Aktualitet

OBSH përgëzon Shqipërinë për pjesëmarrjen në Studimin klinik të Solidaritetit

Organizata Botërore e Shëndetësisë përgëzoi sot Shqipërinë për pjesëmarrjen në Studimin klinik të Solidaritetit.

OBSH në Shqipëri thekson se, mbi 100 vende në botë janë duke punuar së bashku përmes këtij studimi, për të gjetur mjekimet e efektshme në kohën më të shpejtë të mundshme.

Studimi përfshin pacientët në moshë të rritur me COVID-19, të hospitalizuar. Pacientët adultë, të cilët marrin trajtimin spitalor standard, do të marrin gjithashtu medikamente që po studiohen për veprimin e tyre ndaj koronavirusit të ri dhe sëmundjes së shkaktuar prej tij.

Në Shqipëri do të zbatohet i njëjti protokoll standard, sikurse edhe në vendet tjera. Çdo pacient jep pëlqimin e tij nëse dëshiron të marrë edhe medikamentet në studim apo jo. Ekipi mjekësor i trajnuar vlerëson gjendjen e çdo pacienti për sëmundjet bashkëshoqëruese dhe kundërindikimet.

OBSH thekson se, përmes Studimit klinik të Solidaritetit, do të studiohen medikamentet: chloroquine ose hydroxychloroquine; lopinavir dhe ritonavir; lopinavir/ritonavir plus interferon beta,dhe remdesivir.

Medikamente të tjera mund të shtohen në studim sipas të dhënave kërkimore. Studimi monitorohet nga Komiteti për të dhënat globale dhe monitorimin e sigurisë, i përbërë nga një grup ekspertësh të pavarur./atsh

OBSH përgëzon Shqipërinë për pjesëmarrjen në Studimin klinik të Solidaritetit Read More »

Bizneset që hapen nesër aktivitet nga 05:00-17:30, vetëm duke zbatuar protokollet e sigurisë

Bizneset që hapen nesër, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre nga ora 05:00-17:30 vetëm duke zbatuar protokollet e sigurisë në punë, për mbrojtjen e qytetarëve dhe punonjësve, është shprehur sot Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Manastirliu, ka publikuar sot listën e bizneseve që hapen nesër nga ora 05:00- 17:30.

“Dyqanet e veshjeve, tekstileve, këpucëve dhe artikujve prej lëkure. Dyqanet që tregotjnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë. Dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre. Dyqantet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit. Shërbimi taxi”, thuhet në listën e nxjerrë nga Manastirliu.

“Ndërkohë lista e plotë e bizneseve që hapen gjendet e plotë në portalin E-Albania”, ka theksuar Manastirliu./atsh

Bizneset që hapen nesër aktivitet nga 05:00-17:30, vetëm duke zbatuar protokollet e sigurisë Read More »

Bardhi: Qeveria ka dhënë ndihma për më pak se 10 mijë familje

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se, qeveria ka dhënë ndihma për më pak se 10 mijë familje për situatën e krijuar prej pandemisë.

“Rreth orës 21.00 të çdo mbrëmjeje, qytetarët shqiptarë ushqehen me një gënjeshtër të re nga Edi Rama. Përmes regjimit të facebook-ut, ai njofton se qeveria ka furnizuar me ndihma rreth 10 mijë familje në ditë, 250 mijë familje gjithsej që nga mbyllja e ekonomisë. Kjo është një nga talljet e tij të zakonshme me shqiptarët që po vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të krizës”, u shpreh Bardhi.

“E vërteta është shumë larg asaj që propagandon Edi Rama çdo mbrëmje. Megjithëse numri i atyre që kanë mbetur pa punë, i atyre që kanë më pak të ardhura ose që nuk kanë fare të ardhura është rritur ndjeshëm, qeveria ka shpërndarë më pak 10 mijë pako ushqimore për 50 ditë. Më saktë, 9 059 pako ushqimore nga Rezervat e Shtetit, siç tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen Civile”, shtoi Bardhi.

Kjo, nënvizoi Bardhi, “do të thotë se qeveria ka furnizuar me ushqime, mesatarisht, 3 familje në ditë për çdo bashki të vendit”./atsh

Bardhi: Qeveria ka dhënë ndihma për më pak se 10 mijë familje Read More »

Ndërron jetë 60-vjeçari në spitalin “Shefqet Ndroqi”, vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 60-vjeçar në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi, i konfirmuar me COVID-19.

60-vjeçari R.K nga Tirana ishte i shtruar në reanimacion prej dy javës në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Pacienti vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (Diabet Melitus, Kardiopatia Hipertensive, Nefropatia Diabetike, Obezitet).

Pavarësisht trajtimit të bërë nga stafi mjekësor, asistencës të ventilimit mekanik të respiracionit dhe mjekimit intensiv, 60-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe bën thirrje të gjithë qytetarëve të vazhdojnë të respektojnë rregullat e vendosura.

