Aktualitet

Shkelën masat antiCOVID-19, gjoba dhe heqje të lejes së drejtimit për 40 shtetas

Policia e Tiranës, në vijim të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese të përcaktuara për parandalimin e COVID-19 ka konstatuar me shqetësim grumbullimin e një grupi qytetarësh pranë Teatrit Kombëtar, shumë përtej fashës orare të qarkullimit dhe në shkelje të çdo rregulli të parashikuar nga Akti Normativ.

Në zbatim të Aktit Normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, shërbimet e Policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit për 40 shtetas.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në “zonat e kuqe” që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe distancimin social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore./atsh

Shkelën masat antiCOVID-19, gjoba dhe heqje të lejes së drejtimit për 40 shtetas Read More »

Cakaj: Fillimi i negociatave, kurorëzim i reformave madhore në pesë prioritetet kyçe

“Fillimi i negociatave është kurorëzim i reformave madhore, që ka bërë Shqipëria në pesë prioritetet kyçe”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Cakaj raportoi sot në Komisionin parlamentar për Integrimin Europian ku u shqyrtua raporti i Këshillit të Ministrave “Për ecurinë e procesit të integrimit për vitin 2019”.

“Sapo mbylla raportimin pranë Komisionit për Integrimin Europian, lidhur me të gjithë punën madhore që kemi bërë deri më sot dhe detyrat që na presin në të ardhmen, për të përparuar drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Cakaj.

“Pavarësisht pandemisë COVID-19, puna e Shqipërisë për ngritjen e grupit negociator, përgatitjet teknike për zhvillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve që janë përcaktuar nga përfundimet e Këshillit, ka vazhduar pandërprerë”, tha Cakaj.

“Fillimi i negociatave është kurorëzim i reformave madhore, që ka bërë Shqipëria në pesë prioritetet kyçe por, natyrisht, edhe hapje e detyrave të reja që kërkojnë punën e pakursyer të gjithsecilit e bashkëpunimin e të gjithëve”, theksoi Cakaj./atsh

Cakaj: Fillimi i negociatave, kurorëzim i reformave madhore në pesë prioritetet kyçe Read More »

“Debati ka hyrë në axhendë politike”, Çuli: Godina e Teatrit Kombëtar ka humbur çdo gjë nga identiteti i vet

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, deklaroi sot se “godina e Teatrit Kombëtar ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj”.

Në një intervistë televizive Çuli u shpreh se “çështja e teatrit nuk është një diskutim që bëhet prej dy vitesh, por prej 6 vitesh”. “Që në momentin e parë që kam qenë drejtori i Teatrit kam bërë publik shqetësimin tim që Teatri është jashtë kushteve funksionale si për aktorët, edhe për spektatorët”, tha ai.

“Më vjen keq për çdo copëz jete që kam kaluar në institucionin e teatrit ku kam punuar prej 24 vitesh nuk po arrij ta kuptoj se çfarë do të thotë ky debat për një godinë që e ka mbaruar misionin e saj dhe nga brenda është shndërruar në një godinë të arnuar, sepse ka pasur ndërhyrje këto 30 vite edhe më parë në teatër që jo vetëm nuk kanë përmirësuar cilësinë, por e kanë shkatërruar atë”, – nënvizoi Çuli.

Drejtori Çuli u shpreh se “këtu nuk iu drejtohem turmave patologjike se është e turpshme”.

“Ka njerëz që s’kanë asnjë lidhje me Teatrin Kombëtar, përveç Neritan Liçajt që është aktori i teatrit. Individët e tjerë nuk kanë ardhur ndonjëherë si spektatorë në teatër dhe për axhendat e tyre politike ulërasin me të madhe për diçka që nuk ia kanë idenë. Kjo është një godinë që ka humbur edhe nëse do kishte minimumin e vlerave historike brenda institucionit, por ajo ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj“, – u shpreh Çuli.

I pyetur nëse mund të bëhet një restaurim i godinës ai tha se është e pamundur. “Teatri nga brenda është arnuar aq keq, saqë është e pamundur që ta kthesh me rikonstruksion në identitetit. Teatri Kombëtar nga brenda nuk e ka më funksionin e një gjëje që duhet konservuar”, u shpreh Çuli.

“Ky teatër ka edhe një arsye tjetër për të mos u rikonstruktuar, është i vetmi teatër në botë që në parametrat e tij bashkëkohorë, nuk mund t’i qëndrojë dot mizaskenave artistike të kohës. Është i vetmi Teatër Kombëtar në botë që ka xhepa skenikë nga gjysmë metri, ku aktorët përplasin kokën me njëri-tjetrin”, – tha ndër të tjera drejtori i Teatrit Kombëtar.

