evidentuar 29 raste të reja.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, tha në komunikimin për mediet se “në 24 orët e fundit janë testuar 216 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 29 raste të reja me COVID-19”.

“Deri në këto momente janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç”, – tha Dervishi.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Has, Lushnjë, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 157 raste
– Durrës 33 raste
– Lushnjë 5 raste
– Elbasan 9 raste
– Fier 25 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 31 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 1 rast
– Has 9 raste
– Krujë 5 raste
– Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./atsh

https://web.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2690306214582550/?t=0

Ministria e Shëndetësisë: 333 të infektuar me COVID-19, 29 raste të reja në 24 orët e fundit Read More »

COVID-19/ 71 të shtruar në 2 spitale, 6 në terapi intensive 3 të intubuar

Në shërbimin Infektiv në Tiranë aktualisht janë 66 të shtruar, të konfirmuar me COVID-19, 6 prej të cilëve janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, tha në komunikimin për mediet se “pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”.

“Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar”, – shtoi Dervishi.

Sipas saj, në dy spitalet COVID-19, aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë.

Deri në këto momente në vendin tonë janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social./atsh

COVID-19/ 71 të shtruar në 2 spitale, 6 në terapi intensive 3 të intubuar Read More »

Muzikë nga shtëpia: “Me dashurinë për njerëzit tanë të mirë”

Edhe kjo fundjavë, si edhe ato të shkuarat do të jenë fundjavë izolimi, për të pamundësuar përhapjen e koronavirusit. Qytetarë shqiptarë do të mbyllen përsëri në shtëpitë e tyre, siç e tha edhe dje prof. Silva Bino në mbledhjen online të Komitetit Teknik të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i ngritur për parandalimin e përhapjes të epidemisë së koronavirusit, jo në “distancim social, por fizik”, pasi humanizmi i shqiptarëve nuk mungon as në këtë situatë.

Janë vëllezërit tanë nga Kosova, edhe ata në të njëjtën luftë me koronavirusin, që përmes një videopërshëndetjeje na japin kurajo e besim, se nuk ka virus që na ndan.

“Sot jemi të detyruar të mbyllemi në shtëpitë tona, – shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, – jo vetëm për të mbrojtur veten, por dhe për të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët, vendit tonë. Nga vëllezërit e Kosovës na vjen kjo përshëndetje, si një himn për jetën, “me dashurinë për njerëzit tanë të mirë”!”/atsh

https://web.facebook.com/MargaritiElva/videos/3097143680337006/?t=0

Muzikë nga shtëpia: “Me dashurinë për njerëzit tanë të mirë” Read More »

Shërimi i profesor Dhimitër Krajës, Meta: Një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e cilësoi sot si një lajm të mirë që na gëzon të gjithëve shërimin e Profesor Dhimitër Krajës

Duke i uruar shërim të shpejtë edhe të gjithë të prekurve nga pandemia COVID-19, Meta vuri theksin edhe njëherë në rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.

“Shërimi i Profesor Dhimitër Krajës është një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve! Duke i uruar shërim të shpejtë edhe të gjithë të prekurve nga pandemia COVID-19, theksoj edhe njëherë rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari. Mjekët janë heronj”, tha Meta./atsh

Shërimi i profesor Dhimitër Krajës, Meta: Një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve Read More »

Mosrespektimi i distancimit social në tregje/ Nga e hëna, do të shkohet deri në heqje lirie për këdo që shkel rregullat

“Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve, ndërsa Policia e Shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke ndarë foto të tregjeve të tejmbushura nga njerëzit në Tiranë.

Në kushtet kur nuk respektohet asnjë masë e distancimit social në tregje, Rama tha se “përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë”.

“Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për t’u lëshuar me idenë se s’na gjen gjë, atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë”, tha Rama.

Sipas tij, “masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie”.

Rama tha se “Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës”. “Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar”, tha Kryeministri.//atsh

Mosrespektimi i distancimit social në tregje/ Nga e hëna, do të shkohet deri në heqje lirie për këdo që shkel rregullat Read More »

Profesor Xhaxho i prekur nga COVID-19/ Shehu: Dhe nga shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontribut

Profesor Roland Xhaxho është një tjetër mjek i prekur nga COVID-19, i cili është shtruar sot në repartin infektiv.

Ish-deputeti i PD dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i ka uruar shërim të shpejtë profesor Xhaxhos.

“I dashur Landi të urojmë shërim të shpejtë! Kolegu, miku i ngushtë, reanimatori i talentuar, novator i veccantë e pedagogu njerëzor Prof. Roland Xhaxho, është shtruar sot në repartin infektiv i prekur nga ky virus”, ka shprehur Xhaxho.

“Mbasi ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe person kryesor në përshtatjen e shërbimeve të reanimacionit për përballjen me këtë epidemi, siç duket do t’i duhet të “pushojë” disa ditë, tashmë si pacient i përkohshëm”, ka thënë Shehu.

