Aktualitet

Përballja me COVID-19, Hajdari përgëzon ministren e Shëndetësisë: Keni bërë punë shumë të mirë

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari përshëndeti sot punën e bërë nga mMinistrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Unë po hedh hapin e parë. Zonja ministre e Shëndetësisë ishit e vetmja sot që vërtet dhatë një fjalë që ishte për t’u duartrokitur dhe për t’ju thënë që keni bërë një punë shumë të mirë. Unë si nënë, si grua, si përfaqësuese e këtij parlamenti, dua t’ju uroj për punën që keni bërë”, tha Hajdari në fjalën e saj në seancën plenare në Kuvend.

Hajdari u shpreh se, “se në parlament mungon solidariteti, humanizmi, një lloj politike ndryshe në këtë vend”.

“Ky ka qenë viti më sfidues për shqiptarët. Ky ka qenë viti më i vështirë në 20 vitet e fundit. Shqiptarët u përballën me 2 tërmete, humbjen e jetëve më shumë se në 20 vitet e fundit. Shqiptarët ndihen sot më të varfër sesa kurrë. Dhe ne sot në këtë sallë jemi kaq egoistë, kaq të pandrojtur për të folur kundër njëri-tjetrit”, theksoi Hajdari.

“Kur do t’i themi shqiptarëve që kjo sallë do përdoret vetëm për shëndetin, ekonominë, politikat që ndihmojnë jetën e tyre. Shqiptarët kanë nevojë për mbështetje për ndihmë. Ne nuk dimë t’ua japim”, tha Hajdari.

Hajdari u shpreh se “ato që po bën qeveria nuk janë të mjaftueshme, përkundrazi. Unë dëgjova z. Ahmetaj i cili gënjeu drejtpërdrejt, sepse Kosova është vendi që na ka lënë neve pas, sesi po e menaxhon sidomos gjendjen ekonomike. Kosova, vend më i vogël se ne po arrin t’i shërbejë popullit të vet më mirë se ne”.

Hajdari tha se, “mënyra sesi po izolohet çdo informacion që ka zero transparencë në ekzekutiv në mënyrën që bëhet sot çdo masë që vjen nga ekzekutivi është pa asnjë lloj transparence. Të vjen keq të vjen për të qarë, të vjen për të ulëritur. Kemi një ekzekutiv, i cili vetëm po mundohet të abuzojë me gjendjen aktuale. Abuzon sot të jeni të sigurt që do i përgjigjet popullit ditën e zgjedhjeve”./atsh

Përballja me COVID-19, Hajdari përgëzon ministren e Shëndetësisë: Keni bërë punë shumë të mirë Read More »

Pipero: Epidemia në vendin tonë e mirëmenaxhuar, do kemi një verë të shëndetshme

Mjeku infeksionist, prof. Pëllumb Pipero, që vijon të jetë në vijën e parë të “zjarrit” në luftën kundër COVID-19, në Spitalin Infektiv të QSUT-së, në Tiranë deklaroi sot se numri i pacientëve që shërohen po shtohet çdo ditë.

Gjatë një interviste televizive, Pipero u shpreh se “sinqerisht dua të ndaj lajme të mira”, pasi sipas tij, edhe numri i rasteve i të shtruarve në spital ka ardhur ndjeshëm duke u ulur sikurse edhe numri i rasteve që janë më të rënda është më i reduktuar”.

“Natyrisht, media preferon më shumë lajmin dhe preferon të tregojë rastet e reja pozitive që dalin çdo ditë diku më shumë e diku më pak, por këto raste janë asimptomatikë dhe nuk janë tregues real i ecurisë së epidemisë në vendin tonë. Ato janë thjesht tregues epidemiologjik që do t’i shërbejnë më vonë studimeve epidemiologjike për të shikuar sa dhe si na preku koronavirusi”, u shpreh Pipero.

Ai theksoi se “trendi është qëndrueshëm në ulje dhe shumë pozitiv pasi epidemia në vendin tonë është mirëmenaxhuar dhe ju siguroj për këtë”.

Më tej, mjeku Pipero u shpreh se epidemia po bie në mënyrë të qëndrueshme dhe tani jemi në fazën e dytë dhe kjo zgjat pak më shumë, por duhet ta dimë që virusi është ende aty edhe pse i ka rënë ritmi dhe agresiviteti.