Duke iu përgjigjur pyetjes se pse shumica e aktorëve nuk e kuptojnë si ai pjesën se teatri ka dalë jashtë funksionit, përse nuk mendojnë dhe ata si ju, por dalin dhe bëjnë rezistencë për këtë situatë, Çuli theksoi se “ju siguroj se 90% e komunitetit artistik e ka kuptuar më në fund se kjo është një histori, që ka hyrë në një axhendë politike dhe nuk ka lidhje me një inspirim idealist”. /atsh

“Debati ka hyrë në axhendë politike”, Çuli: Godina e Teatrit Kombëtar ka humbur çdo gjë nga identiteti i vet Read More »

Basha: Teatri vija e kuqe e demokracisë, do kaloj orë të tëra këtu pranë artistëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar Aleancës për Mbrojtjen eTeatrit të cilët janë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Në një prononcim për mediat, Basha tha se “Bashkia e Tiranës ka një kryebashkiak të paligjshëm, këshilli është inekzistent për sa kohë të jetë ky njeri, batërdia do vazhdojë, e gjitha kjo vjedhje dhe dhunë, zhvatje, e pronave ka vetëm një emër, Edi Rama. Ai është përgjegjësi”.

“Partia Demokratike ka qenë pranë artistëve, i bej thirrje qytetarëve që t’u qëndrojë pranë, po mbrojnë vijën e fundit pas së cilës vjen diktatura. Do kaloj orë të tëra këtu dhe do jem pranë tyre”,- tha ai.

“Jemi i vetmi vend në botë që qeveria në vend t’i mbrojë i grabit qytetarët. Në vend që t’i kushtohet vëmendje COVID-t Rama grabit pronat, ka 7 vite vjedhje, por pandemia tregoi fytyrën e vërtetë, se kur nuk ndalesh nga pandemia do të thotë je i pashpresë“, tha Basha.

“Jam këtu për të treguar solidaritetin tim personal dhe të gjithë opozitës dhe për tu kërkuar të gjithë qytetarëve të jemi solidarë për të mbrojtur një vijë të kuqe të demokracisë. Qytetarët kanë të drejtë të mbrohen me të gjitha mjetet. Kur shteti bie në dorë të banditëve dhe shkel ligjin dhe Kushtetutën siç po shkelet ligji dhe Kushtetuta këtu qytetarët mund të zgjedhin tu përgjigjen me çdo mjet”,- vijoi ai./atsh

Basha: Teatri vija e kuqe e demokracisë, do kaloj orë të tëra këtu pranë artistëve Read More »

Marrëveshja me Greqinë për punonjësit sezonalë është gati

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë televizive se marrëveshja me Greqinë për shqiptarët që duan të punojnë me kontrata sezonale është gati.

“Marrëveshja është e bërë. Gjithçka është gati, janë gati të gjitha strukturat dhe të gjithë ata që do të shkojnë të punojnë sezonalë, që kanë kontrata dhe marrëveshje do të dalin dhe do të shkojnë në Greqi. Kjo është kryer”, – tha Rama.

Ndërsa për hapjen e kufijve, Rama tha se “kam parasysh hapjen e kufijve për qytetarët shqiptarë që janë në anën tjetër të kufirit, në Greqi, që mund të kthehen”./atsh

Marrëveshja me Greqinë për punonjësit sezonalë është gati Read More »

“Do të kemi sezon turistik”/ Bregdetin e vendit në dispozicion shqiptarëve në të katër anët

“Ne do të kemi sezon turistik dhe besoj se javën e ardhshme do të kemi konkluzionet për këtë çështje”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “ne sot mund të sjellim në Shqipëri më shumë turistë se çdo herë tjetër”.

“Kërkesat janë të pafundme, presioni është shumë i madh nga vende si Hungaria, Ukraina, vendet nordike etj., por çështja është: a duhet apo jo t’i sjellim? Ata janë të organizuar me fluturime të dedikuara. Janë qeveritë e tyre që thonë në Shqipëri ne jemi gati t’i mbështesin turistët të vijnë, sepse Shqipëria ka situatën më të mirë nga të tjerët, por pyetja është a duhet apo nuk duhet”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “janë shqiptarët që nuk do të lejohen të shkojnë asgjëkundi”. “Shqiptarët do ta ketë të pamundur përgjithësisht të bëjnë pushime jashtë për arsye të të tjerëve. Ne duam që bregdetin e vendit t’ia vëmë në dispozicion shqiptarëve në të katër anët”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot kam bërë disa biseda telefonike me disa nga kolegët e mi në Europë dhe situata është e paqartë”. “Ata kanë vendosur 15 qershorin që Shengeni është i mbyllur, por brenda tyre ka debate nga më të ndryshmet. Të gjithë po synojnë turizëm të brendshëm apo me korridore, Austria me Gjermaninë e Danimarkën, Italinë nuk e do asnjë njeri në korridor”, tha Rama. /atsh