“Megjithëse jam i bindur se dhe nga dhoma apo shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontributin e tij të çmuar me dijet, energjitë e optimizmin e përhershëm. Shërim të shpejtë aty midis kolegësh”, ka theksuar Shehu./atsh

Profesor Xhaxho i prekur nga COVID-19/ Shehu: Dhe nga shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontribut Read More »

“Honxhobonxhot synojnë të nxisin mllef e përçarje”, Rama: Gjermania dhe Franca vepruan si ne për qiratë

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me aktin normativ të hyrë sot në fuqi për shtyrjen e detyrimeve të qirasë për disa kategori, për dy muaj, duke iu përgjigjur opozitës se edhe Gjermania dhe Franca kanë bërë të njëjtën gjë si Shqipëria në kohën e përhapjes së pandemisë.

“Honxhobonxhoja është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendim përballë faktit, po nuk ndryshon as argument”, thotë një fjalë e mençur. Dhe meqë këta honxhobonxhot opopopozitarë vazhdojnë merren me qeverinë, sepse duan të vrasin me një gur dy zogj, duke synuar nga një anë të nxisin mllef e përçarje mes popullit e qeverisë që po luftojnë së bashku, e nga ana tjetër shkatërrimin e arkës së shtetit për të nxitur rrëmuja më pas si në 97-ën, ja se kush tjetër ka bërë fiks të njëjtën gjë për qiratë”, – nënvizoi Rama.

“Gjermania – mospërmbushja e detyrimit kontraktor të pagimit të qirasë që rrjedh nga një kontratë e qirasë, nuk përbën shkak për qiradhënësin të zgjidhë kontratën. Pamundësia e përmbushjes së detyrimit të pagesës së qirasë për periudhën 1 prill 2020 – 30 qershor 2020 lidhet me gjendjen e shkaktuar nga COVID-19. Ky parashikim nuk mund të interpretohet në dëm të pronarit”, citoi Kryeministri.

“Franca – nuk mund të ndëshkohen me penalitete financiare, kamatëvonesa, dëmshpërblime, zbatimin e klauzolës së përfundimit të kontratës, apo zbatimin e çdo klauzole penale apo që aktivizon garancitë, për shkak të mospagimit të qirasë ose të tarifave të qirasë, lidhur me ambientet profesionale dhe tregtare, pavarësisht nga dispozitat kontraktuale dhe atyre të përcaktuara nga kodi tregtar. Kjo dispozitë zbatohet mbi qiratë, pagesa e të cilave duhej bërë nga 12 marsi 2020 deri në një afat prej 2 muajsh nga data e përfundimit të gjendjes së urgjencës shëndetësore”, ishte rasti i Francës.

“E pra balona tabake që ne quajmë gabimisht opozitë, ta harrojë se i bën dot Shqipërisë atë që as armiku i padukshëm nuk ka për t’ia bërë dot, sepse koha kur ky vend u katandis në balonë tauke nga këta honxhobonxho ka vdekur dhe nuk kthehet më”, – shprehet Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të informojë “për aktet zbatuese të aktit normativ mbi qiratë dhe njerëzit më në hall do të shohin edhe më qartë, se unë dhe kjo qeveri, jemi me ta dhe për ta deri në fund”.//atsh

“Honxhobonxhot synojnë të nxisin mllef e përçarje”, Rama: Gjermania dhe Franca vepruan si ne për qiratë Read More »

Basha: Qeveria të rialokojë buxhetin dhe të shtojë fondet e emergjencës

“Qeveria të anulojë menjëherë koncesionet, të rialokojë buxhetin dhe të shtojë pa vonesë fondet e emergjencës në ndihmë të shëndetit dhe njerëzve dhe bizneseve në nevojë”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve, kemi kërkuar që qeveria të subvencionojë qiratë dhe pagesat e qytetarëve dhe bizneseve në nevojë, ashtu si kanë bërë shumë vende duke nisur me Kosovën. Boll me fyerje dhe sulme ordinere: ato nuk i mbushin xhepat dhe tryezat bosh të shqiptarëve”, tha Basha.

“Fyerjet dhe sharjet ndaj opozitës tregojnë se kryeministri nervoz nuk ka as ide dhe as plan masash për emergjencën. Çfarë thotë në drekë, e ndryshon në darkë! Ai sot po tregon se nuk ka hallin e shqiptarëve, por ka vetëm merakun e oligarkëve”, u shpreh Basha.

“Qeveria të anulojë menjëherë koncesionet, të rialokojë buxhetin dhe të shtojë pa vonesë fondet e emergjencës në ndihmë të shëndetit dhe njerëzve dhe bizneseve në nevojë. Koha nuk pret”, shtoi Basha./atsh

Basha: Qeveria të rialokojë buxhetin dhe të shtojë fondet e emergjencës Read More »