“Duhet të jemi të kujdesshëm për të shikuar ritmin e transmetueshmërisë. Kjo i bën institucionet shqiptare të jenë të kujdesshëm në lëshimin e masave shtrënguese të cilat unë kam qejf ti quaj shumë të arsyeshme. Jam shumë optimist që gjysma e parë por edhe e dytë e majit do të na gjejë shumë më të relaksuar”, deklaroi Pipero.

Gjithsesi Pipero apeloi për kujdes të shtuar, që sipas tij, nga kjo mund të kemi vetëm gjëra të mira.

Sa i përket numrit të testimeve, Pipero shprehet se “duhet të kemi aq sa duhet, aq sa e kërkon ecuria e epidemiologjisë në vendin tonë. Strategjia që kemi ndjekur ne ka qenë strategji që gjurmon. Po të shikoni pozitivitetin e mostrave tona kanë qenë relativisht më të larta se vendet e tjera, pra kemi qenë më afër vatrës dhe kjo gjë na mundëson ta ndërpresim më shpejt zinxhirin epidemiologjik”.

Ai deklaroi se “unë kam qenë dhe jam kundër një testimi masiv sepse nuk na çon gjëkundi. I shërben statistikës, por jo epidemisë”.

Gjithashtu, Pipero tha se rritja e temperaturës dhe lagështisë e minimizon transmetueshmërinë e virusit.”Rrezet e diellit janë shumë pozitive dhe të rekomanduara për t’u ekspozuar dhe kjo është fakt dhe evidencë që me rritjen e temperaturave ulet transmetimi i virusit”.

“Mundësia e rikthimit në verë është e vogël, por nuk përjashtohet në vjeshtë apo dimër. Unë jam besimplotë që do të kemi një verë të shëndetshme për qytetarët dhe do të kemi edhe plazhe, por s’mund të jemi si një vit më parë. Do jemi me disa masa që në dukje nuk janë shumë të mira, por janë shumë të dobishme për të mundësuar mbajtjen nën kontroll të virusit edhe gjatë periudhës së verës”, deklaroi Pipero. /atsh

Pipero: Epidemia në vendin tonë e mirëmenaxhuar, do kemi një verë të shëndetshme Read More »

Masat e reja për fundjavën/ Rama: Dalin prindërit me fëmijë dhe pensionistët, të shtunën hapur vetëm ushqimoret e farmacitë

Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi fashat orare të fundjavës kur do të lejohen të qarkullojnë pensionistët dhe kur do të lejohet të qarkullojnë prindërit me fëmijë deri në 14 veç.

“Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se “të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30”.

Kryeministri theksoi se “të shtunën, 2 maj, do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30”.

Ndërkohë, ai tha se “të dielën të gjitha do të jenë mbyllur”.

“Gjatë të shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private )përjashtuar ata që punojnë me autorizimet përkatëse). Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullit bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej”, tha Rama.

Rama tha po ashtu se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, do të informojë sot planin e hapjes së mëtejshme deri në 18 maj./atsh

Masat e reja për fundjavën/ Rama: Dalin prindërit me fëmijë dhe pensionistët, të shtunën hapur vetëm ushqimoret e farmacitë Read More »

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë

Deri tani janë shëruar 470 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470.

Nga puna e bërë e mjekëve, rezulton se Mallakastra, Tropoja, Kavaja, Rrogozhina, Korça dhe Lezha janë zonat ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoj sot se sa i përket të prekurve nga COVID-19 sot rezulton se numri i pacientëve të shëruar është dyfish më i lartë se i qytetarëve që janë prekur nga ky virus.

Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 272 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 773 të infektuar me COVID-19, 272 raste aktive, 470 të shëruar, 31 të vdekur, ndërsa janë kryer 8253 teste gjithsej.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë Read More »

Shkollat profesionale do të hapen në 18 maj vetëm për maturantët

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, deklaroi sot se “35 shkollat profesionale në vend do të hapen për maturantët nga data 18 maj deri në datën 5 qershor, në bazë të vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit, duke u nisur nga vendimet e taskforcës për përballimin e situatës së pandemisë së COVID-19 në Shqipëri dhe mbështetur në vlerësimin e modeleve të vendeve të tjera që kanë filluar hapjen graduale të shkollave”.