“Do të kemi sezon turistik”/ Bregdetin e vendit në dispozicion shqiptarëve në të katër anët Read More »

“Hapja graduale rrit imunitetin”/ Pipero: Rastet e fundit nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt

Mjeku i njohur Pëllumb Pipero e konsideron të qetë dhe të butë epideminë në vendin tonë pavarësisht një rritjeje të ndjeshme të numrit të të infektuarve në 24 orët e fundit.

Gjatë një interviste televizive, Pipero tha se “sot kemi 18 raste pozitive, por dje dhe sot nuk kemi asnjë rast të ri të shtruar. Janë raste që nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt”.

Por Pipero apelon që qytetarët nuk duhet të humbasin kujdesin dhe vëmendjen përballë koronavirusit.

“Është një virus me shumë të panjohura dhe vendet që nuk kanë respektuar gradualitetin janë kthyer pas në masa. Hapja duhet të jetë graduale dhe rajonale, pasi ato mikrovatra që janë ende t’i mbajmë të survejuara, të mos na ndodhi t’i kthejmë mbrapsht”, tha Pipero, duke theksuar se është shumë e rëndësishme mbajtja e distancës fizike dhe larja e duarve nga qytetarët.

Ai theksoi se rastet edhe pse sporadike janë pa komplikacione, duke nënvizuar se epidemia është nën kontroll.

“Ka një teori që me kalimin nga një person në një tjetër bie virulenca dhe ky është fakt. Dhe ekspozimi, vazhdimi i hapjes do na japi dy gjëra: së pari në aspektin psikologjik do jemi më të qetë, në aspektin ekonomik po e po , por edhe rritja e imunitetit”, deklaroi mjeku Pipero.

Ai theksoi se “virusi tek ne ka jo vetëm rënie të qarkullimit të transmetueshmërisë, por edhe rënie të virulencës, nuk është më agresiv sa ka qenë. Pra nuk sjell sëmundje, sjell rritje të mbrojtjes”./atsh

“Hapja graduale rrit imunitetin”/ Pipero: Rastet e fundit nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt Read More »

40 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në “e-Albania” në dy muajt e fundit

Marrja e dokumenteve të pronësisë online do ndryshojë jetën industrisë së ndërtimit dhe qytetarëve, duke shkurtuar kohë në realizimin e procedurave.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj tha se “’e-Albania’ gjatë këtyre dy muajve të pandemisë ka larguar çdo hije skepticizmi, duke qenë pranë qytetarëve që u është dashur shërbim online”.

“Siç e thamë janë automatizuar shërbimet e kadastrës dhe ka 0 kontakt me punonjësit e Kadastrës e për rrjedhojë 0 korrupsion. Risi tani është fakti se çdo hije skepticizmi është shuar gjatë dy muajve të pandemisë, pasi kanë qenë të mbyllura shërbimet e Kadastrës dhe të ADISË-s. Ishin 40 000 qytetarë, që kanë marrë shërbime online dy muajt e fundit. Shifrat thonë se shërbimi më i kërkuar ka qenë kopja e kartelës së pasurisë, që është 70% i shërbimeve vjetore që Kadastra jep. Si merret ky shërbim? Merret lehtësisht. Klik në portal, pagesë minimaliste që realizohet dhe vjen me vulë elektronike, nëse është në bashkësinë e pasurive të digjitalizuara, përndryshe brenda afatit 7-21 ditë”, – tha Karçanaj.

“Vula elektronike rrit sigurinë e dokumentit që merr. Pasi nëse skanon barkodin, në ekran shfaqet kopja e vërtetë e dokumentit. Kjo do sjell lehtësi të jetës së qytetarëve dhe industrisë së ndërtimit, pasi do shkurtohet koha e të gjithë institucioneve vendore e qendrore, do ndryshojë sjellja e noterëve dhe tregu imobiliar, pasi do jenë shumë më të shpejtë në transaksionet e tyre të përditshme”, – theksoi Karçanaj. /atsh

40 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në “e-Albania” në dy muajt e fundit Read More »