Deri tani 28 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19, pavarësisht punës së madhe të stafeve mjekësore të spitaleve COVID./atsh

Ndërron jetë 60-vjeçari në spitalin “Shefqet Ndroqi”, vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese Read More »

Rama u përgjigjet akuzave të PD-së: Nuk ka tendera sekretë, as kontrata sekrete

Kryeministri Edi Rama i dha sot përgjigje të gjitha akuzave të bëra deri më tani nga opozita për menaxhimin e situatës së COVID-19

Përmes një videomontazhi, Rama komentoi akuzat e opozitës duke i vendosur përballë fakte dhe dokumente reale që vërtetojnë të kundërtën e akuzave.

Ai iu përgjigj të gjitha akuzave duke filluar që nga tenderat sekretë, tenderat për veshjen e mjekëve, blerjen e kiteve etj.

“Mirëmëngjes nga unë, Luli dhe shokët e tij”, shkruan Rama, ndërsa ndan videon që i përgjigjet akuzave të opozitës.

Rama tha se “nuk ka tendera sekretë, as kontrata sekrete. Procedurat e tenderimit të përdorura për COVID-19 janë procedura të miratuara ligjore, për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit. Po të ishin sekrete, nuk do ishin publike”.

Lidhur me akuzën e PD-së se maskat mbrojtëse FFP2 qeveria i ka blerë me një shifër prej 6.5 euro, Rama tha se “maskat mbrojtëse FFP2 janë blerë me 4.14 euro”.

Sa i takon akuzës tjetër të PD-së se veshjet u blenë 28 euro një copë ose me trefishin e çmimit, Kryeministri u shpreh se: “qeveria bleu veshje mbrojtëse që quhen Tyvek, me një çmim 14.6 euro për të mbrojtur mjekët dhe infermierët në të gjithë Shqipërinë”.

Një tjetër akuzë e opozitës është se maskat me të cilat qeveria ka pajisur mjekët e infermierët në spitalin Infektiv kanë skaduar që në 2014.

Rama tha se “data e skadencës së maskave është 31/03/2023″, ndërsa paraqiti edhe dokumentin përkatës”.

Akuza tjetër e artikuluar nga opozita është se mbrojtëset për sytë njëpërdorimshme, çmimi i blerjes nga qeveria është 6 euro, më shumë se sa dyfishi.

Rama tha se “qeveria bleu mbrojtëse për sytë me çmim 4.4 euro/ copa”.

Opozita akuzon po ashtu se qeveria ka blerë kite për testimin e qytetarëve me 4-fishin e tregut, 21 mijë lekë të vjetra.

“Referenca doganore për kitin TR-PCR COVID-19, i përbërë nga një sërë kitesh për ekstraktim automatik kalibrues diagnostikues është 6.100 lekë/kiti, jo 21 mijë lekë”, tha Rama.

Akuzës së kreut të PD-së se stafi mjekësor nuk ka pajisjet minimale, Rama zgjodhi t’i përgjigjej me pamje reale nga ambientet spitalore.

Lidhur me pyetjen e PD-së nëse kompania e kontraktuar për shpërndarjen e ushqimeve nga qeveria ka eksperiencë të nevojshme në fushën e tregtimit të ushqimeve, Rama u shpreh se: “Kompania fituese për shpërndarjen e ushqimeve për familjet në nevojë është pjesë e një grupi të madh të mirënjohur biznesi të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që operon prej vitesh në fushën e tregtisë së ushqimeve. Kontrata u lidh jo me 1.5 milionë euro, por për vetëm 830 000 euro”.

Po ashtu, Kryeministri iu përgjigje edhe akuzës së Bashës se nuk është marrë asnjë masë që qytetarët të mbështeten financiarisht, duke sjellë në vëmendje dy paketat financiare të miratuara nga qeveria.

“Paketa e parë: Përfituan dyfishin e ndihmës ekonomike për tre muaj 63.510 familje. Përfituan pagë lufte sa paga minimale për 3 muaj 53.842 punonjës në biznesin e vogël. Pagesat vazhdojnë”, tha Rama.

Ndërsa nga paketa e zgjeruar, ai tha se përfitojnë një pagë 40 mijë lekë 176 mijë punonjës, 100 mijë në biznesin e vogël, 66 mijë në biznesin e madh, 10 mijë në sektorin e turizmit. Janë paguar 49 129 punonjës. Pagesat vazhdojnë./atsh

Rama u përgjigjet akuzave të PD-së: Nuk ka tendera sekretë, as kontrata sekrete Read More »

Elvis Naçi: Zoti na merr shpirtin çdo natë dhe na e kthen kur zgjohemi

Elvis Naçi është kthyer në një pesonazh shumë të famshëm në Shqipëri, për shkak të emisionit të bamirësisë që drejton, videove në rrjetet sociale ku predikon dhe blerjes së spitalit “Continental”.

Në një prej videove të ndjekura nga qindra mijëra persona, Naçi shpjegon se çfarë na ndodh kur flemë.

“Shpirtrat tanë shkojnë tek krijuesi çdo natë. Sunduesi i botërave merr shpirtrat çdo natë, disa i mban dhe disa i kthen përsëri”.