Nëpërmjet një deklarate, zv/ministrja Sorensen informoi nxënësit, prindërit dhe drejtuesit e shkollave mbi procedurat që do të ndiqen për mbylljen e vitit shkollor 2019-2020, duke vënë theksin në katër elementë të rëndësishëm.

“Së pari, viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020 për të gjithë nxënësit, sipas planifikimit në udhëzimet e deritanishme, së dyti, provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen, sipas planifikimit, mes datave 8 dhe 18 qershor 2020, gjë që jep mjaftueshëm kohë që të përgatiten edhe diplomat për të gjithë maturantët që planifikojnë të studiojnë jashtë vendit dhe i duhen ato në korrik”, – tha ajo.

Zv/ministrja Sorensen theksoi se “së treti në mënyrë që provimi i maturës të jetë sa më i drejtë për maturantët dhe ata të kenë mundësinë për t’u përgatitur, është vendosur hapja e shkollave vetëm për nxënësit e klasave e 13-ta, pra për maturantët, në periudhën 18 qershor deri në 5 maj, gjatë së cilës do të punohet vetëm për lëndët e Maturës Shtetërore dhe me plan-programet e reja që nuk përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie”.

Së katërti, shtoi ajo, mësimi nga shtëpia do të vazhdojë për të gjithë nxënësit e klasave 10-12 deri në fund të majit, duke planifikuar të mbyllet dy javë më herët se sa parashikimet në mënyrë që të krijohet mundësia që mësuesit të shkojnë nëpër shkolla dhe të bëjnë të gjithë punën administrative të hedhjes së notave dhe kalkulimit të vlerësimeve përfundimtare.

Zv.ministrja Sorensen informoi gjithashtu se hapja e pjesshme e shkollave do të realizohet duke zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare nëpër shkolla, për 4200 maturantë në 35 shkolla.

“Do të sigurohet minimumi 1.5 m largësi mes nxënësve, ashtu siç parashihet nga rregullat e institucioneve shtetërore, dhe numri i nxënësve për klasë të mos jetë më shumë se 10-12 nxënës (apo maksimumi 15 nxënës për klasë, në rastet kur klasa ofron hapësirë të mjaftueshme)”, – tha Sorensen.

Zv/ministrja u shpreh se “duke konsideruar situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, për të mbështetur procesin e vijimit të mësimit online dhe realizimin e Provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale dhe të Provimeve të Niveleve në shkollat profesionale, udhëzimet janë si më poshtë: mësimi në kushtet e shtëpisë do të vazhdojë në përputhje me udhëzimet e mëparshme duke synuar një pjesëmarrje sa më të madhe dhe sa më aktive të nxënësve”.

“Nga data 4 maj, duke filluar me mësim nga shtëpia dhe pastaj në shkollë me datë 18 maj, puna me maturantët do të fokusohet në provimet e Maturës Shtetërore. Për nxënësit Maturantë, parapërgatitja, për vitin shkollor në vijim, nuk do të përfshijë temat mësimore të trajtuara gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, për periudhën e mbetur deri në datat e provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të synohet përfshirja dhe mbështetja sa më e madhe e nxënësve maturantë që kanë patur vështirësi dhe pamundësi për t’u angazhuar në mësimin në kushtet e shtëpisë.

“Modalitetet e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të jenë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë. Provimi i Praktikës Profesionale të Integruar i Nivelit nuk do të zhvillohet në vitin shkollor 2019. Për të gjithë nxënësit (përfshirë dhe nxënësit maturantë), nota e këtij provimi praktik do të llogaritet si mesatare e thjeshtë, e rrumbullakosur, e notave të moduleve praktike që nxënësi ka përmbushur në nivelin përkatës”, tha ajo.

Sipas saj, provimi i Teorisë Profesionale të Integruar i Nivelit, për vitin shkollor në vijim, do të zhvillohet online.

