Aktualitet

“Asgjë për t’u shqetësuar nga shtimi i rasteve”/Kalo: Janë kontakte me të sëmurët e mëparshëm, vetëndërgjegjësimi i qytetarëve arma për mposhtjen e COVID-19

Rastet e regjistruara sot nuk janë vatra të reja, por raste të kontakteve të mëparshme. Me rëndësi është ndërgjegjësimi i qytetarëve për respektimin e masave.

Kështu deklaroi mjeku Tritan Kalo, gjatë një interviste televizive sot, ku theksoi se, lehtësimi i masave dhe rritja e lëvizjes së popullatës e bën të pritshme shtimin e rasteve.

“Nuk janë raste të vatrave të reja, por janë kontakte me të sëmurët e mëparshëm. Kjo e bën të nevojshme që të ruajmë distancën fizike. Pra, kjo hapja dhe kjo lëvizja bën që njerëzit t’i nënvlerësojnë masat e distancimit fizik dhe kjo bën detyrimisht të shtohet numri. Kemi mbi 13 ditë që nuk kemi asnjë viktimë nga kjo sëmundje dhe këto parametra po përpiqemi t’i ruajmë. Faktori kryesor është sjellja e qytetarëve”,- tha ai.

“Gjatë këtyre ditëve po, do ketë rritje dhe pastaj shpresoj të rikthehet aty ku ishim në ditët e fundit. Mbi të gjitha, me rëndësi mbetet vetëndërgjegjësimi i popullatës për mbarëvajtjen e kësaj pandemie në vendin tonë”, – shtoi Kalo.

Ai pasqyroi dhe situatën në dy spitalet COVID. “Në të dy strukturat janë në terapi intensive tre persona jo të intubuar, por që kanë nevojë për asistencë. Jemi të lehtësuar për dy gjëra. E para, se ka më shumë jetë njerëzish të shpëtuar, ne vetë ndjehemi më të lehtësuar, sepse është lehtësuar barra. Personat më të rrezikuar në të gjithë botën është personeli mjekësor”, – tha Kalo.

“Unë e kam thënë, se mundësia është se ajo që nuk është bërë ligjore është bërë faktike nga popullata. Deri sa një gjë e tillë është bërë fakt i kryer dhe kjo është e mirë që të pranohet, por mbyllja brenda zonave është e mirë që të vijojë për ca kohë, sepse akoma kemi një numër të madh personash aktivë në Tiranë, Krujë dhe në Shkodër”, – tha ai.

Doktor Kalo u shpreh se virusi do të rishfaqet në vjeshtë, ashtu siç rikthehen infeksionet e tjera. “Unë po e shpreh tek ju, nuk është hera e parë që e kam thënë. Nuk bëhet fjalë për rikthim, por rishfaqje sepse infeksioni nuk do të zhduket. Në vjeshtë bashkë me kthimin e infeksioneve të tjera, detyrimisht një pjesë e infeksioneve do shfaqen, dhe midis tyre do të ketë të sëmurë nga COVID-19”, – theksoi ai.

“Pakënaqësia ime lidhet me dy probleme kryesore: Së pari, për shkeljen dhe mosndërgjegjësimin qytetar, i cili çalon. Një popullatë që është aktive nuk ka pse të bëhet pre e infeksionit të tillë. Nuk kemi njerëz për të humbur. E dyta, ajo që më shqetëson është politizimi i gjërave të pavlefshme. Nuk bëhet politikë me sëmundjen, me të vdekurit, me pandeminë. Politika bëhet me politika shëndetësore, me përmirësimin e sistemit shëndetësor. Një popullatë e shëndoshë tregon vitalitetin e një kombi në të ardhmen”, – përfundoi ai. /atsh

“Asgjë për t’u shqetësuar nga shtimi i rasteve”/Kalo: Janë kontakte me të sëmurët e mëparshëm, vetëndërgjegjësimi i qytetarëve arma për mposhtjen e COVID-19 Read More »

Nuk zbatoi masat e marra ndaj COVID-19, policia gjobit Bashën

Policia e Durrësit deklaron se “ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbyllur të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19”.

Policia sqaron se “ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ”.

“Bazuar mbi Aktin Normativ, është marrë masë administrative 1 milionë lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A.H. Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet, L.B, F. Xh., A. M., R. G., A. B., V. N., E. H., A.B., D. B., J.M. dhe A.H.”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në “zonat e kuqe” që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe të distancimit social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojnë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore. /atsh

Nuk zbatoi masat e marra ndaj COVID-19, policia gjobit Bashën Read More »

Sot lufta është në spital, teatri gjest patetik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk kam qenë asnjëherë me një bindje tjetër për shembjen e Teatrit prej 20 vitesh.