Në këtë video të prodhuar nga Elvis Naçi, shpjegohet se si njerëzit kanë nevojë të flenë “sepse shpirti nuk duron dot gjatë” dhe përndryshe “çmendet”.
Një nga pyetjet më epike i ka ardhur Naçit, prej një komentuesi, i cili pyet se çfarë ndodh me njerëzit që zgjohen shpesh natën dhe si e shpjegon imami këte?!
Një tjetër pyetje, që ndoshta kërkon shpjegim në një video të ardhshme, lidhet me përdorimin e alarmave, për t’u zgjuar. Mos vallë ka një koordinim të alarmit të telefonit me vetë Zotin, që e kthen shpirtin fiks kur bie alarmi?!

Gjithsesi, për ta vlerësuar vetë, pa ngarkesa të kota, këtë pikëpamje të Naçit, ndiqni videon e cila është kthyer në virale në rrjet.

Elvis Naçi: Zoti na merr shpirtin çdo natë dhe na e kthen kur zgjohemi Read More »

E ndalon policia për thyerjen e karantinës, gjejnë në bagazh një…

Mbante një kalë të vogël të races ”Pony”në pjesën e pasme të makinës, një Fiat Doblò, dhe gjobitet nga policia për shkelje të dispozitave të mirëqenies së kafshëve.

Në fakt, automjeti i përdorur nuk përputhej me kërkesat ligjore. Agjentët e përfshirë në kontroll që synonin të parandalonin përhapjen e COVID-19, gjatë kontrollit të dokumenteve, dëgjuan zhurmë që vinin nga pjesa e pasme e automjetit dhe, për habinë e tyre, gjetën një kalë të vogël të lidhur.

Shoferi deklaroi se e kishte blerë kafshën, dhe se po e transportonte atë për në shtëpi. Ai u dërgua në rajonin e policisë për të vizituar kafshën nga një veteriner dhe më pas ajo iu besua një stalle që përmbushte kërkesat ligjore.

Në këtë periudhë të karakterizuar nga kufizimet e vendosura nga rregullat e kontrollit të COVID-19, transporti i kafshëve lejohet vetëm për ata të destinuar për veprimtari riprodhuese dhe zooteknike dhe për arsye që lidhen me shëndetin dhe mirëqenien e tyre. /atsh

E ndalon policia për thyerjen e karantinës, gjejnë në bagazh një… Read More »

Meta: Ndryshimet në Kodin Penal janë të standardeve më të mira europiane

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se ndryshimet në Kodin Penal janë të standardeve më të mira europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në fushën e shëndetit publik.

Në një intervistë në një nga mediet në vend, Meta tha se ndryshimet janë edhe më të kujdesshme se sa i ka edhe vetë Danimarka, i cili është vendi kampion i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në kontinent dhe që është vendi i parë që ka shpikur edhe termin e Ombudsmanit apo të Avokatit të Popullit që në vitin 1241.

Sipas Metës, Kodi Penal kishte një boshllëk të qartë në legjislacion, dhe në rast se nuk do të miratoheshin këto ndryshime, pra jo vetëm do të kishim një boshllëk në Kodin Penal, por e gjithë sjellja do të kishte mundësi të ishte abuzive në raport me qytetarët.

“Unë nuk besoj se një qytetar i Shqipërisë është kundër, që një person i cili është diagnostifikuar nga autoritetet shëndetësore me një sëmundje të rrezikshme apo me një sëmundje ngjitëse, është i paralajmëruar nga ato në mënyrë zyrtare dhe me dashje rrezikon jetën e të tjerëve e sjell si pasojë vdekjen e tyre, gje që provohet padyshim, të mos ketë një dënim”, tha Meta.

Sipas tij, proporcionaliteti dhe siguria juridike janë tërësisht të garantuara.

“Përshkallëzimi nga masat administrative te sanksionet penale, te gjoba apo te dënimi qoftë edhe me burg janë edhe më të kujdesshme se sa vetë legjislacioni për këtë çështje i Danimarkës”, u shpreh Meta.

I pyetur mbi shtyrjen e afatit të gejndjes së fatkeqësisë natyrore, Presidenti tha se “Në vlerësimin tim një shtyrje e re 30 ditore do të ishte më e logjikshme më e arsyeshme”. Por gjithsesi, kreu i shtetit tha se e rëndësishme është të ndërtohet tashmë një rrugë më e qartë drejt rikthimit në normalitet dhe përshtatjes me këtë situateë, pasi është e qartë se kjo do të kërkojë kohën e saj.

Lidhur me efektet e infeksionit COVID-19 në disa sektorë të ekonomisë, Meta tha se duhet të përshtatemi për të rimarrë veten e funksionuar në kushtet e reja.

“Është situatë e vështirë e paparashikueshme, por në javët që vijnë do të ketë përgjigje më të qarta. E rëndësishme është të mos humbasim përqëndrimin nga rritja e testimeve, gjurmueshmëria e rasteve dhe izolimi i vatrave, sepse këto do të na krijojnë mundësinë që gradualisht të kthehemi drejt një normaliteti të ri, sepse ai normalitet që u ndamë dy muaj më parë do të na kërkojë kohë të gjatë“, tha Meta./atsh

Meta: Ndryshimet në Kodin Penal janë të standardeve më të mira europiane Read More »