“Përgatitja e testeve teorike, realizimi i provimit, korrigjimi dhe nxjerrja e rezultateve do të kryhen nga vetë shkollat, bazuar në Programet Orientuese përkatëse dhe sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të Agjencisë Kombëtare të AFP dhe Kualifikimeve. Nota përfundimtare e Provimit të Teorisë Profesionale të Integruar të Nivelit për çdo nxënës do të llogaritet duke marrë në konsideratë jo vetëm rezultatet e provimit të teorisë profesionale online, por edhe mesataren e notave në lëndët profesionale të përfshira në Programin Orientues përkatës”, – theksoi zv/ministrja.

Ndërsa për nxënësit që do ta kenë të pamundur të marrin pjesë në provimin e teorisë profesionale online, në përshtatje me rrethanat dhe kushtet që do të krijohen në vijim, Sorensen tha se “do të jepen udhëzime të mëtejshme për të mundësuar edhe realizimin e këtij provimi dhe nxjerrjen e notës përfundimtare përkatëse”.

Në përfundim të deklaratës së saj, zv.ministrja Sorensen ritheksoi se të gjitha shkollat profesionale do të vijojnë mësimin online dhe përgatitjet për provimet përfundimtare sipas udhëzimeve të mësipërme./atsh

Shkollat profesionale do të hapen në 18 maj vetëm për maturantët Read More »

Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin për kryeministër

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike të Kosovës për të formuar Qeverinë e Kosovës.

Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti Thaçi, Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re, pas shkarkimit të Qeverisë Kurti me mocion të mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja.

Thaçi tha se kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, i paraqet Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin e Kuvendit./KosovaPress/

Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin për kryeministër Read More »

“Ecuria e epidemisë nën kontroll nga masat dhe respektimi i tyre”, Pipero: E kemi kaluar pikun prej 2-3 javësh

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha se nga 700 e ca raste të konfirmuara me COVID-19 në vendin tonë, më shumë se 400 persona janë shëruar. Pipero tha se kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë.

Gjithashtu gjatë një interviste televizive mjeku Pipero theksoi se jo të gjithë janë pozitivë aktivë, pasi ata që janë pozitiv janë më pak të rrezikshëm sesa një që nuk e di që pozitiv dhe mund t’ia transmetojë të tjerëve.

“Jo të gjithë janë pozitiv aktivë, ata që janë pozitiv janë shumë herë më pak të rrezikshëm, sesa një që është pozitiv dhe nuk e di, sepse ai mund tua transmetojë të tjerëve. Nga 700 e ca raste, më shumë se 400 e ca janë shëruar tanimë. Kjo lloj shifre nuk na tremb, kjo shifër na dëshmon që virusi është këtu, masat janë adekuade, strategjia është adekuade.

Pipero tha se, “e kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë. Sipas studiuesve, piku është kur numri i rasteve pozitive shkon paralelisht me numrin e të shtruarve në spitale. Të gjithë treguesit rikonfirmojnë, se ecuria e epidemisë është nën kontroll, e menaxhuar, edhe referuar masave të qeverisë, dhe respektimit të rregullave të qytetarëve, dhe me këmbënguljen tonë”. /atsh

“Ecuria e epidemisë nën kontroll nga masat dhe respektimi i tyre”, Pipero: E kemi kaluar pikun prej 2-3 javësh Read More »

Parashikimi i motit, e enjte 30 prill 2020

Moti sot parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se reshjet e shiut do të jenë të pranishme që prej orëve të para të të mëngjesit me intensitet të ulët e mesatar, kryesisht në perëndim e veriperëndim. Reshjet gjatë ditës lokalisht do të marrin impulse në kohë të shkurtër në formën e shtrëngatave me rrufe të izoluara me rrebeshe e breshër.

Era do të fryjë nga juglindja e jugperëndimi e lehtë e gjatë momenteve me shtrëngata fiton shpejtësi mesatare, duke u pasuar nga valëzim në dete me forcën 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 12/19 re shi diell rrufe
Kukës 11/18 re shi diell
Lezhë 13/20 re shi diell rrufe
Dibër 9/17 re shi diell
Durrës 13/22 re shi diell rrufe
Tiranë 12/23 re shi diell
Elbasan 12/23 re shi diell
Berat 10/24 re shi diell
Vlorë 14/24 re shi diell
Korçë 9/17 re shi diell
Gjirokastër 10/20 re shi diell
Sarandë 12/22 re shi diell/atsh

Parashikimi i motit, e enjte 30 prill 2020 Read More »