Shembja e Teatrit Kombëtar është temë e ezauruar për mua personalisht është një temë e cila ka shumë vite, 20 vjet. Qëndrimi im është i njohur prej 20 vitesh dhe nuk besoj të ketë pasur proces më të gjatë në historinë e këtij vendi në distancë apo nga afër lidhur me këtë temë”.

Në një intervistë televizive, Kryeministri Rama tha se “besoj se ky është një atribut ekskluziv i pushtetit ekzekutiv në qeveri dhe në bashki dhe kthimi i një teme me karakter urbanistik dhe zhvillimor në një të temë politike tregon shterpësi dhe asgjë tjetër”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk ka asnjë patate të nxehtë ka vetëm një proces që zhvillohet sipas ligjit natyrshmërisë së ndarjes së punëve dhe bashkia e Tiranës në të njëjtën kohë është edhe agjencia që do të ekzekutojë të gjithë projektin”.

I pyetur nëse i ka dhënë urdhër bashkisë të prishë Teatrin, Rama u përgjigj se “jo, ne nuk i kemi thënë ‘merre prishe’ ne i kemi thënë ‘merre ndërtoje’. Ajo që mendoj se është e rëndë, është se vija e zjarrit sot në Shqipëri prej jo pak kohësh është në spital dhe lufta sot në Shqipëri jo prej pak kohësh është lufta për të mbrojtur shëndetin, për të garantuar edhe këtë fazë të dytë, që është hapja graduale, që do të thotë një thirrje e tillë për të marrë më qafë njerë,z për të bërë gjeste patetike, që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë proces ligjor dhe me asnjë proces demokratik, dhe me asnjë proces kundërshtie të natyrshme, është papërgjegjshmëri”.

I pyetur për artistët që po mbrojnë teatrin, të cilët janë mbledhur në mjediset e jashtme të tij, Rama tha se “pas shpinës tuaj nuk shikoj aleancë për teatrin, shikoj një grup njerëzish që kanë thyer rregullat aktuale në kundërshtim me aktin normativ, duke vënë në rrezik jo vetëm veten, por edhe të tjerë, ky është fakt”, – tha Rama.

“Nuk shikoj ndonjë aleancë për teatrin. Po flas për atë që ndodh atje në errësirë dhe në kushtet kur është rreptësisht e ndaluar që njerëzit të grumbullohen në numra të tillë dhe të rrezikojnë veten dhe të tjerët, ky është fakt”, – tha Rama./atsh

Sot lufta është në spital, teatri gjest patetik Read More »

Vlora, “zonë e gjelbër”/ Kryebashkiaku Leli: Ndihmuam rreth 2500 familje në nevojë

“Bashkëpunimi ynë me strukturat e tjera të pushtetit lokal, Policinë e Shtetit dhe ato qendrore kanë qenë për t’u lavdëruar dhe garancia e suksesit për të minimizuar rastet e COVID-19 në Vlorë. Sot kemi një Vlorë të gjelbër në një periudhë pandemie globale”.

Kështu u shpreh sot në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili theksoi se “falë këtij organizimi dhe përkushtimi të të gjithëve kemi arritur të kemi sot një Vlorë të gjelbër me pesë raste, që u evidentuan që në ditët e para dhe për të cilat u ndoqën protokollet hap pas hapi dhe në bashkëpunim të përkryer me sistemin shëndetësor”.

Për kryetarin Leli një nga sfidat më të mëdha ka qenë misioni humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë dhe të moshuarve.

“Është ndjekur çdo procedurë ligjore për të respektuar të gjithë ata njerëz që sipas VKM kishim detyrimin për t’i asistuar. Ditët e para kanë qenë ditë thirrjesh telefonike, që kalonin 1000 në ditë, të gjitha thirrjet janë vlerësuar. Janë trajtuar në total duke përfshirë ndihmën e ofruar nga bashkia e Vlorës dhe bizneset në Vlorë rreth 2500 familje, të cilat u asistuan në këto ditë të pandemisë COVID- 19”, – theksoi Leli.

Sipas tij, ishte një armatë me rreth 100 persona të ndara sipas njësive administrative të Vlorës për të qenë pranë këtyre njerëzve.

Sa i përket rifillimit të mësimit, Leli u shpreh se “kujdesi ynë ndaj njësive arsimore nuk ka ndaluar asnjë moment. Nga e hëna nis mësimi dhe ajo që jemi duke punuar fort është të vendosim të jemi të gjithë bashkë për të respektuar distancat për të minimizuar riskun e përhapjes së COVID 19”.

“Në vende të mbyllura rritet mundësia për përhapjen e virusit dhe duke krijuar hapësira të caktuara dhe për ventilimin dhe ajrosjen kjo mundësi minimizohet”, – shtoi Leli.

Kryebashkiaku Leli mbetet besimplotë dhe se në këtë sfidë do ia dalim të triumfojmë./atsh

Vlora, “zonë e gjelbër”/ Kryebashkiaku Leli: Ndihmuam rreth 2500 familje në nevojë Read More »

Tomini apel qytetarëve: Funksionimi i strategjisë së rihapjes varet vetëm nga ju

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar.

Dr. Eugena Tomini, eksperte e Institutit të Shëndetit Publik në përditësimin e situatës theksoi se në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Kamëz.

“Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Me pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet COVID, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”, u shpreh Tomini.

Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11769 testime, nga të cilat, 11239 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

“Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së rihapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll”, u shpreh Tomini.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes COVID-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, përfundoi ajo. /atsh

Tomini apel qytetarëve: Funksionimi i strategjisë së rihapjes varet vetëm nga ju Read More »

Kuvendi miraton projektligjet e rendit të ditës në seancën plenare

Kuvendi miratoi projektligjet në rend të ditës në seancën e sotme plenare.

Kështu sot u miratua me 83 vota pro projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 78 vota pro projektligjin për “Tregjet e kapitalit””.

Kuvendi miratoi me 81 vota pro projektligjin “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”.

Kuvendi miratoi me 82 vota pro projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””./atsh

Kuvendi miraton projektligjet e rendit të ditës në seancën plenare Read More »

“Heqja e TVSH-së për jahtet”/ Klosi: Ngremë një industri të munguar në Shqipëri, krijojmë më shumë punësim

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se ligji për heqjen e TVSH-së për jahtet është një mekanizëm ekonomik që kërkon të ngrejë një industri të munguar në Shqipëri dhe të krijojë më shumë punësim.

Gjatë diskutimit në Kuvend lidhur me heqjen e TVSH-së për jahtet, Klosi tha se nga ky ligj nuk ka asnjë humbje në buxhetin e shtetit sepse kjo industri nuk ekziston në Shqipëri.

“Të flasësh për turizmin nuk mund të jetë vetëm turizmi i detit, i natyrës, i trashëgimisë natyrore, por duhet të ngremë një politikë të madhe që shfrytëzon çdo mundësi që ka ky vend dhe që sjell në vëmendje mundësi reale, më shumë punësim dhe mirëqenie”, tha Klosi.

Ai theksoi se turizmi është një industri që prodhon punësim dhe para dhe ka shumë degë të saj që duhet të marrin zhvillim.

Në këtë kuadër, Klosi tha se “vjen edhe kjo paketë ligjore që shoqërohet me dy ligje, me atë për turizmin detar dhe ky për heqjen e TVSH-së së jahteve”.

“Ky ligj ka nevojë të debatohet dhe të shikohet por që debati të kthehet se kush përfiton, është debati më i gabuar që i bëhet një politike të re ekonomike. Një debat si atëherë kur ulëm TVSH-në e hoteleve nga 20% e çuam në 6%, për ato hotele që sot janë mekanizëm i vërtetë në gjithë hapësirën turistike të vendit. Kështu debatuat dhe kur ndërtuam strategjinë e hoteleve me 4-5 yje, dhe sot kemi një sërë markash në hotelerinë shqiptare. Edhe për agroturizmin këtë debat bëtë”, kujtoi Klosi.

Klosi tha se “ne synojmë të bëhemi një vend atraksioni për një industri të re që duhet të ndërtohet në Shqipëri”.

“Kjo industri ekziston në të gjitha vendet e Mesdheut. Ne na duhet të ngremë një paketë lehtësirash fiskale që në Shqipëri të gjejmë vend për të ngritur një industri të re të detit për të hapur më shumë vende pune. Ka mbi 6 milionë mjete lundruese në Mesdhe, ndërsa në Shqipëri thuajse zero. Është një industri e munguar që do tentojmë fort ta krijojmë në vendin tonë për të sjellë ndryshimin e imazhit të Shqipërisë. Me jahte që nuk i përkasin shumë biznesmenëve shqiptare, por janë jahte europiane që kërkojnë të zhdoganohen në Shqipëri. /atsh

“Heqja e TVSH-së për jahtet”/ Klosi: Ngremë një industri të munguar në Shqipëri, krijojmë më shumë punësim Read More »

IKSHPK apelon qytetarët për kujdes të shtuar nga COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë serish thirrje qytetarëve për kujdes në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke thënë se lehtësimi i masave nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.

Mbrëmë në Kosovë janë konfirmuar tetë raste të reja me koronavirus dhe asnjë të shëruar, duke bërë kështu që totali i të prekurve të arrijë në 927.

Kjo ka bërë që IKSHPK të alarmojë qytetarët që të vazhdojnë të ruajnë distancën sociale, mbajtjen e higjienës dhe maskave deri në shuarjen e plotë të COVID-19.

“Lani duart me kujdes 20-30 sekonda! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve”, thuhet në deklaratë.

IKSHPK u ka bërë serish thirrje edhe institucioneve për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim./KosovaPress/

IKSHPK apelon qytetarët për kujdes të shtuar nga COVID-19 Read More »